NJOFTIM 20.10.2025
Në Gjykatën Kushtetuese është regjistruar kërkesa nr. 8 (N) Regj. Them., datë 14.10.2025, me objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 00-25-3411, datë 13.10.2025 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në këtë gjykatë, me tjetër trup gjykues ose në kërkim alternativ, nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se ka juridiksion në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje: shfuqizimin e vendimit të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve Gjykatës së Lartë, nr. 2, datë 30.09.2025. Deklarimin e rezultatit të votimit për kandidaten Naureda Llagami me 9 vota në favor të saj, duke u shpallur fituese për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Marrjen e masës së pezullimit për zbatimin e vendimit të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve Gjykatës së Lartë, nr. 2, datë 30.09.2025 dhe të vendimit nr. 00-25-3411, datë 13.10.2025 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë”.
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e mbledhur sot, në datën 20.10.2025, pasi mori në shqyrtim paraprak plotësimin e kritereve të pranueshmërisë së kërkesës për shqyrtim në seancë plenare, ashtu edhe kërkesën për pezullimin e zbatimit të akteve objekt të ankimit kushtetues si më sipër, vendosi:
- Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve, bazuar në pikën 5, të nenit 25, të Rregullores për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të barazisë së votave të gjyqtarëve që morën pjesë në këtë mbledhje.
- Shqyrtimin e kësaj çështjeje me përparësi dhe zhvillimin e seancës plenare në datën 11.11.2025, ora 12:00.
- Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të vendimit 2, datë 30.09.2025 të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve Gjykatës së Lartë dhe vendimit nr. 00-25-3411, datë 13.10.2025 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me shumicën e votave të gjyqtarëve të pranishëm në mbledhje, bazuar në parashikimet e nenit 45 të ligjit nr. 8577/2000 dhe pikës 4, të nenit 27 të Rregullores për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
