njoftimet e fundit per median dhe publikun

për vitin 2021

                                                                                                                        NJOFTIM 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 21.12.2021 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me:

Kërkues:   Fatos Tushe

Objekt:   Shfuqizimi i vendimit nr. 407, datë 06.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë Lushnjë, z. Fatos Tushe”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga kërkuesi me objekt heqjen dorë nga shqyrtimi i ankimit të paraqitur prej tij,

                                                                                                                         VENDOSI:

Pushimin e gjykimit të çështjes.

Vendimi do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve, i kërkuar nga gjykata (Kontroll incidental)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 70, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njofton se pranë kësaj gjykate po shqyrtohet kërkesa e paraqitur nga Gjykata e Apelit Durrës, me subjekte të interesuara Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe Prokuroria e Përgjithshme, me objekt: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje si dhe” në paragrafin e tretë të nenit 64 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Njoftim

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021 çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt:
1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.

Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecies,

VENDOSI:

– Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 14.10.2021 dhe 20.10.2021 çështjen me palë kërkuese shoqata “Unioni i Noterëve Shqiptarë”, me objekt:
1. Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën të pikës 2 të nenit 8; pikës 6 të nenit 10; pikës 4 të nenit 15; shkronjave “d” dhe “dh” pika 2 të nenit 26; pikës 5 të nenit 26; shkronjave “ç” dhe “d” të nenit 27; pikës 2 e nenit 31; neneve 41-53; shkronjës “ll”, pika 1 e nenit 63; pikës 2 të nenit 75 shprehja “paga e zëvendësnoterit nuk mund të jetë më e ulët se 150 % e pagës minimale mujore në shkallë vendi, sipas legjislacionit në fuqi”; shkronjave “dh” dhe “gj” të nenit 81; nenit 95; nenit 96; shkronjës “a”, pika 1 e nenit 105 shprehja “identifikuesin elektronik të aktit”; nenit 106, shprehja “Çdo akt dhe veprim noterial merr nga sistemi elektronik një numër unik elektronik”, nenit 127 të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”.
2. Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1045, datë 15.01.2020 “Për mënyrën e ndërlidhjes, nivelin e aksesit dhe të bashkëveprimit të sistemit elektronik të dhomës kombëtare të noterisë me bazat e tjera të të dhënave”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
3. Pezullimi i zbatimit të shkronjave “d” dhe “dh” të pikës 2, të nenit 26, si dhe nenet 41-53, 95, 96 dhe 106, të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë” dhe i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1045, datë 15.01.2020, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e fjalisë së fundit të pikës 1 të nenit 26 të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”.
– Rrëzimin e kërkesës për kërkimet e tjera.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

NJOFTIM

Në Gjykatën Kushtetuese është në shqyrtim çështja nr. 7 (S) 2019 e Regjistrit Themeltar me kërkuese Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, subjekte të interesuara, Presidentin e Republikës, Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave, Avokatin e Popullit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partinë Bindja Demokratike dhe me objekt:

“1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.

2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.”.

Si është njoftuar më parë, në seancën plenare publike të datës 23.06.2021, Gjykata, në bazë të nenit 44/b të ligjit nr. 8577/2000, ka vendosur të pezullojë gjykimin e kësaj çështjeje dhe të kërkojë amicus curia nga Komisioni i Venecies.

Në datën 18.10.2021, ora 15:54, në rrugë elektronike, Komisioni i Venecies i ka dërguar Gjykatës Opinionin amicus curiae “Mbi kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të zhvilluara në datën 30 qershor 2019” (në gjuhën angleze dhe franceze), i miratuar në Sesionin e 128-të të tij, datë 15-16 tetor 2021 (Dokumenti CDL-AD(2021)026).

Për sa më sipër, Gjykata e mbledhur menjëherë vlerësoi se duhet të rihapet seanca plenare publike, pasi me ardhjen e Opinionit amicus curiae ka rënë shkaku i masës së pezullimit të shqyrtimit të çështjes.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese,

V E N D O S I:

– Konstatimin e rënies së shkakut të masës së pezullimit të çështjes nr. 7 (S) 2019 të Regjistrit Themeltar.

– Rihapjen e seancës plenare dhe caktimin e saj në datën 02.11.2021, ora 10:00.

– Njoftimin e pjesëmarrësve në gjykimin kushtetues për datën e zhvillimit të seancës plenare.

– Dërgimin menjëherë të një kopjeje të opinionit zyrtar amicus curia pjesëmarrësve në gjykimin kushtetues.

Njoftim

Në Gjykatën Kushtetuese është në shqyrtim vendimi i Kuvendit të Shqipërisë nr.55/2021, datë 09.06.2021 “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Ky vendim i është dërguar Gjykatës Kushtetuese me shkresën nr.1368 prot., datë 14.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë dhe është regjistruar në këtë Gjykatë në datën 14.06.2021, me numër të Regjistrit Themeltar 6 (K) 2021.

Gjykata e ka marrë në shqyrtim paraprak këtë çështje në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligjin e saj organik dhe në Rregulloren e Brendshme, ndërkohë që veprimtaria e saj për shqyrtimin e të gjitha çështjeve ka qenë e pezulluar për periudhën 1 gusht 2021 deri në 10 shtator 2021, e cila përkon me lejen vjetore të gjyqtarëve, në bazë të nenit 18, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit paraprak të kësaj çështjeje, bazuar në nenin 62 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, Gjykata vendosi: “Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike”, data e së cilës do të caktohet në përputhje me rregullat procedurale të gjykimit kushtetues.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 28.09.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues: Elton Debreshi, subjekt zgjedhor kandidat i propozuar nga zgjedhësit, me objekt: – Shfuqizimi i pikës 1 të nenit 162 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Njoftim

Fjala e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, në aktivitetin me temë “Sfidat e implementimit të reformës në drejtësi pesë vjet pas miratimit të amendamenteve kushtetuese”, i zhvilluar në datat 27 – 29 gusht 2021. Ky aktivitet ka mbledhur së bashku drejtuesit dhe përfaqësuesit e institucioneve me të larta të drejtësisë në vend dhe është organizuar me mbështetjen e Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, Zyra për Shqipërinë, dhe Qendrës Europiane.

Lexo më shumë

NJOFTIM PËR SHTYP

Gjykata Kushtetuese ka në shqyrtim çështjen e paraqitur nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt: “1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. 2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.
Në seancën plenare të datës 23.06.2021, Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi parashtrimet e kërkuesit dhe subjekteve të interesuara, në bazë të nenit 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vendosi të pezullojë gjykimin e kësaj çështjeje dhe të kërkojë një opinion amicus curiae nga Komisioni i Venecias në lidhje me standardet dhe parimet që duhet të merren në konsideratë në çështjen në shqyrtim.
Gjykata, pasi vlerësoi edhe pyetjet e propozuara nga palët, ka çmuar të nevojshme të parashtrojë pyetjet e mëposhtme për të sqaruar aspektet kryesore të këtij gjykimi:

Pyetja nr. 1 A mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?

Pyetja nr. 2  Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?

Pyetja nr. 3 Në një situatë të një klime pasigurie juridike, a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?

Nëpërmjet shkresës nr. 291 prot., datë 09.07.2021, Gjykata Kushtetuese i është drejtuar Komisionit të Venecias me kërkesën për dhënien e një opinioni amicus curiae, një kopje e plotë e së cilës u është vënë në dispozicion edhe palëve në proces, si dhe gjendet në linkun e mëposhtëm në shqip dhe në anglisht.

 

Dokumenti Bashkelidhur

Document attached

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:
– Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
– Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues  “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesave.
2. Shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.
3. Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:
– Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
– Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”(VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
– Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.
– Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Ligji nr. 37/2018 cenon:
Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;
Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.
– VKM-ja nr. 377/2020 cenon:
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.
Ndërsa për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.  

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”,  si i papajtueshëm me Kushtetutën.
4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 17.06.2021 çështjen me kërkuese Partinë Republikane të Shqipërisë, Partinë Agrare Ambientaliste, Partinë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia Demokristiane të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor: “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

– Rrëzimin e kërkesës.


Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.


Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese


VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.


Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Njoftim për shtyp

Gjykata Kushtetuese ka ndjekur diskutimet që ka ngjallur vendimmarrja e saj e datës 23.06.2021 për të kërkuar amicus curia nga Komisioni i Venecies për shqyrtimin e çështjes mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019. 

Gjykata Kushtetuese, duke shprehur shqetësimin e saj rreth keqinterpretimeve dhe keqinformimit në lidhje me këtë vendimmarrje, ndjen për detyrë institucionale të informojë sa më poshtë vijon.

Ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi. 

Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecies, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë. Për më tepër, në morinë e çështjeve të trajtuara që nga rifunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, ky është rasti i vetëm që ajo po e përdor këtë instrument. 

Gjykata Kushtetuese i është drejtuar edhe më parë Komisionit të Venecies, si një organ i specializuar i Këshillit të Evropës me ekspertizë të thelluar në të drejtën kushtetuese dhe me një kontribut të çmuar në veprimtarinë e kësaj Gjykate në çështjet me rëndësi të veçantë.

Çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë.

Gjykata Kushtetuese, në deklaratën e saj të fundit për mediet, ka theksuar rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe ka shprehur besimin se ushtrimi i veprimtarisë të kësaj Gjykate në një klimë besimi nga kushdo do t’i shërbente forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur. 

Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,

VENDOSI:

– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:

– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga  parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e  kritereve  dhe cilësive kushtetuese  për këtë funksion. 
– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese,  brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.  

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Njoftim për mediet

Gjykata Kushtetuese, tashmë funksionale prej janarit të vitit 2021, e ndërgjegjshme për rëndësinë e drejtësisë kushtetuese në mbrojtjen e vlerave bazë të organizimit shtetëror dhe të lirive themelore të individit, vlerëson të informojë publikun për disa të dhëna të veprimtarisë së saj gjatë kësaj periudhe, me bindjen se transparenca dhe informimi i shërbejnë ndërtimit të marrëdhënieve të besimit reciprok. Në përmbushje të misionit të saj për garantimin e epërsisë së Kushtetutës dhe forcimin e demokracisë në vend, Gjykata, ndonëse ende e paplotë dhe në kushtet e një kuorumi të brishtë e me përbërje tërësisht të re, sapo rifilloi funksionim, u gjend përballë një numri të konsiderueshëm çështjesh gjyqësore dhe veprimtarish të reja administrative, që buronin nga ndryshimet kushtetuese dhe ligjore.
Një prej veprimtarive administrative më të rëndësishme është miratimi i Dokumentit të parë Strategjik të Gjykatës Kushtetuese, si udhërrëfyes institucional për arritjen e standardeve më të larta në ushtrimin e funksioneve të saj me profesionalizëm, integritet dhe besueshmëri.
Gjatë kësaj periudhe, volumit të çështjeve në pritje për shqyrtim, Gjykata i është përgjigjur me ritmin e duhur dhe që prej janarit të këtij viti ka shqyrtuar 100 kërkesa; 25 prej tyre në seancë plenare, kurse për 75 është vendosur moskalimi në seancë plenare. Ndër vendimet e moskalimit, 50 prej tyre janë dhënë nga kolegjet, ndërsa 25 janë dhënë nga Mbledhja e Gjyqtarëve.
Duke u udhëhequr nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në Kushtetutë, Gjykata i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe zgjidhjes në një kohë sa më të shkurtër të mosmarrëveshjeve kushtetuese, sidomos përfundimit të çështjeve të mbartura, çka është bërë e mundur edhe falë përkushtimit të gjyqtarëve kushtetues. Po ashtu, një vlerë të shtuar në këtë drejtim ka pasur edhe administrimi efikas i burimeve njerëzore dhe materialeve ekzistuese të Gjykatës.
Në veprimtarinë e saj Gjykata është kujdesur edhe për ruajtjen e vazhdimësisë së jurisprudencës kushtetuese, duke iu referuar edhe jurisprudencës së GJEDNJ-së dhe asaj të gjykatave të tjera kushtetuese. Po ashtu, ajo i ka kushtuar vëmendje transparencës në vendimmarrje, duke publikuar në kohën e duhur në faqen zyrtare njoftime për publikun dhe median lidhur me vendimet e saj. 
Gjykata, gjithashtu, vlerëson se është me rëndësi themelore që veprimtaria dhe autoriteti i Gjykatës të mbështetet nga aktorët politikë dhe institucionalë, nga subjektet që e vënë në lëvizje, nga mediat dhe publiku i gjerë. Dhënia e besimit prej tyre në këtë fazë i shërben ringritjes së autoritetit të saj, e cila në çdo rast shoqërohet me përgjegjësi të shtuar për Gjykatën dhe secilin prej gjyqtarëve, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi.  
Në këtë drejtim, Gjykata rithekson rëndësinë që ka pranimi nga kushdo i forcës detyruese të vendimmarrjes së saj, bazuar në nenin 132 të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Çdo lloj vendimmarrje e kësaj Gjykate, qoftë njëzëri ose me shumicë të votave, është dëshmi e një procesi mendimesh e qëndrimesh të gjyqtarëve kushtetues, sipas bindjes së brendshme të bazuar në Kushtetutë, integritetit dhe paanësisë së gjyqtarit kushtetues ndaj çdo ndikimi të mundshëm të faktorëve të tjerë. Nga ana tjetër, çdo lloj vendimmarrje në kushtet e diversitetit të mendimeve e ushqen njëlloj procesin e pasurimit të vazhdueshëm të jurisprudencës dhe doktrinës kushtetuese.
Gjykata është besimplotë se ushtrimi i veprimtarisë së saj bëhet edhe më efektiv në një klimë besimi reciprok dhe luajal.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 04.05.2021 mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, çështjen me kërkues Gjykatën e Apelit Shkodër, me objekt: “Shfuqizimi i togfjalëshit “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si i papajtueshëm me nenet 17, pika 1 dhe 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës.
2. Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e  parë të nenit 262 të Kodit Penal.
3. Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
4. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.  
 Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të zhvilluara në datat 15.04.2021, 21.04.2021 dhe 28.04.2021 çështjen me:

Kërkuese:   Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë

Objekti:  Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i nenit 19, të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”.
Pezullimi i zbatimit të nenit 19, të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi mungesën e legjitimimit në drejtim të përfaqësimit të kërkueses në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë arsye,
VENDOSI:


  –  Rrëzimin e kërkesës.


Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Njoftim

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të zhvilluara në datat 13.04.2021 dhe 20.04.2021 çështjen me:

Kërkues: Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Objekt: 1. Shfuqizimi i neneve 34, pika 2, shkronja “gj” dhe 38, pika 2, shkronja “e” të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

2. Shfuqizimi i nenit 38, pika 2, të ligjit nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës së Shqipërisë dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.

– Shfuqizimin e togfjalëshit “edhe me ndihmën e mjeteve teknologjike të posaçme,”, të parashikuar në nenin 38, pika 2, të ligjit nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës së Shqipërisë dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

– Rrëzimin e kërkesës për kërkimet e tjera.

– Detyrimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të plotësojë nenin 38, pika 2, të ligjit nr. 12/2018, të lartpërmendur, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

SHPALLJE

Njoftojmë se në datën 29.04.2021, ora 10:00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën e paraqitur nga kërkuesja Shoqëria “Mirësia” sh.p.k, me objekt: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me kushtetutën me vendimeve nr.4176, datë 13.11.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë; nr.00-2017-2163, datë 27.09.2017 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë. Dërgimi i çështjes për rigjykim në të Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë”.
Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Shoqëria “Armo” sh.a, me adresë: Rruga “Qemal Stafa”, Kompleksi “Zhura”, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.99/2016, si dhe nenin 133, shkronja “a” dhe “b” të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.
 


                                                                                                                                    Tiranë, më 24.03.2021

SHPALLJE

Njoftojmë se në datën 29.04.2021, ora 11:00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën e shoqërisë “Replek Farm”, me objekt: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr.00-2017-2385 (164), datë 07.12.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë”.
Për subjektin e interesuar në këtë gjykim shoqëria “Alkomedica” sh.p.k, me adrese: rruga “Jordan Misja”, kompleksi “Panorama”, njësia bashkiake nr.9, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.99/2016, si dhe nenin 133, shkronja “a” dhe “b” të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i subjektit të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.
 


                                                                                                                                  Tiranë, më 24.03.2021

Njoftim

Gjykata Kushtetuese njofton se seanca plenare e caktuar në datën  25.03.2021, ora 10:00, për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, bazuar në nenin 44/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, është shtyrë në një datë tjetër. Në lidhje me datën dhe orën e seancës plenare, do të ndiqen rregullat përkatëse të njoftimit të palëve dhe të publikimit të saj.

Ndahet nga jeta ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Dr. Gjergji Sauli

Është ndarë nga jeta sot në moshën 83 vjeçare juristi i shquar, ish-Kryetar dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese, z. Gjergji Sauli.
Z. Gjergji Sauli lindi më 27 dhjetor të vitit 1938 në Korçë, Shqipëri. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1960. Në vitin 1985 ka mbrojtur titullin “Kandidat i shkencave juridike” dhe në vitin 1994 ka marrë titullin “Doktor i Shkencave Juridike”. Është dekoruar me “Urdhërin e Punës të Klasit të Parë” dhe me medaljen e artë “Për Merita të Veçanta Civile”.
Gjatë karrierës së tij profesionale z. Gjergji Sauli ka shërbyer si gjyqtar, avokat, si lektor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe në Shkollën e Magjistraturës.

Në vitet 2001 – 2008 z. Gjergji Sauli ka ushtruar funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe në periudhën 2004 – 2007 ka ushtruar detyrën e Kryetarit të kësaj gjykate, detyra të cilat ai i ka kryer me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë.
 
Me ndarjen nga jeta të z. Gjergji Sauli drejtësia shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të shquara. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të dashur

bb9c82e0-03a7-4e8c-b7c7-b27c24e1203d.

Njoftim

Gjykata Kushtetuese njofton se seanca plenare e caktuar në datën  23.03.2021, ora 10:00, për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me objekt: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 34, pika 2, shkronja “gj”; nenit 38, pika 2, shkronja “e” të ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe nenit 38, pika 2, të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës së Shqipërisë dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, bazuar në nenin 44/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, është shtyrë në një datë tjetër. Në lidhje për datën dhe orën e seancës plenare, do të ndiqen rregullat përkatëse të njoftimit të palëve dhe të publikimit të saj.

SHPALLJE

Njoftojmë se në datën 01.04.2021, ora 10:00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Skerdilajd Qinami, me objekt: “Shfuqizimi si të papajtueshëm me Kushtetutën i vendimeve nr.5545, datë 06.05.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; nr.88, datë 19.02.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr.00-2017-2314 (155), datë 23.11.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. Pezullimi i zbatimit ë vendimeve nr.88, datë 19.02.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr.00-2017-2314 (155), datë 23.11.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë”.


Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Gleni Saliasi, me adrese: Rruga “Mine Peza” nr. 87/1, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.99/2016, si dhe nenin 133, shkronja “a” dhe “b” të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

Njoftim

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 02.03.2021, çështjen me kërkues Partia Republikane e Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i urdhrit nr. 633, datë 17.11.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash,
VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
-Shfuqizimin e shprehjes “deri në një urdhër të dytë” në pikën 1 të urdhrit nr. 633, datë 17.11.2020 të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. 
-Detyrimin e organit kompetent të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve, brenda një jave nga shpallja e këtij vendimi.
 Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 23.02.2021, çështjen me kërkues Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me objekt: “Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i nenit 50, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e qeverisjes vendore”. Pezullimi i zbatimit të nenit 50, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e qeverisjes vendore”, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, 

VENDOSI:

– Rrëzimin e kërkesës.

 Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

SHPALLJE

Njoftojmë se në datën 30.03.2021, ora 10:00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën e paraqitur nga kërkuesja Suzana Shota, me objekt: “Shfuqizimi si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr.00-2017-704, datë 07.06.2017 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë. Pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr.00-2017-704 datë 07.06.2017 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes pranë Gjykatës Kushtetuese”.
Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Erjon Sejdiaj, me adrese  rruga “Nikolla Lena”, nr.134, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.99/2016, si dhe nenin 133, shkronja “a” dhe “b” të Kodit të Procedurës
Civile, duke qene se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.
 

                                                                                                                Tiranë, më 25.02.2021

SHPALLJE

Njoftojmë se në datën 16.03.2021, ora 11:00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Skerdilajd Qinami, me objekt: “Shfuqizimi si të papajtueshëm me Kushtetutën i vendimeve nr.5545, datë 06.05.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; nr.88, datë 19.02.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr.00-2017-2314 (155), datë 23.11.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. Pezullimi i zbatimit ë vendimeve nr.88, datë 19.02.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr.00-2017-2314 (155), datë 23.11.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë”.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Gleni Saliasi, me adrese: Rruga “Mine Peza” nr. 87/1, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.99/2016, si dhe nenin 133, shkronja “a” dhe “b” të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

                                                                                                                                 Tiranë, më 16.02.2021

Njoftim

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 04.02.2021, çështjen me kërkues shoqata kombëtare “Pronësi me drejtësi”, me objekt: 1. Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut i nenit 6, pika 1, shkronja “b” dhe nenit 7, pika 2, shkronjat “a” dhe “b” të ligjit nr. 133/2015, datë 05.12.2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. 2. Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut të VKM-së nr. 222, datë 23.03.2016 “Për trajtimin e kërkesave për njohje të pronës e të kompensimit të saj” dhe VKM-së nr. 765, datë 20.12.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 222, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave  “Për trajtimin e kërkesave për njohje të pronës e të kompensimit të saj”. 3. Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut të VKM-së nr. 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” dhe VKM-së nr. 766, datë 20.12.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” të ndryshuar”. 4. Shfuqizimi si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut e VKM-së nr. 89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”. 5. Shfuqizimi si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut e VKM-së nr. 658, datë 26.09.2012 “Për miratimin e metodologjisë për vlerësimin e pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata, duke vlerësuar se boshllëku ligjor i konstatuar nuk garanton shpërblimin e drejtë të së drejtës së pronës private dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe se nuk është respektuar standardi i parashikuar në nenin 118 të Kushtetutës, njëzëri,

VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të nenit 7, pika 2, shkronjat “a” dhe “b”, të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
– Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të pikave 16/2, 16/4 dhe 18 të VKM-së nr. 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar.
– Rrëzimin e kërkesës për kërkimet e tjera.
– Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për të plotësuar ligjin nga data e shpalljes së  vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
– Ky vendim hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Njoftim për mediet

Gjykata Kushtetuese, në datën 26.01.2021, ka marrë në shqyrtim kërkesat me nr.G-11, datë 11.09.2018; G-3, datë 20.03.2019; G-4, datë 14.05.2019; G-1, datë 10.02.2020 dhe G-6, datë 18.09.2020 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale (“KPP”), si dhe i togfjalëshit “… i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr.35/2017.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me ligjin nr.99/2016.

Mbi kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve me subjekte iniciues: gjykatat

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 70/1 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.99/2016, 
 
                                                              NJOFTON:
Pranë kësaj gjykate po shqyrtohet kërkesa e paraqitur nga Gjykata e Apelit Tiranë, me subjekte të interesuara Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave, me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me nenin 81, pika 2, të Kushtetutës i shprehjes  “së apelit”, në nenin 29 të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, e cila ka kaluar në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.

SHPALLJE

Njoftojmë se në datën 11.02.2021, ora 10.00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh, kërkesën e kërkuesve Fedhon Meksi, Petrit Skende, Andi Skende, Elvin Skende, me objekt:“Shfuqizimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimeve nr.6953, datë 23.09.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; nr.2048, datë 12.10.2016 të Gjykatës së Apelit Tiranë; nr.00-2017-819, datë 25.05.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. Kthimi i çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë”.
Për subjektet e interesuara në këtë gjykim Hyrije Gavoci, me adresë rruga “Jul Variboba” nr.13, Tiranë, Petrit Gavoci, me adrese rruga “Jul Variboba” nr.13, Tiranë, Djana Gavoci, me adresë rruga “Jul Variboba” nr.13, Tiranë, Fatime Luzi, me adresë rruga “Jul Variboba” nr.13, Tiranë, Burbuqe Plasari, me adresë rruga “Jul Variboba” nr.15, Tiranë, Eduart Plasari, me adresë rruga “Jul Variboba” nr.15, Tiranë dhe Rea Plasari, me adresë rruga “Jul Variboba” nr.15, Tiranë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.99/2016, si dhe nenin 133, shkronjat “a” dhe “b” të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i tyre nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.
 

Tiranë, më 08.01.2021

Njoftim për mediet

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, në mbledhjen e datës 7 janar 2021 vendosën si më poshtë vijon:
1. Të fillojnë procesin e hartimit të rregullave procedurale administrative në funksion të zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në nenin 7/d të ligjit nr.8577/2000 (të ndryshuar);
2. Të autorizojnë znj. Vitore Tusha, në cilësinë e gjyqtares më të vjetër në detyrë, për të vazhduar ushtrimin e kompetencave të Kryetarit deri në përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryetarit;
3. Të caktojnë përbërjen e 3 kolegjeve për vitin kalendarik 2021, në bazë të nenit 13, shkronja “e” të ligjit nr.8577/2000 (të ndryshuar);
4. Të caktojnë kalendarin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare dhe në Mbledhjen e Gjyqtarëve, duke pasur parasysh jo vetëm rendin kronologjik të çështjeve të mbartura, por edhe natyrën dhe rëndësinë e tyre.

Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë

GJYKATA KUSHTETUESE

DREJTORIA EKONOMIKE DHE BURIMEVE NJERËZORE

NJOFTIM FITUESI

Në zbatim të nenit 22 dhe të nenit 25, të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, si dhe të Kreut II, III, IV dhe VII, të Vendimit nr. 243, datë 18.03.2015, të Këshillit të Ministrave, bazuar në Ligjin nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin e funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, për procedurën e pranimit në shërbimin civil për vendin e lirë të punës në pozicionin “ Specialist/e i/e nivelit të lartë i/e teknologjisë dhe komunikimit” në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, kategoria IV, klasa IV-1” në Gjykatën Kushtetuese, nga Drejtoria Ekonomike dhe Burimeve Njerëzore u shpall fitues:

1. DITILA ALUSHI vendi i parë 80 pikë

 

 

 

DREJTORIA EKONOMIKE DHE BURIMEVE NJERËZORE

 

 

 

Datë, 07.12.2023

Scroll to Top