Gjykata Kushtetuese merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”

Gjykata Kushtetuese merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”, e cila po zhvillohet në datat 20–21 tetor 2025, në Tiranë, nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias dhe Këshillin e Europës.

 

Në ceremoninë e hapjes u mbajtën fjalë përshëndetëse nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi, Kryeministri i Republikës, z. Edi Rama, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, Ministri i Drejtësisë, z. Besfort Lamallari, si dhe Presidenti i Nderit dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Komisionit të Venecias, z. Gianni Buquicchio.

 

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja Zaçaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias dhe rolin e këtij partneriteti në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri:

 

Në këto tri dekada, Komisioni i Venecias ka qenë një partner thelbësor në konsolidimin e sistemit tonë kushtetues dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në rritjen e profesionalizmit dhe legjitimitetit të institucioneve tona, duke forcuar themelet e shtetit të së drejtës. Megjithatë procesi konsultativ me Komisionin nuk mund të përdoret për të shmangur ose relativizuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë përfundimtare, detyruese dhe nuk mund të vihen në diskutim nga asnjë organ i pushtetit dhe as nga ajo vetë. Kërkimi i një opinioni këshillimor duhet të ndodhë paraprakisht, jo si mjet për të kontestuar një vendimmarrje të dhënë. Kjo është thelbësore për të ruajtur autoritetin institucional të Gjykatës dhe për të respektuar ndarjen e pushteteve.”

 

Konferenca do të vazhdojë punimet edhe në datën 21 tetor 2025, me tri panele të fokusuara në reformën gjyqësore (përfshirë procesin e vetting-ut), reformën zgjedhore dhe drejtësinë kushtetuese. Këto diskutime do të ofrojnë një mundësi të rëndësishme për të vlerësuar progresin e arritur nga Republika e Shqipërisë në procesin e reformave, si dhe për të theksuar kontributin e Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias në përmirësimin e kuadrit kushtetues dhe ligjor të vendit.

Scroll to Top