NJOFTIM VENDIMARRJEJE
NJOFTIM VENDIMMARRJEJE
Gjykata Kushtetuese në datat 02.10.2025 dhe 08.10.2025 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 22 (S) 2024 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Sindikatën e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor dhe Urdhrin e Mjekëve të Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i aktit normativ nr. 2, datë 01.08.2024 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 123/2014 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë””, të miratuar me ligjin nr. 94/2024, datë 12.09.2024 dhe publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 176, datë 18.10.2024. Në alternativë: Shfuqizimi i neneve 1; 2; 3; 4, shkronja “ç”; 7; 8; 9; 10 dhe 11 të aktit normativ nr. 2, datë 01.08.2024 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 123/2014 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe shfuqizimi i nenit 5 të aktit normativ nr. 2, datë 01.08.2024 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 123/2014 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë” që shton nenin 8/a, pika 3 në ligjin nr. 123/2024. Dhe në alternativë: Shfuqizimi dhe deklarimi i ometimit ligjor nga ana e kësaj dispozite të (i) mundësisë së mjekëve që punojnë në strukturat spitalore me autonomi të plotë financiare të zgjedhin midis raportit të punës ekskluziv (me kohë të plotë) ose joekskluziv (me kohë të pjesshme); si dhe (ii) trajtimin me pagesë suplementare për mjekët që zgjedhin raport pune ekskluziv me strukturën spitalore publike. Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 85, datë 10.02.2025 “Për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës dhe të Komisionit të Apelimit”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.
Gjykata Kushtetuese në datën 15.10.2025, pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi sa më poshtë:
Për pretendimet për të drejtën për kujdes shëndetësor dhe standardin më të lartë shëndetësor Gjykata vlerësoi se kërkuesit nuk legjitimohen, pasi mjekët anëtarë të Sindikatës dhe anëtarë të Urdhrit të Mjekëve nuk paraqiten thjesht si individë, por në cilësinë e mjekut, për rrjedhojë ata nuk janë titullarë të këtyre të drejtave. Ndërsa për sa i përket pretendimit për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit Gjykata vlerësoi ta analizojë në themel të lidhur me lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën për punë dhe ushtrimit të një profesioni.
Për sa i përket themelit të pretendimeve, Gjykata, në lidhje me pretendimin e kërkuesve për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të kufizimit të së drejtës së mjekëve për të mos punuar në sistemin shëndetësor jopublik më shumë se 30 % të orëve mujore që punojnë në sistemin shëndetësor publik, nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000, për rrjedhojë, në kuptim të nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, ky pretendim konsiderohet i rrëzuar.
Për sa i përket pretendimit për cenimin e parimit të shtetit të së drejtës në drejtim të vetërregullimit të Urdhrit të Mjekëve, Gjykata arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi mbikqyrja e shtetit për ofrimin e shërbimit shëndetësor është funksion publik dhe si i tillë shteti ka diskrecion të vendosë në lidhje me organizimin e tij. Në këto kushte edhe pretendimet për VKM-në nr. 85, datë 10.02.2025 “Për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës dhe të Komisionit të Apelimit”, të cilat lidhen në thelb me pavarësinë organizative dhe vetërregullimin e Urdhrit të Mjekëve janë të pabazuara.
Për sa u përket pretendimeve në lidhje me nenin 8/a të ligjit nr. 123/2014 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, të shtuar me aktin normativ nr. 2, datë 01.08.2024, Gjykata vlerësoi se detyrimi i anëtarëve të Urdhrit të Mjekëve që kërkojnë të ushtrojnë profesionin e mjekut në një institucion shëndetësor jopublik për t’i bërë kërkesë titullarit të institucionit shëndetësor publik ku ata janë të punësuar, i cili pasi vlerëson një sërë kriteresh vendos miratimin ose mosmiratimin e kërkesës, është i papajtueshëm me Kushtetutën. Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se diskrecioni në vendimmarrje i titullarit të institucionit është joproporcional, pasi, nga njëra anë, dypunësimi i mjekëve është i lejueshëm sipas parashikimeve të vetë ligjit dhe, nga ana tjetër, ky kufizim është i tillë që çon deri në mohimin e vetë kësaj të drejte.
Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për punë dhe ushtrimit të profesionit në drejtim të nenit 17, pika 1, shkronja “d”, të ligjit nr. 123/2015, të ndryshuar me aktin normativ nr. 2, datë 01.08.2024, që parashikon masën disiplinore të heqjes së licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut, Gjykata vlerësoi se dispozita mbart paqartësi për sa u përket kritereve mbi bazën e të cilave mund të jepet kjo masë disiplinore. Po në drejtim të së drejtës për punë dhe ushtrimit të profesionit, Gjykata vlerësoi se fjalia e fundit e pikës 3 të këtij neni, sipas së cilës masa disiplinore e heqjes së licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut nuk shuhet, është e papajtueshme me Kushtetutën, pasi vendos një kufizim më të ashpër sesa është e nevojshme për arritjen e qëllimit të synuar, për rrjedhojë cenon të drejtën në atë masë që, në thelb, e asgjëson atë.
Për sa i përket pretendimit të kërkuesve për cenimin e nenit 101 të Kushtetutës për shkak të miratimit të aktit normativ në mungesë të kushteve të nevojës dhe urgjencës, Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000, për rrjedhojë, në kuptim të nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, edhe ky pretendim konsiderohet i rrëzuar.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:
- Pranimin pjesërisht të kërkesës.
- Shfuqizimin e pikave 1, 3, 5, 7 dhe 9 të nenit 8/a të ligjit nr. 123/2014 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të shtuar me nenin 5 të aktit normativ nr. 2, datë 01.08.2024, si dhe të shkronjës ”d” të pikës 1 të nenit 17 dhe të fjalisë së fundit të pikës 3 të po këtij neni, ndryshuar me nenin 10 të aktit normativ nr. 2, datë 01.08.2024, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
- Rrëzimin e kërkesës për kërkimet e tjera.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
