njoftimet e fundit per median dhe publikun

për vitin 2023

                                                                                                                        NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datat 17.10.2023, 08.11.2023, 14.11.2023 dhe 07.12.2023, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 1 (Dh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt: “ S hfuqizimi i VKM-së nr. 495, datë 21.07.2022 “Për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave”, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë .”.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, më 27.12.2023, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si edhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Këshillit të Ministrave, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, me shumicë votash, vendosi: Rrëzimin e kërkesës.

Në lidhje me pretendimin për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, Gjykata, pasi e vlerësoi atë në këndvështrim të neneve 11 dhe 17 të Kushtetutës arriti në përfundimin se edhe pse ka kufizim të kësaj lirie, ai respekton kriterin kushtetues të proporcionalitetit të ndërhyrjes.

Për sa i përket pretendimit tjetër për cenimin e parimit të barazisë para ligjit, Gjykata, në këndvështrim të përmbajtjes së neneve 11 dhe 18 të Kushtetutës, vlerësoi se edhe pse akti i kundërshtuar ka sjellë një diferencim, në rastin konkret ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.

Edhe në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës së aksesit të individit në gjykatë, e parë në këndvështrim të përmbajtjes së neneve 42 dhe 17 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se ka kufizim, por kjo ndërhyrje nuk cenon parimin e proporcionalitetit. Në balancimin e interesit publik në raport me të drejtën e aksesit të individit Gjykata nuk konstatoi pasoja të tilla që e bëjnë të pamundur në thelb ushtrimin e kësaj të drejte.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftim vendimmarrje

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 19.12.2023, shqyrtoi në seancë plenare publike çështjen nr. 9 (Gj) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkuese Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me objekt kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 377 të Kodit Civil, i cili parashikon: “ Trashëgimlënësi që nuk lë të paslindur ose të paralindur, ose vëllezër apo motra ka të drejtë të disponojë me testament pasurinë e vet, në favor të çdo personi fizik apo juridik.”.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, më 27.12.2023, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkueset, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe Avokatit të Popullit, në mënyrë të përmbledhur vlerësoi se:

Kërkesat e paraqitura plotësojnë kriteret kumulative për fillimin e gjykimit incidental, sipas nenit 145, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 68 të ligjit nr. 8577/2000 “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, ndaj gjykatat referuese legjitimohen për t’iu drejtuar kësaj Gjykate.

Në lidhje me themelin e çështjes, Gjykata vlerësoi se përmbajtja e nenit 377 të Kodit Civil cenon të drejtën e pronës private, të garantuar nga neni 41 i Kushtetutës. Kjo dispozitë vendos kufizim për sa i përket rrethit të trashëgimtarëve testamentare si dhe nuk garanton disponimin lirisht sipas vullnetit të trashëgimlënësit në asnjë pjesë të pasurisë së tij. Kufizimi, edhe pse i përgjigjet interesit publik, nuk është proporcional sipas kritereve të vendosura nga neni 17 i Kushtetutës. Për rrjedhojë, dispozita përmban një boshllëk ligjor që sjell pasoja negative për të drejtat e trashëgimlënësit.

Në përputhje me arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për ligjvënësin lind detyrimi që brenda një viti nga hyrja në fuqi e vendimit të miratojë rregullimet përkatëse ligjore për plotësimin e boshllëkut të konstatuar. Po në këtë drejtim, në kuadër të ndryshimeve shoqërore dhe institucionale është e nevojshme që ligjvënësi të vlerësojë dispozitat që lidhen me institutin e trashëgimisë testamentare në Kodin Civil për ta përshtatur atë me zhvillimet e kohës.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Konstatimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 377 të Kodit Civil, për shkak të boshllëkut ligjor sipas arsyetimit të këtij vendimi.

3. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë të plotësojë boshllëkun ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e vendimit.

4. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

NJOFTIM

Në datën 06 nëntor 2023, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Italisë kanë nënshkruar protokollin “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”. Në datën 17 nëntor 2023 Këshilli i Ministrave ka paraqitur në Kuvend projektligjin dhe aktin bashkëlidhur atij, shoqëruar me relacionin përkatës dhe Kuvendi nuk ka përmbyllur ende procedurën e ratifikimit.

Në datën 06 dhjetor 2023, Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij protokolli, pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikim, si dhe shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutës. Kërkesa është kthyer administrativisht për plotësim dhe është regjistruar përfundimisht në Gjykatë në datën 12.12.2023.

Sipas kërkueses, protokolli cenon sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, të garantuar nga nenet 3, 4 dhe 7 të Kushtetutës, në drejtim të kalimit të territorit dhe të ushtrimit të pushtetit shtetëror një shteti të juaj, si dhe procedurën kushtetuese të lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare për shkak të mungesës së plotfuqive të lëshuara nga Presidenti i Republikës dhe mungesës së transparencës së negociimit të saj.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese në datën 18 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesat e mësipërme, vendosi t`i kalojë ato për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve.

Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot në datën 22 dhjetor 2023, me shumicë votash, vlerësoi se kërkuesja nuk legjitimohet ratione personae, për këto arsye:

Sipas nenit 134, pika 1, të Kushtetutës, partitë politike kanë të drejtën të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues. Megjithatë, sipas nenit 134, pika 2, të Kushtetutës ato kanë detyrimin për të provuar lidhjen e domosdoshme që duhet të ekzistojë ndërmjet interesave të tyre dhe çështjes kushtetuese të ngritur. I njëjti kusht për të provuar interesin në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare parashikohet edhe në nenin 52, pika 2, të ligjit organik të Gjykatës.

Gjykata vlerësoi edhe jurisprudencën e saj lidhur me legjitimimin e partive politike në procedurat e kontrollit abstrakt të akteve normative, në të cilën është shprehur se statusi i tyre, në kuptim të nenit 9 të Kushtetutës, si parti parlamentare ose roli që ato luajnë në formimin e vullnetit politik të zgjedhësve në të gjitha fushat e jetës publike, nuk prezumon të mirëqenë interesin e partive politike për vënien në lëvizje të Gjykatës në kuptim të nenit 134, pika 2, të Kushtetutës. Interesi quhet i justifikuar nëse arrin të provohet nga vetë partia politike se pasoja negative është e drejtpërdrejtë, reale dhe, sipas rastit, e lidhur ngushtë me funksionet e saj (shih v endimet nr. 28, datë 30.06.2021 të Gjykatës Kushtetuese ).

Po ashtu, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerësoi se mundësia e partive politike për të vënë në lëvizje kontrollin kushtetues ekziston edhe në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat gjithashtu duhet justifikuar interesi i tyre. Qëndrimi i mbajtur nga Gjykata në gjykimin kushtetues të marrëveshjes së detit ( vendimi nr. 15, datë 15.04.2010) nuk është i zbatueshëm në rastin konkret, pasi në atë rast Gjykata legjitimoi partinë politike parlamentare në kontekstin e një situate të veçantë institucionale që lidhej me procedurat në zhvillim e sipër të konstituimit të legjislaturës së re parlamentare dhe verifikimit të mandateve të reja të deputetëve. Duke analizuar këtë jurisprudencë, Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se zhvillimet institucionale aktuale janë të ndryshme nga ato të rastit të marrëveshjes së detit, pasi legjislatura e Kuvendit është tërësisht funksionale dhe nuk ka ndonjë pengesë për subjektet e tjera të pakushtëzuara (përfshi 1/5-ën e deputetëve), siç ishte rasti në marrëveshjen e detit për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues. Gjithashtu, vlen të përmendet se Gjykata është duke e shqyrtuar tashmë kushtetutshmërinë e protokollit “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.

Për sa më lart, Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se kërkuesja, Partia Demokratike e Shqipërisë, nuk legjitimohet ratione personae t’i drejtohet Gjykatës, pasi nuk provohet interesi i saj i drejtpërdrejtë në çështjen kushtetuese të ngritur, në kuptimin që protokolli të ketë sjellë pasoja negative për statusin ose funksionet e saj , ndaj vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, që do të thotë se kërkimet dhe pretendimet e kërkueses nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.

Njoftim për shtyp

Në datën 15.12.2023 në Gjykatën Kushtetuese është regjistruar kërkesa e një grupi prej jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (30 deputetë), të cilët kanë kërkuar:

– interpretimin përfundimtar të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, i cili parashikon se: “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”;

– zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe SPAK e GJKKO-së për sa i takon çështjes së heqjes dhe/ose kufizimit të lirisë së deputetit të Kuvendit në çdo formë, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e Kuvendit;

– konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare të masave shtrënguese të sigurimit personal të caktuara me vendimet gjyqësore të GJKKO-së së shkallës së parë dhe apelit ndaj deputetit Sali Berisha, si dhe pezullimin e këtyre masave.

Grupi i deputetëve ka parashtruar se ndaj deputetit Sali Berisha janë vendosur dy masa shtrënguese personale “Detyrimi për paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, pa u kërkuar më parë autorizimi i Kuvendit, siç parashikohet nga neni 73, pika 2, i Kushtetutës. Në këtë mënyrë, vendimet gjyqësore për vendosjen e këtyre masave kanë krijuar një mosmarrëveshje kompetencash midis organit të Kuvendit, nga njëra anë, dhe organeve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, nga ana tjetër, prandaj, për këtë shkak, lind nevoja e interpretimit të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës. Grupi i deputetëve ka pretenduar edhe se këto masa janë marrë në kundërshtim me Kushtetutën, për rrjedhojë kanë kërkuar pezullimin e tyre. Ata, gjithashtu, kanë parashtruar se si subjekt i pakushtëzuar nuk kanë detyrimin për të provuar para Gjykatës lidhjen mes veprimtarisë ligjore që kryejnë dhe çështjes kushtetuese të ngritur.

Po ashtu, kërkuesi ka paraqitur në Gjykatë një kërkesë për përshpejtimin e gjykimit të çështjes, duke parashtruar se në datën 21 dhjetor 2023 është caktuar seanca plenare e Kuvendit gjatë së cilës është planifikuar miratimi për dhënien e autorizimit për kërkesën e arrestit të deputetit.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 19 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve.

Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datën 20 dhjetor 2023, bazuar në nenin 54, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar, me shumicë votash, vlerësoi se kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore paraprake për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare, për këto arsye:

Neni 124 i Kushtetutës parashikon se Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.

Kurse bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, Gjykata vendos për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, e cila në rastin konkret pretendohet se është midis Kuvendit, nga njëra anë, dhe SPAK dhe GJKKO, nga ana tjetër.

Kushtetuta ka mirëpërcaktuar rastet kur grupeve të deputetëve u janë njohur të drejta si entitete dhe në këtë drejtim një e pesta e deputetëve dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese të ndryshme që nuk mund të barazohen me njëri – tjetrin.

Për rrjedhojë, kërkuesi, grupi i deputetëve, nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës, pasi referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, ai nuk është subjekt në konflikt, pra nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë. Grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton që është subjekti kushtetues për të cilin bën fjalë neni 73, pika 2, i Kushtetutës, pra ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit.

Për këto arsye, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, ndaj pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, sot në datën 13.12.2023, gjatë shqyrtimit në seancë plenare publike të çështjes me nr. 18 (K) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1, 2 dhe 5 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikave 2, 3/1 dhe 3/2, shkronja “c”, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikës 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, në pjesën që shton pikën 16/7 në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, bazuar në nenin 80 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenin 43 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese,

 

VENDOSI:

1. Saktësimin e pikës 1 të vendimit nr. 18 (K) 2023 të Regjistrit Themeltar, datë 08.11.2023 të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës, i cili bëhet si vijon: “1. Pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të neneve 1, pika 2 dhe 2, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””.

 

Njoftim për shtyp

Në datën 06 dhjetor 2023, 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së Protokollit të nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.

Kjo kërkesë është paraqitur para ratifikimit të këtij Protokolli, bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës.

Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi Protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore, sipas nenit 121, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”, të Kushtetutës.

Po ashtu, ata kanë paraqitur edhe tre kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i Protokollit është planifikuar nga Kuvendi për seancën plenare të datës 14 dhjetor 2023.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve.

Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh.

Bazuar në nenin 52, pika 3,[1] të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 janar 2024, ora 10:00.

 


[1] Neni 53, pika 3, i ligjit nr. 8577/2000 parashikon: “ Në rast se çështja ka kaluar në seancë plenare, pezullohen procedurat për ratifikimin e marrëveshjes. Shqyrtimi i kërkesës përfundon brenda tre muajve nga data e paraqitjes së saj.”.

PRESS RELEASE (english version)

 
 

Gjykata Kushtetuese

Deklaratë për shtyp

8 Dhjetor 2023

Në datën 07.12 2023, gjatë transmetimit të emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan, është diskutuar në lidhje me një vendimmarrje të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke përdorur aludime fyese dhe jo etike ndaj gjyqtarëve të saj nga pala në proces dhe përfaqësuesi i tij ligjor.

Gjykata Kushtetuese e dënon me forcë çdo sjellje korruptive në sistemin e drejtësisë dhe për këtë arsye po përgatit dhe do të dorëzojë ditën e hënë, në organet kompetente, kallëzimin penal për përfaqësuesin ligjor të palës në proces, si dhe do të kërkojë fillimin e procedimit të tij disiplinor nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Gjykata Kushtetuese shpreh shqetësimin se të tilla akte cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, pavarësinë e tyre, si edhe besimin e publikut ndaj Gjykatës. Gjykata fton të gjithë qytetarët të mos bien pre e premtimeve, aludimeve ose deklaratave të paligjshme të avokatëve dhe të ndihmojnë drejtësinë, duke mos u bërë pjesë e skemave korruptive.

Gjykata Kushtetuese respekton dhe mbështet rolin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut dhe mbështet misionin e saj për evidentimin e rasteve të korrupsionit. Njëkohësisht, Gjykata Kushtetuese thekson se media duhet të tregojë vetëpërmbajtje në opinionet dhe konkluzionet e saj bazuar në informacionet e paverifikuara, të cilat cenojnë rëndë reputacionin e gjyqtarëve dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese thekson se dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje ose paragjykimi, çka është kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës .

NJOFTIM VENDIMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datat 10.10.2023 dhe 06.11.2023, mori në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën nr. 3 (K) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Civil Rights Defender Dega Tiranë, Këshillin Shqiptar të Medias, Aleancën kundër Diskriminimit LGBT dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri – Ballkan, me objekt: “ Shfuqizimi i pikës 2 të nenit 5, për sa i përket delegimit të dhënë Këshillit të Ministrave; nenit 8; fjalëve “ose me emra që janë në kundërshtim me rendin ose dispozitave urdhëruese të ligjit” në pikën 1 të nenit 9; shkronjës “a” të pikës 3 të nenit 17; shkronjës “c” të pikës 2 të nenit 20; neneve 26, 28, pika 6 dhe 32 që lidhen me pozitën e kancelarit; fjalëve “kancelari/ose kancelari” në nenet përkatëse ku përcaktohen; pikës 1 të nenit 29; pikave 1 dhe 2 të nenit 36; pikave 2-6 të nenit 49; pikës 5 të nenit 50 të ligjit nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Kërkuesit kanë pretenduar, në thelb, se përmbajtja e këtyre dispozitave cenon të drejtën kushtetuese për t`u organizuar, të parashikuar në nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kundërshtim me parashikimet e nenit 17 të Kushtetutës dhe me standardet ndërkombëtare, që kërkojnë që kufizimi i kësaj të drejte, përfshirë sanksionet, të jetë i parashikuar nga ligji, të ketë një qëllim legjitim dhe të jetë proporcional me qëllimin që synohet të arrihet.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, më 20.11.2023, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si edhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, vendosi:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Shfuqizimin e shprehjes “ për regjistrim fillestar” në nenin 8; e shprehjes “ kancelari i” në nenin 26; e shprehjes “ ose nga kancelari” në pikën 6 të nenit 28; e shprehjes “ ose kancelari” në pikën 1 të nenit 29 dhe në pikën 1 të nenit 30; e shprehjes “ ose të kancelarit” në pikën 2 të nenit 30; e pikës 3 të nenit 30; e nenit 32; e shprehjes “ të kancelarit” në pikën 2 të nenit 33; e pikës 6 të nenit 33; e shprehjes “ ose i kancelarit” në nenin 34; e shprehjes “ i kancelarit” në pikën 1 të nenit 35; e shprehjes “ përfshirë këtu procedurën e ankimit ndaj vendimit të kancelarit, sipas nenit 33 të këtij ligji” në pikën 1 të nenit 46; e pikave 2 deri në 6 të nenit 49 të ligjit nr. 80/2021, datë 24.06.2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

3. Rrëzimin e kërkesës për pjesën tjetër.

Në lidhje me parashikimin e nenit 8 të ligjit, që përcakton detyrimin për regjistrim fillestar brenda një afati 30-ditor, Gjykata arriti në përfundimin se ai jo vetëm që nuk buron si i tillë nga legjislacioni në fuqi, por, nga njëra anë sjell detyrime të tjera shtesë për këto subjekte dhe, nga ana tjetër, mosrespektimi i tij çon deri në konsiderimin e tij si shkelje, me pasojë dënimin administrativ me gjobë. Për rrjedhojë, ky parashikim vendos një barrë joproporcionale, veçanërisht për organizatat që synojnë të krijohen rishtazi, duke përbërë kështu një pengesë në drejtim të lirisë së organizimit.

Në lidhje me ato dispozita që kanë parashikuar kompetencat e kancelarit, Gjykata arriti në përfundimin se ato (kompetencat) vijnë në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës, që në mënyrë të shprehur ka parashikuar se regjistrimi i organizatave ose shoqatave bëhet në gjykatë, e cila është organi i vetëm kompetent në lidhje me çdo veprim që kryhet nga organizata ose shoqata, si në lidhje me fitimin e personalitetit juridik ose përfundimin e tij, ashtu edhe veprimet që lidhen me ushtrimin e kësaj veprimtarie. Për rrjedhojë, kancelari, megjithëse ushtron detyrën pranë gjykatës, nuk përfshihet në konceptin kushtetues të gjykatës për sa u përket çështjeve që lidhen me regjistrimin e organizatave jofitimprurëse.

Në lidhje me parashikimet e pikave 2 deri në 6 të nenit 49 të ligjit nr. 80/2021, Gjykata arriti në përfundimin se këto parashikime nuk plotësojnë standardet e kërkuara kushtetuese lidhur me qartësinë e normës juridike për sa i përket kuptimit dhe përllogaritjes së gjobave mbi të ardhurat vjetore të deklaruara të organizatave jofitimprurëse. Po kështu, edhe kufijtë minimalë dhe maksimalë për vendosjen e gjobave nuk plotësojnë standardet e kërkuara për proporcionalitetin e kufizimit, duke mos respektuar kështu kriteret kushtetuese të kufizimit të lirisë së organizimit.

Për sa u përket dispozitave të tjera të ligjit nr. 80/2021, objekt i kësaj kërkese, Gjykata i gjeti pretendimet e kërkuesve të pabazuara dhe vlerësoi se përmbajtja e tyre nuk cenon në thelb lirinë e organizimit dhe as nuk e bën të pamundur ushtrimin e saj.

NJOFTIM

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sot në datën 14.11.2023, pasi mori në shqyrtim kërkesën nr. 1 (Nj) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (jo më pak se një e pesta e deputetëve) dhe Anxhela Gjini, Alesia Cara, Diora Hoxha, Argisa Troka, Xhesika Xhebexhiu, Juri Taullau, Sindy Allamani, Isabela Tabaku, Dea Guri, Natali Bliu, Joel Plaku, Mikel Seferi, Reant Kullaj, Brunelio Fejzulla, Viki Zaçlli, Rei Haluli, Feruze Agalliu, Oresti Çaça, Marjo Rabiaj, Paulo Qesargjoni, Endi Muçi, Arbëri Shehu, Samuel Dërka, Thimi Shkarpa, Kristina Çelanji, Athina Prifti, Almira Tota, Zino Veleshnja, Erdi Podo, Anxhela Miraka, Gani Krrashi, Klevi Gugallja, Flavio Elezi, Ledion Mane, Eugen Lazaj, Igli Hoxhaj, Arlind Kasëmi, me objekt “Shfuqizimi i nenit 4, pikat 1, shkronja “c”, 2, shkronja “b”, 3, shkronja “b” dhe nenit 5, fjalia e parë, të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.

NJOFTIM

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 08.11.2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen me nr. 18 (K) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1, 2 dhe 5 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikave 2, 3/1 dhe 3/2, shkronja “c”, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikës 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, në pjesën që shton pikën 16/7 në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, bazuar në nenet 32 dhe 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenet 11, pika 3, shkronja “f”, 26 dhe 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese,

 

VENDOSI:

1. Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike.

2. Pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””.

NJOFTIM VENDIMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 05.10.2023, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve, kërkesën nr. 5 (Dh) të Regjistrit Themeltar, me kërkuese Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë dhe subjekte të interesuara, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, me objekt: “ Shfuqizimi i vendimit nr. 00-2022-3624 (414), datë 01.12.2022 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkuesja ka ngritur pretendime si në lidhje me procesin gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Lartë, në drejtim të: (i) standardit të paanshmërisë në gjykim; (ii) së drejtës për t’u mbrojtur dhe dëgjuar, të lidhur me parimin e barazisë së armëve dhe të kontradiktoritetit; dhe (iii) parimit të sigurisë juridike , ashtu edhe në lidhje me Udhëzimin e përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, nr. 30, datë 30.08.2018 “Për disa ndryshime në udhëzimin e përbashkët nr. 385/7, datë 28.06.2017 “Për caktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga shërbimi përmbarimor gjyqësor privat””, duke pretenduar se bie ndesh me : i) parimin e sigurisë juridike në drejtim të pritshmërive të ligjshme dhe të drejtave të fituara ; ii) parimin e barazisë para ligjit dhe të mosdiskriminimit ; iii) hierarkinë e akteve ligjore; iv) parimin e ligjshmërisë ; v) lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe parimin e proporcionalitetit , si dhe vi) drejtën për të fituar mjetet e jetesës me punë të ligjshme në profesionin e zgjedhur .

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur në datën 16.10.2023, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesja vendosi, me shumicë votash, të rrëzojë pretendimet, si më sipër, në lidhje me kundërshtimin e vendimit nr. 00-2022-3624 (414), datë 01.12.2022 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, pasi arriti në përfundimin se ato nuk janë të bazuara.

Në lidhje me pjesën tjetër të pretendimeve, që kanë të bëjnë me Udhëzimin e përbashkët nr. 30, datë 30.08.2018 “Për disa ndryshime në udhëzimin e përbashkët nr. 385/7, datë 28.06.2017 “Për caktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga shërbimi përmbarimor gjyqësor privat””, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e tyre, në kuptim të neneve 72, pika 2 dhe 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi nuk u formua shumica prej 5 gjyqtarësh.

 

Vendimi përfundimtar i Gjykatës do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

GJYKATA KUSHTETUESE

Njoftojmë se në datën 30.11.2023, ora 10.00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën me kërkues Genis Mëhillaj, me objekt :“ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 00-2021-2166, datë 22.11.2021 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, vendimit nr. 956, datë 17.11.2011 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe vendimit nr. 2037, datë 27.07.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.”.

Për subjektet e interesuara në këtë gjykim Mjaftime Zilja Lameborshi, me adresë lagjja “Pavarësia”, rruga “Sadik Zotaj” Vlorë, Afërdita Mëhilli, me adresë rruga “Idriz Dollaku”, nr.36, hyrja 4, ap.3, Tiranë, Gëzim Mëhilli, me adresë rajoni 5, lagjja “28 Nëntori” Vlorë, Agron Mëhilli, me adresë lagjja “28 Nëntori”, Njësia Administrative nr.3, Vlorë, Florina Mëhilli, me adresë “Idriz Dollaku”, nr.36, hyrja 4, ap.3, Njësia Administrative nr.1, Tiranë, Irma Mëhilli, me adresë rruga “Bajram Curri”, Njësia Administrative nr.4, Tiranë, Drita Mëhilli, me adresë rruga “Llambi Bonata”, nd.13, Njësia Administrative nr.6, Tiranë, Dilaver Mëhilli, me adresë Blv.”Ismail Qemali”, rruga “Veledin Kollozi”, lagjja “Lef Sallata”, nd.62, hyrja 11, ap.17, Vlorë, Sulltane Lemeborshi, me adresë Blv.”Ismail Qemali”, rruga “Veledin Kollozi”, lagjja “Lef Sallata”, nd.62, hyrja 11, ap.17, Vlorë, Mirosh Velaj, me adresë Rajoni nr.2, Uji i Ftohtë, Vlorë, Riko Mëhilli, me adresë Blv.”Ismail Qemali”, rruga “Veledin Kollozi”, lagjja “Lef Sallata”, nd.62, hyrja 11, ap.17, Vlorë, Mit’hat Mëhilli, me adresë Blv.”Ismail Qemali”, rruga “Veledin Kollozi”, lagjja “Lef Sallata”, nd.62, hyrja 11, ap.17, Vlorë, Ismet Mëhilli, me adresë Blv.”Ismail Qemali”, rruga “Veledin Kollozi”, lagjja “Lef Sallata”, nd.62, hyrja 11, ap.17, Vlorë, dhe Ermira Mëhilli, me adresë Blv.”Ismail Qemali”, rruga “Veledin Kollozi”, lagjja “Lef Sallata”, nd.62, hyrja 11, ap.17, Vlorë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i këtyre subjekteve është i panjohur, bëjmë këtë shpallje.

Tiranë, më 16.10.2023

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ( Gjykata), në datën 10.10.2023, në çështjen nr. 8 (Nj) 2022, të paraqitur nga një grup prej 36 deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë (jo më pak se një e pesta e deputetëve), me objekt shfuqizimin e ligjit nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peisazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, si i papajtueshëm me Kushtetutën, mori në shqyrtim një grup kërkesash procedurale të paraqitura nga kërkuesi gjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje.

1. Në seancën plenare publike të zhvilluar në datën 04.10.2023, kërkuesi paraqiti kërkesë për marrjen nga Gjykata të mendimit amicus curia nga Komiteti Juridik i UNESCO-s në lidhje me përputhshmërinë e ligjit nr. 50/2022 me Konventën e Parisit, duke e bazuar këtë kërkesë në karakterin kompleks dhe delikat të kësaj çështjeje, si dhe duke parashtruar edhe pyetjen që do t`i drejtohet këtij organi ( kërkesa e parë). Ai ka kërkuar, gjithashtu, që në alternativë ose njëkohësisht të kërkohet nga Qendra e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s vënia në dispozicion e Raportit të Misionit të UNESCO-s sapo të finalizohet dhe të jetë e mundur të shpërndahet. Në përfundim të kësaj seance, Gjykata u la palëve kohë deri në datën 06.10.2023 për të paraqitur me shkrim edhe kërkesat për marrje të provave, në formën e kërkuar nga ligji.

2. Në datën 06.10.2023, kërkuesi ka paraqitur para Gjykatës disa kërkesa:

2.1. Kërkesë për të mos marrë në konsideratë, në cilësinë e provës, dokumentin “Mendim ligjor eksperti”, të dy profesorëve të Universitetit të Gjenevës, i paraqitur nga subjekti i interesuar Fondacioni për Menaxhimin e Butrinit ( FMB) ( kërkesa e dytë).

2.2. Kërkesë për vënien në dispozicion në cilësinë e provave për të gjitha palët në procesin kushtetues, të dokumenteve të referuara gjatë parashtrimeve të tyre nga subjektet e interesuara, si dhe të disa provave të rikërkuara, si vijon: 1) Vendimin për ndryshimin e Bordit të Drejtorëve të FMB-së dhe procesin dokumentar të bërë për këtë vendim; 2) Dosjen përzgjedhëse të kandidatit Richard Hodges nga Ministria Kulturës; 3) Shkresën e znj. Elva Margariti drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit ku shpreh garancitë se ata mund të auditojnë Butrintin; 4) Marrëveshjen e vitit 20002 ose 2003 midis qeverisë shqiptare dhe AADF-së, që lidhet me përfshirjen e saj në Butrint; 5) Kontratën e datës 06.09.2023 midis FMB-së dhe arkitektit japonez për projektin e Qendrës së Vizitorëve; 6) Raportin e Misionit të UNESCO-s në Shqipëri i tetorit 2023; 7) Procesverbalin e takimit të datës 15.02.2023 mes Kryeministrit dhe Drejtoreshës së Përgjithshëm të UNESCO-s që lidhet me Butrintin dhe/ose çdo komunikim tjetër që lidhet me këtë takim; 8) Procesverbalin e takimit të datës 15.02.2023 mes ministres së Kulturës dhe Drejtoreshës së Përgjithshëm të UNESCO-s që lidhet me Butrintin dhe/ose çdo komunikim tjetër që lidhet me këtë takim; 9) Komunikimet midis organizmave të UNESCO-s, gjegjësisht të Misionit Këshillimor të UNESCO-s për Butrintin, me përfaqësues të shtetit shqiptar gjatë periudhës kohore 20-30 tetor 2022 (Misioni i UNESCO-s për Butrintin i përbërë nga përfaqësues të World Heritage Center dhe ICOMOS) ( kërkesa e tretë).

2.3. Kërkesë për zbatimin e vendimit të ndërmjetëm të Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 11.07.2023 dhe marrjen e materialeve (provave) të domosdoshme për gjykimin kushtetues, duke argumentuar që të evidentohet nga subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, se cila shkresë apo e-mail zyrtar përmban informacionet e dërguar UNESCO-s dhe komentet e kësaj të fundit për disa pika thelbësore në lidhje me zbatimin e Konventës së Parisit, duke identifikuar edhe informacionin përkatës ( kërkesa e katërt).

2.4. Kërkesë për zëvendësimin e subjektit të interesuar FMB-së me subjektin e ri të interesuar Fondacioni Amerikan për Zhvillim (AADF) ( kërkesa e pestë).

3. Për sa më lart, Gjykata vlerëson se:

3.1. Në lidhje me kërkesën e parë, të paraqitur në seancën plenare të datës 04.10.2023, për kërkimin e opinionit amicus curia nga organizmat e UNESCO-s, ashtu si edhe në lidhje me pikën 6 të kërkesës së tretë, që ka të bëjë me kërkimin e raportit të Misionit të UNESCO-s në Shqipëri të vitit 2023, rezervon të drejtën të shprehet në një moment të mëvonshëm, pasi të marrë në shqyrtim edhe provat e tjera të kërkuara, vendim për të cilin do të njoftojë edhe palët në gjykim.

3.2. Në lidhje me kërkesën e dytë, për mosmarrjen në cilësinë e provës të dokumentit “Mendim ligjor eksperti”, të paraqitur nga subjekti i interesuar FMB-ja, ky dokument nuk përbën provë ligjore në kuptim të ligjit, por është pjesë e shpjegimeve dhe prapësimeve të paraqitura në seancë plenare nga ky subjekt i interesuar, ndaj ajo është e pabazuar.

3.3. Në lidhje me kërkesën e tretë:

3.3.1. Të pabazuar pikën 1, pasi subjekti i interesuar FMB-ja, me shkresën e datës 06.10.2023, ka paraqitur vendimin nr. 858/3, datë 25.09.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për depozitimin në regjistrin e Fondacionit të vendimit nr. 15, datë 21.07.2023 të Bordit Drejtues të FMB-së, dokument që është vënë në dispozicion të palëve nga administrata e Gjykatës.

3.3.2. Të pabazuar pikën 2, pasi siç ka vlerësuar edhe në vendimin e ndërmjetëm të datës 11.07.2023, aktet pjesë e dosjes përzgjedhëse të kandidatit Richard Hodges dhe kjo procedurë në tërësi, lidhet me zbatimin e ligjit, për rrjedhojë del jashtë objektit të këtij gjykimi kushtetues.

3.3.3. Të bazuar pikën 3, duke i kërkuar subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, të vërë në dispozicion të Gjykatës shkresën e znj. Elva Margariti drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku shprehet garancia se ata mund të auditojnë Butrintin.

3.3.4. Të pabazuar pikën 4, pasi referuar parashtrimeve të subjektit të interesuar, FMB-së, nuk rezulton që të jetë përmendur një marrëveshje e vitit 20002 ose 2003, ndërkohë që nga aktet rezulton jo vetëm se AADF-ja është krijuar në vitin 2009, por edhe se me shkresën e datës 06.10.2023, subjekti i interesuar FMB-ja ka paraqitur memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, i miratuar në parim me VKM-në nr. 392, datë 07.06.2011, dokument që është vënë në dispozicion të palëve nga administrata e Gjykatës.

3.3.5. Të pabazuar pikën 5, pasi kontrata e lidhur midis FMB-së dhe arkitektit japonez për projektin e Qendrës së Vizitorëve nuk ka lidhje me objektin e këtij gjykimi kushtetues.

3.3.6. Të pabazuar pikat 7, 8 dhe 9, për paraqitjen e procesverbaleve të takimeve të përfaqësuesve të shtetit shqiptar me përfaqësues të UNESCO-s që lidhen me Butrintin, pasi jo vetëm që janë kërkesa të përsëritura, por, siç ka vlerësuar edhe në vendimin e ndërmjetëm të datës 11.07.2023, qëndrimet institucionale materializohen nëpërmjet komunikimeve zyrtare dhe Këshilli i Ministrave ka vënë në dispozicion të Gjykatës dokumentet e disponueshme prej tij.

3.4. Të pabazuar kërkesën e katërt, që ka të bëjë me zbatimin e vendimit të saj të datës 11.07.2023 dhe kërkimin e informacionit konkret në lidhje me informacionet e dërguara UNESCO-s, si dhe komentet e kësaj të fundit për disa pika thelbësore në lidhje me zbatimin e Konventës së Parisit, pasi vlerëson se në thelb nuk përbën kërkesë për marrje provash por janë pyetje, të cilat çmon që t`ia dërgojë si të tilla subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, duke i lënë detyrë që t`i kthejë përgjigje deri në datën 18.10.2023.

3.5. Të pabazuar kërkesën e pestë, pasi, në thelb, ajo është kërkesë e përsëritur, e njëjtë me kërkesat paraprake të paraqitura nga kërkuesi për përjashtimin e subjektit të interesuar FMB-së dhe thirrjen në gjykim si subjekt të interesuar të AADF-së, për të cilat është vendosur rrëzimi me vendimet e ndërmjetme të datave 05.04.2023 dhe 11.07.2023.

Për sa më sipër, Gjykata,

 

V E N D O S I:

– Rrëzimin, njëzëri, të kërkesës së dytë.

– Rrëzimin, njëzëri, të pikës 1 të kërkesës së tretë.

– Rrëzimin, me shumicë votash, të pikës 2 të kërkesës së tretë .

– Pranimin, njëzëri, të pikës 3 të kërkesës së tretë.

– Rrëzimin, njëzëri, të pikave 4, 5, 7, 8 dhe 9 të kërkesës së tretë.

– Rrëzimin, njëzëri, të kërkesës së katërt.

– Rrëzimin, njëzëri, të kërkesës së pestë.

GJYKATA KUSHTETUESE

S H P A LL J E

Njoftojmë se në datën 09.11.2023, ora 12.00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën me kërkues Arti Elezaj, me objekt :“ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr. 00-2022-2857(455), datë 09.11.2022 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. ”.

Për subjektet e interesuara në këtë gjykim Leandro Zerri, me adresë rruga “Irfan Tomini”, pall.2, kati 8, ap.18 Tiranë dhe Leonard Luzi, me adresë Kashar, Tiranë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i këtyre subjekteve është i panjohur, bëjmë këtë shpallje.

 

Tiranë, më 06.10.2023

GJYKATA KUSHTETUESE

S H P A LL J E

Njoftojmë se në datën 20.11.2023, ora 11.00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën me kërkuese Majlinda Rexha, me objekt :“ Konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm dhe gjykimin e çështjes me procedurë të përshpejtuar. Shfuqizimin e vendimit nr. 13, datë 06.06.2022 të Gjykatës së Lartë. ”.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Artjola Toska, me adresë rruga “Ali Demi”, pall.157, h.2, ap.24, Njësia Bashkiake Nr.2, Tiranë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

 

Tiranë, më 04.10.2023

NJOFTIM

Kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve, i kërkuar nga gjykatat (Kontroll incidental)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 70, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njofton se në lidhje me kërkesat e paraqitura nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me objekt: “Shfuqizimi i nenit 377 të Kodit Civil, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, është vendosur kalimi për shqyrtim në seancë plenare publike dhe bashkimi i tyre në një çështje të vetme, duke u thirrur si subjekte të interesuara Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe Avokati i Popullit.

SHPALLJE

Njoftojmë se në datën 19.09.2023, ora 10.00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën me kërkues shoqëria “Ndrekaj” sh.p.k, me objekt :“ Shfuqizimi i vendimit nr. 00-2022-1201 (246), datë 16.06.2022 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe traktatet ndërkombëtare në fuqi. Dërgimin e çështjes për rigjykim në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë.”.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim shoqëria “Ing.Claudio Salini Grandi Lavori S.P.A & Salvatore Matarrese S.P.A.”, me adresë rruga “Sami Frashëri”, pallati “Hekla”, nr.31, Tiranë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

 

Tiranë, më 24.07.2023

Njoftim

Gjykata Kushtetuese ( Gjykata), në kuadër të transparencës, me qëllim mirinformimin e publikut dhe të palëve të përfshira në proces, në lidhje me vendimmarrjen e saj të datës 11.07.2023, gjatë shqyrtimit në seancë plenare të çështjes me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ( kërkuesi), për shfuqizimin e ligjit nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit” ( ligji nr. 50/2022), si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, njofton sa më poshtë vijon:

Gjatë zhvillimit të kësaj seance plenare nga kërkuesi u paraqitën kërkesat paraprake si vijon:

1. Detyrimi i Këshillit të Ministrave për vënien në dispozicion të informacionit që lidhet me:

1.1. komunikimet zyrtare ndërmjet Këshillit të Ministrave/Ministrisë së Kulturës dhe UNESCO-s për menaxhimin e Butrintit, duke filluar nga viti 2019 e në vijim;

1.2. procesverbalet e takimeve midis përfaqësuesve të UNESCO-s dhe përfaqësuesve të shtetit shqiptar për menaxhimin e Parkut të Butrintit;

1.3. procedurën e ndjekur për zgjedhjen e shtetasit Richard Hodges, si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.

2. Thirrja e 5 (pesë) dëshmitarëve me njohuri specifike që ndihmojnë në gjykimin kushtetues.

3. Thirrja si subjekt i interesuar i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ( AADF).

4. Përjashtimi si subjekt i interesuar i Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.

5. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 50/2022, deri në vendimmarrjen e Gjykatës.

Në lidhje me këto kërkesa paraprake, subjektet e interesuara, Këshilli i Ministrave, Kuvendi i Shqipërisë dhe Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, kërkuan rrëzimin e tyre nga Gjykata. Ndërsa subjektet e tjera të interesuara, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Avokati i Popullit, i lanë ato në vlerësim të Gjykatës.

Pasi mori në shqyrtim këto kërkesa paraprake të paraqitura nga kërkuesi, Gjykata vendosi:

1.1. Pranimin, njëzëri, të pikës 1.1. të kërkesës së parë, që lidhet me vendosjen në dispozicion të komunikimeve zyrtare ndërmjet Këshillit të Ministrave/Ministrisë së Kulturës dhe UNESCO-s, duke filluar nga viti 2019 e në vijim, për menaxhimin e Butrintit, duke pasur parasysh faktin se vetë Këshilli i Ministrave paraqiti dhe depozitoi në seancë disa komunikime elektronike. Kërkuesit iu la kohë deri në datën 25.07.2023 për t’u njohur me to dhe për t`i bërë me dije Gjykatës nëse ka nevojë për dokumentacion tjetër shtesë për sa i përket këtij kërkimi. Ndërkohë, Këshillit të Ministrave iu la detyrë që deri në datën 25.07.2023 të vërë në dispozicion të kërkuesit, duke i depozituar pranë Gjykatës, dy shkresat e identifikuara prej kërkuesit në seancën e datës 11.07.2023.

1.2. Rrëzimin, njëzëri, të pikës 1.2. të kërkesës së parë, që lidhet me vënien në dispozicion të procesverbaleve të takimeve midis përfaqësuesve të UNESCO-s dhe përfaqësuesve të shtetit shqiptar për menaxhimin e parkut të Butrintit, pasi nuk e vlerësoi të nevojshme paraqitjen e këtyre akteve, për shkak se qëndrimet institucionale materializohen nëpërmjet komunikimeve zyrtare, të cilat do të vihen në dispozicion të kërkuesit sipas pikës 1.1. më sipër.

1.3. Rrëzimin, njëzëri, të pikës 1.3. të kërkesës së parë, që lidhet me vënien në dispozicion të procedurës së ndjekur për zgjedhjen e shtetasit Richard Hodges anëtar të Bordit të Drejtorëve të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, pasi vlerësoi se kjo çështje lidhet me zbatimin e ligjit, për rrjedhojë del jashtë objektit të këtij gjykimi kushtetues.

2. Rrëzimin, me shumicë votash, të kërkesës së dytë, për thirrjen e 5 (pesë) dëshmitarëve me njohuri specifike që ndihmojnë në gjykimin kushtetues, për shkak se nuk u arrit të argumentohet nga kërkuesi domosdoshmëria e thirrjes së këtyre dëshmitarëve në funksion të sqarimit të fakteve kushtetuese, sipas kërkesave të nenit 41 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Rrëzimin, njëzëri, të kërkesës së tretë, për thirrjen si subjekt të interesuar të AADF-së, pasi gjatë shqyrtimit paraprak të kërkesës për shfuqizimin e ligjit nr. 50/2022, Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës ka shqyrtuar kryesisht dhe ka vlerësuar të thërrasë si subjekt të interesuar në këtë gjykim Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit, në të cilin AADF-ja ka përfaqësuesit e saj.

4. Rrëzimin, njëzëri, të kërkesës së katërt paraprake, për përjashtimin si subjekt të interesuar të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, pasi thirrja e këtij subjekti është vlerësuar gjatë shqyrtimit paraprak kryesisht nga Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës, ndërkohë që pretendimi në lidhje me parregullsinë e regjistrimit të këtij subjekti nuk i përket gjykimit kushtetues, por juridiksionit të zakonshëm, për sa kohë që ka të bëjë me fitimin e personalitetit juridik të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.

5. Rrëzimin, me shumicë votash, të kërkesës së pestë, që lidhet me pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 50/2022 deri në vendimmarrjen e kësaj Gjykate, pasi kjo kërkesë është vlerësuar paraprakisht nga Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila ka vendosur rrëzimin e saj, dhe në rastin konkret nuk ndodhemi përpara ndonjë shkaku të ri që dikton vendosjen e kësaj mase, në përputhje me nenin 27, pika 5, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

NJOFTIM

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 26.06.2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen me nr. 7 (Sh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues shoqata “Kundërshtimi ndaj digës së Skavicës”, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Shfuqizimi i vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited” derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe neneve 11, pika 3, shkronja “f” dhe 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese,

 

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me nr. 7 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (36 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 145/2020, datë 03.12.2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 145/2020, datë 02.12.2020, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronjat “a” dhe “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52, 52/a dhe 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

 

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 6 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (28 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 589, datë 7.9.2022 “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 dhe vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

 
 

NJOFTIM

1. Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e Gjykatës së Apelit Tiranë ( sot Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm), për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 11, pika 4, të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” ( ligji nr. 9754/2007). Kjo dispozitë parashikon: “ Në varësi të llojit të veprës penale zbatohen dënimet me gjobë, si më poshtë: a) për krimet që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, minimumi, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet burgim ose burgim i përjetshëm, personi juridik dënohet me gjobë nga 25 milionë lekë deri në 50 milionë lekë; b) për krime që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, minimumi, jo më pak se shtatë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim, personi juridik dënohet me gjobë nga 5 milionë lekë deri në 25 milionë lekë; c) për krime që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, maksimumi, më pak se shtatë vjet, personi juridik dënohet me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.”.

2. Lidhur me legjitimimin e gjykatës së apelit (gjykata referuese), Gjykata me shumicë votash vlerësoi se ajo i plotëson kriteret e nenit 145, pika 2, të Kushtetutës dhe të jurisprudencës kushtetuese, për vënien në lëvizje të kontrollit incidental, duke evidentuar, ndër të tjera, se parimet dhe të drejtat themelore të parashtruara, në thelb, janë të tilla që vlejnë edhe për personin juridik, sipas nenit 16, pika 2, të Kushtetutës.

3. Lidhur me themelin e kërkesës, Gjykata i shqyrtoi pretendimet për cenimin e parimeve të proporcionalitetit, të drejtësisë, të ligjshmërisë, të sigurisë juridike dhe të barazisë përpara ligjit, në këndvështrim të së drejtës kushtetuese të mosdënimit pa ligj, të garantuar nga neni 29 i Kushtetutës, si rrjedhojë e paqartësisë së normës ligjore. Gjykata vlerësoi se pretendimet janë të pabazuara, me arsyetimin se, ndonëse në dukje neni 11, pika 4, i ligjit nr. 9754/2007 ka një lloj paqartësie, në thelb, ajo nuk është e tillë që të barazohet me mungesën e ligjit që cakton dënimin penal me gjobë për personat juridikë. Paqartësia në fjalë zgjidhet me anë të interpretimit gjyqësor nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, në ushtrim të rolit dhe funksionit të tyre kushtetues.

4. Lidhur me pretendimet për cenimin e së drejtës së pronës private dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike, të garantuara respektivisht nga nenet 41 dhe 11 të Kushtetutës, Gjykata konkludoi se këto pretendime janë të pabazuara, pasi garantimi i tyre ndërvarej nga vlerësimi i kushtetutshmërisë së dispozitës ligjore në raport me të drejtën e mosdënimit pa ligj.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në bazë të neneve 131, pika 1, shkronja “a”, 134, pika 1, shkronja “dh” dhe pika 2, 145, pika 2, të Kushtetutës, si dhe neneve 68, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,

 

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftim për shtyp

Gjykata Kushtetuese, në kuadër të transparencës, me qëllim mirëinformimin e publikut, duke pasur parasysh diskutimet në lidhje me vendimmarrjen e saj të datës 26.04.2023 për kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve (28 deputetë) të Kuvendit, për shfuqizimin e VKM-së nr. 589/2022 “ Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”, sqaron sa më poshtë vijon:

Në seancën e datës 11.04.2023 nga subjekti i interesuar u paraqitën dy kërkesa paraprake në lidhje me legjitimimin e kërkuesit dhe me rregullshmërinë e aktit të përfaqësimit të paraqitur prej tij, çështje e cila vihet për herë të parë në diskutim prej palëve përpara Gjykatës.

Në lidhje me kërkimet e mësipërme Gjykata:

– Vendosi, njëzëri, legjitimimin e kërkuesit ratione personae, pasi si në momentin e paraqitjes së kërkesës, ashtu edhe në atë të shqyrtimit të saj në seancë plenare, ai përbën jo më pak se një të pestën e deputetëve, pra numrin e kërkuar nga neni 134, pika 1, shkronja “c”, i Kushtetutës.

– Vendosi me shumicë votash, konstatimin e parregullsisë së aktit të përfaqësimit të paraqitur nga subjekti kërkues, pasi vërejti se kërkuesi (jo më pak se një e pesta e deputetëve) nuk mund të njësohet me grupin parlamentar të deputetëve. Në këtë kuptim, drejtuesi i një grupi parlamentar, edhe kur deputetët që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues i përkasin këtij grupi, nuk ka tagra për të përcaktuar përfaqësimin e subjektit kushtetues në Gjykatën Kushtetuese. Këto tagra i përkasin vetëm subjektit kushtetues (të paktën 28 deputetë), vullneti i të cilit manifestohet përmes shprehjes së vullnetit të deputetëve që kanë formësuar këtë subjekt në çdo rast. Vendimi i mësipërm bazohet në nenin 24 të ligjit organik të Gjykatës nr. 8577/2000, të ndryshuar, i cili parashikon se kur objekt kërkese është një ligj ose akt normativ, kërkuesi përfaqësohet në gjykim me avokat ose përfaqësues ligjor të specializuar dhe, në këtë kuptim, është e nevojshme pasja e një akti nga subjekti kushtetues që përfaqëson vullnetin e deputetëve të këtij subjekti në lidhje me përfaqësimin e detyrueshëm që kërkon ligji.

Gjykata, gjithashtu, caktoi seancën e radhës në datën 02.05.2023, ora 10:00, duke vlerësuar kohën e nevojshme që i duhet kërkuesit për të rregulluar aktin e përfaqësimit, si dhe shqetësimin e tij për zvarritjen e gjykimit.

Në lidhje me këtë shqetësim, Gjykata sqaron se:

Nga depozitimi i kërkesës në datën 14.10.2022, deri në shqyrtimin e saj në seancë plenare publike, kanë kaluar 6 muaj. Konkretisht, Kolegji i Gjykatës ka vendosur kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare në datën 30.11.2022 (pra brenda afatit 3-mujor për shqyrtimin paraprak) dhe palëve pjesëmarrëse në gjykim u është dhënë afat deri në datën 27.12.2022 për paraqitjen e parashtrimeve me shkrim.

Duke qenë se nuk ka pasur ndonjë kërkesë për përshpejtim nga palët ndërgjyqëse, Gjykata, në datën 23.02.2023 (pra 2 muaj nga afati i paraqitjes së parashtrimeve), ka vendosur caktimin e datës së seancës plenare, duke ndjekur kalendarin e çështjeve sipas radhës, radhë kjo e njëjtë me atë të çështjeve të tjera me të njëjtën natyrë.

Gjykata Kushtetuese, duke respektuar lirinë e shprehjes dhe të medias, rithekson rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe kërkon nga palët vetëpërmbajtje në lidhje me komentet për çështjet në proces, çka do t’i shërbente forcimit të besimit të publikut në autoritetin e saj si organ që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.

Shpallje

Njoftojmë se në datën 26.05.2023, ora 10.00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën me kërkues Shpresa Kekezi, Terri Kekezi, Bledar Lasku, Donika Shkurti, Roland Shkurti dhe Leandro Shkurti, me objekt :“ :“ Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr. 00-2022-759, datë 28.03.2022 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, i vendimit nr. 1250, datë 22.10.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i vendimit nr. 2139, datë 20.10.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë. ”.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Rezarta Ngjela (Kekezi), bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se nuk dihet vendqëndrimi apo vendbanimi i këtij subjekti, bëjmë këtë shpallje.

 

Tiranë, më 25.04.2023

Njoftim

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë . Shfuqizimi i ligjit nr. 42/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 8, datë 25.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë .

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:


1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftim

Kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve, i kërkuar nga gjykatat (Kontroll incidental)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 70, pika 1 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njofton se pranë kësaj Gjykate po shqyrtohet kërkesa e paraqitur nga Gjykata e Apelit Tiranë (sot Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm), me subjekte të interesuara, Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave, Prokuroria e Përgjithshme, me objekt: “Shfuqizimi i nenit 11, pika 4 të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, e cila ka kaluar për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.

Shpallje

Njoftojmë se në datën 20.04.2023, ora 12.00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën me kërkues Shpresa Kekezi, Terri Kekezi, Bledar Lasku, Donika Shkurti, Roland Shkurti dhe Leandro Shkurti, me objekt :“ :“ Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr. 00-2022-759, datë 28.03.2022 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, i vendimit nr. 1250, datë 22.10.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i vendimit nr. 2139, datë 20.10.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë. ”.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Rezarta Ngjela (Kekezi), bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se nuk dihet vendqëndrimi apo vendbanimi i këtij subjekti, bëjmë këtë shpallje.

 

Tiranë, më 22.02.2023

Njoftim per shtyp

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimin e ligjit nr. 41/2022, datë 21.04.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg””, si i papajtueshëm me Republikën e Shqipërisë. Shfuqizimin e ligjit nr. 51/2022, datë 09.06.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata vlerësoi se aktet normative me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg” dhe nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”” nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës.

Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 41/2022, datë 21.04.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

3. Shfuqizimin e ligjit nr. 51/2022, datë 09.06.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftim për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese zhvilloi sot më 20 shkurt 2023 raundin e tretë të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të procesit të votimit, në bazë të parashikimeve ligjore, pasi mori shumicën e kërkuar nga ligji , Mbledhja e Gjyqtarëve zgjodhi zonjën Holta Zaçaj në detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i njoftohet Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit.

Njoftim për shtyp

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në zbatim të parashikimeve ligjore, zhvilloi sot më 17 shkurt 2023 raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të procesit të votimit sërish asnjë nga kandidatet nuk mori shumicën ligjore prej të paktën 5 votash. Rezultati i votimit ishte:

1. Fiona Papajorgji – 3 vota

2. Marjana Semini – 3 vota

3. Holta Zaçaj – 3 vota.

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur të zhvillojë raundin e tretë të votimit në datën 20 shkurt 2023, ora 10:00.

Njoftim për shtyp

Sot, më 15 shkurt 2023, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në zbatim të parashikimeve ligjore, zhvilloi seancën për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.

Pas prezantimit të platformave dhe vizioneve të kandidateve, Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj u vijua më tej me raundin e parë të votimit. Në përfundim të këtij procesi asnjë nga kandidatet nuk mori shumicën ligjore prej të paktën 5 votash. Më konkretisht, rezultati i votimit ishte:

1. Gjyqtarja Fiona Papajorgji – 3 vota

2. Gjyqtarja Marjana Semini – 2 vota

3. Gjyqtarja Holta Zaçaj – 4 vota.

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur të zhvillojë raundin e dytë të votimit në datën 17 shkurt 2023, ora 10:00.

Njoftim për shtyp

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në kuadër të procedurës së zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese u mblodh sot, më 2 shkurt 2023, dhe konstatoi përmbylljen e afatit të aplikimeve. Për këtë pozicion kanë shprehur interesin 3 gjyqtare, të renditura më poshtë, sipas rendit alfabetik, me bazë mbiemrin:

1. Fiona Papajorgji

2. Marjana Semini

3. Holta Zaçaj

Gjithashtu, Mbledhja e Gjyqtarëve, në bazë të parashikimeve ligjore, ka vendosur të zhvillojë mbledhjen e saj të radhës, në datën 15 shkurt 2023, ora 10:00, për të dëgjuar platformat dhe vizionin e secilës kandidate, për të vijuar më tej me procedurat e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftim për shtyp

Sot, më 25 janar 2023, u zhvillua ceremonia e betimit para Presidentit të Republikës e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, e zgjedhur me Vendimin nr. 2, datë 16.01.2023, të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Me zgjedhjen e anëtarit më të ri, përfundon edhe ushtrimi i funksioneve të Kryetarit dhe anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga znj. Vitore Tusha, pas qëndrimit të saj në detyrë deri në zgjedhjen e gjyqtarit pasardhës. Gjykata Kushtetuese ka në përbërjen e saj nëntë anëtarë, të emëruar sipas kuadrit të ri kushtetues dhe ligjor.

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të dispozitave ligjore të Ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” dhe Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, sikurse është bërë e ditur edhe në njoftimin për shtyp të datës 16.01.2023, ka filluar edhe procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të saj. Deri në përfundim të kësaj procedure dhe zgjedhjen e Kryetarit të ri, funksionet e Kryetarit ushtrohen nga gjyqtari më i vjetër në detyrë, znj. Marsida Xhaferllari.

Gjykata Kushtetuese shpreh mirënjohjen për përkushtimin, integritetin dhe kontributin profesional të znj. Vitore Tusha, përgjatë gjithë rrugëtimit të saj si anëtare dhe në detyrën e Kryetares së kësaj Gjykate, duke e drejtuar Gjykatën Kushtetuese në një prej momenteve më të rëndësishme të reformimit të veprimtarisë së saj – rinisjes së funksionalitetit dhe plotësimit të trupës gjyqësore.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 18.01.2023, në orën 13:45, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 10 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “1. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 2. Konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka””.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

1. Për kërkimin e parë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, gjykimi duhet të pushohet, pasi me vendimin e mëparshëm të saj, nr. 1, datë 23.01.2023, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e këtyre vendimeve.

2. Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, si dhe në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI

Pushimin e gjykimit të çështjes.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese në datën 18.01.2023, në orën 10:00, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 9 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve. Deklarimi i vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, shkronja “ç”, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftim për shtyp

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e thirrur nga Kryetarja zonja Vitore Tusha, bazuar në nenet 7/d, 12, pika 2, shkronja “a” dhe 13, shkronja “e”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 11, pika 2, shkronja “ë”, pika 3, shkronja “a”, dhe 22, pika 1, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, zhvilloi ditën e hënë, më 16.01.2023, ora 11:30, Mbledhjen e Gjyqtarëve me rend dite si vijon :

1. Caktimin e kolegjeve të Gjykatës Kushtetuese, organizimin e shortit për këtë qëllim.

2. Diskutimin në lidhje me fillimin e procedurës për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:

1. Procedura për caktimin e kolegjeve për vitin 2023 të zhvillohet pas fillimit të detyrës së gjyqtares së zgjedhur nga Mbledhja e Posaçme e Gjykatës së Lartë në datën 16.01.2023.

2. Vijimin e funksionimit të kolegjeve sipas përbërjes ekzistuese.

3. Ndryshimi i vendimit nr. 19, datë 15.12.2022 të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për përbërjen e kolegjit numër 2 si më poshtë:

Kolegji 2: Kryesuese   Sonila Bejtja

                    Anëtar   Genti Ibrahimi

                    Anëtare  Marjana Semini

4. Fillimin e procedurave për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

5. Kërkesa për shprehje interesi nga gjyqtarët mund të paraqitet jo më vonë se 7 ditë nga fillimi i detyrës së gjyqtares së zgjedhur nga Mbledhja e Posaçme e Gjykatës së Lartë në datën 16.01.2023.

Njoftim për mediet

Veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese për vitin 2022

Gjykata Kushtetuese, si garante e Kushtetutës dhe mbrojtëse e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në veprimtarinë e saj, gjatë vitit 2022, që përkon edhe me vitin jubilar të 30-Vjetorit të krijimit të saj, është angazhuar për përmbushjen plotësisht të funksioneve kushtetuese, gjë që është arritur, para së gjithash, falë përkushtimit të të gjithë trupës së gjyqtarëve dhe stafit administrativ të kësaj Gjykate.

Viti që lamë pas ka konfirmuar edhe një herë dy realitetet e drejtësisë kushtetuese që kanë karakterizuar punën e saj ndër vite. Nga njëra anë, është rëndësia dhe roli i saj i jashtëzakonshëm në funksionimin e rendit ligjor shqiptar, të cilat reflektohen nëpërmjet kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera të pushtetit publik, si dhe nëpërmjet kontrollit të veprimtarisë së gjykatave të sistemit të zakonshëm dhe, nga ana tjetër, është tendenca në rritje e numrit të kërkesave që vijnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, veçanërisht pas ndryshimeve reformuese të vitit 2016 dhe zgjerimit të juridiksionit të saj në drejtim të ankimit kushtetues individual.

Kjo tendencë është një tregues i qartë i rritjes së besimit dhe shpresës që publiku ka te Gjykata Kushtetuese. Me qëllim respektimin e pritshmërive të publikut dhe forcimin e mëtejshëm të besimit të tij, Gjykata ka nevojë për dialog të vazhdueshëm me shtypin dhe qytetarin, për t’i bërë të kuptueshme vendimet e saj, duke e përcjellë mendimin kushtetues mbi një bazë sa më të gjerë. Për këtë arsye, publikimi i vendimmarrjeve me interes të lartë për publikun është bërë në mënyrë të menjëhershme, duke publikuar në njoftimin për shtyp, krahas dispozitivit të vendimit, edhe arsyet thelbësore për marrjen e tij.

Një arritje tjetër e Gjykatës Kushtetuese që lidhet pikërisht me perceptimin e opinionit publik dhe forcimin e besimit të publikut është edhe miratimi dhe publikimi i standardeve etike me të cilat funksionon kjo Gjykatë, të konkretizuara në Kodin e Etikës për gjyqtarët e kësaj Gjykate. Hartimi i këtij kodi erdhi si një nevojë e kohës, për vetë rëndësinë që ai mbart lidhur me pavarësinë dhe paanësinë e Gjykatës në dhënien e drejtësisë kushtetuese, mbështetur në parimet e ligjshmërisë dhe profesionalizmit të anëtarëve të saj.

Duke qenë se statistikat e detajuara mbi veprimtarinë gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese janë të publikuara edhe në faqen tonë zyrtare, dëshiroj t’ju njoh shkurtimisht me një përmbledhje të tyre si më poshtë:

Gjatë këtij viti janë paraqitur dhe regjistruar 291 kërkesa. Gjithashtu, janë marrë në shqyrtim edhe 36 çështje të mbartura nga viti 2021 (gjithsej 327), përqindja më e madhe e të cilave, përkatësisht 84 %, i përket ankimit kushtetues individual, kurse për pjesën tjetër të kërkesave (rreth 16%), Gjykata Kushtetuese është vënë në lëvizje nga deputetët, gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (kontrolli incidental), organizatat etj.

Nga këto kërkesa:

23% e tyre ose e shprehur në shifër, 76 kërkesa, kanë kaluar për shqyrtim në seancë plenare;

60% e tyre ose e shprehur në shifër, 195 kërkesa, nga kolegjet dhe Mbledhja e Gjyqtarëve është vendosur moskalimi në seancë plenare;

17% e tyre ose e shprehur në shifër, 56 kërkesa, janë ende në fazën e shqyrtimit paraprak nga kolegjet dhe Mbledhja e Gjyqtarëve.

Gjatë ktij viti, Gjykata Kushtetuese ka marrë 238 vendime, nga të cilat 195 janë vendime moskalimi dhe 43 janë vendime përfundimtare. Për sa u përket vendimeve përfundimtare, për 14 çështje të shqyrtuara (33%) është vendosur pranimi i kërkesës; për 9 çështje të shqyrtuara (21%) është vendosur pranimi pjesërisht i kërkesës; dhe për 20 çështje të shqyrtuara (46%) është vendosur rrëzimi i kërkesës.

Vlen të theksohet fakti se Gjykata ka respektuar të gjitha afatet procedurale të kërkesave, në përputhje me parashikimet e ligjit organik të Gjykatës, si dhe me Rregulloren për Procedurat Gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese. Shqyrtimi paraprak i kërkesave është bërë brenda afatit 3- mujor nga kolegjet dhe Mbledhja e Gjyqtarëve, përfundimi i çështjeve në seancë plenare është bërë brenda afatit 1- vjeçar, si dhe zbardhja e vendimeve përfundimtare është bërë brenda afatit 30-ditor nga marrja e vendimit. Aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk ka të regjistruar dhe në shqyrtim asnjë çështje të prapambetur.

Për sa u përket vendimeve me impakt të marra nga kjo Gjykatë gjatë këtij viti do të doja të përmendja disa prej tyre, veçanërisht ato që kanë shënjuar jurisprudencën kushtetuese.

· Një prej tyre është çështja me të cilën Gjykata Kushtetuese, për herë të parë, u vu në lëvizje nga Kuvendi i Shqipërisë për të gjykuar kërkesën për deklarimin e shkarkimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Rëndësia e këtij vendimi qëndron në faktin që, për herë të parë, Gjykata përcaktoi katër kriteret që duhet të vërtetohen për ta konsideruar “shkeljen e rëndë” të kryer nga Presidenti si shkak për shkarkimin nga detyra të tij, sipas parashikimit të nenit 90 të Kushtetutës. Gjithashtu, Gjykata, duke kontrolluar procedurën e ndjekur nga Kuvendi në procesin impeachment, pati rastin të shprehej rreth standardeve kushtetuese të procesit të rregullt ligjor që i garantohen Presidentit. Në kuptim të analizës së legjitimimit të Kuvendit, Gjykata u shpreh për parimin e vazhdimësisë institucionale, si dhe për momentin e konstituimit të Kuvendit, zëvendësimin e deputetëve, numrin e përgjithshëm të deputetëve, mungesën e vendimeve të organeve kompetente për të deklaruar parregullsinë ose pavlefshmërinë e zëvendësimit të mandateve dhe mundësinë e kësaj legjislature për të arritur kuorumet e nevojshme, n ë drejtim t ë vlefshm ëris ë s ë ligjeve dhe vendimeve të miratuara( vendimi nr. 1, datë 16.02.2022).

· Gjykata mori në shqyrtim ankimin kushtetues individual të një individi për konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si rezultat i mosgjykimit të çështjes brenda një afati të arsyeshëm. Pas ndryshimeve ligjore në Kodin e Procedurës Civile, Gjykata tashmë mund t’i marrë në shqyrtim këto kërkesa, pas shterimit të mjeteve ligjore efektive në gjykatat e zakonshme. Në përfundim, pas analizës së tre kritereve të përcaktuara në drejtim të sjelljes së kërkueses; kompleksitetit të çështjes, si dhe sjelljes së autoriteteve, Gjykata konstatoi cenimin e së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, me arsyetimin se argumenti kryesor që qëndron në thelb të interpretimit ligjor të Gjykatës së Lartë për “ pamundësinë objektive” lidhet me ngarkesën e gjykatave, i cili nuk përbën argument kushtetues që mund të justifikojë kohëzgjatjen e paarsyeshme të gjykimit. Për më tepër, mbingarkesa në gjykata është një situatë e njohur dhe e zgjatur në kohë, e cila nuk varet nga kërkuesja, por vetëm nga përgjegjësit e administrimit të sistemit të drejtësisë, detyra e të cilëve është të krijojnë një sistem gjyqësor efikas dhe të pajisur me personel, në mënyrë që t’u përgjigjen më së miri kërkesave të shtetit të së drejtës, ku përfshihet edhe përfundimi i proceseve gjyqësore në përputhje me standardet që imponon e drejta për proces të rregullt, ndërkohë që ky detyrim kushtetues prej tyre nuk rezulton të jetë respektuar ( Vendimi nr. 2 datë 17.02.2022).

· Gjykata, nëpërmjet kontrollit incidental, mori në shqyrtim kërkesën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 52, pika 1, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar”, duke vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës dhe shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të këtij neni, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim. Gjykata argumentoi se ky nen kufizonte të drejtën e pronës private, të garantuar nga neni 41 i Kushtetutës, përderisa parashikonte gjobë, në kushtet kur jurisprudenca kushtetuese ka theksuar se “detyrimet financiare, duke përfshirë edhe gjobën, janë pjesë e konceptit kushtetues të pronës private, pasipagesa e një sasie të caktuar të hollash, e barasvlershme në këtë rast me masën e gjobës, është një shumë që merret nga pasuria e individit”. Gjykata theksoi, gjithashtu, se kufizimi i së drejtës kushtetuese të pronës private duhet të respektojë kriteret e përcaktuara në nenin 17 të Kushtetutës dhe në përfundim vlerësoi se ndonëse dënimi me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje ishte bërë nëpërmjet një ligji të miratuar nga Kuvendi dhe i përgjigjej interesit publik për kontrollin e ligjshëm të territorit dhe frenimin/parandalimin e ndërtimeve pa leje, mënyra e llogaritjes së masës së gjobës për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave të strehimit nuk respektonte kriterin e proporcionalitetit ( vendimi nr. 15 dat ë 22.06.2022).

· Gjykata mori në shqyrtim ankimin kushtetues individual të disa kërkuesve të cilët ngritën pretendime për cenimin e procesit të rregullt dhe të së drejtës së pronës, të garantuar nga neni 41 i Kushtetutës. Gjykata, në jurisprudencën e saj të deritanishme, i ka shqyrtuar pretendimet për të drejtat kushtetuese substanciale në kuadër të procesit të rregullt ligjor duke qenë se, bazuar në parimin e subsidiaritetit, gjykatat e zakonshme, në përputhje me kompetencat e tyre, kanë mundësitë të riparojnë shkeljet eventuale. Megjithatë, Gjykata, duke mbajtur në konsideratë zgjerimin e kompetencës së saj për kontrollin kushtetues dhe të të drejtave substanciale, i ka vlerësuar këto lloj të drejtash, siç është e drejta e pronës private, edhe në mënyrë autonome, pa i lidhur domosdoshmërisht me procesin e rregullt ligjor ( vendimi nr. 33, datë 14.11.2022).

· Gjykata mori në shqyrtim çështjen me kërkues Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e nenit 12, pika 5, shkronja “a”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 2, pika 1, të ligjit nr. 50/2021, si dhe të nenit 1, pika 7, paragrafi i dytë, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të ligjit nr. 8097, datë 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar me nenin 1, pika 1, të ligjit nr. 166/2020, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke vendosur pranimin e kërkesës. Gjykata arsyetoi se pavarësisht hapësirës normuese që ka pushteti ligjvënës, parashikimet ligjore që prekin pagën dhe përfitimet e tjera të magjistratit duhet të jenë në përputhje me garancitë e nenit 138 të Kushtetutës, i cili lejon uljen e pagës dhe përfitimeve të tjera me efekt të përgjithshëm vetëm për interes publik, në ndryshim nga rasti konkret, ku nuk u konstatua që norma të mbartte paqartësi që sillte nevojën e ndërhyrjes për sqarimin e përmbajtjes së saj. Ajo arriti në përfundimin se për sa kohë që dispozitat e kundërshtuara kishin ndryshuar me efekt negativ pagën dhe përfitimet e tjera që buronin nga statusi i magjistratit, ato ishin të papajtueshme me nenin 138 të Kushtetutës, për rrjedhojë duhet të shfuqizoheshin ( vendimi nr. 35 datë 22.11.2022).

· Gjykata mori në shqyrtim kërkesën e shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, me objekt konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021 dhe deklarimin e urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia, si i papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. Gjykata, pasi trajtoi çështjen e juridiksionit të saj në këtë rast, si dhe legjitimimin e kërkueses, vendosi konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor, detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti dhe pushimin e gjykimit për urdhrin 219/2021. Gjykata argumentoi se formulimi i nenit 184 të Kodit Zgjedhor nuk plotësonte kërkesat e nenit 118 të Kushtetutës, i cili përcaktonte se aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë dhe se ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte. Në këtë kuptim, nisur nga fakti se ligjvënësi tashmë kishte zgjedhur të pranonte në ligj të drejtën për të votuar të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në zgjedhjet për Kuvendin, Gjykata çmoi se paqartësia e normave të Kodit Zgjedhor në drejtim të afatit, organit kompetent dhe parimeve, në bazë të të cilave duhet të nxirren aktet nënligjore për këtë çështje, jo vetëm cenon parimin e sigurisë juridike, por, në fakt, përbën boshllëk ligjor, që cenon të drejtën kushtetuese të votës. Me fjalë të tjera, e drejta kushtetuese e votës së kësaj kategorie për shkak të boshllëkut ligjor ka mbetur thjesht një parashikim deklarativ, i pazbatueshëm efektivisht në praktikë, duke mbetur në thelbin e saj iluzive ( vendimi nr. 38 datë 09.12.2022).

Është e rëndësishme të përmendim disa nga veprimtaritë kryesore të realizuara në zbatim të “Strategjisë së Gjykatës Kushtetuese 2021 – 2023” dhe Planit të saj të Veprimit, si dhe në kuadër të 30 -Vjetorit të krijimit të saj, në datat 20 – 21 tetor 2022.

Me rastin e 30-Vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese u organizua Konferenca Ndërkombëtare me temë “Roli i Gjykatave Kushtetuese në Demokracitë e Reja”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, profesorë dhe akademikë të fushës, si dhe një numër i konsiderueshëm delegacionesh të huaja – kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese homologe dhe institucioneve të tjera me juridiksion ekuivalent, jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë. Gjatë kësaj konference pati diskutime dhe prezantime shumë profesionale, duke e kthyer atë në një platformë dialogu mes gjyqtarëve, të cilët shkëmbyen idetë dhe përvojat e tyre më të mira, me qëllim konsolidimin e drejtësisë kushtetuese, të prekshme për të gjithë qytetarët.

Po kështu, me qëllim forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me jashtë, Gjykata ka arritur të realizojë disa vizita studimore të gjyqtarëve të saj pranë gjykatave dhe institucioneve kushtetuese homologe, ndër të cilat mund të përmenden vizitat e gjyqtarëve pranë Gjykatës Kushtetuese të Austrisë dhe Këshillit të Shtetit të Greqisë, pjesëmarrja në Kongresin e V-të të Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese dhe në Kongresin e XIX-të të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Frankofone, si dhe shkëmbimet e përvojave në kuadër të zbatimit të Memorandumeve të Bashkëpunimit të nënshkruara nga kjo Gjykatë me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Gjithashtu, një element tjetër që vlen për t’u përmendur është edhe realizimi në total i buxhetit të Gjykatës Kushtetuese në masën 99.5%. Kështu, në zbatim të ligjit nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022” sipas programit të vetëm “Veprimtaria gjyqësore kushtetuese”, buxheti përfundimtar i alokuar për vitin 2022 ishte në vlerën totale prej 166,762,330 lekësh. Kjo vlerë përbëhet nga shpenzimet korrente prej 147,762,330 lekësh, të cilat gjatë vitit 2022 u realizuan në masën 99.7%, si dhe nga investimet kapitale prej 19,000,000 lekësh, të cilat u realizuan në masën 98%.

Në mbyllje të këtij prezantimi të shkurtër, theksoj edhe njëherë angazhimin e Gjykatës Kushtetuese për të ushtruar funksionet e saj me integritet dhe qëndrueshmëri, që me ndihmën dhe marrjen e përgjegjësive nga secili prej aktorëve të pushtetit publik, të përmbushë në mënyrë efektive dhe të vazhdueshme thelbin e misionit të saj kushtetues: krijimin e standardeve precedente të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe garantimin e rendit kushtetues shqiptar. Përfitoj nga ky rast, për të uruar një mbarëvajtje sa më të suksesshme të veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese edhe për këtë vit që ka hyrë, që të vazhdojë të ecë e sigurt në rrugëtimin e saj në krah të gjykatave të tjera kushtetuese, për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Vitore Tusha

Kryetare

Njoftim për shtyp

Sot, më 09 janar 2023, u zhvillua ceremonia e betimit para Presidentit të Republikës e zonjës Marjana Semini, e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 92/2022, datë 22.12.2022, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Zonja Semini është anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese.

 

Scroll to Top