

Pjesëmarrja e Gjykatës Kushtetuese në prezantimin e draftit të parë të Kodit të Ri Penal, Tiranë
Më 25 korrik 2025, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, mori pjesë në tryezën e organizuar në Tiranë për prezantimin e draftit të parë të Kodit të Ri Penal, i hartuar nga një grup ekspertësh nën drejtimin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi.
Në këtë veprimtari morën pjesë drejtues të lartë të institucioneve shtetërore, përfaqësues të organeve të drejtësisë, ambasadorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si dhe ekspertë të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, znj. Zaçaj theksoi se: “Kodi i Ri Penal nuk është vetëm një tekst ligjor. Ai është një provë: për institucionet tona, për pjekurinë tonë politike dhe për aftësinë tonë për të vendosur parimet mbi pasionet.”
Kryetarja Zaçaj vuri në dukje gjithashtu rolin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se kjo Gjykatë nuk qeveris dhe as harton ligje. Detyra e saj është të mbrojë Kushtetutën dhe të sigurojë që çdo ligj të matet me standardin më të lartë të drejtësisë. Ajo theksoi se Gjykata nuk është tërhequr asnjëherë nga kjo përgjegjësi dhe nuk do të tërhiqet as në të ardhmen.
“Dua të nënvizoj se Kushtetuta është kufiri dhe themeli i së drejtës penale; të drejtat, liritë dhe garancitë kushtetuese janë telajo mbi të cilën ndërtohen normat penale,” përfundoi fjalën e saj Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj.