Dialog institucional ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë
Sot, më 1 prill 2026, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë zhvilluan një takim të përbashkët në funksion të forcimit të dialogut gjyqësor dhe konsolidimit të kulturës juridike ndërmjet dy gjykatave.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji, theksoi rëndësinë e këtij dialogu për koherencën e jurisprudencës dhe sigurinë juridike, duke nënvizuar se shkëmbimi i praktikave ndihmon në shmangien e divergjencave, qartësimin e standardeve për gjykatat më të ulëta dhe garantimin e të drejtave themelore të individit.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, u shpreh se kufijtë mes dy gjykatave mbrohen nga mënyra si ushtrohen kompetencat, duke theksuar se respektimi i roleve përkatëse është thelbësor për ruajtjen e ekuilibrit institucional dhe besimit në drejtësi.
Në këtë takim referuan gjyqtare Marjana Semini dhe gjyqtar Asim Vokshi mbi standardin kushtetues të arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe parimin e sigurisë juridike. Diskutimet ndërmjet gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë vijuan në mënyrë aktive, duke nxitur shkëmbime të frytshme përvojash.
Gjatë aktivitetit, i cili u mbështet nga Këshilli i Evropës në kuadër të projektit D-REX III, u theksua se të dyja gjykatat, pavarësisht roleve të ndryshme ndajnë përgjegjësinë që drejtësia të jetë jo vetëm e dhënë, por edhe e perceptuar si e drejtë dhe e besueshme.
Gjykata Kushtetuese mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e cilësisë së drejtësisë.







