njoftimet e fundit per median dhe publikun
për vitin 2011
NJOFTIM 23.11.2011
NJOFTIM
Sot, në datën 23.11.2011, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancë plenare me dyer të hapura kërkesën e jo më pak se 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë me objekt:
1. Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të neneve 3, 5, 6, 8 të ligjit nr.10449, datë 14.07.2011 “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë;” dhe
2. Pezullimin e zbatimit të këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës nga Gjykata Kushtetuese.
Lidhur me pikën 1 të objektit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për t’u shprehur më vonë me një vendim përfundimtar të arsyetuar.
Lidhur me pikën 2 të objektit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit, pasi nuk plotësohen kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.”
Ndahet nga jeta juristi i shquar dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, z.Zija Vuci 08.11.2011
Ndahet nga jeta juristi i shquar dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, z.Zija Vuci.
Dje, është ndarë nga jeta në moshën 77 vjeçare juristi i shquar dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, z.Zija Vuci.
Z.Zija Vuci është lindur në Shkodër në 25.04.1934. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1958. Gjatë karrierës së gjatë profesionale, z.Zija Vuci ka kryer detyra të ndryshme dhe të rëndësishme në organet e drejtësisë. Në vitin 1968 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Lartë, detyrë të cilën e ka kryer për rreth 20 vjet. Ai njihet dhe si një prej personaliteteve dhe juristëve më të shquar në fushën e të drejtës civile.
Me ndarjen nga jeta të z.Zija Vuci, drejtësia humbi një nga personalitetet dhe aktivistët e saj më të shquar. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të dashur.

Gjykata Kushtetuese dënon aktin e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi 09.09.2011
Gjykata Kushtetuese dënon aktin e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi
Gjykata Kushtetuese me hidhërimin të thellë i shpreh familjes Konomi, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre të dashur, si dhe, kolegut tonë Skerdilajd Konomi.
Kjo Gjykatë, bashkohet me të gjitha institucionet e shtetit shqiptar dhe në veçanti ato të drejtësisë, për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e këtij krimi makabër dhe të paprecedent në historinë e gjyqësorit shqiptar.
Njoftim 01.03.2011
NJOFTIM
Më datë 01.03.2011, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shqyrtoi kërkesën e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, me objekt shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, të ligjit nr.10308 datë 22.07.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar” dhe pezullimin e zbatimit të këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, pasi shqyrtoi kërkesën për pezullim, vendosi:
– Pezullimin e zbatimit të neneve 2, 3, 5 të ligjit nr.10308 datë 22.07.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar”.
Njoftim 23.02.2011
NJOFTIM
Sot, më datë 23.02.2011, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, gjatë shqyrtimit të çështjes me kërkues shtetasin Arben Xheraj, me objekt:
1. Pushimi i vendimit nr.417, datë 20.06.2001, i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë;
2. Shfuqizimi si antikushtetues i vendimit nr.1042, datë 09.07.2010, i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë;
3. Të urdhërohen institucionet shtetërore të zbatojnë vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut të datës 29.07.2008, me palë shtetasin Arben Xheraj kundër Republikës së Shqipërisë;
4. Pezullimi i vendimit nr.417, datë 20.06.2001, i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë deri në hryjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, Gjykata ka vendosur pezullimin e vendimit nr.191, datë 23.10.1996, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vendimit nr.1106, datë 27.11.1996, i Gjykatës së Apelit Durrës, vendimit nr.417, datë 20.06.2001, i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
