SEMINARE DHE VEPRIMTARI TË TJERA
Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2025
Në kuadër të projektit të shkëmbimit midis Zyrës Gjyqësore të Anglisë dhe Wellsit dhe Shkollës së Magjistraturës në Shqipëri, me mbështetjen edhe të Ambasadës Britanike në Tiranë, është zhvilluar seminari trajnues me këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me shkrimin dhe arsyetimin ligjor të vendimeve gjyqësore si dhe me përdorimin e precedentit. Seminari është moderuar nga tre gjyqtarë britanikë me përvojë në fusha të ndryshme të së drejtës, Gjyqtare Eady, HHJ Keith Raynor dhe Gjyqtari Sufiyan Rana.
Temat e trajtuara gjatë këtij seminari trajnues, të cilat u përzgjodhën dhe u diskutuan në mënyrë interaktive nga këshilltarët ligjorë ishin: Rregullat praktike për shkrimin dhe arsyetimin e vendimeve të gjykatës; si dhe Metodologjia e zbatuar për përdorimin e precedentëve dhe referimi i precedentëve në common-law.
Ky trajnim vjen në vijim të një dialogu të suksesshëm dhe profesional të iniciuar në vitin 2024 mes Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe gjyqësorit të Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira mes dy juridiksioneve.


Në datën 21 mars 2025, nën kujdesin e veçantë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, zonja Holta Zaçaj, u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë: “Avancimi i mëtejshëm i kërkimit dhe arsyetimit ligjor për një vendimmarrje kushtetuese efektive dhe cilësore”.
Kjo veprimtari mblodhi së bashku këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si dhe përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese të Italisë për të ndarë përvoja dhe praktika të avancuara në fushën e arsyetimit juridik dhe të kërkimit shkencor kushtetues. Tryeza u zhvillua në formën e prezantimeve dhe të diskutimeve interaktive të kazuseve dhe u moderua nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zonja Holta Zaçaj.
Aktiviteti u përshëndet dhe nga Zëvendësambasadori italian në Tiranë, Dott. Luigi Mattiroli, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy gjykatave si një pasqyrë e lidhjes së fortë që dy vendet kanë.
Në fjalën e saj Kryetarja Zaçaj, pasi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për ekspertizën e jashtëzakonshme dhe të çmuar të kolegëve italianë, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të konsoliduara ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe ndarjes së modeleve të suksesshme për përmirësimin e jurisprudencës:
“Jam e bindur se shkëmbimi i përvojave dhe modeleve të punës midis gjykatave kushtetuese kontribuon në avancimin e arsyetimit juridik dhe të jurisprudencës, duke çuar kështu në mbrojtje më të mirë të vlerave dhe parimeve kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i ka kushtuar rëndësi të veçantë forcimit të kapaciteteve njerëzore nëpërmjet shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira me gjykatat homologe.
Në këtë kontekst, tryeza mirëpriti Drejtorin e Shërbimeve Studimore dhe dy këshilltarë të Gjykatës Kushtetuese të Italisë, të cilët ndanë ekspertizën e konsoliduar të saj në kërkimin e thelluar ligjor dhe pasurimin e jurisprudencës.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmirësimin e efikasitetit dhe të cilësisë së vendimmarrjes kushtetuese, duke siguruar që parimet dhe liritë kushtetuese të mbrohen e të promovohen në mënyrë sa më të plotë.



Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2024
Në datat 14 – 16 janar 2024, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, dhe i përbërë nga gjithë trupa e gjyqtarëve të kësaj gjykate, zhvilloi një vizitë studimore pranë Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane.
Në kuadër tëprojektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”, mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Gjykata Kushtetuese organizoi sot, më 27 nëntor 2024, një ditë të hapur me një grup nxënësish nga shkollat 9-vjeçare “Edith Durham” dhe “Emin Duraku”, të cilët patën mundësinë të vizitonin ambientet e institucionit dhe të njiheshin me doracakun “Kushtetuta ime”.
Ky botim i prodhuar për herë të parë në këtë format, i cili përkon edhe me 26-vjetorin e miratimit të Kushtetutës, do të shërbejë për t’i ardhur në ndihmë të rinjve për të kuptuar dhe mbrojur të drejtat e tyre, duke kontribuar kështu në një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.
Gjatë këtij aktivitet, ku ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, bëri një përshkrim të shkurtër të përmbajtjes së këtij libërthi. Kryetarja u shpjegoi me një gjuhë të thjeshtë të rinjve rëndësinë që ka Kushtetuta si ligji themelor i vendit tonë, si dhe u ndal në disa të drejta të fëmijëve të mbrojtura nga Kushtetuta, si e drejta për arsim, e drejta për të mos u keqtrajtuar/dhunuar, e drejta për të mos u shfrytëzuar për punë.
Gjatë fjalës së saj, znj. Zaçaj u shpreh po ashtu se: “ Bashkëjetesa, mirëkuptimi dhe respekti për njeri - tjetrin, edhe pse të ndryshëm, janë të rëndësishme. Eshtë detyrë e të gjithëve ne, të rritur dhe fëmijë, të ruajmë gjuhën tonë të bukur, zakonet, traditat dhe trashëgiminë e të parëve tanë. Së bashku, të rritur e fëmijë, duhet t’i ruajmë këto vlera të shoqërisë të shprehura kaq bukur në Kushtetutë. Kjo mund të jetë një detyrë e vështirë, e cila arrihet vetëm nëse të gjithë ne kontribuojmë për respektimin e tyre. Gjithsecili prej nesh ka një rol të rëndësishëm për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë!”
Ky doracak do të synohet të ribotohet me qëllim përfshirjen e tij në kurrikulat e mësimdhënies për fëmijët e arsimit bazë (të klasave të teta dhe të nënta).



Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, zhvilloi një tryezë pune lidhur me zbatimin e masave të ndërmarra gjatë vitit 2024 në funksion të përmbushjes efektive të objektivave strategjikë të Gjykatës.
Tryeza e punës u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, dhe te Shefit të Departamentit të Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut të Zyrës së Prezencës së OSBE-së, z. Mauro Puzzo. Në këtë tryezë, në të cilën merrnin pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, përfaqësues të Kabinetit të Kryetares, Njësisë së Shërbimit Ligjor, si dhe drejtuesit e strukturave përkatëse të kësaj gjykate, u diskutua lidhur me zbatimin në mënyrë efektive të planifikimit strategjik të Gjykatës Kushtetuese përgjatë vitit 2024.
Në vijim të prezantimit përmbledhës të masave të parashikuara në Planin e Veprimit 2024-2026, secila prej strukturave bëri një bilanc të masave të realizuara në funksion të përmbushjes së objektivave strategjikë dhe specifikë te parashikuar, si dhe propozime konkrete për rritjen e efektshmërisë së zbatimit të këtij plani për periudhën në vazhdim.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Zyrës së Prezencës së OSBE-së shprehën angazhimin për vazhdimësinë e mbështetjes së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, në përpjekjet për të rritur kapacitetet institucionale, për të forcuar efikasitetin dhe rritur transparencën, me qëllim përmbushjen e misionit të saj në kuadër të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së lirive e të drejtave themelore të njeriut.

Me kërkesë të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, institucioni arsimor që përgatit ushtarakët e Forcave tona të Armatosura, të vendeve të NATO-s dhe ato partnere, në kuadër të programit mësimor “Forcat e Armatosura dhe shteti i së drejtës”, një grup me studentë dhe pedagogë të Kursit të Lartë të Oficerit ka zhvilluar sot, më 18 nëntor 2024, një vizitë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.
Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e Kursit të Lartë të Oficerit janë pritur nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, e cila ka bërë një përshkrim të rolit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të ndryshimeve që solli reforma gjithpërfshirëse në sistemin e drejtësisë në Shqipëri për sa i përket përbërjes, kompetencave dhe juridiksionit të gjykatës.
Në vijim, nga pjesëmarrësit në takim pati pyetje dhe diskutime në lidhje me sa më sipër, me fokus të veçantë në mënyrën e zgjedhjes dhe kompozimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjerimit të juridiksionit në funksionit të rritjes së aksesit të individit në këtë gjykatë, si dhe mënyrës e mekanizmave për zbatimin e vendimeve të saj.


Në datat 14 dhe 15 nëntor 2024, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në kuadër të projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”, të mbështetur nga Konfederata Zvicerane nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, organizoi një tryezë dy-ditore pune me temë “E drejta e informimit dhe transparenca në komunikimin me median dhe publikun”.Tryeza u moderua nga znj.Dagmar Hovestädt, eksperte gjermane me përvojë të gjatë në fushën e komunikimit dhe të medias. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin trupa e gjyqtarëve, kabineti i Kryetares së Gjykatës, përfaqësues të Njësisë së Shërbimit Ligjor dhe administratës së Gjykatës Kushtetuese.
Tryeza e punës u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës, znj. Holta Zaçaj, e cila theksoi rëndësinë që ka për këtë Gjykatë transparenca dhe informimi i publikut me qëllim jo vetëm rritjen e reputacionit dhe kredibilitetit të këtij institucioni, por edhe bërjen të kuptueshme nga publiku i gjerë të vendimeve të saj.
Gjatë këtij aktiviteti, u diskutua në lidhje me komunikimin e medias dhe publikut në situatë krize, komunikimin e brendshëm si dhe menaxhimin e imazhit/reputacionit. Ekspertja gjermane theksoi rëndësinë e një qasjeje të koordinuar dhe transparente përballë medias dhe publikut gjatë periudhave të krizës duke përmirësuar komunikimin në nivel institucional.
Znj. Hovestädt ndau me pjesëmarrësit gjithashtu, disa nga modelet më të mira të përdorura nga gjykatat kushtetuese evropiane dhe botërore në përdorimin efikas të rrjeteve sociale, si një mundësi që ofron teknologjia për të informuar qytetarët për vendimet dhe veprimtaritë e gjykatave, në funksion të rritjes së transparencës dhe një qasjeje më të thjeshtë në lidhje me informacionin e ofruar prej tyre.


Në datën 8 nëntor 2024, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë organizoi aktivitetin me temë “Diskutimi i projekt Kodit të Etikës për punonjësit e administratës dhe njësisë së shërbimit ligjor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.” Në këtë aktivitet merrnin pjesë Kabineti i Kryetarit të Gjykatës, Sekretari i Përgjithshëm, këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor, punonjësit e administratës së Gjykatës Kushtetuese, si dhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilët ndanë përvojën e tyre në procesin e hartimit të këtij kodi, duke ndihmuar edhe me sugjerimet e tyre të vlefshme.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Sekretarëve të Përgjithshëm të të dyja gjykatave, duke vijuar më pas me një prezantim të detajuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të rëndësisë, parimeve, metodologjisë së ndjekur dhe bazës ligjore mbi të cilat është mbështetur hartimi i këtij projekt Kodi.
Gjatë aktivitetit u vijua me diskutimin e dispozitave të projekt Kodit, ku palët pjesëmarrëse shprehën mendimet dhe idetë e tyre, të cilat do të reflektohen në draftin përfundimtar që do t’i përcillet për miratim Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.


Në kuadër të projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”, mbështetur nga Konfederata Zvicerane nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, kanë organizuar një seri tryezash bashkëbisedimi me gjyqtarë të gjykatave të niveleve të ndryshme në vend për prezantimin e udhërrëfyesit të parë të jurisprudencës së Gjykatës, me titull Udhërrëfyes i Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ankimin Kushtetues Individual (1998-2023).
Organizimi i këtyre tryezave kishte për qëllim shkëmbimin e mendimeve profesionale për përmirësimin e mëtejshëm të udhërrëfyesit në të ardhmen, me synimin final për ta bërë atë edhe më të përdorshëm e të dobishëm.
Të pranishëm në këto tryeza ishin gjyqtarë nga Gjykata e Apelit të juridiksionit të përgjithshëm, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, Gjykata Administrative e Apelit, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë dhe ajo e Shkallës së Parë Lushnjë, si dhe gjyqtarë nga gjykata të ndryshme të shkallës së parë në rrethe.
Botimi ngjalli interesin e lartë të gjyqtarëve të pranishëm dhe u mirëprit si një mjet i vyer për punën e tyre. Gjatë takimeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjonin mbi metodologjinë e përgatitjes së materialit, si dhe mbi mënyrën e përdorimit të tij nga ekspertët e angazhuar me hartimin e këtij botimi. Gjithashtu, ata patën mundësi të bënin edhe sugjerime për përmbledhje të tjera të ngjashme të kësaj natyre të cilat ndihmojnë veprimtarinë e tyre profesionale.
Gjatë bashkëbisedimeve me gjyqtarët, Kryetarja Zaçaj u shpreh se udhërrëfyesi është një instrument i rëndësishëm jo vetëm për studiuesit e së drejtës, por ai u vjen në ndihmë pothuajse të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, dhe veçanërisht gjyqtarëve, të cilët në kuadër të parimit të subsidiaritetit trajtojnë gjatë gjykimit edhe pretendimet me natyrë kushtetuese. Po ashtu, ajo shtoi se, duke pasur si qëllim përmirësimin e cilësisë së ankimeve kushtetuese individuale, Udhërrëfyesi kontribuon për një akses të shtuar të qytetarëve në gjykatë dhe një mbrojtje më të mirë të të drejtave dhe lirive të tyre themelore.


Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga znj. Ela Elezi, këshilltare ligjore dhe znj. Ditila Alushi, përgjegjëse e sektorit të IT, mori pjesë në programin e Shkollës së 12-të verore, të organizuar nga Qendra për Trajnimin dhe Zhvillimin e Burimeve Njerëzore e Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Aziatike dhe Institucioneve Ekuivalente. Tema e programit të këtij viti ishte “Përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale në sistemin gjyqësor”, program i cili u zhvillua në Ankara, Turqi, në datat 30 shtator – 03 tetor 2024.
Ky aktivitet i përvitshëm mbledh gjyqtarë të nivelit të mesëm ose juristë, ndihmës-gjyqtarë, ekspertë ligjorë, këshilltarë apo punonjës të stafit që shërbejnë në Gjykatat/Institucionet Kushtetuese, të cilët ndajnë përvojat e tyre respektive lidhur me tematikën kryesore. Përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë referuan në lidhje me analizën e kuadrit ligjor për pranimin e kërkesave në Gjykatën Kushtetuese dhe sistemin e IT, sa i përket kushteve aktuale dhe projekteve për të ardhmen në këtë fushë.
Gjatë aktivitetit u shkëmbyen informacione dhe përvoja të vlefshme, të cilat do të shërbejnë për përmirësimin e përdorimit të teknologjisë së informacionit në praktikën e përditshme të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, mori pjesë në Takimin e Nën-komisionit për Zbatimin e Vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, i cili organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe i dedikohet ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të rëndësisë së veçantë që mbart kjo çështje.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të strukturave të ndryshme pranë GJEDNJ-së, përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë si dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, duke evidentuar zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga neni 46 i Konventës, u shpreh se: “Efikasiteti i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duhet vlerësuar me vëmendje, me qëllim garantimin e rolit qe kjo gjykate ka në afirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për ta bërë vendimmarrjen e saj gjithnjë e më të vlefshme për mbështetjen e juridiksioneve të brendshme të vendeve anëtare.


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, zonja Holta Zaçaj, mori pjesë në Konferencën e VI-të Kombëtare për të Drejtën e Informimit me temë: “E Drejta për Informim – Ndërtimi i besimit: Promovimi i transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në politikat kundër korrupsionit”, të organizuar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (MAPA). Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të autoriteteve publike qendrore, atyre të pavaruara, të sistemit të drejtësisë dhe të vetëqeverisjes vendore bashkë me ekspertë e aktivistë të shoqërisë civile.
Në fokus të këtij aktiviteti kombëtar ishte ndërgjegjësimi i autoriteteve publike për të lehtësuar dhënien e informacionit dhe rritjen e transparencës, e cila çon automatikisht në rritjen e besimit të publikut për institucione të përgjegjshme e me integritet, si dhe ndarja e praktikave më të mira në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, si shtylla të qasjes parandaluese të antikorrupsionit.
Gjykata Kushtetuese, në kuadër të komunikimit të vazhdueshëm dhe proaktiv me publikun dhe median si dhe zbatimit të ligjit nr. 119/2014 “ Për të drejtën e informimit”, të ndryshuar, është tërësisht e angazhuar në garantimin e transparencës dhe të rritjes së aksesit për informacion si një nga parimet më të rëndësishme dhe thelbësore të administrimit të drejtësisë.


Në kuadër të projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese” Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Agjencinë Zviceriane për Zhvillim organizuan në datën 31 maj 2024, trajnimin me temë” Komunikimi etik dhe komunikimi me publikun dhe mediat”, në të cilin merrnin pjesë stafi i njësisë së shërbimit ligjor dhe stafi administrativ i Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë trajnimit 2-ditor, qëllimi i të cilit ishte mjeshtërimi i komunikimit etik dhe publik, ekspertja e komunikimit znj. Arlinda Causholli, bëri një prezantim të shkurtër të të kuptuarit të rolit të etikës në komunikimin publik, duke sjellë edhe shembuj konkretë të botës reale të komunikimit etik dhe joetik në gjyqësor, për të vijuar më tej me teknikat për ndërtimin e besimit me kolegët, zhvillimin e aftësive aktive të dëgjimit për të rritur komunikimin, strategjitë për të bërë pyetje etike dhe efektive si dhe teknikat për trajtimin dhe zgjidhjen e konflikteve në mënyrë etike.


Në kuadër të projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”, të mbështetur nga Konfederata Zvicerane nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë organizoi sot, më 24 maj 2024, një tryezë bashkëbisedimi me gazetarët e akredituar pranë kësaj gjykate, lektorë të fushës së komunikimit, redaktorë, kryeredaktorë dhe opinionistë të medias së shkruar dhe vizive në vend.
Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, e cila u shpreh se për Gjykatën Kushtetuese media është një prej partnerëve kryesorë për sigurimin dhe shpërndarjen e informacionit të saktë dhe të plotë në lidhje me veprimtarinë e saj, duke u ndalur më tej në disa prej arritjeve më kryesore të kësaj periudhe në këtë drejtim, si akreditimi i gazetarëve, hartimi i “Rregullores së Gjykatës Kushtetuese për Median”, transmetimi i seancave gjyqësore në live stream,organizimi i konferencave për shtyp pas vendim-marrjeve më të rëndësishme etj.
Në vijim të bashkëbisedimit, pjesëmarrësit në aktivitet shtruan pyetje dhe zhvilluan diskutime për çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes gjykatës dhe medias, duke evidentuar problematika të ndryshme të konstatuara, si dhe u dhanë disa sugjerime me shumë vlerë dhe interes në gjetjen e mekanizmave për përmirësimin, bashkërendimin, dhe vijueshmërinë pozitive të marrëdhënieve të Gjykatës Kushtetuese me publikun në përgjithësi dhe me median në veçanti.
Në mbyllje të aktivitetit pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e organizimit të takimeve të tilla për shkëmbimin e mendimeve në funksion të rritjes së eficiencës së veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese, si dhe për të garantuar një qasje më të lehtë dhe më cilësore të qytetarëve në drejtësinë kushtetuese.


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zonja Holta Zaçaj, në datën 16 maj 2024, priti në ambientet e kësaj Gjykate, studentë dhe pedagogë nga Fakulteti i Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës, si dhe nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Gjatë bashkëbisedimit të sinqertë me Kryetaren Zaçaj, studentët u njohën me rolin e rëndësishëm që Gjykata Kushtetuese luan në respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, të drejtave dhe lirive të tij, si dhe me rëndësinë që Gjykata ka, si mjet i përhapjes së vlerave kushtetuese në rendin juridik demokratik.
Kryetarja Zaçaj iu përgjigj interesimit të studentëve rreth sfidave të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, rreth zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së dhe ato të Gjykatës Kushtetuese, si dhe rreth gjykimit mbi marrëveshjet ndërkombëtare.
Gjithashtu, studentët patën mundësi të njihen më nga afër edhe me veprimtarinë e përditshme të Gjykatës, me mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të saj, ambientet ku zhvillohen seancat plenare publike, si dhe sallën e bisedimeve.


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zonja Holta Zaçaj, mori pjesë në Mbledhjen e Përbashkët Vjetore, të organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Kjo veprimtari, organizimi i së cilës përkon me datën 10 Maj, Ditën Kombëtare të Drejtësisë, mblodhi së bashku anëtarët e të dy këshillave, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë si dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë.
Punimet e kësaj mbledhjeje u përshëndetën nga personalitetet më të larta të shtetit shqiptar: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Bajram Begaj, Ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja, si dhe nga ambasadorët SH.T.Z. David Wisner - I ngarkuari me Punë i Ambasadës së SH.B.A, Sh.T.Z. Silvio Gonzato - Ambasador i Bashkimit Evropian, Sh.S.Znj. Clarisse Pasztory - Kryetare në detyrë e Prezencës së OSBE.
Në fokus të fjalimeve të tyre përshëndetëse ishte ecuria e reformës në drejtësi si një nevojë e kohës, krijimi i një sistemi gjyqësor eficient dhe i pavarur për t’u siguruar qytetarëve një drejtësi funksionale, me qëllim ecjen përpara në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mbledhja vijoi me prezantimin e “Rregullores për bashkimin e procedimeve disiplinore në rastet kur një gjyqtar dhe një prokuror janë të përfshirë në të njëjtën shkelje”, ku një vëmendje e veçantë iu kushtua angazhimeve të institucioneve përgjegjëse në hartimin dhe miratimin e kuadrit normues për të njësuar qasjen ndaj procedimeve disiplinore, duke synuar përgjegjshmërinë dhe paanësinë në trajtimin e ankesave ndaj magjistratëve dhe duke garantuar transparencën vendimmarrëse në procesin disiplinor.


Tiranë, 21 shkurt 2024
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizoi sot një aktivitet për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ankimin Kushtetues Individual (1998-2023).
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë, të sistemit gjyqësor, avokatë, akademikë e profesionistë të së drejtës, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtarë partnere.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, dhe të Kreut në detyrë të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, znj. Clarisse Pasztory.
Pasi falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij projekti, Kryetarja Zaçaj u shpreh se “ realizimi i një udhërrëfyesi të jurisprudencës kushtetuese përbënte një domosdoshmëri dhe një instrument të munguar në drejtësinë kushtetuese shqiptare. Udhërrëfyesi përbën një dëshmi të pasurisë sonë kombëtare të mendimit juridik kushtetues të materializuar në vendimet e Gjykatës. Shumë syresh kanë vlera të padiskutueshme historike dhe shumë të tjera përbëjnë gurë themeli në të drejtën shqiptare, duke kontribuar qenësishëm në zhvillimin e saj.”
Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Clarisse Pasztory, Kreu në detyrë i Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, pasi vuri në dukje rëndësinë e Guidës, theksoi mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së për Gjykatën Kushtetuese, si dhe angazhimin për vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje.
Ky udhërrëfyes i parë i jurisprudencës kushtetuese është i ngjashëm me udhërrëfyesit e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Duke qenë fryt i hulumtimit dhe studimit të një jurisprudence 25-vjeçare (1998-2023), ku evidentohen qëndrimet e mbajtura e të zhvilluara ndër vite nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë për çështje të ndryshme të së drejtës, ky dokument do t’i shërbejë stafit gjyqësor për të përmirësuar kapacitetet kërkimore, do të ndihmojë Gjykatën Kushtetuese për të standardizuar vendimet dhe, gjithashtu, do t’u shërbejë avokatëve, praktikantëve të së drejtës dhe studiuesve të ligjit për të njohur dhe referuar në mënyrë efektive jurisprudencën e kësaj gjykate.
Kjo Guidë synon gjithashtu të përmirësojë cilësinë e ankimeve kushtetuese individuale, duke kontribuuar për të pasur një akses të shtuar të qytetarëve në Gjykatë dhe një mbrojtje më të mirë të të drejtave dhe lirive të tyre themelore.
Ekspertët e angazhuar për hartimin e kësaj Guide prezantuan përmbajtjen dhe mënyrën e konsultimit të këtij dokumenti voluminoz, për ta bërë kërkimin e informacionit sa më të thjeshtë dhe të efektshëm.
Fjala përshëndetëse e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj
Greeting Speech of the President of Constitutional Court, Mrs. Holta Zaçaj


Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2023
Znj. Elsa Toska, gjyqtare dhe përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese në Rrjetin e Gjykatave Supreme (SCN) – forum i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, mori sot pjesë në takimin online me temë: “ E tashmja dhe e ardhmja e sistemeve të inteligjencës artificiale në gjyqësor ”.
Në këtë aktivitet u prezantuan edhe tema të tjera si: “Strategjia e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Europian për Inteligjencën Artificiale”, “Nevoja dhe mundësia për sistemet e inteligjencës artificiale në sistemet gjyqësore”, “Konventa (kuadër) e Këshillit të Europës për Inteligjentcën Artificiale” etj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese znj. Holta Zaçaj dhe gjyqtarja e kësaj gjykate, znj. Elsa Toska, kanë marrë pjesë sot në sesionin trajnues me temë “Roli subsidar i gjyqtarit në gjykimin e zakonshëm në shqyrtimin e pretendimeve me natyrë kushtetuese. Roli i gjyqtarit në gjykimin e zakonshëm lidhur me interpretimin pajtues të ligjeve”, i organizuar nga Shkolla e Magjistraturës në kuadër të Programit të Formimit Vazhdues.
Në panelin e aktivitetit trajnues, në cilësinë e eksperteve lehtësuese, Kryetarja Holta Za çaj prezantoi temën “Roli i gjyqtarit në gjykimin e zakonshëm lidhur me interpretimin pajtues të ligjeve”, ndërsa gjyqtarja Elsa Toska referoi temën ”Roli subsidar i gjyqtarit ne gjykimin e zakonshëm në shqyrtimin e pretendimeve me natyrë kushtetuese”.

Gjykata Kushtetuese, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizoi sot, më 22 shtator 2023, një tryezë pune me këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor pranë kësaj gjykate, punimet e së cilës u drejtuan dhe moderuan nga Kryetarja e Gjykatës, znj. Holta Zaçaj.
Tryeza u fokusua në procesin e hartimit të vendimeve gjyqësore kushtetuese bazuar në standarde të unfikuara dhe metodologji të strukturuar, si një element shumë i rëndësishëm për veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka ndërmarrë hapa për rregullimin dhe plotësimin e kuadrit të brendshëm rregullator, përfshirë edhe standardizimin e akteve të saj.
Kryetarja dhe këshilltarët e Gjykatës diskutuan çështje që lidhen me analizën dhe shkrimin e vendimeve të Gjykatës, me qëllim rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e veprimtarisë vendimmarrëse, në funksion të rritjes së eficiences dhe transparencës, si dhe lehtësimit të konsultimit të vendimeve të saj.


Në datat 7 - 8 shtator 2023, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, dhe i përbërë nga gjyqtarët znj. Sonila Bejtja, z. Sandër Beci, z. Ilir Toska, z. Gent Ibrahimi, si dhe znj. Thomaida Xhoxhaj, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, zhvilloi një vizitë pune pranë Tribunalit Federal të Zvicrës në Lozanë, Zvicër.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer dhe zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në datat 28 dhe 29 korrik 2023, zhvilloi tryezën e punës me temë: “Mbi planifikimin strategjik dhe kuadrin rregullator të brendshëm të Gjykatës Kushtetuese”.
Në këtë aktivitet mori pjesë trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësues të stafit administrativ, si dhe përfaqësues të partnerëve mbështetës – Fondacioni Konrad Adenauer dhe zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri). Kjo tryezë organizohet në vijim të mbështetjes që këta partnerë kanë ofruar për Gjykatën Kushtetuese, edhe në kuadër të hartimit të dokumentit të parë strategjik të kësaj gjykate, si dhe të planit të tij të veprimit.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, z. Tobias Ruttershof, Drejtor i Fondacionit Konrad Adenauer, dhe znj. Luljeta Krasniqi, Këshilltare Ligjore Lokale, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, gjatë të cilave u evidentua rëndësia e mbështetjes së Gjykatës Kushtetuese në funksion të përmbushjes së misionit të saj kushtetues. Gjatë këtij aktiviteti u diskutua lidhur me kuadrin rregullator të brendshëm të Gjykatës Kushtetuese, duke përfshirë strukturat përbërëse respektive, si dhe u ra dakord që piketat për planin e ri strategjik për periudhën 2024-2026 të vijojnë të dikutohen gjatë muajit shtator 2023.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Fondacionit Konrad Adenauer, zhvilloi seminarin 2 ditor me temë “Aspekti gjinor në planifikimin strategjik të veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese”. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues të stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, z. Eugen Papandile, si dhe znj. Luljeta Krasniqi dhe znj. Zheni Korçari si përfaqësues të partnerëve mbështetës.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse gjatë të cilave u bë një përshkrim i shkurtër i objektivit kryesor të këtij seminari që lidhej kryesisht me përfshirjen e aspektit gjinor në dokumentet strategjike të Gjykatës Kushtetuese, duke pasur në konsideratë edhe Strategjinë e Gjykatës dhe Planin e saj të Veprimit për periudhën 2024 – 2026.
Në vijim, diskutimet u fokusuan në temat që kishin të bënin me përmirësimin e kapaciteteve për realizimin e përgjegjësive të Gjykatës, planifikimin dhe koordinimin me efikasitet të burimeve financiare dhe njerëzore, si dhe rritjen e transparencës së veprimtarisë së gjykatës nëpërmjet përmirësimit të komunikimit dhe informimit të vazhdueshëm të publikut.

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, zhvilloi një vizitë pune në Prishtinë, Kosovë, në datat 29 – 30 qershor 2023.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në bashkëpunim me zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizoi tryezën e punës me temë: “Mbi procedurën e vlerësimit profesional dhe etik të këshilltarëve ligjorë të Njësisë së Shërbimit Ligjor në Gjykatën Kushtetuese”.
Aktiviteti u zhvillua në datat 22-23 maj 2023 dhe në të morën pjesë trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe përfaqësues të Prezencës së OSBE-së dhe stafit administrativ të Gjykatës.
Qëllimi i organizimit të kësaj tryeze është përmirësimi i mëtejshëm i efektivitetit të procesit këshillimor dhe ndihmës të Njësisë së Shërbimit Ligjor si kontribut i drejtpërdrejtë në vendimmarrje.
Në përfundim të tryezës, trupa e gjyqtarëve diskutoi dhe ra në parim dakord lidhur me procedurën e vlerësimit profesional dhe etik të këshilltarëve të kësaj gjykate.

Në datën 10 maj 2023, e cila përkon edhe me Ditën e Drejtësisë, u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Praktika gjyqësore e Gjykatës së Lartë nga identiteti kombëtar te vlerat universale, e cila u organizua nga Gjykata e Lartë me rastin e 110 vjetorit të themelimit të saj. Në këtë aktivitet merrnin pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të gjykatave homologe europiane dhe jo vetëm, përfaqësuesit më lartë të sistemit të drejtësisë, si dhe shumë të ftuar të tjerë vendas dhe të huaj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, mbajti një fjalë përshëndetëse në ceremoninë e hapjes së punimeve të këtij eventi të rëndësishëm për drejtësinë shqiptare.
Participation of the President of the Constitutional Court in the activity organized on the occasion of the 110th Anniversary of the foundation of the Supreme Court, 10 May 2023
On 10 May 2023, a date which also coincides with the Day of Justice, it was held the International Conference on: “Judicial practice of the Supreme Court from national identity to universal values”, organized by the Supreme Court on the occasion of the 110th anniversary of its foundation. This high-level activity was attended by the highest dignitaries of Albanian state, representatives of diplomatic corps accredited in our country, representatives of European counterpart courts and not only, the highest representatives of the justice system, as well as many other local and foreign guests.
President of the Constitutional Court, Mrs. Holta Zaçaj, held a greeting speech at the opening ceremony of this important event for Albanian justice.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në bashkëpunim me zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri organizoi një tryezë të përbashkët diskutimesh me Gjykatën e Lartë me temë: “Juridiksioni kushtetues dhe juridiksioni gjyqësor – pikëtakimet dhe ndarjet midis tyre”. Në këtë aktivitet morën pjesë trupat e gjyqtarëve të të dyja gjykatave, këshilltarë ligjorë dhe staf administrativ nga secila prej tyre, si dhe përfaqësues të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Aktiviteti i përbashkët u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, të Zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë, z, Sokol Sadushi, si dhe të Ambasadorit të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Guido De Sanctis.
Punimet u zhvilluan në dy sesione, ku gjatë sesionit të parë gjyqtarët e secilës prej gjykatave referuan mbi nën-temat e mëposhtme: hapësira dhe kufijtë e interpretimit kushtetues të gjykatave të zakonshme; gjykimi incidental dhe natyra e vlerësimit të gjyqtarit të zakonshëm; roli që luan gjyqtari kushtetues në interpretimin e ligjit të zakonshëm për t’i dhënë kuptim normës kushtetuese; roli i Gjykatës së Lartë për të siguruar uniformitetin e praktikës gjyqësore.
Temat e trajtuara gjatë sesionit të dytë kishin në fokus: standardin e gjykatës së caktuar me ligj dhe zbatimin e tij në përputhje me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që përcaktojnë juridiksionin e Gjykatës së Lartë për njësimin dhe zhvillimin e praktikës ligjore; arsyetimin e vendimeve të dhomës së këshillimit, natyrën e pretendimeve të parashtruara në rekurs si përcaktuese të detyrimit të Gjykatës së Lartë për të trajtuar dhe rastet kur gjykatat më të ulëta kanë dhënë zgjidhje ligjore diametralisht të kundërta; të drejtën e mbrojtjes efektive të individit në gjykimin në Gjykatën e Lartë, si dhe gjykimin në dhomën e këshillimit veçanërisht kur ajo gjykatë shqyrton, me nismën e saj, çështje ligjore pa njoftuar paraprakisht palët.
Në vijim të prezantimeve të mbajtura, gjyqtarët e të dy gjykatave shtruan pyetje dhe zhvilluan diskutime lidhur me temat e referuara, duke evidentuar rëndësinë e organizimit të takimeve të tilla për shkëmbimin e mendimeve dhe përmirësimin e vendimmarrjeve respective.

Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2022
Sot, më 14 dhjetor 2022, u zhvillua një takim kortezie midis Kryetares së Gjykatës Kushtetuese znj. Vitore Tusha dhe Kreut të ri të OSBE-së në Shqipëri z. Guido De Sanctis.
Në ceremoninë për ndarjen e çmimeve për fituesit e Konkursit për Hartimin e Ankimit Kushtetues Individual (2022), të zhvilluar me pjesëmarrjen e studentëve nga e gjithë Shqipëria, një bashkëpunim i Gjykatës Kushtetuese dhe Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, përshëndetën Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Kreu i Prezencës së OSBE-së, si dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Përparim Kalo.
Në këtë aktivitet u angazhuan rreth 200 studentë të cilët më parë morën pjesë edhe në sesionet trajnuese. Në përfundim të këtij procesi, u paraqitën 27 prezantimet më të mira që preknin një sërë çështjesh kushtetuese mjaft interesante dhe përfaqësonin studentë nga qytetet e Vlorës, Shkodrës dhe Tiranës, nga universitete publike dhe private. Ish-gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese morën pjesë në komisionin e ngritur për vlerësimin e aplikimeve dhe përzgjedhjen e prezantimeve më të spikatura.
Reforma kushtetuese në drejtësi e vitit 2016, zgjeroi rrethin e subjekteve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në drejtim të ankimit kushtetues individual, duke mundësuar ankimet e individëve kundër çdo lloj akti të pushtetit publik që shkel të drejtat dhe liritë e tyre themelore të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Aktivitete të tilla ju shërbejnë studentëve të drejtësisë të zbatojnë në praktikë dhe të thellojnë më tej njohuritë e tyre në fushën e të drejtave të njeriut dhe gjithashtu janë të frytshme për rritjen e ndërgjegjësimit për këto të drejta.
Forumi i nëntë rajonal i Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore, Tiranë 25 nëntor 2022
Në vijim të një tradite të krijuar tashmë nga AIRE Centre dhe Civil Rights Defenders, është duke u zhvilluar në Tiranë, në ambientet e Hotel Rogner, Forumi i nëntë rajonal i Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore me temë: “Të drejtat e njeriut në kohë emergjencash – roli i gjyqësorit sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”, në të cilin merr pjesë edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Vitore Tusha.
Qëllimi i forumit të shtetit të së drejtës është promovimi i zbatimit të Konventës Evropiane itë Drejtave të Njeriut në nivel vendi, inkurajimi i bashkëpunimit rajonal në kuadër të zhvillimit të vazhdueshëm të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, dhe ofrimi i ndihmës për vendet e rajonit në procesin e integrimit në BE.
Në sesionin e hapjes të këtij aktiviteti, përshëndeti edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Vitore Tusha, e cila pasi falënderoi organizatorët e evenimentit, u shpreh se " Ky forum do të na shërbejë për të shkëmbyer eksperiencat tona, nuancat e legjislacionit të brendshëm, standardet mbi të cilat ato janë zhvilluar dhe mbi të gjitha trajtimet e të drejtave në balancë me proporcionalitetin e ndërhyrjeve legjislative."
Në takim, fjalimin kryesor me temë “Për demokracinë përfshirëse dhe shtetin e së drejtës në kohë krize” e mbajti ish-Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, z. Robert Spano. Gjithashtu, aktiviteti u përshëndet edhe nga z. Darian Pavli, gjyqtari i GjEDNj për Shqipërinë, si dhe përfaqësues të organizatorëve dhe mbështetësve të këtij forumi.
Në ditën e parë të aktivitetit, punimet e të cilit do të vijojnë edhe ditën e nesërme, po diskutohet për rëndësinë e shqyrtimit gjyqësor efektiv dhe kuptimin e shqyrtimit gjyqësor gjatë kohës së emergjencës – kriteret sipas të drejtave të tjera të KEDNj-së; kufijtë e këqyrjes gjyqësore dhe nevoja për mekanizma të tjera efektive për shqyrtimin e masave ekzekutive; kriteri i ligjshmërisë dhe përdorimi i një “procedure në përputhje me ligjin” për të futur masat e emergjencës dhe gjendjet e jashtëzakonshme, proporcionaliteti dhe hapësira e vlerësimit që u lejohet qeverive gjatë kohës së emergjencës; masat e mbylljes brenda – analizë e praktikësgjyqësore relevante evropiane.
Dita e dytë e punimeve të Forumit të 9-të rajonal të Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore, 26 nëntor 2022.
Forumi i 9-të rajonal i Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore “Të drejtat e njeriut në kohë emergjencash – roli i gjyqësorit sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”, zhvilloi sot, më 26 nëntor, punimet e ditës së dytë të tij ku pjesëmarrësit pasi raportuan sipas grupeve punuese, diskutuan për temën “Mësimet e dala – ngritja e mbrojtjeve të ardhshme për gjyqësorin dhe garantimi i reagimeve në përputhje me Konventën në kohë emergjencash”.
Gjatë aktivitetit, z. Ledi Bianku, ish-gjyqtari i GjEDNj-së për Shqipërinë, referoi fjalimin me temë “Politikat e vaksinimit (përvojat nga rajoni dhe analizë e praktikës gjyqësore relevante vendase dhe evropiane)”. Gjithashtu, edhe znj. Mirjana Lazarova Trajkovska, ish-gjyqtare e GjEDNj-së për Maqedoninë e Veriut, prezantoi temën e saj “Masat praktike të marra nga gjykatat për të garantuar vazhdimësinë e operimit të tyre gjatë pandemisë – mësimet e nxjerra dhe praktikat më të mira për t’u zbatuar në kontekstin e emergjencave dhe jo vetëm”.
Zhvillimi i këtij Forumi u mbështetet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Suedisë dhe Fondacioni Konrad Adenauer.
Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Bashkëpunimin Reciprok dhe Ndihmën e Ndërsjellë në Fusha me Interes të Përbashkët, të nënshkruar midis Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në datën 29 shtator 2021, z. Ermal Tauzi dhe z. Gentian Mete, këshilltarë ligjorë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, qëndruan për një periudhë stazhi 2 javore pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me qëllim pjesëmarrjen në veprimtari me karakter formues të organizuara dhe zhvilluara nga kjo gjykatë.
Gjatë qëndrimit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, këshilltarët ligjorë u njohën më nga afër me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të saj, duke u njohur me dosje të caktuara dhe ndjekur gjykimet kushtetuese të zhvilluara, si dhe duke marrë pjesë në diskutimet e bëra ndërmjet Kryetares së Gjykatës dhe stafit administrativ, në lidhje me zbatimin dhe planifikimin e objektivave strategjikë.
Po ashtu, këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë morën pjesë në konferencën me temë “Ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës, përvoja nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania”, e cila u zhvillua gjatë datave të qëndrimit të tyre në Kosovë dhe u organizua me pjesëmarrjen e përfaqësueseve të gjykatave kushtetuese dhe të larta të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Gjermania.
Pjesëmarrje në aktivitetin me temë: “Institucionet e të Drejtave të Njeriut dhe Gjyqësori”.
Sot në datën 13.07.2022, zonja Sonila Bejtja, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, ka marrë pjesë në tryezën me temë: “Institucionet e të Drejtave të Njeriut dhe Gjyqësori”, aktivitet i organizuar nga Zyra e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Në kuadër të kësaj veprimtarie e cila është hapur me fjalën përshëndetëse të Drejtuesit të Sektorit për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut pranë Misionit të OSBE-së në Shqipëri, zotit Cailean Maclean HoD RoLHR, temat që u trajtuan ishin: Amicus Curia në Shqipëri – përdorshmëria si dhe praktika të mira nga gjyqësori dhe institucionet e të drejtave të njeriut; paditë kolektive - avantazhet dhe disavantazhet në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut; si dhe sfidat e pritshme të zbatimit.
Gjyqtarja Bejtja gjatë referimit të saj në këtë tryezë, ka prezantuar praktikën e Gjykatës Kushtetuese për kërkimin e opinioneve këshillimore Amicus Curia nga organizmat ndërkombëtarë dhe institucionet kombëtare, si përpara ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, ashtu edhe pas këtyre ndryshimeve, si dhe vlerën e kontributin e opinioneve këshillimore në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese në aktivitetin kombëtar për shkëmbimin e përvojës midis gjyqtarëve shqiptarë të medias dhe gjyqtarëve holandezë, Tiranë
Qendra për Çështjet e Informimit Publik (INFOCIP) në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor( KLGJ) dhe me pjesëmarrjen e gjyqtarëve të medias të juridiksionit të zakonshëm dhe atyre të prokurorisë, zhvilloi në datën 6 maj 2022 aktivitetin e dytë kombëtar për shkëmbimin e përvojës midis gjyqtarëve shqiptarë të medias dhe gjyqtarëve holandezë.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm mori pjesë në përfaqësim të Gjykatës Kushtetuese gjyqtarja zonja Sonila Bejtja, e cila, ndër të tjera, theksoi prioritetet që ka Gjykata Kushtetuese, të përcaktuara edhe në Strategjinë e saj, në funksion të forcimit të besimit të publikut te kjo Gjykatë përmes konsolidimit të bashkëpunimit me median.
Pjesëmarrësit e aktivitetit shkëmbyen përvojat e tyre, si dhe u angazhuan për ndjekjen e modeleve më të suksesshme të bashkëpunimit midis pushtetit gjyqësor dhe medias në zbatim të detyrimit për informim.

Seminari me temë “Rëndësia e planifikimit strategjik dhe zhvillimit të projekteve për një menaxhim cilësor dhe efikas të Gjykatës Kushtetuese”
Gjykata Kushtetuese, me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer dhe Zyrës së Prezencës së OSBE-së, zhvilloi në datat 5 – 6 maj 2022 seminarin me temë “Rëndësia e planifikimit strategjik dhe zhvillimit të projekteve për një menaxhim cilësor dhe efikas të Gjykatës Kushtetuese”. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësuesit e partnerëve mbështetës, përfaqësues të stafit administrativ dhe këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese.
Diskutimet gjatë aktivitetit u fokusuan në hapat që duhet të ndërmerren nga drejtoritë dhe sektorët e ndryshëm të gjykatës për një planifikim të koordinuar të veprimtarisë së saj, me qëllim përmbushjen e objektivave strategjikë dhe specifikë të parashikuar në Dokumentin Strategjik të Gjykatës Kushtetuese dhe në Planin e tij të Veprimit. Pjesëmarrësit diskutuan edhe lidhur me zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve, si mjete efektive për menaxhimin e duhur të fondeve dhe burimeve njerëzore, duke u angazhuar në prezantime, diskutime dhe punën në grup.
Po ashtu, gjatë këtij seminari u trajtuan edhe çështje të ndryshme organizative dhe mbështetëse që lidhen me veprimtaritë që do të zhvillohen në kuadër të 30 vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese.


Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2021
Gjykata Kushtetuese, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Konrad Adenauer Stiftung, zhvilloi sot tryezën e rrumbullakët me temë “Ankimi kushtetues individual”, me pjesëmarrjen e gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesve të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe të Avokaturës së Shtetit. Ky aktivitet organizohet në vijim të mbështetjes së ofruar nga këto dy organizata partnere, në kuadër të asistencës teknike për avancimin e shtetit të së drejtës dhe zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Vitore Tusha, Kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, z. Maksim Haxhia, Avokatit nga Avokatura e Shtetit, z. Embro Ahmetaj, Shefit të Zyrës Ligjore në detyrë të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Cailean Maclean, si dhe Drejtorit të Konrad Adenauer Stiftung, z. Tobias Ruettershoff.
Në vijim, znj. Elsa Toska, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese referoi prezantimin me temë “Risitë e ankimit kushtetues individual”, i cili u pasua me diskutime nga të gjithë pjesëmarrësit lidhur me rolin e avokatit në hartimin dhe paraqitjen e ankimit individual, si dhe ndërveprimin mes Gjykatës dhe përfaqësuesve ligjorë gjatë shqyrtimit të tij. Përfaqësuesit e Gjykatës, të Dhomës së Avokatisë dhe Avokaturës së Shtetit patën mundësinë të ndanin sfidat që hasen në procesin e dorëzimit dhe shqyrtimit të ankimit. Ata gjithashtu rekomanduan hapa për të forcuar më tej ndërveprimin dhe bashkëpunimin mes tyre, me qëllim që ankimi kushtetues individual të shërbejë si një mjet efektiv për mbrojtjen e të drejtave të individit në Shqipëri dhe përmirësimin e aksesit substancial të individit në gjykimin kushtetues.


Në datat 9 – 10 dhjetor 2021 u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë “Zbërthimi i zërave të Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese në funksion të organizimit të 30 vjetorit të saj”. Ky aktivitet u organizua nga Gjykata Kushtetuese dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e gjyqtarëve, këshilltarëve ligjorë dhe stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me pjesëmarrjen e znj. Ama Kraja, këshilltare ligjore lokale e zyrës së prezencës së OSBE-së në Tiranë, e cila ofroi ekspertizën e saj lidhur me modalitetet e organizimit të këtij përvjetori, veçanërisht në kushtet e kufizimeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19.
Tryeza u organizua në dy raunde, fillimisht me prezantime nga panelistët të materialeve të ndryshme orientuese dhe ndihmëse për organizimin e eventeve të këtij lloji, si dhe më pas me diskutime të pjesëmarrësve lidhur me çështjet më të rëndësishme që preknin secilën prej strukturave të Gjykatës Kushtetuese. Diskutimet u fokusuan po ashtu në çështjet buxhetore përkatëse dhe afatet ligjore që duhet të respektohen për këtë qëllim.
Në datën 19 nëntor 2021 është zhvilluar tryeza e rrumbullakët me temë “Juridiksioni kushtetues dhe juridiksioni gjyqësor – vija ndarëse ndërmjet tyre. Si krijohen, zhvillohen dhe ndryshohen standardet kushtetuese në aspektin procedural”, si një aktivitet i përbashkët midis Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, i mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Hanns Seidel, zyra në Tiranë.
Në këtë aktivitet, i cili u hap me fjalët përshëndetëse të znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, z. Sokol Sadushi, Zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë dhe znj. Nertila Mosko, përfaqësuese e Fondacionit Hanns Seidel – drejtuese e zyrës në Tiranë, morën pjesë gjithë trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe përfaqësues e këshilltarë ligjorë nga të dyja gjykatat.
Gjatë takimit pati referime nga znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese dhe z. Sokol Sadushi, Zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë, të cilat u pasuan nga diskutime mes gjyqtarëve dhe përfaqësuesve të tjerë lidhur me çështjet për ndarjen e juridiksioneve, problematikat e evidentuara, rastet praktike, evoluimin e standardeve, antikushtetutshmërinë dhe paligjshmërinë e akteve normative, etj.
Në përfundim, palët shprehën dëshirën dhe gatishmërinë për të vazhduar me organizimin e aktiviteteve të këtij lloji, me qëllim rritjen e bashkëveprimit midis institucioneve dhe krijimin e platformave të nevojshme për shkëmbimin e ideve dhe praktikave respektive.


Nënkomiteti i Stabilizimit dhe Asociimit BE-Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë po zhvillon në datat 9 – 10 dhjetor 2021, takimin e tij të trembëdhjetë në të cilin marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga institucione të ndryshme në fushën e drejtësisë, si dhe ekspertë në fushën e të drejtave themelore.
Gjatë ditës së parë të këtij aktiviteti po organizohen dy panele lidhur me reformën në drejtësi dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut me raportime, diskutime dhe pyetje nga palët pjesëmarrëse lidhur me situatën aktuale në Shqipëri. Përfaqësuese e institucionit të Gjykatës Kushtetuese në këtë aktivitet është zonja Fiona Papajorgji, anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Në prezantimin e bërë nga përfaqësuesit e delegacionit të BE-së u evidentua mirëfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, çka u përforcua edhe nga gjyqtarja Papajorgji, e cila në prezantimin e saj u fokusua tek situata aktuale lidhur me ngarkesën e çështjeve dhe përpjekjet maksimale të punës voluminoze që është bërë për përfundimin e gjykimit në një kohë sa më të shkurtër të çështjeve të prapambetura, rritjen e transparencës, si edhe të zhvillimeve më të fundit në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që ajo mbart në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Prof. Dr. Zühtü ARSLAN, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mori pjesë në programin e shkollës së 9-të verore të organizuar nga Qendra për Trajnimin dhe Zhvillimin e Burimeve Njerëzore e Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Aziatike dhe Institucioneve Ekuivalente. Tema e përzgjedhur për këtë vit ishte “Probleme aktuale të ekzekutimit të vendimeve: Drejtësia Kushtetuese” dhe programi u zhvillua online në datat 7 – 8 shtator 2021. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u përfaqësua në këtë aktivitet nga znj. Ela Elezi, këshilltare ligjore, e cila mbajti edhe një referim.
Gjatë dy ditëve, pjesëmarrës nga rreth 30 shtete sollën eksperiencat e vendeve të tyre per problemet që lidhen me ekzekutimin e vendimeve të gjykatave kushtetuese respektive ose institucioneve ekuivalente dhe përgjegjësinë e organeve shtetërore për të zbatuar këto vendime. Që nga viti 2013, kjo shkollë është kthyer në një aktivitet të përvitshëm që ka tërhequr vëmendje të vazhdueshme.
Me qëllim detajimin e veprimtarive për implementimin e Dokumentit të Parë Strategjik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i cili është finalizuar në prill të vitit 2021, në qytetin e Sarandës, në datat 8-9 korrik 2021, u zhvillua aktiviteti ndërkombëtar me temë: “Tryezë teknike për masat e planit të veprimit për vitin 2021 në zbatim të Strategjisë së Gjykatës Kushtetuese (2021-2023)”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe stafi administrativ i saj, përfaqësuesja e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, znj.Ama Kraja, drejtuesi i Zyrës për Shqipërinë i Fondacioni Gjerman “Konrad Adenauer”, Dr.Tobias Rüttershoff, si dhe një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Milot Vokshi.
Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, e cila pasi shprehu falënderimet për pjesëmarrësit dhe mbështetësit që mundësuan realizimin e tij, vlerësoi pozitivisht hapat që janë ndërmarrë në këtë drejtim dhe theksoi rëndësinë që ka zbatimi i Planit Strategjik për realizimin e objektivave strategjikë të Gjykatës dhe përmbushjen e misionit të saj si institucioni thelbësor në forcimin e demokracisë kushtetuese dhe parimeve të shtetit të së drejtës.
Gjatë aktivitetit, përfaqësuesit e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Fondacionit “Konrad Adenauer”, të cilët kanë mbështetur Gjykatën Kushtetuese në hartimin dhe finalizimin e Planit Strategjik të saj, u shprehën se niveli i bashkëpunimit të deritanishëm dhe gjithëpërfshirja e stafit të Gjykatës në procesin e punës, do të vazhdojë në të ardhmen në drejtim të veprimeve konkrete që duhen ndërmarrë nga secili sektor në funksion të zbatim të Strategjisë dhe Planit të saj Veprimit.
Në vijim, Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z.Eugen Papandile prezantoi në mënyrë të përmbledhur Strategjinë e Gjykatës dhe Planin e saj të Veprimit, në fokus të të cilit ishin masat e marra përsipër për zbatim gjatë vitit 2021. Gjithashtu, përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuse të Kosovës ofruan përvojën e tyre gjatë diskutimeve dhe ndarjes në grupe për detajimin e veprimtarive sipas sektorëve dhe buxhetimin e tyre.


Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2020
Pjesëmarrje e këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në trajnimin online: “Përdorimi i jurisprudencës së GJEDNJ-së në nivel kombëtar”
Në datën 3 dhjetor 2020 këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës morën pjesë në trajnimin online të organizuar nga Qendra Europiane me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në lidhje me përdorimin e jurisprudencës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar.
Gjatë këtij trajnimi u diskutua me pjesëmarrësit rreth Konventës së të Drejtave të Njeriut si pjesë e sistemit të brendshëm normativ, vendit që zë Konventa në Kushtetutat përkatëse të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, problemeve sistemike e strukturore të hasura dhe trajtimit të tyre në jurisprudencën e GJEDNJ-së.
Lektorë në këtë trajnim ishin z. Ledi Bianku, Profesor i asociuar në Universitetin e Strasburgut, Francë, ish-gjyqtar në GJEDNJ, dhe z. Rick Lawson, Profesor dhe ish-dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Leidenit, Holandë.
Aktiviteti me temë "Tryeza e dytë e punës për hartimin e Strategjisë së Gjykatës Kushtetuese dhe Planit të saj të Veprimit"
Tiranë, 14-15 tetor 2020
Në datat 14-15 tetor 2020, në ambientet e Hotel Tirana International, u zhvillua tryeza e dytë e punës për hartimin e Strategjisë së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për vitet 2021-2023 dhe Planit të saj të Veprimit.
Gjatë këtij aktiviteti dy-ditor, grupi i punës së Gjykatës Kushtetuese i ngritur për hartimin e Strategjisë dhe Planit të saj të Veprimit, përfaqësuesit e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, përfaqësuesit e Fondacioni Konrad Adenauer Stiftung, si dhe ekspertët ndërkombëtarë të angazhuar në këtë projekt në mbështetje të Gjykatës Kushtetuese, diskutuan arritjet e deritanishme dhe hapat konkretë që do të ndërmerren në të ardhmen në drejtim të hartimit të këtij dokumenti me rëndësi strategjike për institucionin.
Dita e parë iu kushtua diskutimit të draftit të Strategjisë me qëllim përmirësimin e tij, si dhe formulimit të treguesve dhe targeteve të objektivave strategjike në funksion të efektivitetit dhe efikasitetit të performancës institucionale të Gjykatës në tërësi.
Gjatë ditës së dytë, nën moderimin e ekspertëve ndërkombëtarë, gjyqtarët dhe përfaqësuesit e tjerë sipas strukturave përkatëse (që janë në përbërje të grupeve të punës), diskutuan detajet e këtyre treguesve lidhur me efektivitetin dhe efikasitetin e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese, komunikimin, informimin, transparencën, menaxhimin e burimeve njerëzore si dhe ngritjen e kapaciteteve të këtij institucioni.
Hartimi i Planit Strategjik është një detyrim ligjor institucional me përmbushjen e së cilit Gjykata Kushtetuese synon përmirësimin e mëtejshëm të veprimtarisë së saj vendimmarrëse, rritjen e efiçencës dhe efikasitetit, si dhe rritjen e besueshmërisë së publikut te ky institucion kushtetues i pavarur.

Aktiviteti me temë “Tryeza e parë e punës për hartimin e strategjisë dhe planit të saj të veprimit”, datat 8-9 Korrik 2020.
Në përmbushje të detyrimit ligjor për hartimin e Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe duke respektuar rregullat për kufizimin dhe distancimin fizik si pasojë e gjendjes së krijuar nga Covid -19, në datat 8-9 Korrik 2020, në qytetin e Durrësit, u zhvillua aktiviteti i radhës për këtë qëllim me temë: “Tryeza e parë e punës për hartimin e strategjisë dhe planit të saj të veprimit”. Në këtë aktivitet morën pjesë grupi i punës së Gjykatës Kushtetuese, i ngritur për hartimin e Planit Strategjik, përfaqësues të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, përfaqësues të Fondacioni Konrad Adenauer Stiftung, si dhe ekspertët ndërkombëtarë të angazhuar në këtë projekt.
Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të zonjës Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit, e cila pasi shprehu falenderimet për pjesëmarrësit, vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm dhe hapat që janë ndërmarrë në këtë drejtim, duke theksuar edhe një herë rëndësinë që ka hartimi i Planit Strategjik në përmbushjen e misionit të Gjykatës Kushtetuese si institucioni thelbësor në forcimin e demokracisë kushtetuese dhe forcimin e parimeve të shtetit të së drejtës.
Në vijim të aktivitetit diskutimet u fokusuan në analizat (gjetjet) e përpunuara mbi bazën e dokumentacionit të mbledhur në Gjykatën Kushtetuese gjatë takimeve informuese me gjyqtarët, këshilltarët dhe stafin administrativ, të cilët evidentuan përparësitë dhe sfidat e brendshme të Gjykatës Kushtetuese për të ardhmen.
Gjithashtu, disa nga çështjet e tjera që u diskutuan në këtë aktivitet ishin: përdorimi i analizave të ndryshme si analiza SWOT, pema e problemeve, pema e objektivave në funksion të zvogëlimit të risqeve gjatë hartimit të Planit Strategjik; metodologjia që do të përdoret në hartimin e tij, ku rol thelbësor ka hartimi i deklaratës së misionit dhe vizionit të Gjykatës Kushtetuese; formulimi i objektivave të përgjithshme e specifike për strategjinë etj.
Në hartimin dhe implementimin e Planit Strategjik për vitet 2020-2023, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mbështetet nga Zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Fondacioni Konrad Adenauer. Nëpërmjet këtij plani Gjykata synon përmirësimin e mëtejshëm të veprimtarisë së saj vendimmarrëse, rritjen e efiçencës dhe efikasitetit, si dhe rritjen e besueshmërisë së publikut te ky institucion kushtetues i pavarur.
Takim pune - Faza i e hartimit të Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese 2021-2023.
Tiranë, 11 qershor 2020.
Në kuadër të procesit të hartimit të Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese 2021-2023, në ambientet e kësaj gjykate u zhvillua një takim informues pune me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj gjykate, përfaqësuesve të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë, përfaqësuesve të Fondacionit Konrad Adenauer Stiftung si dhe ekspertëve ndërkombëtarë të angazhuar në këtë projekt.
Takimi shënon njëkohësisht edhe përmbylljen e fazës së parë të punës për hartimin e Planit Strategjik.
Gjatë kësaj faze, ekspertët ndërkombëtarë, nëpërmjet takimeve informuese me gjyqtarët, këshilltarët dhe stafin e administratës së Gjykatës Kushtetuese, kanë mbledhur dokumentacionin e nevojshëm dhe janë informuar në lidhje me opinionet dhe sugjerimet e ndryshme për të analizuar situatën dhe për të identifikuar tipologjinë e çështjeve që duhen adresuar në funksion të hartimit të planit të veprimit dhe përcaktimit të hapave të mëtejshme që do të ndërmerren.
Për realizimin e Planit Strategjik 2021 - 2023, i cili përfaqëson një dokument të një rëndësie të veçantë institucionale dhe një detyrim ligjor e kushtetues, Gjykata Kushtetuese mbështetet financiarisht nga Prezenca e OSBE-së dhe Fondacioni Konrad Adenauer. Gjatë takimit, këta të fundit vlerësuan pozitivisht nivelin e bashkëpunimit të deritanishëm si dhe gjithë-përfshirjen aktive të stafit të Gjykatës Kushtetuese në procesin e punës për hartimin e planit strategjik dhe çmuan se këto janë premisa për mirë-vazhdimin dhe finalizimin me sukses të strategjisë.
Në kuadër të hartimit të Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe në vijimësi të disa takimeve dhe tryezave të përbashkëta të organizuara më parë për këtë qëllim me përfaqësues të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në datën 20 shkurt 2020, u zhvillua në qytetin e Korçës aktiviteti ndërkombëtar me temë “Hapat konkretë për hartimin e Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese për periudhën 2020-2023”. Në këtë aktivitet morën pjesë grupi i punës së Gjykatës Kushtetuese i ngritur për hartimin e Planit Strategjik, përfaqësuesit e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, kryesuar nga zoti Claudio Pala, kreu i Departamentit të Ligjit dhe të të Drejtave të Njeriut, përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe eksperti ndërkombëtar në këtë fushë, zoti Shefqet Berisha.
Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të zonjës Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit, e cila pasi shprehu falenderimet për pjesëmarrësit, theksoi rëndësinë që ka hartimi i Planit Strategjik për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, në drejtim të përcaktimit dhe realizimit të objektivave strategjikë të saj, parë kjo edhe në këndvështrimin e europianizmit të së drejtës kushtetuese dhe aspiratën së popullit shqiptar për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ky plan do të identifikojë çështjet më të rëndësishme, duke e përgatitur Gjykatën edhe për tejkalimin e sfidave të periudhës së ringritjes së saj, në përputhje me misionin që i ka dhënë Kushtetuta.
Më pas, diskutimet u fokusuan në hapat konkretë që duhen ndjekur në të gjitha fazat e procesit të përgatitjes së Planit Strategjik, përcaktimin e objektivave dhe prioriteteve strategjike, misionin dhe vizionin që ky plan synon të përmbushë, metodologjinë e punës në procesin e planifikimit të tij, zhvillimin e analizave dhe problemeve që duhen adresuar, kostot financiare etj. Nga ana e tij, grupi i punës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë shprehu angazhimin maksimal në lidhje me përmbushjen e detyrimit ligjor për përgatitjen në një kohë sa më të shkurtër të këtij plani.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës shprehën njëherazi vullnetin e mirë dhe gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës teknike, si dhe çdo mbështetje tjetër të nevojshme në të gjitha fazat e hartimit dhe implementimit të Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese për periudhën 2020-2023, në funksion të rritjes së integritetit dhe forcimit të pavarësisë institucionale.




Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2019
Seminar trajnues me temë: “E drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale”, 26 – 28 qershor 2019.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë organizoi seminarin trajnues me temë: “E drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale”, i cili u zhvillua në qytetin e Sarandës, në datat 26 – 28 qershor 2019. Në këtë seminar morën pjesë përfaqësues të stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese të kryesuar nga z. Eugen Papandile, si dhe në cilësinë e ekspertit, z. Erind Mërkuri, pedagog i Fakultetit të Drejtësisë Tiranë.
Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili evidentoi nevojën dhe rëndësinë e organizimit të këtij seminari trajnues për stafin administrativ dhe veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë ditës së parë seminari u nda në dy sesione në të cilat u trajtuan nëntema të tilla si: mbrojtja e burimeve të informimit për gazetarët, dhënia e informacionit për çështjet nën hetim/sekreti hetimor, dhënia e informacioneve për mënyrën e kontrollit të tubimeve/demonstrimeve nga autoritetet shtetërore dhe e drejta për informim nga qelia, nëpërmjet internetit.
Gjatë ditës së dytë të seminarit u trajtuan nëntemat: përgjimi në kuadër të masave antiterrorizëm dhe marrja nga ana e autoriteteve e informacionit nga IP të adresave të internetit. Të gjitha nëntemat e sipërpërmendura u trajtuan dhe konkretizuan me çështje specifike të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2018
Veprimtari e përbashkët studimore mes Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, 05 - 06 dhjetor 2018
Tryezë e përbashkët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me temë “Efektet e reformës dhe zhvillimet më të fundit në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, 15-16 Mars 2018


Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2017
Seminar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me mbështetjen e fondacionit gjerman “Për bashkëpunim ligjor dhe ndërkombëtar”, 16-17 nëntor 2017
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me mbështetjen e fondacionit gjerman “Për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar, IRZ”, në vijim të bashkëpunimeve të shumta organizoi seminarin me temë “Ankimi kushtetues në teori dhe praktikë”, i cili u zhvillua në Tiranë në datat 16-17 nëntor 2017.
Në seminar morën pjesë këshilltarët ligjorë dhe stafi administrativ i Gjykatës Kushtetuese. Lektor i seminarit ishte Prof. Dr. Jan Bergmann, kryetar i Senatit pranë Gjykatës Administrative të landit Baden-Würtemberg, Gjermani dhe profesor i së drejtës europiane.
Ditën e parë në seminar u trajtuan tema të ndryshme, si: dogmatika europiane e të drejtave të njeriut; konkurrenca e të drejtave themelore dhe përplasja e të drejtave; kategoritë e të drejtave të njeriut; parakushtet e pranueshmërisë së një ankimi kushtetues në Gjermani; skema e verifikimit në rastin e të drejtave themelore të barazisë; mundësitë e referencave në gjendjen ligjore në Shqipëri.
Seminar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me mbështetjen e Fondacionit Gjerman “Për Bashkëpunim Ligjor dhe Ndërkombëtar”, 27-28 prill 2017
Në seminar morën pjesë këshilltarët ligjorë dhe stafi administrativ i Gjykatës Kushtetuese. Lektor i seminarit ishte Prof. Dr. Jan Bergmann, kryetar i Senatit pranë Gjykatës Administrative të landit Baden-Würtemberg, Gjermani dhe profesor i së drejtës europiane.
Në seminar u trajtuan tema të ndryshme si dogmatika europiane e të drejtave të njeriut, të drejtat e njeriut si shprehje e sistemit të vlerave, të drejtat e njeriut si të drejta mbrojtjeje, të drejtat e njeriut si të drejta kontribuese ose pjesëmarrjeje; kategoritë e të drejtave të njeriut, liritë themelore, të drejtat themelore të barazisë, të drejtat themelore procedurale; konkurrenca e të drejtave themelore dhe përplasja e të drejtave themelore.
Tryezë e përbashkët mes Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me temë “Reformat dhe zhvillimet më të fundit në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë”, 5 dhe 6 prill 2017
Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2016
Tryezë e përbashkët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me temë “Zhvillimet më të fundit në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë”, 5 dhe 6 dhjetor 2016
Tryezë e përbashkët mes Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, 1-4 maj 2016
Seminar me temë “Sistemi i përbashkët europian i azilit (GEAS)”, 21-22 prill 2016
Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2015
Seminar me temë "Marrëdhëniet me median, e Drejta Procedurale Kushtetuese dhe mbrojtja e të Drejtave të Njeriut”. Tiranë, 8 - 9 tetor 2015
Tryezë e përbashkët e Gjykatës Kushtetuese me Gjykatën e Lartë me temë “Veçoritë e juridiksionit administrativ dhe kushtetues”, 1 Qershor, 2015



Tryezë e përbashkët e Gjykatave Kushtetuese të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës me temë: “Veçoritë e procesit vendimmarrës para Gjykatës Kushtetuese”, 6 - 8 maj 2015.
Në kuadër të rritjes dhe intensifikimit të bashkëpunimit mes gjykatave kushtetuese të rajonit, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin “Hans Seidel” zhvilloi një tryezë të përbashkët me stafin administrativ (Sekretarë të Përgjithshëm, drejtorë, këshilltarë ligjorë dhe specialistë) të Gjykatave Kushtetuese të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës me temë: “Veçoritë e procesit vendimmarrës para Gjykatës Kushtetuese”. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Resort “Rafaelo” në Shëngjin, Lezhë, nga data 6 deri në 8 Maj 2015.
Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, kryesohej nga Sekretarja e Përgjithshme e Gjykatës, zonja Olivera Filipovska, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi kryesohej nga zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e kësaj Gjykate, zonja Dragica Davidović, kurse delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kryesohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës, zoti Milot Vokshi.
Në ditën e parë të aktivitetit rajonal, pas fjalës përshëndetëse të Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zotit Kujtim Osmani, dhe Drejtorit të Kabinetit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zotit Aleksandër Toma, u trajtuan temat: “Shqyrtimi administrativ i kërkesave”; “Shqyrtimi paraprak i kërkesave nga kolegji” dhe “Procedurat e shqyrtimit në seancë”.
Në ditën e dytë, referimet dhe diskutimet vazhdimet me temat: “Shpallja dhe hyrja në fuqi e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese” dhe “Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
Gjatë takimit, përveç temave të programit, u shkëmbyen përvoja të ndryshme në fushën e organizimit dhe funksionimit të Gjykatave Kushtetuese, si dhe u trajtuan mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.
Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2014
Tryezë e përbashkët mes Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, 19 - 21 Nëntor 2014
Vazhdimësi e bashkëpunimit të suksesshëm mes Gjykatës Kushtetuese dhe Fondacionit Gjerman IRZ.
Në datat 23 – 24 tetor 2014, u zhvillua seminari me temë "Mbrojtja e të Drejtave Themelore nga Gjykatat Administrative dhe Gjykatat Kushtetuese duke marrë parasysh "Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore", në kuadër të rritjes profesionale dhe kualifikimit të stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese.
Seminari u drejtua nga Prof. Dr. Jan Bergmann, Gjyqtar Kryesues në Gjykatën Administrative të Shtutgartit, i cili ndau dhe diskutoi me pjesëmarrësit shembujt nga jurisprudenca gjermane dhe evropiane lidhur me mbrojtjen e të drejtave themelore.
Ky aktivitet dy ditor u zhvillua në ambientet e Hotel Xheko Imperial dhe u organizua në kuadër të bashkëpunimit të suksesshëm që Gjykata Kushtetuese ka me Fondacionin Gjerman IRZ.
Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2013
Seminar me temë “Mbi zhvillimin e jurisprudencës kushtetuese, mbi parimin e proporcionalitetit”, i organizuar në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), 9-11 tetor 2013
Në vazhdim të bashkëpunimit midis Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), në datat 9-11 tetor 2013, u organizua seminari i përbashkët me temë “Mbi zhvillimin e jurisprudencës kushtetuese të GJFK Gjermane, të GJEDNJ/GJED, mbi parimin e proporcionalitetit”. Lektor në seminar ishte përsëri Prof. Dr.Jan Bergmann, gjyqtar kryesues në Gjykatën Administrative të Shtutgartit.
Çështjet që u trajtuan dhe u diskutuan nga të pranishmit gjatë ditëve të seminarit kishin lidhje me njohjen dhe zbatimin e parimit të proporcionalitetit si dhe të të drejtave sociale themelore të njeriut në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë.

Aktivitete me rastin e 100 vjetorit të “Ditës së Drejtësisë”, 10 maj 2013
Më pas, në ambientet e Hotel Rogner, u organizua seminari me temë “Roli i Gjykatës Kushtetuese në shtetin e të Drejtës”, me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarëve kushtetues të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, konstitucionalistëve dhe stafit të Gjykatës. Në seminar referuan lidhur me temën Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z Bashkim Dedja, ish-kryetari i Gjykatës, z. Rustem Gjata, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, z. Enver Hasani, Kryetari i Gjykatës së Lartë, z.Xhezair Zaganjori, si dhe pati diskutime nga pjesëmarrësit.
Seminari u organizua në bashkëpunim me Fondacionin “Hanns Seidel”.
Seminar me temë “Efektet e Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese Spanjolle”, 11-12 prill 2013
Në bashkëpunim me EURALIUS-in, misionin e asistencës evropiane për konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri, në datat 11-12 prill 2013 u zhvillua seminari me temë “Efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese spanjolle”, me lektoren e Gjykatës Kushtetuese të Spanjës, Mª del Camino Vidal Fueyo, profesore e të drejtës kushtetuese, dhe me pjesëmarrjen e këshilltarëve ligjorë dhe stafit administrativ të gjykatës Ky seminar u organizua në vazhdim të bashkëpunimit midis Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Spanjës.
Seminar mbi të drejtën administrative, i organizuar në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar, 19-21 mars 2013
Në vijim të bashkëpunimit midis Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), në datat 19-21 mars 2013 u organizua një seminar i përbashkët me temë mbi të drejtën administrative, me lektor Prof. Dr.Jan Bergmann, gjyqtar kryesues në Gjykatën Administrative të Shtutgartit, dhe me pjesëmarrjen e këshilltarëve ligjorë dhe stafit administrativ të gjykatës.
Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2012
Seminar me temë “Pranimi i kërkesave individuale nga Gjykata Kushtetuese - Eksperienca spanjolle”, 13-14 dhjetor 2012
Në bashkëpunim me EURALIUS-in, misionin e asistencës evropiane për konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri, në datat 13-14 dhjetor 2012 u zhvillua seminari me temë “ Pranimi i kërkesave individuale nga Gjykata Kushtetuese - Eksperienca spanjolle”, me lektorin e Gjykatës Kushtetuese të Spanjës, Dr.Juan Carlos Cabanas. Ky seminar u organizua në vazhdim të bashkëpunimit midis Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Spanjës, që është konkretizuar edhe me vizitën studimore të një delegacioni të Gjykatës në Spanjë, në muajin shkurt. Seminari kishte si pjesëmarrës këshilltarët si dhe stafin administrativ të Gjykatës Kushtetuese.
Lektori spanjoll, në shoqërinë e drejtuesit të misionit EURALIUS në Shqipëri z. Joaquin Urias, u prit dhe në një takim nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z.Bashkim Dedja, i cili vlerësoi bashkëpunimin midis dy gjykatave si dhe mbështetjen e vazhdueshme të misionit EURALIUS për Gjykatën Kushtetuese. Në takim pjesëmarrësit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm si dhe konfirmuan angazhimin që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm me disa projekte konkrete, si asistenca për përgatitjen e projektligjit për Gjykatën Kushtetuese, brenda gjysmës së parë të vitit 2013, si dhe realizimin e një vizite të përfaqësuesve të Gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të Spanjës.



Seminar me temë "Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut në Evropë", i organizuar në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), organizuan në datat 14-16 nëntor 2012 një seminar të përbashkët me temë “Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut në Evropë”, me pjesëmarrjen e këshilltarëve ligjorë dhe stafit administrativ të gjykatës. Lektor i seminarit ishte Prof. Dr.Jan Bergmann, Gjyqtar Kryesues në Gjykatën Administrative të Shtutgartit, Gjermani.
Seminari u zhvillua sipas disa sesioneve, gjatë të cilave u trajtuan tema të veçanta si zhvillimi historik i të drejtave të njeriut, struktura e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe e Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, interpretimi i të drejtave të njeriut, mbrojtja e të drejtave të njeriut në Bashkimin Evropian, probleme të zbatimit të Kartës së të Drejtave të Njeriut etj. Gjatë prezantimit, lektori solli dhe shembuj të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të trajtimit në praktikë të çështjeve të veçanta, nisur nga përvoja e tij si gjyqtar në një gjykatë administrative.
Pjesëmarrësit, gjatë aktivitetit, diskutuan dhe dhanë opinione në lidhje me temat dhe kazuset e trajtuara nga lektori si dhe theksuan domosdoshmërinë e organizimit të takimeve të tilla edhe në të ardhmen, në drejtim të njohjes dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira.


Konference Ndërkombëtare me temë "Ndarja dhe balancimi i pushteteve - roli i kontrollit kushtetues" me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese
Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2011
Seminar mbi zbatimin e nenit 6 të Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut ne proçesin gjyqësor.
Në datën 5 dhjetor 2011, në ambjentet e Gjykatës Kushtetuese u organizua seminari me temë: “Administrimi i drejtë i procesit gjyqësor. Neni 6 i Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”, me lektorë Profesorin e Universitetit te Utrehtit Hollande, Leo Zwaak, ekspert në fushën e të drejtave të njeriut dhe të Dr.Ilir Peçi, si dhe me pjesëmarrjen e këshilltarëve ligjorë dhe stafit administrativ të kësaj gjykate.
Gjatë seminarit Prof. Leo Zwaak bëri një prezantim të nenit 6 të KEDNJ-së, në aspektin teorik dhe praktik, duke u përqëndruar kryesisht tek trajtimi i çështjeve civile dhe duke dhënë dhe shembuj të rasteve të shqyrtuara në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Më pas, në prezantimin e tij Dr. Idlir Peçi u ndal në trajtimin e çështjeve penale në zbatim të kerkesave të Nenit 6 të KEDNJ-së.
Pjesëmarrësit, gjatë seancave të seminarit diskutuan dhe dhanë shembuj të zbatimit të kërkesave të Nenit 6 në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.



Seminar mbi të Drejtën e Bashkimit Evropian, i organizuar në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar
Në datat 15-16 nëntor 2011, në ambjentet e Hotel “Tirana”, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), organizuan një seminar të përbashkët me temë: “Vështrim mbi të Drejtën e Bashkimit Evropian”, me pjesëmarrjen e këshilltarëve ligjorë dhe stafit administrativ të kësaj gjykate. Lektor i seminarit ishte Profesor Dr.Jan Bergmann, gjyqtar në Gjykatën Administrative, Baden-Wurttemberg, Gjermani. Pjesëmarrësit në seminar i përshendeti Znj.Amalia Wuckert, përfaqësuese e Fondacionit IRZ, Bonn.
Gjatë seminarit dy ditor, lektori bëri një prezantim mbi strukturat bazë të Bashkimit Evropian, mbi tregun e brendshëm dhe sistemin e mbrojtjes ligjore si dhe mbi mbrojtjen e të drejtave themelore në BE. Gjatë prezantimit, lektori gjerman solli dhe shembuj të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të trajtimit në praktikë të çështjeve të veçanta, nisur nga përvoja e tij si gjyqtar i një gjykate administrative.
Pjesëmarrësit, gjatë seancave të seminarit, diskutuan dhe dhanë opinionin e tyre në lidhje me temat dhe kazuset e trajtuara nga lektori.
Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2010
Tryezë e rrumbullakët me temë “Pavarësia e Gjykatave Kushtetuese"
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe Fondacioni gjerman Konrad Adenauer organizuan sot tryezën e rrumbullakët me temë “Pavarësia e Gjykatave Kushtetuese”. Aktiviteti i përbashkët, promovoi edhe librin “Vendime të Përzgjedhura të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane” dhe u organizua kur, përherë e më tepër, po flitet për nevojën e konsolidimit të shtetit të së drejtës, si domosdoshmëri për të ardhmen tonë europiane.
“...Nuk mund të ketë shtet të së drejtës pa një gjyqësor të pavarur, me integritet të lartë moral dhe profesional”, theksoi në fjalën e tij Kryetari i GJK Dr. Vladimir Kristo.
Në aktivitet u vlerësua mjaft jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese gjermane, si një nga gjykatat kushtetuese më të vjetra dhe më cilësore sa i përket vendimmarrjes. Botimi i sjellë në shqip për komunitetin juridik, dhe jo vetëm, do të jetë një ndihmesë për gjyqtarët kushtetues shqiptarë, të cilët duhet “...të mësojnë nga përvoja dhe nga gabimet tona”, siç u shpreh Dr. Matthias Hartwig.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të KLD, Avokatit të Popullit, Gjykatës së Lartë, gjykatave të shkallës së parë dhe apelit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe të botës akademike.
Aktiviteti u fokusua në diskutime dhe mendime lidhur me pavarësinë e gjyqësorit në përgjithësi dhe drejtësinë kushtetuese në veçanti. Kryetarja e këtij fondacioni, Dr.iur Stefania Ricarda Roos, u shpreh se Fondacioni do jetë pranë Shqipërisë, ashtu si dhe në vendet e tjera të rajonit, për të ndihmuar në shkëmbimin e përvojave, rritjen e cilësisë së vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, sidomos në respektimin të drejtave dhe lirive themelore të individit. Aktiviteti u përshëndet dhe nga zëvendës ambasadori i Republikës së Gjermanisë në Shqipëri, Z.Jan Rudolph.

Seminare dhe veprimtari të tjera për vitin 2008
28.03.2008
Me datë 28.03.2008, Gjykata Kushtetuese, me mbështetjen e Fondacionit gjerman Hanns Zajdel, organizuan një seminar shkëmbimi mendimesh me temë "Mbi gjykimet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese".
Gjatë zhvillimit të punimeve gjyqtarët, këshilltarë dhe punonjës të sektorit studimor të Gjykatës Kushtetuese argumentuan pikëpamje dhe debatuan mbi disa çështje të veprimtarisë vendimmarrëse të Gjykatës të tilla si forma, përmbajtja dhe struktura e paraqitjes së vendimeve, kuorumi i domosdoshëm për marrjen e vendimit, legjitimimi i organizatave e shoqatave para Gjykatës Kushtetuese etj.
Përveç sqarimit të disa çështjeve delikate që kanë të bëjnë me vendimmarrjen, idetë e argumentuara gjatë zhvillimit të punimeve të seminarit u dhanë mundësi pjesëmarrësve të zgjerojnë horizontin për t'a përmirësuar më tej cilësinë e vendimmarrjes sipas përvojave më të mira evropiane.
27.06.2008
Komisioni i Venecias, ka organizuar në datat 26-27 qershor 2008 takimin e nëpunësve ndërlidhës të gjykatave kushtetuese evropiane e më gjerë. Ka qenë Tirana dhe Gjykata Kushtetuese Shqiptare pritëset e aktivitetit që synon forcimin e bashkëpunimit mes gjykatave kushtetuese.
Në seminar morën pjesë gjyqtarë dhe përfaqësues nga gjykatat kushtetuese të Evropës e më gjerë.
"Drejtësia kushtetuese e krahasuar" ishte tema ku u fokusua seminari dhe që solli në vëmendje të pjesëmarrësve përvojat e punës së gjykatave kushtetuese. Seminari ishte njëherësh një tryezë bisedimesh mbi rrugët e përmirësimit dhe krijimit të një klime bashkëpunimi sa më të efektshëm mes gjykatave kushtetuese, bashkëpunim, i cili merr rëndësi më të madhe në kuadër të krijimit dhe zgjerimit të BE-së dhe përafrimit të legjislacioneve.
Seminarin e përshëndeti Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare, z. Vladimir Kristo, i cili falënderoi Komisionin e Venecias për ndihmesën e vyer që i ka dhënë Gjykatës Kushtetuese Shqiptare në punën e saj, nëpërmjet opinioneve. "Njohja dhe shfrytëzimi i kujdesshëm i arritjeve të drejtësisë kushtetuese evropiane janë bërë, - theksoi Kryetari Kristo, - praktikë rutinore e procesit përgatitor të vendimmarjes së Gjykatës Kushtetuese".
Më tej Kryetari dhe pjesëmarrësit në seminar ndanë të njëjtin mendim mbi nevojën e hapave të tjerë të rëndësishëm në bashkëpunimin mes gjykatave kushtetuese, dhe gjykatave kushtetuese dhe Komisionit të Venecias.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, si pjesë e organizimit të këtij seminari, u kujdes për të ofruar për pjesëmarrësit gjatë ditëve të qëndrimit dhe një tablo pozitive dhe mbreslënëse të Shqipërisë, duke i motivuar ata për t’u rikthyer sërish në Shqipëri.
22.12.2008
Me datë 22.12.2008, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, me mbështetjen e Fondacionit gjerman Hanns Seidel, organizuan një seminar të përbashkët me temë “Kontrolli kushtetues i ankimeve individuale sipas nenit 131 germa “f” të Kushtetutës”.
Gjatë zhvillimit të punimeve gjyqtarët respektiv argumentuan pikëpamje dhe debatuan mbi disa çështje të veprimtarisë vendimmarrëse dhe marrëdhënieve midis këtyre dy gjykatave. Përveç sqarimit të disa çështjeve delikate që kanë të bëjnë me rishikimin e vendimeve dhe paanshmërinë në gjykim, idetë e argumentuara gjatë zhvillimit të punimeve të seminarit u dhanë mundësi pjesëmarrësve të diskutojnë dhe debatojnë rreth mekanizmave të mundshëm për t'a përmirësuar më tej cilësinë e vendimmarrjes dhe në veçanti sigurimin e të drejtës së mbrojtjes efektive në një proces gjyqësor.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese shprehu mendim se asnjë gjykatë nuk mund të zëvendësojë tjetrën por e rëndësishme është që secila prej tyre të ketë në themel mbrojtjen e të drejtave të njeriut.


































































