njoftimet e fundit per median dhe publikun

për vitin 2010

                                                                                                                                    NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë njofton se në mbledhjen e saj të dt.26.01.2010, në bazë të nenit 131/ b) të Kushtetutës, vendosi njëzëri të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projekt-marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

Gjykata Kushtetuese thekson se në projekt-marrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982.

Vendimi i arsyetuar i kësaj Gjykate do të vihet në dispozicion në një kohë tjetër të përshtatshme.

                                                                                                                                  SQARIM

Sot, në disa gazeta të përditshme janë publikuar artikuj lidhur me rotacionin në Gjykatën Kushtetuese të 6 anëtarëve të saj duke e cilësuar atë si jo kushtetues. Artikujt i referohen deklaratës të përgjegjëses së sektorit të shtypit të kësaj Gjykate. Sqarojmë opinionin publik se ai është një qëndrim personal i saj pasi Gjykata Kushtetuese për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve shprehet vetëm me vendim.

                                                                               Kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve të kërkuara nga gjykatat (Kontroll incidental)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 70/1 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizmin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” njofton se është nën shqyrtimin e saj kërkesa e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe ajo e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, me objekt: Kontrolli i kushtetutshmërisë së nenit 90 të ligjit nr.9662, datë 18.12.2006 “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”.

                                                             Kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve të kërkuara nga gjykatat (Kontroll incidental)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 70/1 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizmin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” njofton se është nën shqyrtimin e saj kërkesa e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me objekt: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën i paragrafëve VII dhe VIII të nenit 34 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”.

Sot, në datën 27.09.2010, pas takimit të zhvilluar në Zyrën e Presidentit të Republikës për dorëzimin te zoti Bashkim Dedja të dekretit të emërimit si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, detyrë e cila është kryer nga Zoti Vladimir Kristo për një mandat tre vjeçar në periudhën 2007 – 2010, ish Kryetari zoti Kristo dhe Kryetari i ri i kësaj gjykate zoti Dedja zhvilluan një takim të përbashket edhe me administratën e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë takim, ish Kryetari Kristo bëri një vlerësim të veprimtarisë dhe punës së kryer nga kjo administratë në periudhën e drejtuar prej tij, duke e cilësuar atë si shumë serioze dhe me një shkallë të lartë profesionalizmi që i përgjigjet më së miri pozicionit të Gjykatës Kushtetuese në hierakinë e institucioneve kushtetuese të vendit.

Po ashtu, zoti Kristo vuri në dukje vlerësimet pozitive që janë bërë për veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka njohur rritje dhe zhvillim që prej momentit të krijimit të saj, si dhe për pavarësinë që gëzon ky institucion, duke ia atribuar këto vlerësime pozitive, pa dyshim, edhe punës së administratës së kësaj gjykate. Nga ana e tij, zoti Dedja u shpreh se është një nder dhe privilegj, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e lartë, të jesh në krye të institucionit të Gjykatës Kushtetuese, duke shprehur edhe angazhimin e tij maksimal për konsolidimin e mëtejshëm të jurisprudencës dhe imazhit të këtij institucioni si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
                                                                                                                             
Scroll to Top