njoftimet e fundit per median dhe publikun

për vitin 2024

                                                                                                                        NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Sot, më 30.12.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka dhe me objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.Shfuqizimi ishkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

                                                                                                                  NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues shtatë parti politike, një organizatë dhe katër individë[1], me objekt shfuqizimin e neneve 67 dhe 163, pikat 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe interpretimin përfundimtar të nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimin e tij.

Sa i takon pretendimit për interpretimin e nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimin e tij, Gjykata vlerësoi se interpretimi në vetvete i dispozitës kushtetuese nuk bëhet i shkëputur nga themeli i çështjes, prandaj do të analizohet së bashku me pretendimet e ngritura nga kërkuesit; ndërsa shfuqizimi i kësaj dispozite kushtetuese, nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, pasi sipas nenit 131, pika 2 të Kushtetutës, Gjykata ka juridiksion të kufizuar vetëm për kontrollin e respektimit të procedurës së parashikuar nga Kushtetuta, çka nuk është pretenduar nga kërkuesit.

Lidhur me themelin e pretendimeve, Gjykata vërejti se kërkuesit kanë pretenduar se neni 67, pika 1 i Kodit Zgjedhor duke vendosur lidhëzën “dhe” midis shkronjave “a” dhe “b” të saj përcakton detyrimin e subjekteve zgjedhore për paraqitjen e dy listave shumëemërore, atë me renditje të fiksuar dhe atë me kandidatë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes duke cenuar parashikimin e nenit 64, pika 3 të Kushtetutës.

Gjykata mori në shqyrtim pretendimet e palëve për cenimin e së drejtës së votës, në dy aspekte, së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, të parashikuar në nenet 45 dhe 64 të Kushtetutës, të lidhur me parimin e barazisë përpara ligjit. Gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesve nuk janë të bazuara sepse lidhen me rezultatin e votimit, që i korrespondon shpërndarjes së mandateve, ndërsa sipas nenit 64 të Kushtetutës, kjo shpërndarje dhe masa e shtrirjes së votimit parapëlqyes i është deleguar ligjvënësit, ndërkohë që garancia kushtetuese për ushtrimin e së drejtës së votës parapëlqyese në nenin 64, pika 3 të Kushtetutës lidhet me procesin e votimit.

Bazuar po në këtë premisë, Gjykata nuk konstatoi as cenim të parimit të barazisë përpara ligjit si për partitë politike ashtu dhe për organizatat dhe individët në dy aspektet e mësipërme, së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për sa kohë që në analizë të pretendimeve të kërkuesve dhe të dispozitave objekt shqyrtimi, rezultoi se parashikimet ligjore i drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithë subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve, prandaj, për rrjedhojë, nuk bëjnë diferencim mes tyre në procesin e votimit.

Sa i takon pretendimit të llogaritjes së numrit të kandidatëve të listës me renditje të fiksuar në varësi të presjes dhjetore më të vogël ose më të madhe se 0.5 të parashikuar në pikën 2 të nenit 67 të Kodit Zgjedhor, Gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesve janë të pabazuara. Për të arritur në këtë përfundim, Gjykata mbajti në konsideratë se lista shumëemërore e subjekteve politike përbëhet nga lista me renditje të fiksuar dhe lista që i nënshtrohet votimit parapëlqyes (neni 67, pika 1 i Kodit Zgjedhor). Kjo e fundit si komponent i listës shumëemërore të subjekteve politike garanton parashikimin kushtetues të nenit 64, pika 3 “ që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohet jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore”.

Për sa i përket pretendimit të kërkuesve për procedurën e miratimit të ligjit, Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2 të Kushtetutës, të detajuar në nenin 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash:

– Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

 

[1] “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, “Nisma Thurje”, “Aleanca Demokracia e Re”, “Lëvizja Demokratike për Ndryshim”, “Kombëtare Konservatore Albania”, “Bashkimi Demokristian Shqiptar”, “Ora e Shqipërisë”, organizata “Shqipëria bëhet”, Lulzim Basha, Orjola Pampuri, Merita Bakiu, Gëzim Ademaj

                                                                                                                                            NJOFTIM VENDIMARRJE

Sot, më 23.12.2024, ora 13:00, u çel seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj, për deklarimin e mbarimit të mandatit të saj si gjyqtare kushtetuese.

Në fillim të seancës Gjykata administroi një opinion me shkrim të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese dhe disa kërkesa procedurale të saj. Në lidhje me këto të fundit Gjykata vendosi: njëzëri, rrëzimin e kërkesës për pezullimin e shqyrtimit të çështjes deri në dhënien e opinionit të Komisionit të Venecias sipas kërkesës së bërë prej saj në datën 10.12.2024; me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës për kërkimin nga Gjykata të një opinioni amicus curiae nga Komisioni i Venecias dhe pezullimin e shqyrtimit të çështjes sipas ligjit. Ndërsa për sa i përket kërkesës së tretë, për pezullimin e zbatimit të aktit Njoftim të Kryetarit të Gjykatës së Lartë për shpalljen e vakancës dhe procedurës së bazuar mbi këtë akt, Gjykata vendosi, njëzëri, që ta shqyrtojë bashkë me themelin e çështjes.

Pasi u tërhoq për vendimmarrje, Gjykata vlerësoi se çështja e parashtruar është në kompetencën e saj sipas nenit 127, pika 2, të Kushtetutës; se ajo është vënë në lëvizje në mënyrën e parashikuar nga ligji organik; dhe se ajo është e detyruar të japë vendim për çështjen pavarësisht datës së saktë të mbarimit të mandatit.

Gjykata vuri re se qëndrimi në detyrë dhe kohëzgjatja e mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj lidhet me kuptimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, të normave të tjera kushtetuese, për aq sa ato lidhen me të, normave të ligjit organik të Gjykatës, si dhe akteve të procedurës së zgjedhjes/emërimit të saj.

Gjykata konstatoi se pas reformës kushtetuese të vitit 2016 ky është rasti i parë kur ajo përballet me përmbajtjen dhe zbatimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, i shtuar me ligjin nr. 76/2016.

Duke marrë shkas nga faktet që u verifikuan në këtë çështje, Gjykata thekson se hapja e procedurës për plotësimin e një vendi vakant duhet të fillojë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit të anëtarit të saj sipas nenit 127, pika 2, të Kushtetutës dhe Kryetari i saj ka njoftuar organin përkatës të emërtesës sipas nenit 9, pika 3, të ligjit organik. Kur organi i emërtesës vlerëson se Gjykata Kushtetuese nuk ka ushtruar kompetencën e saj brenda afatit ligjor, ai duhet t`ia kërkojë Gjykatës këtë gjë me shkrim, duke parashtruar edhe argumentet përkatëse lidhur me mbarimin e mandatit të gjyqtarit për të cilin është organ emërtese sipas Kushtetutës dhe ligjit. Në këtë rast Gjykata duhet të shprehet me vendim, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim. Kjo mënyrë e të vepruarit bazohet në parimin e luajalitetit kushtetues dhe garanton ushtrimin pa pengesa të kompetencave nga çdo organ në procedurën e zgjedhjes/emërimit të gjyqtarit kushtetues dhe, çka është më e rëndësishme, pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim Gjykata, me shumicë votash, vendosi: “ Deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj, në datën 10.03.2025”.

Në arritjen e këtij përfundimi Gjykata vlerësoi se, neni 179, pika 3, i Kushtetutës nuk përcakton datën e mbarimit të mandatit, por vetëm vitin 2025. Edhe neni 86 i ligjit organik të Gjykatës përmban të njëjtin parashikim me normën kushtetuese. Po ashtu, dhe akti i zgjedhjes të kësaj gjyqtareje (vendimi nr. 2, datë 16.01.2023 i Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë) është shprehur se zonja Holta Zaçaj zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese deri në kryerjen e përtëritjes në vitin 2025.

Gjykata vuri re se qëllimi i nenit 179, pika 3, të Kushtetutës është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës. Ajo, konstatoi, gjithashtu, se teksti i kësaj dispozite, në ndryshim nga neni 125, pika 7, i Kushtetutës, nuk flet për gjyqtarë pasardhës, por për gjyqtarin që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017.

Po kështu, Gjykata mbajti në konsideratë se Kushtetuta parashikon si datë të fillimit të detyrës betimin para Presidentit të Republikës (neni 129), kurse neni 8, pika 3, i ligjit organik, ndërsa përmban të njëjtin parashikim për fillimin e mandatit, përcakton se mbarimi i tij është në datën e njëjtë të atij muaji të vitit të nëntë, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.

Në aktet e njoftimit të vakancës, organi i emërtesës, Gjykata e Lartë, ka specifikuar se gjyqtari i ri që zgjidhet qëndron në detyrë deri në mars 2025. Gjykata rithekson se parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë.

Gjykata, duke mbajtur në konsideratë se Gjykata e Lartë ka hapur në datën 11.12.2024 procedurën për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, duke llogaritur si datë të mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj datën 10.03.2025, si dhe duke pasur parasysh se kjo Gjykatë arriti në të njëjtin përfundim në lidhje me datën e mbarimit të mandatit të kësaj gjyqtareje, vlerësoi se vendimi i saj nuk ndikon në procedurën e vënë në lëvizje nga Gjykata e Lartë.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Në zbatim të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar mes Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj gjykate, znj. Gresa Caka – Nimani, dhe i përbërë nga trupa e gjyqtarëve, Sekretari i Përgjithshëm, si dhe përfaqësues të stafit administrativ, është duke zhvilluar një vizitë pune në Tiranë, në datat 19 – 21 dhjetor 2024.

Në kuadër të veprimtarive të planifikuara me rastin e kësaj vizite, në datën 20 dhjetor 2024, u organizua dhe një tryezë pune mes përfaqësuesve të të dyja gjykatave, me qëllim prezantimin dhe diskutimin e çështjeve më të spikatura të shqyrtuara nga secila gjykatë gjatë vitit 2024. Tryeza u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, dhe Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, të cilat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera institucionale të ndërtuara mbi parimet e ndërsjellta të respektit, shkëmbimit të eksperiencave dhe avancimit të praktikave më të mira që ndihmojnë në përballimin e sfidave të përbashkëta.

Punimet e tryezës u zhvilluan në dy sesione – në sesionin e parë referuan prezantimet e tyre Kryetarja Holta Zaçaj dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Mariana Semini, si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Remzije Istrefi – Peci dhe Nexhmi Rexhepi ( Kryetar i zgjedhur, mandati i të cilit fillon më 31 dhjetor 2024). Në sesionin e dytë referuan gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Ilir Toska, dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Jeton Bytyqi.

Në përfundim të aktivitetit pjesëmarrësit shprehën vlerësimin se tryezat e punës të kësaj natyre ofrojnë mundësinë jo vetëm për të përfituar nga ndarja e eksperiencave dhe jurisprudencave respektive, por edhe kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të qëndrueshme mes dy institucioneve kushtetuese.

NJOFTIM

Në datën 19.12.2024 Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën gjyqësore të çështjes me kërkues Pëllumb Gjoka dhe objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ; nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit. S hfuqizimi i shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.

Gjykata shqyrtoi ankimin kushtetues individual, kërkesat dhe aktet e tjera të paraqitura nga kërkuesi, prapësimet e subjekteve të interesuara dhe aktet e paraqitura prej tyre dhe pasi administroi të gjitha provat e paraqitura nga palët, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit. Vendimi do t’u komunikohet palëve sipas rregullave dhe afateve ligjore.

NJOFTIM

Sot, më datë 17.12.2024, ora 13:00, u çel seanca për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj.

Gjykata konstatoi se gjyqtarja Holta Zaçaj, në datën 16.12.2024, është njohur me praktikën dokumentare të dërguar nga Gjykata e Lartë, ndërsa përpara seancës së ditës së sotme ka depozituar një kërkesë me shkrim, përmes të cilës ka kërkuar dhënien e një kohe të mjaftueshme për të paraqitur opinionin e saj në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë sa i përket parimeve kushtetuese dhe mënyrës së interpretimit të dispozitave kushtetuese të zbatueshme në rastin në shqyrtim.

Gjykata, pasi vlerësoi shkaqet e kësaj kërkese, vendosi që ta pranojë atë, duke i lënë kohë, sipas kërkesës, deri ditën e hënë, datë 23.12.2024, ora 10:00, për paraqitjen e një opinioni me shkrim.

Për këto arsye, si dhe për t’i dhënë kohë të mjaftueshme edhe trupës për të studiuar paraprakisht opinionin, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e hënë, datë 23.12.2024, ora 13:00.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese u mblodh sot, më datë 16.12.2024, ora 11:00, për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj.

Gjykata administroi praktikën dokumentare të Gjykatës së Lartë, që ka shoqëruar procedurën për plotësimin e vendit vakant dhe zgjedhjen e zonjës Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si dhe njoftimin e Kryetarit të asaj gjykate për hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, mbi bazën e kërkesës së Gjykatës, janë dërguar zyrtarisht nga Gjykata e Lartë ditën e premte, datë 13.12.2024, ora 16:30.

Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t`i komunikohen gjyqtares Holta Zaçaj, njëherazi edhe Kryetarja e Gjykatës, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t`u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to.

Për këto arsye, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e nesërme, datë 17.12.2024, ora 13:00.

NJOFTIM

Në datën 12.12.2024, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese depozitoi një kërkesë për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj, në kuptim të parashikimeve të neneve 127, pikat 1 e 2 dhe 179, pika 3, të Kushtetutës dhe nenit 9 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në këtë datë Gjykata Kushtetuese u njoh me kërkesën dhe pasi vlerësoi se për shqyrtimin e saj ishte e nevojshme përgatitja e materialeve në lidhje me rastin, caktoi datën 13.12.2024 për shqyrtimin e kësaj kërkese.

Në datën 13.12.2024, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese çmoi se ishte i nevojshëm administrimi i praktikës dokumentare të Gjykatës së Lartë që ka shoqëruar procedurën për plotësimin e vendit vakant dhe zgjedhjen e zonjës Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, të përmbyllur me vendimin e saj nr. 2, datë 16.01.2023, ashtu edhe i njoftimit të datës 11.12.2024 të Kryetarit të Gjykatës së Lartë për hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.

Në pritje të dërgimit të dokumentacionit të kërkuar, Gjykata vendosi të shtyjë seancën e ditës së sotme për në datën 16.12.2024.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Në datën 05.12.2024, Gjykata Kushtetuese ( Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Jamarbër Malltezi, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 116, datë 23.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.

NJOFTIM

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njofton se në datën 26.11.2024 ka marrë në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha me objekt: “ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, të vendimit nr. 15, datë 25.01.2024 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë dhe vendimit nr. 00-2024-667 (94), datë 09.04.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (njoftuar në datën 29.07.2024)”, lidhur me masën e arrestit “Arresti në shtëpi” dhe ka vendosur:

– kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve (pa praninë e palëve), si dhe thirrjen si subjekt të interesuar në këtë proces të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si edhe të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjithashtu, po në datën 26.11.2024 Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim kërkesën për “Përshpejtimin e gjykimit”, të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha në datën 25.11.2024, ka vendosur:

– pranimin e kërkesës për përshpejtimin e gjykimit, si dhe reduktimin e afateve të palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe qëndrimeve të tyre, si dhe caktimin e seancë plenare mbi bazë të dokumenteve në datën 27.12.2024, ora 10:00.

 

 

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Në datat 19 dhe 21.11.2024, Gjykata Kushtetuese ( Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Sali Berisha, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023 të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për masat e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë vendit” si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata shqyrtoi në fillim kriteret e legjitimimit dhe arriti në përfundimin se kërkuesi i plotësonte ato, me përjashtim të pretendimit për cenimin e gjykatës së paanshme, bazuar në argumentin se gjyqtarja e shkallës së parë ishte shkarkuar më parë prej kërkuesit në funksionin e tij si President i Republikës dhe njëherazi edhe kryetar i KLD-së në atë kohë. Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, konkretisht nuk i kishte paraqitur ato formalisht gjatë gjykimit të zakonshëm sipas rregullave procedurale për këtë qëllim. Kërkesa për përjashtim për këtë gjyqtare ishte kërkuar për një shkak të ndryshëm nga ai i mësipërm.

Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë shpjegimet e kërkuesit dhe prapësimet e palëve, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi ta shqyrtonte çështjen në drejtim të së drejtës kushtetuese për t’u zgjedhur, sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe lirisë së lëvizjes, sipas nenit 38 të Kushtetutës.

Në përgjigje të pretendimit të kërkuesit se, bazuar në nenin 73, pika 2, të Kushtetutës, prokuroria duhej të kishte marrë autorizim nga Kuvendi përpara se të kërkonte nga gjykatat caktimin ndaj tij të masave të sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, Gjykata bëri një analizë qëllimore dhe semantike të dispozitës kushtetuese në fjalë. Në kuadër të kësaj analize, Gjykata iu referua edhe materialeve të procesit legjislativ, të cilat i paraprinë amendamentit kushtetues të vitit 2012, kur u miratua neni 73, pika 2, me përmbajtjen që ai ka sot, si edhe precedentit në rastin Tahiri, ashtu edhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut.

Gjykata interpretoi shprehjen “heqje e lirisë në çfarëdolloj forme” bazuar edhe në frymën e amendamentit kushtetues të vitit 2012, i cili synonte reduktim sa më të madh të imunitetit procedural të deputetëve. Gjykata vlerësoi se, neni 73, pika 2, i Kushtetutës duhet të interpretohet ngushtësisht si një avantazh i përkohshëm procedural që e gëzojnë deputetët në funksion të mirëfunksionimit të Kuvendit në tërësinë e tij dhe jo si privilegj i deputetëve si individë. Me këtë frymë, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se mbrojtja e përkohshme procedurale që neni 73, pika 2, i Kushtetutës u garanton deputetëve i referohet vetëm lirisë personale dhe jo lirisë së lëvizjes.

Gjykata e shqyrtoi masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në këndvështrim të së drejtës për t’u zgjedhur, sipas nenit 45 të Kushtetutës. Duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë), Gjykata, njëzëri, arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë Gjykata, njëzëri, arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë, nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.

Gjykata e shqyrtoi masën e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë vendit” në kuadër të lirisë së lëvizjes, të garantuar nga neni 38 i Kushtetutës, e cila është e ndryshme nga liria personale e garantuar nga neni 27 i Kushtetutës dhe, për pasojë, kërkuesi, në cilësinë e deputetit, nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm.

Gjykata shqyrtoi pretendimin e kërkuesit në lidhje me paanësinë e gjykatave të posaçme, për shkak të parashikimeve të ligjit nr. 95/2016, përkatësisht nenet 48-51 të tij, të cilat parashikojnë kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake të gjyqtarëve, familjarëve të tyre nga hetuesit e BKH-së, e cila sipas kërkuesit varet nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Gjykata, me shumicë votash, vendosi që pretendimi i kërkuesit është i pabazuar për arsyet e mëposhtme:

a) autorizimi për regjimin e kontrollit periodik është i parashikuar në Kushtetutë dhe, si i tillë, nuk mund të bëhet objekt i kontrollit kushtetues;

b) ligji përmban garanci të mjaftueshme për të siguruar pavarësinë e gjyqtarëve në mënyrën se si realizohet kontrolli, pasi rezultatet e kontrollit eventual të kryer nga BKH-ja janë objekt vlerësimi nga gjykata në rastet e procedimit penal dhe nga KLGJ-ja në rastet disiplinore;

c) ligji përmban një tërësi garancish, të cilat sigurojnë pavarësinë e tyre në ushtrim të funksionit për shkak të statusit të posaçëm të këtyre gjyqtarëve, çka përfshin emërimin, pagën, karrierën, trajtimin e posaçëm dhe mënyrën e shkarkimit.

Gjykata shqyrtoi edhe pretendimet e kërkuesit për procesin e rregullt në drejtim të mbrojtjes efektive, dhe, me shumicë votash, vlerësoi se ai është i pabazuar pasi, siç kanë arsyetuar gjykatat e zakonshme, kërkuesit i është dhënë mundësia e mbrojtjes në përputhje me garancitë procedurale të parashikuara nga ligji.

Më tej, Gjykata shqyrtoi secilën masë sigurimi në këndvështrim të parimit të proporcionalitetit të lidhur me standardin e arsyetimit.

Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi, duke iu referuar arsyetimit të gjykatave të zakonshme, se masa e dhënë ndaj kërkuesit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” është propocionale në drejtim të domosdoshmërisë, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.

Në lidhje me masën tjetër, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës, duke shfuqizuar vendimet gjyqësore objekt të shqyrtimit kushtetues vetëm për pjesën që kanë caktuar masën “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” ndaj kërkuesit Sali Berisha për shkak të cenimit të parimit të proporcionalitetit, në aspektin e domosdoshmërisë së kësaj mase, në kushtet kur qëllimet e saj përmbushen nga masa tjetër e dhënë ndaj kërkuesit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve, i kërkuar nga gjykatat (Kontroll incidental)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 70, pika 1 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njofton se pranë kësaj Gjykate po shqyrtohet kërkesa e paraqitur nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me objekt: “ Interpretimi i kushtetutshmërisë së nenit 6, pika 5 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar”. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e datës 21.11.2024, ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve dhe thirrjen e subjekteve të interesuara, Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkuese Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e pikës “a.2” të aneksit 1 dhe shkronjës “dh” të aneksit 2 të VKM-së nr. 457/2023 që përcakton çmimet mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për Bashkinë e Tiranës.

Kërkuesja ka pretenduar se parashikimet e mësipërme, të cilat kanë rritur në masë të konsiderueshme dhe joproporcionale vlerën e taksës së ndërtesës, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike, të drejtën e pronës private, parimin e sigurisë juridike, në kuptimin e fuqisë prapavepruese të aktit, parimin e barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, si dhe rezervën ligjore.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 06.11.2024, vlerësoi se kërkuesja legjitimohet ratione personaepër të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues, pasi VKM-ja parashikon rregullime që zbatohen dhe prekin drejtpërdrejt ndërtuesit, që janë anëtarë të shoqatës.

Për sa i përket legjitimimit ratione materiae, Gjykata vlerësoi se pretendimet e paraqitura ishin me natyrë kushtetuese, prandaj i shqyrtoi ato në themel.

Në lidhje me pikën “a.2”, të aneksit 1 të VKM nr. 457/2023, Gjykata shqyrtoi fillimisht pretendimet për cenimin e parimit të sigurisë juridike dhe vërejti se argumentet e sjella nga kërkuesja, në thelb, nuk kishin të bënin me çmimet e referencës, të parashikuara nga VKM-ja nr. 457/2023, objekt i gjykimit kushtetues, por me metodologjinë për përcaktimin e taksave, të cilat kanë çmimin e referencës së ndërtesës, si element përbërës të formulës apo metodologjisë së përllogaritjes së tyre.

Në këtë këndvështrim, Gjykata vë në dukje se formula e përllogaritjes së taksave e cila rezulton të jetë e parashikuar në ligjin për taksat vendore të vitit 2006, ndryshuar në vitin 2017 dhe e detajuar në VKM-në nr. 132/2018, nuk është objekt shqyrtimi në këtë gjykim kushtetues. Ndërkohë që kërkuesja nuk arriti të provonte dhe argumentonte as në kërkesën e saj fillestare dhe as gjatë gjykimit në seancën plenare, se pse çmimet e reja të referencës, në vetvete, cenojnë parimet kushtetuese të pretenduara prej saj.

Duke pasur parasysh se edhe për pretendimet e tjera për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, kërkuesja ka paraqitur të njëjtat argumente, të cilat në thelb nuk kishin të bënin me çmimin e referencës, por me metodologjinë për përcaktimin e taksave, Gjykata vlerësoi se këto pretendime nuk mund të merren në shqyrtim.

Në lidhje me shkronjën “dh” të aneksit 2 të VKM nr. 457/2023, Gjykata vlerësoi se nuk cenon parimin e sigurisë juridike në drejtim të paqartësisë së normës, pasi dispozita është e qartë në formulimin e saj, sepse i referohet normës 0.2 % indeksim për ndërtimet e reja, për ambiente jobanimi, për një periudhë 5 – vjeçare në raport me ambientet e banimit.

Ndërsa në lidhje me pretendimin për cenimin e rezervës ligjore për shkak të mungesës së delegimit me ligj sipas nenit 118 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se dispozita e kundërshtuar (shkronja “dh” e aneksit 2 të VKM-së nr. 457/2023) është nxjerrë në përputhje me delegimin ligjor të përcaktuar në nenin 21, pika 2 të ligjit për taksat vendore, i cili parashikon se metodologjia për përcaktimin e këtyre taksave do të bëhet nga Këshilli i Ministrave. Shkronja “dh” e aneksit 2 të VKM-së nr. 457/2023 është një dispozitë që rregullon metodologjinë e taksave për ndërtesën, prandaj edhe ky pretendim është i pabazuar.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, njëzëri:

– Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

NJOFTIM

Në datën 30.10.2024, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga shtetasi rus Igor Kokunov për pezullimin e procedurave për ekstradimin e tij në Federatën Ruse.

Mbledhja e Gjyqtarëve duke vlerësuar, në kuptim të përmbajtjes së nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si urgjencën për marrjen e masës, ashtu edhe natyrën e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, në drejtim të shkeljeve kushtetuese dhe konventore, arriti në përfundimin se ndodhet në kushtet që imponojnë pezullimin e përkohshëm të kësaj procedure.

Për rrjedhojë, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e po kësaj date, vendosi “ Pezullimin e p ërkohshëm të procedurave të ekstradimit të shtetasit rus Igor Kokunov deri në një vendimmarrje të dytë të Gjykatës Kushtetuese, kohë gjatë të cilës kërkuesi vijon të qëndrojë në kushtet e izolimit në pritje të ekstradimit të tij.”, vendim të cilin e gjeni në version të plotë në link-un më poshtë.

Ky vendim, në përputhje me parashikimet e nenit 45, pika 2, të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, iu njoftua menjëherë institucioneve kompetente të përfshira në procedurën e ekstradimit të kërkuesit.

VENDIMI pdf 

Raporti i Komisionit Evropian “Për Sundimin e Ligjit 2024” vlerëson punën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë

Komisioni Evropian ka publikuar raportin “Sundimi i Ligjit 2024” për 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian ku për herë të parë në raport përfshihet Shqipëria së bashku me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Në këtë raport, i cili vlerëson gjendjen e shtetit të së drejtës, përmendet ndër të tjera, edhe roli i Gjykatës Kushtetuese si efektiv në ruajtjen e kontrolleve institucionale dhe balancave, megjithëse parlamenti sipas këtij raporti, nuk ka arritur të zbatojë disa nga vendimet e saj.

Gjithashtu, në raport theksohet edhe plotësimi i trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese sipas ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi në vitin 2016, për të vijuar më tej me vlerësimin për punën e Gjykatës, në trajtimin në mënyrë efektive të një sërë çështjesh të rëndësishme si dhe duke mos pasur çështje të prapambetura që prej rifillimit të funksionalitetit të saj në dhjetor të vitit 2022.

SHPALLJE

Në datën 01.10.2024, ora 11.00 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të zhvillojë seancën plenare të radhës mbi bazë dokumentesh për kërkesën e kërkuesit Agred Tafa, me objekt :“ 1.Shfuqizimin e vendimit nr. 002023-4341, datë 26.10.2023 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë. 2. Konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm dhe përshpejtimin e procedurave të gjykimit për çështjen 31157-01402-86-2021, regjistruar në datën 28.04.2021 në Gjykatën Administrative të Apelit me palë ankimuese Ederjon Ibro dhe Xhuljan Guçe dhe palë kundër-ankimuese Agred Tafaj” dhe subjekte të interesuara Komisioni Institucional Zgjedhor, Komisioni Apelimit të Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Ederjon Ibro dhe Xhuljan Guçe.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Xhuljano Guçe, me adresë Rruga “Ilir Aver”, Unaza e Re Tiranë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qenë se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

Tiranë, më 22.07.2024

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkuese Shoqatën e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase, me objekt shfuqizimin e pjesshëm të ligjeve nr. 81/2022 dhe nr. 94/2023 për akcizat, për pjesën që parashikon unifikimin e akcizës së birrës nga malto për të gjithë prodhuesit pavarësisht sasisë së prodhimit vjetor.

Kërkuesja ka pretenduar se ky ndryshim, i cili në thelb dyfishonte tarifën e akcizës për prodhuesit deri në 200.000 HL në vit, cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike, të drejtën e pronës, parimin e sigurisë juridike, si dhe detyrimet që rrjedhin në zbatim të nenit 70 të MSA-së.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 16.07.2024, vlerësoi se kërkuesja legjitimohet ratione personae për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues. Megjithëse ajo si shoqatë ishte krijuar pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 81/2022, Gjykata çmoi se ajo mbart interes për sa kohë anëtaret e saj janë subjekte të prekura drejtpërdrejt nga ndryshimet ligjore të kundërshtuara. Për sa i përket legjitimimit ratione materiae, Gjykata vlerësoi se pretendimet e paraqitura ishin me natyrë kushtetuese. Nisur nga thelbi dhe përmbajtja e këtyre pretendimeve, Gjykata çmoi t’i analizojë ato në tërësi në këndvështrim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, të garantuar nga neni 11 i Kushtetutës, të lidhur me parimin e proporcionalitetit, të parashikuar në nenin 17 të Kushtetutës.

Në lidhje me bazueshmërinë në themel të këtij pretendimi, Gjykata, duke mos vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të shtetit në fushën e taksave dhe tatimeve, vlerësoi se unifikimi i akcizës përbën ndërhyrje në lirinë e veprimtarisë ekonomike. Kjo ndërhyrje plotëson kriteret kushtetuese “të vendosur vetëm me ligj” dhe “për interes publik”, të parashikuara në nenet 11 dhe 17 të Kushtetutës. Lidhur me këtë të fundit, Gjykata rithekson qëndrimin e mbajtur në jurisprudencën e saj në lidhje me prezumimin e rëndësisë së objektivit të ligjvënësit dhe pranisë së interesit publik për një sistem tatimor efektiv.

Për sa i përket analizës së kritereve të parimit të proporcionalitetit, Gjykata mbajti në konsideratë diskrecionin e shtetit në fushën fiskale dhe kohëzgjatjen prej 15 vjetësh të akcizës së diferencuar si një mjet i përzgjedhur nga ligjvënësi për të lehtësuar barrën tatimore për kategorinë e prodhuesve të produktit të birrës nga malto. Gjykata çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj. Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:

– Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

SHPALLJE

Në datën 17.09.2024, ora 12.00 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të zhvillojë seancën plenare të radhës mbi bazë dokumentesh për kërkesën e kërkueses Alida Gazidedja, me objekt :“1. Shfuqizimin dhe shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 9/5, datë 26.07.2023 të Gjykatës së Lartë, marrë njoftim në datën 18 nëntor 2023, referuar dërgesës postare nr. RR523013519AA(këtu e më poshtë referuar si “vendimi 9/5/2023 i GjL”; 2. Konstatimi i shkeljes së afatit të arsyeshëm nga Gjykata e Lartë në gjykimin e çështjes civile me numër Nr. 21001-00016-00-2017, datë regjistrimi 04.01.2017; 3. Konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm nga Gjykata e Lartë në gjykimin e çështjes Nr. 9/5 Akti, datë 18.09.2020 me objekt: “Konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm dhe përshpejtimin e procedurës së gjykimit nga Kolegji tjetër i Gjykatës së Lartë, etj.,” në Gjykatën e Lartë; 4. Konstatimi i shkeljes së aksesit në një gjykatë të caktuar me ligj; 5. Pas konstatimit të shkeljeve veçmas dhe të gjitha së bashku (1) deri (4) të caktojë një shpërblim të drejtë në referim të Olivieri dhe të tjerë kundër Italisë, vendosur më 25.02.2016, nr. 17708/12, 17717/12, 17729/12 në të gjithë tërësinë e këtij vendimi; 6. Detyrimin e Këshillit të Ministrave për të siguruar ekzekutimin e vendimit të dhënë me anën e organeve përkatëse të administratës shtetërore ose nëse shihet e nevojshme nga Gjykata Kushtetuese të caktojë organin e ngarkuar me zbatimin e vendimit si dhe mënyrën e ekzekutimit duke caktuar afate konkrete, mënyrën dhe procedurën përkatëse të ekzekutimit” dhe subjekt të interesuar Leonard Toçi.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Leonard Toçi, me adresë : Rruga “Jordan Misja”, banesë private pa numër, ish Reparti Ushtarak Tiranë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qenë se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

Tiranë, më 15.07.2024

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 21.06.2024 dhe 25.06.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues jo më pak se 1/10-ta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe jo më pak se 1/5-ta e deputetëve të tij, me objekt:

1. “ Kundërshtimi i vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmërinë me mandatin të deputetes Olta Xhacka” dhe deklarimi i këtij vendimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

2. Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve, duke përcaktuar mënyrën kushtetuese konkrete se si zgjidhet ky konflikt dhe se si ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi në kushtet e mosverifikimit të pengesave formale, në kushtet kur mazhoranca, me votim, ka vendosur moszbatimin e vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo mund të ripërsëritet në të ardhmen.

3. Interpretimi përfundimtar i neneve 70, pikat 1 dhe 4, 73, pika 1, 132, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Shqyrtimi i çështjes me përparësi, për shkak të interesit të lartë publik që paraqet.”.

 

Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi çështjen në seancë publike me pjesëmarrjen e palëve, sot më 10.07.2024, konstatoi se vendimi i saj nr. 1, datë 23.01.2023 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Gjykata vlerësoi se përmes vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin 132, pika 1, të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që u imponon të gjitha organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit.

Gjykata theksoi se vendimi i saj që ka vendosur detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10-ës së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, sipas nenit 70 të Kushtetutës, është i detyrueshëm për zbatim në respekt të nenit 132, pika 1, të Kushtetutës. Kjo do të thotë se Kuvendi (deputetët e tij) duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës.

Për sa më sipër, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

4. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 09.07.2024, mori në shqyrtim çështjen e paraqitur nga 33 deputetë me objekt shfuqizimin e ligjin nr. 106/2023, që ndryshoi disa dispozita të ligjit nr. 8891/2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore”.

Gjykata vlerësoi, fillimisht, se për pretendimet për procedurën e miratimit të ligjit nr. 106/2023 kërkuesi nuk ka parashtruar argumente të nivelit kushtetues. Asnjë nga shkeljet procedurale të pretenduara nuk është argumentuar në drejtim të cenimit të normave kushtetuese. Për më tepër, mungesa e shqyrtimit të nismave të dy deputetëve të tjerë nuk është provuar të ketë prekur pajtueshmërinë e ligjit të kundërshtuar me Kushtetutën.

Në lidhje me themelin e çështjes, Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës, si më poshtë:

1. Njëzëri, konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 4 të ligjit nr. 106/2023, që lidhet me nismën për krijimin e komisionit hetimor, për shkak të boshllëkut ligjor në përmbajtjen e kësaj dispozite. Boshllëku ligjor ka të bëjë me nevojën për “formulime alternative të objektit të hetimit”, siç është shprehur Gjykata në jurisprudencën e saj (vendimi nr. 30/2014), pasi cenon, në thelb, të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor.

Për sa më sipër, Gjykata, pa vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj, vëren se, edhe pse gjatë gjykimit u konstatua se kjo dispozitë ka pasur si qëllim të reflektojë jurisprudencën kushtetuese, ky reflektim është i paplotë, për sa kohë janë reflektuar vetëm tre kriteret: i) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit; ii) objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose subjekte konkrete; iii) duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes për të cilën kërkohet ngritja e komisionit hetimor.

Duke lënë jashtë këtyre kritereve “formulimin alternativ” të objektit të hetimit, si një nga elementet që mundëson ngritjen e komisionit hetimor, formulimi aktual i dispozitës ligjore passjell cenimin deri në pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së pakicës parlamentare.

Gjykata theksoi se kontrolli parlamentar është i lidhur me legjitimitetin e drejtpërdrejtë demokratik të Parlamentit dhe nëpërmjet tij merr legjitimitet edhe vetë qeverisja.

2. Me shumicë votash, konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të përmbajtjes së nenit 7 të ligjit nr. 106/2023, që parashikon vendimin e ndërmjetëm për marrjen e provave, për shkak të boshllëkut ligjor në përmbajtjen e tij, për sa kohë ky formulim nuk përmban garanci të plota procedurale për të garantuar të drejtën e pakicës parlamentare për kontroll efektiv parlamentar. Marrja e provave nga komisioni hetimor duhet të synojë të sjellë “dritë në errësirë”, në mënyrë që të mundësojë sqarimin e përgjegjësive politike.

Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren. Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve. Një vendim refuzimi mund të çojë edhe në lindjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese.

3. Me shumicë votash, shfuqizimin e nenit 9 të ligjit nr. 106/2023, që ka shtuar pikat 1/2 dhe 2/4 në nenin 16 të ligjit për komisionet hetimore, që lidhen, përkatësisht, me marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe me të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë.

Gjykata, duke mbajtur në konsideratë se procedura e hetimit parlamentar ndjek qëllime të ndryshme nga ajo e procedimit penal, duke synuar qartësimin e një çështjeje për arsye politike, thekson se ky qëllim përputhet me parimin e ndarjes së pushteteve.

Për sa më sipër, Gjykata arriti në këtë përfundim për shkak të paqartësisë në formulimin e këtyre parashikimeve ligjore.

Në lidhje me pikën 1/2, Gjykata vlerësoi se formulimi nuk është i qartë në drejtim të parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, si dhe nevojës për këtë ndërhyrje. Qëllimi i ruajtjes së sekretit hetimor mund të përmbushet nga pyetja e dëshmitarëve me dyer të mbyllura.

Kurse në lidhje me pikën 2/4, Gjykata vëren se ndonëse në thelb duket se i referohet përmbajtjes së nenit 32 të Kushtetutës, lidhur me garantimin e së drejtës kushtetuese për të mos deklaruar kundër vetvetes ose familjes së vet, kjo e drejtë është e zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm nga norma kushtetuese, por garantohet edhe në kuadër të parimit të procesit të rregullt ligjor, sipas përmbajtjes së nenit 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 106/2023. Në çdo rast ajo plotësohet edhe nga garancitë që ofron Kodi i Procedurës Penale, i cili është i zbatueshëm në procedurën hetimore të kontrollit parlamentar.

4. Me shumicë votash, interpretimin pajtues të nenit 6, pika 3, shkronjat “c” dhe “d”, të ligjit nr. 106/2023, në lidhje me marrjen e provave pa pjesëmarrjen e publikut, pasi konstatoi se kjo dispozitë jep disa rezultate në varësi të metodave të interpretimit, ndaj Gjykata përzgjodhi atë rezultat që është i pajtueshëm me normat kushtetuese.

Gjykata vlerëson të theksojë se në trajtimin e pretendimeve dhe prapësimeve mbi këtë dispozitë ballafaqohen e drejta për informim dhe transparencë e organeve të zgjedhura, në kuptim të nenit 23, pika 3, të Kushtetutës, në raport me të drejtat e tjera të njeriut (siç janë ajo e jetës private, personale, jetës, shëndetit etj.). Gjykata arriti në përfundimin se, si rregull, veprimtaria e komisionit hetimor duhet të jetë publike dhe vetëm përjashtimisht ajo mund të zhvillohet me dyer të mbyllura, kur të drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën për informim.

Përveç sa më sipër, në lidhje me “sekretin tregtar”, sipas shkronjës “c”, Gjykata vlerësoi se në zbatimin e kësaj dispozite duhet të zbatohet përkufizimi i tij sipas legjislacionit në fuqi. Ndërsa në lidhje me “sekretin në interes të shtetit”, sipas shkronjës “d”, Gjykata vlerësoi se ai duhet të interpretohet si çdo e dhënë e parashikuar si informacion i klasifikuar në bazë të ligjit, përfshirë edhe “sekretin hetimor”.

5. Njëzëri, Gjykata vendosi, detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë të plotësojë boshllëkun ligjor brenda 6-muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.

Për sa u përket dispozitave të tjera të ligjit nr. 106/2023 të kundërshtuara nga kërkuesi, Gjykata vlerësoi rrëzimin e tyre si të pabazuara.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit nr. 29/2023 për tatimin mbi të ardhurat dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023, i ashtuquajturi tatimi mbi të ardhurat i të vetëpunësuarve që ofrojnë shërbime profesionale.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 27.06.2024 njëzëri vlerësoi se ajo ka juridiksion për shqyrtimin e çështjes dhe se të gjithë kërkuesit ( 1/5-ta e deputetëve, Dhoma e Avokatisë, shoqatat e kontabilistëve të miratuar dhe ekspertëve kontabël të autorizuar IEKA dhe IKM) legjitimohen për të vënë në lëvizje kontrollin kushtetues, sipas objektit të kërkesës së tyre.

 

Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata, pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë, i ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023 cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti në këtë përfundim, duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe në veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore.

Për sa më sipër, Gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji hyri në fuqi në datën 18 maj 2023 dhe i shtrinte efektet e tij nga data 1 janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 dhjetor 2023 sipas nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023, pra vetëm disa ditë përpara fillimit të efekteve të ligjit.

Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se norma e tatimit prej 15 %, e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj, nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:

Pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë, të ligjit nr. 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023.

Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, më 19.06.2024, mori në shqyrtim çështjen me objekt shfuqizimin e dispozitave të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, e ndryshuar me vendimin nr. 126/2023 të Kuvendit të Shqipërisë.

Gjykata mori fillimisht në shqyrtim çështjen e juridiksionit të saj për shqyrtimin e dispozitave objekt kërkese. Në këtë drejtim Gjykata nuk vuri në diskutim parimin e autonomisë rregullatore të Kuvendit, duke njohur edhe të drejtën kushtetuese të këtij të fundit për të përcaktuar rregullat në kuadër të parimit të funksionalitetit të tij.

Megjithatë, duke qenë se pretendimet e parashtruara nga kërkuesi, në thelb, kanë të bëjnë jo vetëm me të drejtat e deputetit si individ, por me ushtrimin e funksionit të tij si përfaqësues i popullit, Gjykata, me nismën e saj, vlerësoi ta shohë çështjen në drejtim të respektimit të parimit të demokracisë përfaqësuese, sipas nenit 2 të Kushtetutës, që parashikon ushtrimin e sovranitetit të popullit përmes përfaqësuesve të tij, si dhe parimit të proporcionalitetit, në drejtim të përshtatshmërisë dhe ashpërsisë së masave disiplinore, dhe, për këtë shkak, arriti në përfundimin, njëzëri, se ajo ka juridiksion për shqyrtimin e çështjes konkrete në kuptim të ruajtjes së parimeve dhe vlerave kushtetuese, mbrojtja e të cilave është funksioni kryesor i kësaj Gjykate.

Në lidhje me themelin e çështjes Gjykata vlerësoi të shqyrtojë vetëm përmbajtjen e atyre dispozitave të kundërshtuara të Rregullores së Kuvendit, të cilat, për shkak të përmbajtjes së tyre, mund të cenonin parimin e demokracisë përfaqësuese dhe nuk përbënin rregullime të asaj natyre, të cilat mbeten brenda autonomisë rregullatore të Kuvendit.

Në përfundim, Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës, duke shfuqizuar dispozitat e mëposhtme të Rregullores së Kuvendit:

Njëzëri, nenin 65/1, pika 6, shkronja “a”, me përmbajtje: “ kur deputeti përdor dhunë ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave, të Gardës së Republikës ose punonjësve të medieve”, për shkak të paqartësisë së kësaj norme, e cila mund të çojë në arbitraritet në zbatimin e saj, pasi për të njëjtat shkaqe (dhuna ndaj deputetëve) është parashikuar nga i njëjti nen edhe masa displinore me 10 ditë përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose seancë plenare.

Njëzëri, nenin 65/1, pika 7, shkronjat “b” dhe “c”.

Në lidhje me shkronjën “b” të pikës 7 të nenit 65/1, me përmbajtje: “ kur deputeti kryen veprime/sjellje që dyshohet se përmbajnë elemente të veprës penale, të parashikuara në Kodin Penal”, Gjykata vlerësoi se ai mbart paqartësi në formulim në lidhje me dyshimin për elemente të veprës penale.

Në lidhje me shkronjën “c” të pikës 7 të nenit 65/1, me përmbajtje “ kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6”, Gjykata vlerësoi se masa është joproporcionale në drejtim të përshtatshmërisë dhe ashpërsisë së saj.

Me shumicë votash, nenin 65/1, pika 9, me përmbajtje: “ Gjatë periudhës së zbatimit të masës disiplinore të parashikuar në pikat 6 the 7 të këtij neni deputeti ndalohet të kryejë dhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit.”, pasi ai përbën një masë të re disiplinore në kontradiktë me vetë titullin e këtij neni “ Masa e përjashtimit nga komisionet dhe seanca plenare”, duke parashikuar shtrirjen e masës edhe në veprimtari të tjera parlamentare, të cilat parashikohen të listuara në nenin 40 të Rregullores së Kuvendit.

Për sa u përket dispozitave të tjera të kundërshtuara nga kërkuesi, Gjykata vlerësoi se ai nuk solli argumente kushtetuese në drejtim të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese, ndaj vendosi rrëzimin e kërkesës për atë pjesë.

Njoftim

Në datën 27.05.2024 Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën e 33 deputetëve të Kuvendit, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit””.

Në lidhje me kërkesën për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve në seancë plenare, vlerësoi se kërkesa për pezullimin e zbatimit të ligjit nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën, në kushtet kur Gjykata ka pranuar kërkesën e kërkuesit për përshpejtim dhe gjykimi për themelin e çështjes pritet të përfundojë së shpejti.

Për sa më sipër, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash,

VENDOSI:

– Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e ligjit nr. 50/2022, datë 23.05.2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në hyrjen në fuqi të vendimit të kësaj Gjykate.

Gjykata, pasi mori në shqyrtim paraprakisht çështjen e juridiksionit të saj, arriti në përfundimin se ka juridiksion për shqyrtimin e ligjit miratues nr. 50/2022, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës. Për sa i përket marrëveshjes për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, pavarësisht natyrës jo normative të këtij akti, Gjykata pranoi juridiksionin e saj për shqyrtimin e tij. Në këtë drejtim, Gjykata pati parasysh jo vetëm se ky akt ka veshje formale me ligj për shkak të miratimit nga Kuvendi, por edhe natyrën kushtetuese të pretendimeve të ngritura nga kërkuesi, të cilat ajo i ka konsideruar si përcaktuese të juridiksionit kushtetues.

Lidhur me pretendimet e paraqitura nga kërkuesi, Gjykata vlerësoi:

Për pretendimin për cenimin e parimit të ligjshmërisë, bazuar në nenin 118 të Kushtetutës, për shkak të dhënies së statutit partner strategjik të AADF-së me një akt nënligjor, Gjykata vlerësoi se nuk ka juridiksion ratione materiae për shkak të natyrës individuale të këtij akti.

Për pretendimin për cenimin e parimit të kontrollit të financave publike Gjykata vlerësoi se është haptazi i pabazuar, pasi bazuar në aktet e administruara dhe qëndrimet e palëve në gjykim ajo arriti në përfundimin se nuk vihet në diskutim ushtrimi i kompetencës së KLSH-së për të kontrolluar financat publike, pavarësisht llojit të entitetit që i administron ato.

Për pretendimin për cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, Gjykata vlerësoi se argumentet e paraqitura kanë të bëjnë me përplasje mes akteve ligjore në fuqi, për rrjedhojë nuk bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues.

Gjykata mori në shqyrtim në themel vetëm pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore të lidhur me parimin e shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve ligjore.

Këto pretendime të kërkuesit janë mbështetur në Konventën e Parisit, sipas së cilës shteti duhet të ruajë rolin e tij parësor për mbrojtjen dhe konservimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore, kjo e parë edhe në këndvështrimin se Parku Kombëtar i Butrintit bën pjesë jo vetëm në trashëgiminë kuturore kombëtare, për rrjedhojë është pjesë e identitetit kombëtar, por edhe në fondin e pasurisë së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese.

Ndërkohë, Gjykata, për të arritur në përfundimin nëse kompetencat e Fondacionit sipas marrëveshjes bien ndesh me detyrimin konventor për ruajtjen e rolit parësor të shtetit në administrimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore kombëtare, e parë kjo në këndvështrimin e ruajtjes dhe konservimit, vlerësoi se marrëveshja, në tërësinë e saj, ka krijuar mekanizma garantues, pasi:

i) së pari, Fondacionit i përket vetëm administrimi i zakonshëm i pasurisë, ndërkohë që çdo veprimtari që kalon kufijtë e administrimit të zakonshëm dhe lidhet me ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri i përket shtetit;

ii) së dyti, çdo akt i Fondacionit është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore sipas fushës së kompetencës të përcaktuar me ligj. Më konkretisht, Fondacioni nuk përjashtohet nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor që ka sipas legjislacionit çdo entitet tjetër shtetëror apo publik, siç janë marrja e lejeve ose licencave përkatëse nga autoritetet kompetente për fillimin e punimeve ndërtimore apo ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, sipas marrëveshjes;

iii) së treti, marrëveshja përcakton, gjithashtu, detyrimin e Fondacionit për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit, i cili mund të ushtrojë kontroll në vend për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë.

Në përfundim, për sa më sipër, Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës.

SHPALLJE

Njoftojmë se në datën 29.05.2024, ora 10.00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën me kërkuese shoqëria “Ferlut” sh.a, me objekt :“ Shfuqizimi i vendimit nr. 00-2023-882 (117), datë 08.03.2023 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me traktatet ndërkombëtare në fuqi. Dërgimin e çështjes për rigjykim në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë”, dhe subjekte të interesuara Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Drejtimit Publik, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, Avokatura e Shtetit, shoqëria “Fiduciaria Marche” srl, shoqëria “GPL-Costruzioni Generali” srl, Luigi Fabri dhe Raiffeisen Bank sh.a.

Për subjektet e interesuara në këtë gjykim shoqëria “Fiduciaria Marche” srl, me adresë Viale della Vittoria, 35 CAP 60123, Ancona (AN) Itali , dhe Luigi Fabri me adresë: Frazione Spindoli N.115-Interno, 2 Comune Fiuminata (MC) Itali, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i këtyre subjekteve të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

Tiranë, më 23.04.2023

SHPALLJE

Njoftojmë se në datën 20.06.2024, ora 10.00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën me kërkues Anastas Risto, me objekt :“ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut të vendimit nr. 00-2023-2152, vendimi (281) të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. ” dhe subjekte të interesuara në këtë proces Mehmet Lamko dhe Igli Maçi.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Igli Maçi, me adresë: Rruga “Prokop Mima”, Pallati ngjitur me Kolegjin “Kristal” Tiranë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qenë se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

Tiranë, më 22.04.2024

SHPALLJE

Njoftojmë se në datën 29.05.2024, ora 10.00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën me kërkuese shoqëria “Ferlut” sh.a, me objekt :” Shfuqizimi i vendimit nr. 00-2023-882 (117), datë 08.03.2023 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me traktatet ndërkombëtare në fuqi. Dërgimin e çështjes për rigjykim në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë”, dhe subjekte të interesuara Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Drejtimit Publik, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, Avokatura e Shtetit, shoqëria “Fiduciaria Marche” srl, shoqëria “GPL-Costruzioni Generali” srl, Luigi Fabri dhe Raiffeisen Bank sh.a.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim shoqëria “GPL-Costruzioni Generali” srl, me adresë : Via Fioretti, 14 CAP 60123, Ancona (AN) Itali, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qene se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

Tiranë, më 19.04.2023

Njoftim vendimmarrje

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 12.03.2024 mori në shqyrtim në seancën plenare mbi bazë dokumentesh çështjen nr. 10 (Gj) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkuese Gjykatën e Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, me objekt: “ Shfuqizimin e nenit 59, pika 4, fjalia e dytë, të Kodit Penal dhe neneve 22, pika 1, shkronja “b” dhe 37 të ligjit nr. 79/2020, datë 25.06.2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, në datën 03.04.2024, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “a”, 134, pika 1, shkronja “dh” dhe 145 të Kushtetutës, si dhe nenet 68, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën, duke shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën fjalinë e dytë të pikës 4 të nenit 59 të Kodit Penal me përmbajtjen se “ Afati i provës fillon nga e nesërmja e shpalljes së vendimit të gjykatës që ka dhënë vendim për pezullimin e vendimit me burgim”, pasi ky parashikim ligjor nuk respekton parimin e prezumimit të pafajësisë të lidhur me parimin sigurisë juridike, si dhe të drejtën e ankimit efektiv.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

S H P A LL J E

Në datën 25.04.2024, ora 10.00 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të zhvillojë seancën plenare të radhës mbi bazë dokumentesh për kërkesën e kërkueses Shoqëria “Iliad 1” Sh.p.k., me objekt :“ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.00-2023-1540, datë 19.04.2023 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë” dhe subjekte të interesuara Cyme Manoku, Mirvjen Bedini, Martin Bedini, Meriban Bedini, Miranda Bedini, Budjon Goxhaj, Edmond Bedini, Edlira Bedini, Eduard Bedini, Nenole Bedini, Eliza Bode Bedini, Agron Goxhaj, Albert Bedini, Xhaferson Bedini, Valbona Bedini, Mimoza Bedini, Zana Goxhaj, Hader Bedini, Lavdie Bedini, Drita Bedini, Fatmira Goxhaj, Vladimir Goxhaj, Zhaneta Bici, Bashkisë Vlorë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Avokatura e Shtetit .

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Miranda Bedini, me adresë : Rruga “Kongresi i Manastirit”, nr.75 Tiranë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qenë se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

Tiranë, më 02.04.2024

S H P A LL J E

Në datën 25.04.2024, ora 10.00 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të zhvillojë seancën plenare të radhës mbi bazë dokumentesh për kërkesën e kërkueses Shoqëria “Iliad 1” Sh.p.k., me objekt :“ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.00-2023-1540, datë 19.04.2023 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë”, dhe subjekte të interesuara Cyme Manoku, Mirvjen Bedini, Martin Bedini, Meriban Bedini, Miranda Bedini, Budjon Goxhaj, Edmond Bedini, Edlira Bedini, Eduard Bedini, Nenole Bedini, Eliza Bode Bedini, Agron Goxhaj, Albert Bedini, Xhaferson Bedini, Valbona Bedini, Mimoza Bedini, Zana Goxhaj, Hader Bedini, Lavdie Bedini, Drita Bedini, Fatmira Goxhaj, Vladimir Goxhaj, Zhaneta Bici, Bashkisë Vlorë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Avokatura e Shtetit .

Për subjektet e interesuar në këtë gjykim, Edmond Bedini, me adresë: Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Nenole Bedini, me adresë: Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Eliza Bode Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Albert Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë , Xhaferson Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Valbona Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Mimoza Bedini, me adresë: Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Hader Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pall.894, Lavdie Bedini, me adresë : Lagjja “24 Maj”, tek posta “Çoles” Vlorë, Edlira Bedini me adresë : Lagjja “Pavarësia “, pranë parkut të lojërave Vlorë, Drita Bedini me adresë : Lagjja “28 Nëntori”, tek gjyqi i vjetër Vlorë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qenë se vendqëndrimi i këtyre subjekteve të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

Tiranë, më 02.04.2024

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Në datën 28.09.2023 në Gjykatën Kushtetuese është regjistruar kërkesa e kërkuesit Dhionisios Alfred Beleri, i cili ka kërkuar shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të vendimeve nr. 46, datë 22.05.2023 të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë; nr. 19, datë 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2023-1313 (224), datë 25.07.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të cilat kishin vendosur ndaj kërkuesit masën e sigurimit personal “Arresti në burg” në pritje të gjykimit të tij për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.

Kërkuesi, në thelb, ka pretenduar se gjatë procesit për vendosjen ndaj tij të masës së sigurisë personale, gjykatat kanë zhvilluar një proces të parregullt ligjor, me anë të të cilit i kanë cenuar të drejtën për t’u zgjedhur për shkak të kufizimit të lirisë personale, si pasojë e vendosjes së masës “Arresti në burg”. Për këtë arsye, ai ka pretenduar se është vënë në pamundësi që të paraqitet personalisht për kryerjen e betimit si Kryetar i Bashkisë së Himarës, i dalë fitues nga zgjedhjet vendore të vitit 2023, për rrjedhojë në pamundësi të ushtrimit të këtij mandati të fituar. Sipas kërkuesit, masa e sigurimit personal e vendosur nga gjykatat nuk është proporcionale në raport me nevojat e hetimit, interesin publik që kërkohet të mbrohet dhe gjendjen që e ka shkaktuar, pasi vepra penale për të cilën ai akuzohet dënohet me burgim deri në 5 vjet. Ai ka pretenduar edhe cenimin e parimin të barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit, pasi nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë në raport me shtetas të tjerë që ndodhen në të njëjtën gjendje, duke iu referuar rastit të një shtetasi tjetër, i akuzuar për kryerjen e të njëjtës vepër penale. Gjithashtu, kërkuesi ka pretenduar cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak se gjykatat kanë rënduar pozitën e tij si i pandehur duke shtuar argumentet e prokurorisë dhe përforcuar arsyetimin për masën e sigurimit “Arresti në burg” në gjykimin në apel.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 13.10.2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, në datën 23.10.2023, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.

Gjykata, e mbledhur sot, në datën 21.03.2024, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës për këto arsye:

· Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk legjitimohet.

· Në lidhje me pretendimin për kufizimin e lirisë personale në cenim të parimit të proporcionalitetit, Gjykata vlerësoi, me shumicë votash, se kufizimi i lirisë personale është vendosur nga gjykatat e zakonshme për një qëllim të ligjshëm që është garantimi i mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal në ngarkim të zotit Beleri. Gjykata vlerësoi, gjithashtu, se masa e sigurimit personal “Arresti në burg”, e vendosur nga gjykatat e zakonshme, nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.

· Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për t’u zgjedhur, Gjykata konstatoi se kjo e drejtë shtrihet jo vetëm mbi të drejtën për të kandiduar por edhe mbi të drejtën për të ushtruar funksionin publik të besuar nga zgjedhësit. Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se vendosja e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” në ngarkim të zotit Beleri pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë, ajo (masa e arrestit) përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur. Sidoqoftë, duke qënë se Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të zotit Beleri është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, ajo (Gjykata), me shumicë votash, nuk gjeti cenim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur.

· Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak të rëndimit të pozitës së zotit Beleri si i pandehur si rezultat i shtimit të argumenteve për justifikimin e masës së sigurimit “Arresti në burg” nga GJKKO-ja e Apelit, Gjykata vlerësoi se përforcimi i arsyetimit nga gjykata më e lartë, përsa kohë ajo (gjykata më e lartë) nuk rëndon masën e sigurimit në ngarkim të të pandehurit, nuk përbën rëndim të pozitës së tij. Prandaj Gjykata, njëzëri, nuk gjeti cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë në rastin e zotit Beleri.

SHPALLJE

Në datën 02.04.2024, ora 12:00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën e kërkueses Shoqëria “Iliad 1” Sh.p.k., kërkesa me kërkues Shoqëria “Iliad 1” Sh.P.K., me objekt :“ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.00-2023-1540, datë 19.04.2023 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë”.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim, Edlira Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojrave Vlorë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qenë se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

SHPALLJE

Në datën 02.04.2024, ora 12:00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën e kërkueses Shoqëria “Iliad 1” Sh.p.k., kërkesa me kërkues Shoqëria “Iliad 1” Sh.P.K., me objekt :“ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.00-2023-1540, datë 19.04.2023 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë”.

Për subjektin e interesuar në këtë gjykim Miranda Bedini, me adresë : Rruga “Kongresi i Manastirit”, nr.75 Tiranë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qenë se vendqëndrimi i këtij subjekti të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

Tiranë, më 04.03.2024

SHPALLJE

Në datën 02.04.2024, ora 12:00, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë do të marrë në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën e kërkueses Shoqëria “Iliad 1” Sh.p.k., kërkesa me kërkues Shoqëria “Iliad 1” Sh.P.K., me objekt :“ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.00-2023-1540, datë 19.04.2023 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë”.

Për subjektet e interesuar në këtë gjykim Budjon Goxhaj, me adresë: Lagjja “Pavarësia”, pall.400 Vlorë, Edmond Bedini, me adresë: Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Eduard Bedini, me adrese: Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Nenone Bedini, me adresë: Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Eliza Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Agron Goxhaj, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Albert Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë , Xhaferson Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Valbona Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Mimoza Bedini, me adresë: Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Zana Goxhaj, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pranë parkut të lojërave Vlorë, Hader Bedini, me adresë : Lagjja “Pavarësia”, pall.894, Lavdie Bedini, me adresë : Lagjja “24 Maj”, tek posta “Çoles” Vlorë, Fatmira Goxhaj, me adresë : Lagjja “Osman Haxhiu”, pallati 6 katësh, tek pastiçeri “Ladi” Vlorë, bazuar në nenin 38, pika 3, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nenet 133/a dhe 133/b të Kodit të Procedurës Civile, duke qenë se vendqëndrimi i këtyre subjekteve të interesuar nuk është i saktë, bëjmë këtë shpallje.

Tiranë, më 04.03.2024

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 13.12.2023 dhe 12.01.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 18 (K) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1 dhe 2 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikave 2, 3/1 dhe 3/2, shkronja “c”, të shtuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 223, datë 23.03.2016 nga pika 3 e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikës 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.3.2016 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, në pjesën që shton pikën 16/7 në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese . ”.

 

Gjykata Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesi, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës, në përfundim të shqyrtimit të çështjes sot, më 13.02.2024, me shumicë votash dhe njëzëri për një pretendim, vendosi rrëzimin e kërkesës. Po kështu, Gjykata vendosi heqjen e masës së pezullimit të zbatimit të neneve 1, pika 2 dhe 2, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 77/2022.

Më konkretisht, Gjykata vëren se:

1) Kërkuesi ka kërkuar shfuqizimin si antikushtetues të nenit 1, pika 2, të ligjit nr. 77/2022, i cili ka ndryshuar nenin 6, pika 7, të ligjit nr. 133/2015, duke përcaktuar se për vendimet e kompensimit, të përcaktuara me vlerë dhe ende të paekzekutuara, nga periudha e njohjes së të drejtës për kompensim deri në datën e publikimit, subjektet e shpronësuara do të përfitojnë indeksimin, sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe interesin bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë në momentin e hyrjes së tij në fuqi, duke pretenduar se ky parashikim cenon parimin e sigurisë juridike.

Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata vlerësoi se neni 6, pika 7, i ligjit nr. 133/2015 përmban dy koncepte, indeksimin sipas normës së inflacionit dhe llogaritjen e interesit bankar për vonesat në ekzekutimin e pagesës së kompensimit financiar.

Gjykata vlerëson se të dyja këto koncepte përmbushin detyrimin e shtetit për shpërblimin e drejtë. Gjykata e vlerësoi nenin e mësipërm bashkërisht me nenin 16, pika 6/1, të ligjit, i cili përcakton qartësisht se llogaritja e interesave bëhet deri në ditën e ekzekutimit të vendimit të kompensimit, pra deri në marrjen e shpërblimit.

2) Kërkuesi ka kërkuar, gjithashtu, shfuqizimin si antikushtetues të pikës 1 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, që ka ndryshuar pikën 2 të nenit 7 të ligjit nr. 133/2015 dhe të pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 77/2022, që ka shtuar edhe pikën 3 në nenin 7 të ligjit nr. 133/2015, duke pretenduar se bien ndesh me parimin e sigurisë juridike, të drejtën e pronës private dhe shpërblimin e drejtë të saj, si dhe parimin e barazisë përpara ligjit dhe të mosdiskriminimit.

Në lidhje me këto pretendime, Gjykata vëren, fillimisht, se ndryshimet e miratuara me ligjin nr. 77/2022 erdhën si rezultat i vendimmarrjes së kësaj Gjykate nr. 4, datë 15.02.2021 dhe vendimmarrjes së GJEDNJ-së në çështjen Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë të datës 17.03.2020, në vijim të të cilave ligjvënësi duhej të merrte masa për të rregulluar legjislacionin në fuqi për trajtimin e pronës me qëllim që të garantohej shpërblimi i drejtë i pronës në pragun minimal prej 10% të vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, në rastet kur zëri kadastral i saj kishte pësuar ndryshime.

Në rastin konkret, Gjykata vlerësoi se ndryshimet e bëra nga ligjvënësi përmes dispozitave të kundërshtuara kanë marrë parasysh këto vendimmarrje dhe garantojnë shpërblimin e drejtë të pronës, sipas nenit 41 të Kushtetutës.

3) Me të njëjtat argumente si më lart kërkuesi ka kërkuar edhe shfuqizimin si antikushtetues të nenit 2, pika 2, të ligjit nr. 77/2022, në pjesën që shton pikën 5 në nenin 7 të ligjit nr. 133/2015.

Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata vlerësoi se ky parashikim ligjor jep garanci akoma më të larta, pasi garanton një shpërblim më të lartë sesa pragu minimal prej 10%, duke e ruajtur 10%-shin si standard minimal të kompensimit të përcaktuar nga GJEDNJ-ja, në çështjen Beshiri, etj. kundër Shqipërisë.

4) Për sa i përket kërkimit në lidhje me shfuqizimin e pikës 2 të VKM-së nr. 313/2023, në pjesën që ka shtuar pikat 3/1, 3/2, shkronja “c”, kërkuesi ka pretenduar cenimin e parimit të sigurisë juridike, së drejtës për pronën private, së drejtës për shpërblim të drejtë, parimit të proporcionalitetit dhe parimit të barazisë përpara ligjit e mosdiskriminimit.

Gjykata konstatoi se pika 2 e VKM-së nr. 313/2023 ka pasqyruar me të njëjtën përmbajtje ndryshimet në formulën e përllogaritjes së kompensimit të parashikuar në ligj. Për sa kohë, kjo e fundit nuk u gjet në papajtueshmëri me Kushtetutën, Gjykata vlerësoi se edhe kjo dispozitë e VKM-së nuk bie ndesh me Kushtetutën.

5) Për sa u përket pretendimeve në lidhje me pikën 8 të VKM-së nr. 313/2023, që ka shtuar pikën 16/7 në VKM-në nr. 223/2016, kërkuesi ka pretenduar se bie ndesh me parimin e hierarkisë së akteve.

Për sa u përket këtyre pretendimeve, sipas nenit 116 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se parashikimi i nenit 8, pika 5, të ligjit nr. 133/2015 të ndryshuar me ligjin nr. 77/2022, përmes të cilit Këshilli i Ministrave është i autorizuar të përcaktojë rregullat dhe procedurat e shpërndarjes së kompensimit, radhën e përparësisë ndërmjet formave të kompensimit, si dhe rregullat për kompensimin nëpërmjet një ose disa formave bashkërisht, përmban delegimin e nevojshëm për rregullimin e parashikuar në pikën 8 të VKM-së nr. 313/2023 në lidhje me kompensimin përmes dy formave, atij financiar dhe fizik.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftim për shtyp

Në datën 19 dhjetor 2023, një grup prej 45 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për shfuqizimin e vendimit nr. 126/2023, datë 14.12.2023 të Kuvendit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar””, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si edhe pezullimin e zbatimit të tij deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e datës 25.01.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, sot, në datën 07.02.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.

Në lidhje me kërkesën për pezullim, me shumicën e votave, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi shqyrtimin e saj në seancë plenare.

Për shkak të natyrës së kësaj çështjeje dhe pretendimeve e kërkimeve të parashtruara, shqyrtimi i saj do të bëhet nga Gjykata me përparësi, duke reduktuar, për këtë arsye, edhe afatet e palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe të qëndrimeve të tyre.

Njoftim për shtyp

Ditën e sotme, më 05.02.2024, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, zonja Holta Zaçaj, organizoi një konferencë për shtyp me gazetarë dhe përfaqësues të medias, me qëllim prezantimin e raportit vjetor të veprimtarisë së Gjykatës për vitin 2023.

Në përfundim të fjalës së saj, Kryetarja iu përgjigj pyetjeve të disa gazetarëve të pranishëm, njëra prej të cilave kishte të bënte me çështjen me kërkues zotin Dhionisios Alfred Beleri. Në lidhje me këtë pyetje, Kryetarja informoi se çështja ka kaluar për shqyrtim në seancë plenare dhe se asnjëra nga palët e përfshira në këtë proces nuk ka paraqitur kërkesë për përshpejtimin e gjykimit.

Duke marrë shkas nga mënyra si është përcjellë ky informacion në disa media, sqarojmë edhe një herë se në këtë çështje asnjëra prej palëve në gjykimin kushtetues nuk ka paraqitur në Gjykatë kërkesë për përshpejtimin e këtij gjykimi.

Në lidhje me peticionin e disa banorëve të Bashkisë së Himarës, këta të fundit nuk kanë cilësinë e palës në këtë gjykim, në kuptim të nenit 39 të ligjit organik të Gjykatës, për rrjedhojë ky peticion nuk konsiderohet si kërkesë për përshpejtim për qëllime të gjykimit kushtetues.

KONFERENCË PËR SHTYP – RAPORTI VJETOR 2023

HOLTA ZAÇAJ – KRYETARE E GJYKATËS KUSHTETUESE

Viti 2023 ishte një vit tejet angazhues për Gjykatën Kushtetuese. Trupa gjyqësore, tashmë e plotësuar në reflektim të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, ka trajtuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese, konflikteve të kompetencave mes organeve të pushteteve, kushtetutshmërinë e akteve normative dhe sigurisht, respektimin e lirive dhe të drejtave të individit në kuadër të ankimit kushtetues individual.

Parimet që e kanë udhëhequr Gjykatën në ushtrimin e funksionit dhe të veprimtarisë së saj janë: Paanshmëria – Integriteti – Transparenca – Eficienca.

Duke u kujdesur dhe angazhuar për të respektuar afatet procedurale të shqyrtimit të kërkesave dhe çështjeve, ashtu edhe të dhënies së arsyetimit të vendimeve, Gjykata ka synuar në radhë të parë cilësinë e vendimmarrjes së saj.

Gjykimi n ë Gjykat ë n Kushtetuese rezulton me kohë zgjatje af ë rsisht 8 muaj.

Gjatë vitit 2023 ka pasur një total prej 452 kërkesash, nga të cilat 367 k ërkesa të regjistruara në 2023, ndërsa 85 kërkesa të mbartura nga viti 2022 .

Në vitin 2024 janë mbartur 93 çështje nga viti 2023 (6 çështje janë bashkuar me çështje me të njëjtin objekt), nga të cilat:

– 39 çështje kanë kaluar për shqyrtim në seancë plenare dhe ishin në pritje të caktimit të datës së shqyrtimit;

– 54 kërkesa janë regjistruar gjatë muajve nëntor – dhjetor 2023 dhe, brenda afatit ligjor 3-mujor, kanë qenë në fazën e shqyrtimit paraprak. Nga këto, në datën 1 janar 2024, 4 kërkesa ishin për shqyrtim paraprak në Mbledhjen e Gjyqtarëve dhe 50 kërkesat e tjera për shqyrtim paraprak në kolegj.

Theksoj se Gjykata Kushtetuese nuk ka aktualisht stok ç ë shtjesh t ë prapambetura.

 

Gjatë vitit 2023, janë arsyetuar 353 vendime, prej të cilave:

– 70 vendime përfundimtare.

– 38 vendime moskalimi të Mbledhjes së Gjyqtarëve.

– 245 vendime moskalimi të Kolegjeve të Gjykatës.

 

N ë vijim do të paraqes disa të dhëna statistikore, duke i grupuar vendimet sipas subjekteve, objektit, dispozitivit dhe mënyrës së votimit.

 

 

Referuar subjekteve që vënë në lëvizje Gjykatën, vendimet p ërfundimtare grupohen në këtë mënyrë :

· 6 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga një grup deputetësh.

· 2 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (kontroll incidental).

· 3 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga organizatat.

· 59 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga individët.

Referuar objektit t ë kërkesës ato grupohen:

· 2 vendime me objekt mosmarrëveshje kompetencash dhe vendime të Kuvendit të Shqipërisë;

· 6 vendime me objekt papajtueshmërinë e akteve normative me Kushtetutën.

· 2 vendime me objekt shfuqizim vendimesh të Këshillit të Ministrave;

· 47 vendime me objekt kundërshtimin e vendimeve të gjykatave të juridiksionit të zakonshëm, në kuadër të procesit të rregullt.

· 4 vendime me objekt shfuqizimin e vendimeve gjyqësore s ë bashku me papajtueshmërinë e akteve normative me Kushtetutën.

· 7 vendime me objekt konstatimin e cenimit të së drejtës p ër proces të rregullt si rezultat i mosgjykimit brenda një afati të arsyeshëm.

· 2 vendime me objekt saktësim/interpretim/rishikim/ t ë vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas dispozitivit, vendimet përfundimtare grupohen n ë këtë mënyrë :

· Për 39 vendime Gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës/pranimin e pjesshëm;

· Për 28 vendime Gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës;

· Për 3 vendime Gjykata ka vendosur pushim gjykimi/ saktësim vendimi;

Sipas mënyrës së votimit kemi këto të dhëna:

· 30 vendime janë marrë njëzëri;

· 40 vendime janë marrë me shumicën e votave.

Vendimet e moskalimit të grupuara sipas subjekteve që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese jan ë :

· 2 vendime për kërkesa të paraqitura nga një grup deputetësh.

· 2 vendime për kërkesa të paraqitura nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (kontroll incidental).

· 2 vendime për kërkesa të paraqitura nga partitë politike.

· 9 vendime për kërkesa të paraqitura nga organizatat.

· 268 vendime për kërkesa të paraqitura nga individët/ankime kushtetuese individuale.

 

 

 

Duke bërë një krahasim t ë kërkesave dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në periudhën 2021-2023 rezulton se:

· Në vitin 2021 – 147 kërkesa; 201 vendime në total nga të cilat 41 janë përfundimtare.

· Në vitin 2022 – 291 kërkesa; 238 vendime në total nga të cilat 43 vendime perfundimtare.

· Në vitin 2023 – 367 kërkesa; 353 vendime në total nga të cilat 70 përfundimtare.

Pra, gjat ë vitit 2023 ka gati një dyfishim të numrit të kërkesave dhe të vendimeve.

Pavarësisht ngarkesës së çështjeve dhe vështirësive që mbart procesi kushtetues, Gjykata ka bërë përpjekje të vazhdueshme edhe për përmbushjen e objektivave të saj strategjikë e institucionalë, me qëllim dhënien e një drejtësie kushtetuese funksionale. Edhe pse në kushtet e një buxheti të pamjaftueshëm për nevojat e saj, si një institucion i pavarur dhe i riformësuar, Gjykata, me një vizion të ri të trupës, ndërmori nisma konkrete për përmirësimin e veprimtarisë funksionale në disa drejtime:

1. Miratimi i Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës së Gjykatës Kushtetuese.

Mbledhja e Gjyqtarëve miratoi një rregullore tërësisht të re të organizimit dhe funksionimit të administratës së Gjykatës, e cila detajoi dhe plotësoi kuadrin rregullator institucional lidhur me funksionet dhe detyrat, të drejtat e përgjegjësitë e stafit administrativ, me synim rritjen e eficences se veprimtarisë se saj administrative.

2. Miratimi i Rregullores për Komunikimin e Gjykatës Kushtetuese me Median dhe ridemensionimi i marrëdhënieve me median dhe publikun.

Gjykata Kushtetuese e konsideron median një prej partnerëve kryesorë për shpërndarjen e informacionit në lidhje me veprimtarinë e saj, duke siguruar të drejtën e publikut për të qenë i informuar në kohë reale me informacion të plotë dhe të kuptueshëm. Në këtë kuadër u hartua dhe u miratua një rregullore e posaçme për komunikimin dhe marrëdhënien me median, e cila mundësoi akreditimin e gazetarëve dhe krijimin e një dialogu me ta nëpërmjet konferencave për shtyp, të cilat organizohen në ato raste kur, për shkak të rëndësisë së vendimmarrjes dhe interesit të lartë publik, është e nevojshme të sigurohet informimi i plotë dhe i saktë i publikut dhe palëve të interesuara. Qëllimi i këtyre konferencave, në të njëjtën ditë që merret vendimi, është dhënia e një informacioni të përmbledhur dhe me një gjuhë më të thjeshtë në lidhje me vendimmarrjen, në mënyrë që vendimi i Gjykatës të jetë lehtësisht i kuptueshëm dhe i perceptueshëm, duke pasur parasysh se vendimet kanë gjuhë teknike dhe arsyetimi i tyre i plotë bëhet brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit.

– Transmetimi live – që prej muajit qershor të vitit 2023 sigurohet transmetimi live, përmes platformës Youtube, i të gjitha seancave plenare publike, duke mundësuar ndjekjen e tyre jo vetëm nga palët e interesuara dhe profesionistët e së drejtës, por edhe nga publiku i gjerë.

– Llogaria në Facebook (Meta) – Gjykata ka hapur edhe faqen zyrtare në rrjetin Facebook (Meta) krahas llogarive zyrtare në rrjetet sociale “Twitter” (X) dhe “LinkedIn”, çka mundëson një instrument tjetër komunikimi me publikun e gjerë.

 

– Rikonceptimi i faqes së internetit – Ka filluar, gjithashtu, puna për rikonceptimin e faqes zyrtare të internetit, me qëllim që ajo të kthehet në një faqe bashkëkohore dhe lehtësisht e përdorshme. Kjo iniciativë është mbështetur nga Ambasada e Zvicrës.

3. Udhërrëfyesi i Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese.

Hartimi dhe pasja e një udhërrëfyesi (Guide) të jurisprudencës kushtetuese ishte një instrument i munguar për të cilin nevojitej një nismë urgjente.

o Udhërrëfyesi është një nga mjetetkryesore që e ndihmon Gjykatën të ruajë vazhdimësinë e jurisprudencës dhe të sigurojë uniformitetin e saj. Ai rrit cilësinë e vendimmarrjes, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ndihmon profesionistët e praktikantët e së drejtës, si dhe vetë publikun që përmes njohjes me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të përmirësojnë cilësinë e ankimit kushtetues, për një mbrojtje më efektive të të drejtave kushtetuese.

o Udhërrëfyesi i jurisprudencës kushtetuese pasqyron dhe përmbledh jurisprudencën kushtetuese të 25 vjetëve, pra që prej miratimit të Kushtetutës në vitin 1998 dhe vjen me një volum të konsiderueshëm. Ky material paraqet në mënyrë të strukturuar standardet dhe precedentët e zhvilluar nga Gjykata kryesisht për nenin 42 të Kushtetutës që sanksionon të drejtën për proces të rregullt, sipas elementeve përbërës të saj, duke i trajtuar njëkohësisht të ndara sipas fushave të së drejtës: penale, administrative dhe civile. Kjo iniciativë është mbështetur nga OSBE-ja.

UDHËRRËFYES (GUIDË )PËR JURISPRUDENCËN E GJYKATËS KUSHTETUESE (gjk.gov.al)

4. Organizimi i tryezave të përbashkëta me Gjykatën e Lartë.

Gjykata Kushtetuese ka organizuar gjatë vitit 2023 dy tryeza pune me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, duke synuar që ato të shërbejnë si forume për diskutimin e çështjeve me natyrë kushtetuese që janë evidentuar nga Gjykata në vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë. Këto tryeza kanë synuar forcimin e dialogut mes dy juridiksioneve, atij kushtetues dhe atij gjyqësor të zakonshëm, për një mbrojtje më të mirë të të drejtave të individit, veçanërisht në drejtim të së drejtës për proces të rregullt dhe aksesit në të drejtat substanciale. Kjo iniciativë është mbështetur nga OSBE-ja.

5. Sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve.

Numri në rritje i kërkesave drejtuar Gjykatës ka diktuar gjithmonë e më shumë nevojën e kompjuterizimit të procesit të punës për administrimin e tyre. Në këtë drejtim, referuar parimeve të efikasitetit, eficiencës dhe transparencës, Gjykata ka bërë përpjekje të vazhdueshme për realizimin e një sistemi bashkëkohor elektronik të menaxhimit të çështjeve. Përgjatë vitit 2023, Gjykata siguroi angazhimin e partnerëve të saj ndërkombëtarë për të mbështetur krijimin e një sistemi tërësisht të ri, të bazuar në teknologjinë e informacionit, i cili do ta sjellë Gjykatën në epokën digjitale dhe që pritet të materializohet gjatë viteve 2024-2025.

6. Raporti vjetor

E fundit, por jo nga rëndësia në kuptim të transparencës, Gjykata e vlerësoi si detyrim ndaj publikut të raportonte dhe publikonte raportin e saj vjetor, si një instrument që i shërben të drejtës së informimit.

Thënë sa më sipër, është evidente se veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese gjatë vitit 2023 ishte impenjuese por, përtej sfidave, krijoi edhe mundësi e oportunitete për drejtësinë kushtetuese në vend. Trupa e re, e përbërë me anëtarë të cilët vijnë nga përvoja, formime e fusha të ndryshme të së drejtës, ka sjellë një diversitet të dobishëm, i cili i shërben mendimit ligjor dhe ka sjellë realizime të rëndësishme duke u kthyer keshtu në një nga pikat e saj më të forta institucionale.

Për vitin 2024 ashtu edhe më tej, sfida e Gjykatës Kushtetuese do të jetë dhënia e drejtësisë kushtetuese dhe përmbushja e misionit të shenjtë të interpretimit përfundimtar të Kushtetutës, zgjidhjes së mosmarrëveshjeve kushtetuese, garantimit të parimeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si edhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit.

RAPORTI VJETOR 2023

Njoftim vendimmarrje

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 12.12.2023 dhe 10.01.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 6 (Sh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues: shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”, shoqata “Për mbrojtjen e pronave dhe mjedisit të pellgut të Drinit të Zi” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Shfuqizimi i vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 30.01.2024, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, vlerësoi se:

Gjykata ka juridiksion për të shqyrtuar pajtueshmërinë me Kushtetutën të ligjit nr. 38/2021 dhe nuk ka juridiksion për vendimin nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave, pasi ky vendim nuk përbën akt me karakter normativ.

Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore.

Në lidhje me themelin, Gjykata vlerësoi se ligji nr. 38/2021 ka të bëjë dhe sjell ndikim, ndër të tjera, edhe në çështjet e mjedisit. Gjatë procesit gjyqësor nuk u provua se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, para miratimit të ligjit, të kenë zbatuar të drejtën e informimit për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës. Po kështu, këto subjekte nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive që në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës (me statusin e publikut të ndikuar) të mund të merrte pjesë sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus-it.

Për sa më lart, Gjykata vlerësoi se, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, njëzëri,

 

Vendosi:

1) Konstatimin e shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, në procedurat e miratimit të ligjit nr. 38/2021.

2) Urdhërimin e autoriteteve publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021.

3) Detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftim për shtyp

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancat plenare mbi bazë të dokumenteve, në datat 18.01.2024, 24.01.2024 dhe 29.01.2024, kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.

 

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot më 29.01.2024, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, vlerësoi se:

Lidhur me respektimin e procedurës së negocimit dhe nënshkrimit të Protokollit për Migracionin, në drejtim të organit kushtetues që ka autorizuar lëshimin e plotfuqisë, Gjykata verifikoi natyrën dhe përmbajtjen e Protokollit për Migracionin, i cili është negociuar dhe nënshkruar si një marrëveshje ndërqeveritare, e ratifikueshme në Kuvend sipas nenit 121, pika 2, të Kushtetutës.

Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese duke mbajtur në konsideratë jurisprudencën e saj, verifikoi nëse Protokolli për Migracionin përbënte marrëveshje ndërkombëtare që lidhej me territorin dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, sipas shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese e analizoi konceptin “ marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me territorin” në dy aspekte:

(i) aspekti fizik; dhe

(ii) aspekti juridiksional i lidhur me sovranitetin.

 

Së pari, ajo vlerësoi se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.

 

Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Ajo konstatoi se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë. Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin, e cila buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj. Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese arriti edhe në përfundimin tjetër se Protokolli për Migracionin nuk përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare të parashikuara në shkronjën “b” të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës sepse në thelb, ai nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.

Për sa më lart, në kushtet kur të drejtat dhe liritë themelore të të huajve gëzojnë mbrojtje të dyfishtë juridiksionale dhe Protokolli për Migracionin nuk sjell kufizim të tyre, Gjykata Kushtetuese çmoi të mos e pranojë kërkesën e kërkuesit për marrjen e një opinioni këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke patur parasysh që, nga njëra anë, çështja kushtetuese në shqyrtim përbën risi në jurisprudencën shqiptare, në veçanti për konceptin e marrëveshjes ndërkombëtare në drejtim të aspektit juridiksional të lidhur me sovranitetin dhe, nga ana tjetër, Protokolli për Migracionin në asnjë dispozitë të tij nuk shprehet se Qeveria Shqiptare zhvishet nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin shqiptar, Gjykata analizoi nëse Qeveria Shqiptare kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit në fjalë. Në këtë drejtim, Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, i vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52 dhe 52/a, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

 

VENDOSI:

Deklarimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Në bazë të nenit 52/a, pika 2 të ligjit organik vendimi përfundimtar i njoftohet Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar hyn në fuqi me publikimin e tij në Fletoren Zyrtare dhe me hyrjen në fuqi, masa e pezullimit, bie automatikisht.

Njoftim vendimmarrje

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 21.12.2023 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit dhe një grup studentësh të Fakultetit të Mjekësisë, me objekt: “ Shfuqizimi i nenit 4, pikat 1, shkronja “c”, 2, shkronja “b”, 3, shkronja “b” dhe nenit 5, fjalia e parë, të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.

Në kuadër të testit të proporcionalitetit, Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Gjykata e analizoi çështjen edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe të barazisë para ligjit.

Masa e pezullimit e vendosur nga Gjykata në datën 14.11.2023 hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Duke pasur në konsideratë që, nga njëra anë, ligji në tërësinë e tij duhet të fillojë të prodhojë efekte para përfundimit të këtij vitit akademik, por, nga ana tjetër, dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët, Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Shfuqizimin e fjalëve “5 (pesë) vjet” në nenin 4, pika 1, shkronja “b”, “5-vjeçar” në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, “3 (tre) vjet” në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “3-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, “2 (dy) vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “2-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 60/2023.

3. Konstatimin e ometimit ligjor në nenin 6 të ligjit nr. 60/2023 lidhur me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim.

4. Detyrimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

5. Heqjen e masës së pezullimin të ligjit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftimi për shtyp

1. Sot në datën 24.01.2024, Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën plenare të radhës për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” ”.

2. Gjatë shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se në datën 23.01.2024, ora 15:55, kërkuesi ka paraqitur parashtrime shtesë me shkrim, në përmbajtje të të cilave kërkohej edhe marrje e disa provave. Parashtrimet shtese iu komunikuan për dijeni subjekteve të interesuara në datën 24.01.2024, ora 9:30.

3. Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenet 43 pika 1 shkronja “ë” dhe 44/a të ligjit organik të saj, që parashikon të drejtën e palëve të kundërshtojnë kërkesat, përfundimet dhe shpjegimet e palëve të tjera, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të radhës në datën 29.01.2024, ora 10.00.

NJOFTIM

1. Sot në datën 18.01.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” ”.

2. Gjykata mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit, prapësimet me shkrim të subjekteve të interesuara Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe Avokati i Popullit si edhe provat e paraqitura nga këto subjekte, ndërsa konstatoi mungesën e prapësimeve me shkrim të Presidentit të Republikës.

3. Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se subjekti i interesuar Këshilli i Ministrave ka prapësuar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Italiane dhe Republikës së Shqipërisë i vitit 1995. Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenin 44/a të ligjit organik të saj vlerësoi se shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e kësaj prove dhe për këtë shkak, seanca plenare e radhës do të zhvillohet në datën 24.01.2024, ora 11.30.

4. Sa i takon kërkesës së grupit të deputetëve për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese prezanton simbolet e saj të reja

Në mbështetje të nenit 14 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 4 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, si dhe ligjit nr.8926, datë.22.7.2002 “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, Mbledhja e Gjyqtarëve ka vendosur miratimin e stemës dhe togës së re të gjyqtarëve kushtetues.

Stema që do të përdoret zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese përmban simbolin e shqiponjës dykrenare me ngjyrë të artë dhe të kuqe. Mbi kokat e shqiponjës është vendosur përkrenarja e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në zemër të shqiponjës vendoset një medalje rrumbullake rreth e qark së cilës është shkruar Republika e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese dhe nën të modelohen gjethe të dushkut me ngjyrë jeshile, të cilat simbolizojnë fuqi, drejtësi dhe ndershmëri, në qendër të së cilës ngrihet mbi një sfond blu peshorja e drejtësisë. Në pjesën mbështetëse të peshores i gdhendur viti 1992.

Gjithashtu, e konceptuar nën të njëjtën frymë është edhe toga e re e trupës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila përmban elementet e Flamurit Kombëtar dhe njëkohësisht reflekton funksionin e lartë kushtetues, institucional, intelektual dhe shoqëror të gjyqtarëve kushtetues.

Scroll to Top