


Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese në 25 - vjetorin e krijimit të institucionit të Avokatit të Popullit
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj mori pjesë në Konferencën më temë “ Strukturat Kombëtare dhe Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut: Praktikat e mira dhe Përvojat e fituara”, të organizuar me rastin e 25-vjetorit të themelimit të institucionit të Avokatit të Popullit. Në këtë aktivitet të rëndësishme, ku ishin të pranishëm përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet kushtetuese dhe qeveritare shqiptare, ambasadorë, aktorë ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare, znj. Zaçaj mbajti një fjalë përshëndetëse duke vlerësuar rolin jetik të këtij institucioni në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit.
Duke e cilësuar pjesëmarrjen në këtë konferencë si një privilegj, Kryetarja Zaçaj u shpreh se Gjykata Kushtetuese dhe Avokati i Popullit, megjithëse me funksione dhe kompetenca të ndara, ndajnë një mision të përbashkët: mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individit nga veprimet e padrejta të organeve shtetërore, me qëllim ndalimin e arbitraritetit dhe abuzimit në ushtrimin e pushtetit shtetëror.
“Ndërsa ne gjykojmë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe shqyrtojmë ankimet për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, Avokati i Popullit na kujton diçka thelbësore: të mos harrojmë kurrë njeriun pas parimit,” – u shpreh Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese në fjalën e saj përshëndetëse në këtë aktivitet.
Duke iu drejtuar të gjithë funksionarëve publikë, znj. Zaçaj dha një mesazh të qartë dhe domethënës:
“Shëndeti i demokracisë sonë nuk matet me madhështinë e institucioneve apo me arkitekturën e komplikuar të ligjeve—por me mënyrën sesi trajtojmë më të dobëtit ndër ne. Dhe nëse Avokati i Popullit ndonjëherë ose shumë herë është i papëlqyer për pushtetin, kjo do të thotë se po e kryen misionin e tij siç duhet.
Për këtë arsye, institucionet tona duhet të punojnë në bashkëpunim – jo në garë. Një demokraci e maturuar nuk ndërtohet mbi institucione që mbrojnë vetveten – por mbi institucione që mbrojnë ligjin, të drejtën dhe Kushtetutën, në mënyrë që së bashku të mbrojnë qytetarin.
Fjala përshëndetëse e Kryetares znj. Holta Zaçaj, 25 vjetori i krijimit Avokati i Popullit
Greeting Address by Ms. Holta Zaçaj, 25th Anniversary of the People’s Advocate