njoftimet e fundit per median dhe publikun
për vitin 2025
Njoftim Vendimarrje 23.04.2025
NJOFTIM VENDIMMARRJEJE
Gjykata Kushtetuese, në datat 27.03.2025 dhe 23.04.2025, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë (gjykata referuese), për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 6, pika 5, të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar. Kjo dispozitë parashikon: “Gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit krijojnë Komisionin e Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për të bërë verifikimin e kushteve të sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit, të përbërë nga: a) dy prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, të zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit; b) një gjyqtar të gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit; c) një punonjës i seksionit të hetimit financiar pranë Prokurorisë së Posaçme, i caktuar nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme; ç) një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i caktuar nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.”
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vlerësoi se gjykata referuese nuk plotëson kriteret kumulative të nenit 145, pika 2, të Kushtetutës dhe të jurisprudencës kushtetuese për vënien në lëvizje të kontrollit incidental, pasi nuk ka dhënë arsye bindëse për antikushtetutshmërinë e dispozitës së kundërshtuar, duke vënë në dukje se:
Së pari, Komisioni i Posaçëm për Verifikimin e Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve (Komisioni i Verifikimit) është një organ ndihmës i Këshillit të Lartë Gjyqësor në procedurat për caktimin ose emërimin e kandidatit për gjyqtar në gjykatat e posaçme që gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Së dyti, emërimi dhe ngritja në detyrë e gjyqtarëve në gjykatat e posaçme që gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bazë të neneve 135, pika 4 dhe 147/a, pika 1 shkronja “a”, të Kushtetutës është funksion kushtetues vetëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Së treti, raporti që përgatit Komisioni i Verifikimit synon të ndihmojë Këshillin e Lartë Gjyqësor në ushtrimin e funksionit kushtetues, si i tillë nuk është një akt emërtese. Në këtë kuptim, raporti i Komisionit të Verifikimit i nënshtrohet shqyrtimit dhe vlerësimit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas procedurave ligjore për këtë qëllim. Për këtë arsye, akti që nxjerr Komisioni i Verifikimit nuk përcakton ngritjen në detyrë, pasi vendimi përfundimtar për pranimin ose jo të ngritjes në detyrë jepet nga organi i emërtesës, pra nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi:
- Rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Njoftim Vendimarrje 22.04.2025
NJOFTIM VENDIMARRJE
Sot në datën 22.04.2025, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Elton Qyno me objekt shfuqizimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me kontrollin personal, të banesës dhe vendit të punës si dhe sekuestrimin e sendeve dhe të dhënave kompjuterike.
Gjykata pasi analizoi kriteret paraprake të kërkesës arriti në përfundimin se kërkuesi legjitimohet dhe ka shteruar mjetet juridike në dispozicion vetëm për kundërshtimin e vendimit që ka lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike i cili është kundërshtuar nga kërkuesi deri në Gjykatën e Lartë. Sa i takon lirisë personale, Gjykata konstatoi se ky pretendim nuk ka lidhje me vendimet për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike. Në lidhje me pretendimet e tjera, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk ka shteruar mjetet juridike në dispozicion.
Për sa i takon themelit të çështjes, Gjykata u ndal në analizën e pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ-së. Lidhur me këtë pretendim, Gjykata arriti në përfundimin se liria e shprehjes përfshin, ndër të tjera, edhe lirinë e shtypit. E drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias. Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë. E drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias, në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut.
Gjykata arriti në përfundimin se vendimet gjyqësore të cilat kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së kërkuesit. Për sa i përket kritereve të kufizimit, Gjykata duke zbatuar testin e nenit 17 të Kushtetutës, vlerësoi se ndërhyrja është bërë me ligj dhe për një interes publik. Megjithatë në kuadër edhe të standardeve të vendosura nga GJEDNJ-ja, Gjykata vlerësoi se ndërhyrja në lirinë e shprehjes nuk është proporcionale. Në këtë kuptim, Gjykata vlerësoi gjithashtu se gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim. Po në këtë drejtim, gjykatat nuk kanë arsyetuar në lidhje me urgjencën në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit.
Për këto arsye, Gjykata vendosi, njëzëri, shfuqizimin e vendimeve për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike (vendimin e GJKKO-së së Shkallës së Parë nr. 501, datë 13.12.2023 dhe vendimet e gjykatave më të larta që e kanë lënë në fuqi atë).
Po kështu, Gjykata vendosi edhe pranimin e kërkesës për asgjësimin e të gjitha të dhënave kompjuterike të sekuestruara me vendimet e mësipërme të shfuqizuara.
Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për jetë private Gjykata vlerësoi të mos ndalej, për sa kohë ajo gjeti shkelje në lirinë e shprehjes së kërkuesit, duke shfuqizuar vendimet e mësipërme.
Njoftim 27.03.2025
Gjykata Kushtetuese, sot në datën 27.03.2025, zhvilloi seancën plenare mbi bazë të dokumenteve (pa praninë e palëve) çështjen me kërkuese Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë dhe objekt: “Interpretim të kushtetutshmërisë së nenit 6, pika 5, të ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar””.
Gjykata, bazuar në nenin 39 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi thirrjen si subjekt të interesuar në këtë gjykim edhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor, shkak për të cilin shtyu zhvillimin e seancës së radhës për në datën 23.04.2025, ora 10:00.
Njoftim per Median (Porti Durrësit) 21.02.2025
NJOFTIM PËR MEDIAN
PORTI I DURRËSIT
Në datën 21 shkurt 2025 Gjykata Kushtetuese përfundoi shqyrtimin e çështjes me kërkues jo më pak se 1/5-ta e deputetëve të Kuvendit me objekt:
- Shfuqizimi i ligjit nr. 79/2022 “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe NSHMI Development L.L.C. në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
- Shfuqizimi i VKM-së nr. 861, datë 29.12.2021 “Për transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, të pronave të paluajtshme shtetërore për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, të ndryshuar me tre VKM të tjera ”.
Fillimisht, Gjykata ritheksoi qëndrimin e saj se ajo ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve miratuese, siç është edhe ligji nr. 79/2022, për sa kohë juridiksioni i Gjykatës përcaktohet nga natyra kushtetuese e pretendimeve.
Për sa u takon pretendimeve të kërkuesve për antikushtetutshmërinë e katër VKM-ve, përkundrejt standardeve përkatëse të jurisprudencës kushtetuese, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se ato (VKM-të) janë akte individuale dhe si të tilla nuk i nënshtrohen juridiksionit kushtetues në bazë të nenit 131, pika 1 (c) të Kushtetutës.
Gjykata vlerësoi se kërkuesi legjitimohet si subjekt (ratione personae dhe ratione temporis) për të gjitha pretendimet e ngritura në kërkesë lidhur me ligjin nr. 79/2022.
Më tej, në vlerësim të brendisë dhe natyrës kushtetuese të pretendimeve konkrete (ratione materiae), Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se pretendimet e kërkuesit për cenimin e:
- identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore si rezultat i zhvillimit të projektit strategjik në territorin e portit të Durrësit;
- nenit 11/2 të Kushtetutës, për shkak të dështimit të shtetit për të mbrojtur këtë pronë publike, duke ia vënë atë në dispozicion një shoqërie private (pjesërisht);
- së drejtës për transparencë për shkak të: (i) moszhvillimit të seancave dëgjimore me grupet e interesit; (ii) mosinformimit të deputetëve për disa pjesë të kontratës; (iii) procedurës së përshpejtuar në miratimin e ligjit; (iv) paqartësive lidhur me pronarin përfitues fundor;
- nenit 82/1 të Kushtetutës, për shkak se projektligji nuk është shoqëruar me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij;
- Kushtetutës, MSA-së dhe Marrëveshjes për Heqjen e Vizave midis Shqipërisë dhe BE-së, për shkak të krijimit të një skeme të tipit golden passports;
- parimeve të autonomisë vendore, për shkak të faktit se Bashkia Durrës dhe banorët e atij qyteti do të privohen nga të ardhurat që do të vijnë në formën e taksës së ndikimit mbi infrastrukturën dhe përfitimi i kuotës ligjore për banesat sociale,
nuk do të merren në shqyrtim për sa kohë që kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit për cenim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, në drejtim të konkurrencës të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak se subjekti zhvillues i projektit strategjik është përzgjedhur pa garë, arriti në përfundimin se nuk duhet të merret në shqyrtim, pasi përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të miratuar me ligjin nr. 145/2020 dhe jo nga ligji objekt shqyrtimi. Për më tepër, Gjykata konstatoi se konkurrimi mes zhvilluesve sipas ligjit për investimet strategjike realizohet në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik.
Më tej, Gjykata vijoi me shqyrtimin në themel të pretendimeve të mëposhtme, për cenimin e:
- parimeve kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore, për shkak të parashikimit të nenit 10.6 të Marrëveshjes Kuadër të miratuar me ligjin nr. 79/2022 (objekt kërkese), i cili parashikon se menaxhimi i hapësirave publike të krijuara nga zbatimi i projektit strategjik do të bëhet nga investitori strategjik;
- lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të konkurrencës së lirë të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak të përjashtimit të investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë, detyrimi për të kontribuar në strehimin social (neni 2/1 dhe 10.12 i Marrëveshjes Kuadër) dhe të faktit se prona publike i është vënë në dispozicion një shoqërie private pa konkurrencë (neni 11/2 i Kushtetutës).
Në lidhje me pretendimin e parë, në një interpretim pajtues midis dispozitave të kontestuara dhe nenit 13 dhe 113 të Kushtetutës, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik në nenin 10.6 të Marrëveshjes Kuadër duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor.
Në lidhje me pretendimin e dytë, Gjykata, me shumice votash, arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/ detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.
Në përfundim për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577/2000 dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Njoftim pas vendimarrjes (Akademia e Shkencave) 28.01.2025
NJOFTIM VENDIMMARRJEJE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 28.01.2025 shqyrtoi në seancë plenare publike çështjen me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit, me objekt shfuqizimin e ligjit nr. 69/2023, datë 21.07.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 53/2019, datë 18.07.2019 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë””, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, e mbledhur në datën 10.02.2025, fillimisht shqyrtoi kriteret e legjitimimit të kërkuesit dhe arriti në përfundimin se kërkuesi përmbush kriteret e legjitimimit për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues.
Për sa i takon themelit të çështjes, gjykata shqyrtoi në radhë të parë pretendimet me natyrë procedurale që lidhen me cenimin e procedurës parlamentare të miratimit të ligjit nr. 69/2023, sipas nenit 78, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 32, pika 2, të Rregullores së Kuvendit.
Në përfundim të vlerësimit të këtij pretendimi, për cenimin e nenit 78, pika 2, të Kushtetutës, gjykata vlerësoi se ky nen shtrihet edhe për thirrjen e mbledhjeve të komisioneve parlamentare të përhershme. Në vijim, mendimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime, 4 gjyqtarë vlerësuan se ligji duhej të shfuqizohej për shkak se mbledhja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik nuk ishte thirrur sipas parashikimeve të nenin 78, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 32, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, duke mos vijuar më tej me shqyrtimin e pretendimeve të tjera të kërkuesit, ndërsa 4 gjyqtarët e tjerë e vlerësuan si të pabazuar këtë pretendim dhe u shprehën se mund të vijonin shqyrtimin e pretendimeve të tjera në themel.
Për shkak të qëndrimeve të mësipërme, Gjykata konstatoi se ishte e pamundur të formohej numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrjen e pretendimeve të tjera të kërkuesit, që lidheshin me cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, si dhe të parimit të sigurisë juridike.
Për arsyet e mësipërme,
Në përfundim, Gjykata, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Njoftim Vendimarrje 17.01.2025
NJOFTIM VENDIMMARRJEJE
Në datën 17.01.2025, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Sali Berisha, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 520, datë 30.12.2023 dhe nr. 521, datë 27.12.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-667 (94), datë 09.04.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, pasi shqyrtoi fillimisht kriteret e legjitimimit të kërkuesit, arriti në përfundimin se: ai legjitimohet si për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, ashtu edhe për kundërshtimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për caktimin ndaj tij të masës së arrestit në shtëpi.
Gjykata vlerësoi se pretendimet në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave të posaçme për shkak të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të merret në shqyrtim pasi përbën gjë të gjykuar.
Po kështu pretendimet në lidhje me parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë së dispozitave procedurale penale që lidhen me kohën e ekzekutimit të masave të sigurimit, nuk mund të merren në shqyrtim pasi kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike.
Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë argumentet, parashtrimet dhe prapësimet e palëve, Gjykata vlerësoi se:
- Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata me shumice votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar
- Në lidhje me pretendimet për cenim të lirisë personale (neni 27 i Kushtetutës), të lidhur me te drejtën për t’u zgjedhur ( neni 45 i Kushtetutës), Gjykata i vlerësoi ato në dy aspekte: në aspektin procedural dhe aspektin substancial.
- Në aspektin procedural, Gjykata vlerësoi procesin gjyqësor në të cilin ishte vendosur zëvendësimi i masave të sigurimit me atë të arrestit në shtëpi në drejtimet e mëposhtme:
- parimi i paanshmërisë së gjykatës i lidhur me të drejtën e mbrojtjes efektive;
- së drejtës së aksesit të lidhur me standardin e arsyetimit të vendimit.
Gjykata me shumicë votash vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara.
- Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.
Gjykata bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.
Në përfundim Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.