
Gjykata Kushtetuese boton Vëllimin II të Udhërrëfyesit (Guidës) të Jurisprudencës
Gjykata Kushtetuese ka kënaqësinë të ndajë sot botimin e saj më të ri: “Udhërrëfyesin (Guidën) e Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”. Ky botim përmbledh standardet e mbajtura në vendimmarrjen e saj që prej vitit 1992 sa i takon parimeve të së drejtës, ndarjes së pushteteve si dhe të drejtave kushtetuese substanciale.
Si një instrument i rëndësishëm i cili do të shërbejë për një njohje edhe më të mirë të vendimmarrjes dhe drejtësisë kushtetuese, ky vëllim i ri ndjek dhe plotëson udhërrëfyesin e parë të Gjykatës të botuar në vitin 2024, i cili përmban jurisprudencën e periudhës 1998-2023 të Gjykatës me fokus ankimin individual kushtetues.
Vëllimi i dytë i Udhërrëfyesit, në pjesën a parë të tij përmbledh vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me parimet e përgjithshme të të drejtave dhe lirive themelore si dhe vendimmarrjen mbi të drejtat substanciale. Në pjesën e dytë ai paraqet standardet në jurisprudencën e Gjykatës mbi ndarjen e pushteteve si dhe mbi organizimin e funksionimin e organeve kushtetuese ku përfshihen institutionet si Presidenti, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjykatat e prokuroria si dhe organet e qeverisjes vendore.
Të dy vëllimet e Udhërrëfyesit, përfaqësojnë një përpjekje të rëndësishme për të sistematizuar dhe bërë edhe më të aksesueshme jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duke synuar rritjen e transparencës, konsistencës dhe forcimin e kulturës kushtetuese në vend, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave e lirive të individit.
Botimi është rezultat i një pune të përbashkët të Gjykatës me ekspertë të shquar të së drejtës kushtetuese dhe mbështetet në një metodologji të qartë hulumtimi dhe sistematizimi.
Ky vëllim u realizua me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe me kontributin e Fondacionit Konrad Adenauer Stiftung. Ai është i disponueshëm në format botimi të shtypur si dhe në format elektronik të cilin e gjeni në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.