Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2025
Me ftesë të Tribunalit Federal të Zvicrës, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Holta Zaçaj mori pjesë në veprimtaritë festive të organizuara me rastin e 150-vjetorit të krijimit të Tribunalit Federal të Zvicrës, të cilat u zhvilluan në Lozanë, në datat 15-16 maj 2025.
Mbi 200 personalitete që përfaqësonin Konfederatën dhe kantonet e Zvicrës, gjykatat e Bashkimit Evropian dhe gjykata të shumë vendeve të ftuara u mirëpritën në një Ceremoni zyrtare në pallatin e drejtësisë Mon Repos në Lozanë.
Në këtë Ceremoni, pas fjalës së Kryetarit të Tribunalit Federal të Zvicrës François Chaix, personalitete të larta të vendit si Kryetari i Këshillit të Shtetit Andrea Caroni, Kryetarja e Këshillit Kombëtar Maja Riniker, Këshilltari Federal Beat Jans, përshëndetën këtë përvjetor që shënjonte 150 vjet të shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike në Zvicër, si dhe vlerësuan rolin vendimtar që ka luajtur Tribunali Federal në garantimin e një drejtësie të pavarur në një periudhë kur parimet themelore si ndarja e pushteteve po lëkunden, duke marre vendime objektive dhe të drejta, të cilat garantojnë të drejtat themelore dhe stabilitetin e sistemit politik.
Po ashtu, me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm për Tribunalin Federal, u organizua edhe një Simpozium shkencor dy ditor, gjatë punimeve të të cilit folësit – gjyqtarë dhe akademikë të së drejtës – trajtuan problematika të ndryshme si: Tribunali Federal: forcë lëvizëse që çon përpara shoqërinë apo pasqyrim i kësaj shoqërie; rregullat e procedurës që pengojnë aksesin te gjyqtari kushtetues; perpektiva e GJEDNJ-së në shterimin e mjeteve juridike vendase; njohja e të drejtave themelore të pashkruara; roli i gjyqtarit – zëdhënës i ligjit apo krijues i së drejtës pretoriane; aspektet konjitive në procesin e vendimmarrjes gjyqësore.
I themeluar në vitin 1848, Tribunali Federal zviceran është organi i ngarkuar për të siguruar respektimin dhe zbatimin e ligjeve federale dhe për të garantuar liritë individuale dhe të drejtat themelore.
Me ftesë të World Law Foundation & World Jurist Association, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, dhe i përbërë nga znj. Sonila Bejtja dhe z. Gent Ibrahimi, gjyqtarë, po merr pjesë në Kongresin e 29-të Botëror të Ligjit, i cili po i zhvillon punimet në Santo Domingo, Republika Dominikane, në datat 4 – 6 maj 2025. Kryetarja Zaçaj do të marrë pjesë në vijim, në datat 6 – 8 maj 2025, në edicionin e parë të takimit strategjik të nivelit të lartë për forcimin e shtetit të së drejtës, i cili do të sjellë së bashku drejtuesit më të rëndësishëm të lidhur me Shoqatën Botërore të Juristëve për diskutuar mbi situatën aktuale të demokracisë në botë dhe institucionet e saj.
Kongresi i 29-të Botëror i Ligjit është hapur me një ceremoni solemne, me pjesëmarrjen e personaliteteve me të larta vendase dhe ndërkombëtare, gjatë së cilës është përcjellë angazhimi dhe kontributi për forcimin e mëtejshëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Gjatë ditës së dytë, Kongresi u organizua me disa tryeza diskutimesh ku pati referime nga panelistë të ndryshëm nga e gjithë bota. Përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese moderuan dhe referuan në disa prej paneleve. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj drejtoi panelin me titull: “Drejtësia Kushtetuese në Vështrim Krahasues I”; gjyqtarja Sonila Bejtja drejtoi panelin me titull: “Konfliktet Kushtetuese të Juridiksionit midis Qeverive Qëndrore dhe Federale”; gjyqtari Gent Ibrahimi referoi në panelin me titull: “Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
Punimet e Kongresit janë mbyllur me dhënien e çmimeve të mirënjohjes për disa personalitete të rëndësishme dhe nderuan nga prezenca e Shkëlqesisë së Tij, Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Shkëlqesisë së Tij, Luis Abinader, President i Republikës Dominikane. Gjatë kësaj ceremonie, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse lidhur me ftesën për ta zhvilluar Kongresin e ardhshëm të 30-të Botëror të Ligjit në Shqipëri, gjatë së cilës ajo u shpreh se: “Dhënia e besimit për organizimin e Kongresit të Shoqatës Botërore të Juristëve për vitin 2027 është një nder historik për vendin tim — një komb i vogël me një zemër të madhe, historia e të cilit ka qenë ajo e qëndrueshmërisë, transformimit dhe besimit të palëkundur në fuqinë e dialogut dhe solidaritetit. Le të riafirmojmë së bashku misionin tonë të përbashkët: për të mbrojtur dinjitetin e ligjit, për të garantuar të drejtat e njeriut dhe për të siguruar që drejtësia të mos mbetet thjesht një parim, por një premtim i gjallë për çdo qytetar, në çdo cep të botës”.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, dhe i përbërë nga gjyqtarët Sonila Bejtja dhe Genti Ibrahimi, po merr pjesë në aktivitetet ndërkombëtare të organizuara me rastin e 63 vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë.
Këto aktivitete përfshinë një sesion të dedikuar dhe ceremoninë e hapjes së veprimtarive festive, e cila u nderua edhe nga prania e Presidentit te Republikes së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan, si dhe simpoziumin ndërkombëtar me temë “E ardhmja e drejtësisë kushtetuese në shekullin e 21-të”. Kryetarja Zaçaj, gjatë fjalës së mbajtur në sesionin e dedikuar për këtë rast, pasi evidentoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy gjykatave kushtetuese dhe popujve tanë u shpreh se:
“Asnjë gjykatë kushtetuese nuk mund ta ushtrojë veprimtarinë e saj të izoluar, veçanërisht në botën tonë të ndërlidhur. Mundësitë që kemi përpara –që nga shfrytëzimi i risive teknologjike deri te kapërcimi i ndasive politike, nga adresimi i sfidave mjedisore deri te forcimi i mbrojtjes së qytetarëve – kërkojnë një qasje bashkëpunuese. Është pikërisht përmes forumeve si ky që ne forcojmë mençurinë tonë kolektive dhe riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët ndaj drejtësisë”.
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Letonisë, znj. Brunilda Bara, këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë: “Roli i gjykatave kushtetuese në forcimin e vlerave evropiane të përbashkëta përballë sfidave bashkëkohore,” të organizuar në Riga, Letoni, në kuadër të projektit “Mbështetje për zhvillimin e drejtësisë kushtetuese në Ukrainë”, dhe të realizuar si pjesë e Fazës së III-të të Programit të Përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Partneriteti për Mirëqeverisje”.
Përgjatë punimeve të kësaj konference pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e forcimit të vlerave të demokracisë përballë sfidave bashkëkohore, mënyrat se si shtetet reagojnë në emergjenca, veçanërisht lidhur me respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve; sfidave ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe pluralizmit; sfidave për dinjitetin njerëzor, liritë dhe të drejtat e njeriut; sigurimin e lirisë për qytetarët dhe mbrojtjen nga arbitrariteti; rolin e mediave në këtë proces, etj. Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e zbatimit të njohurive të fituara nga kjo veprimtari ndërkombëtare lidhur me veprimet konkrete të institucioneve për mbrojtjen e vlerave evropiane.

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Marjana Semini, mori pjesë në Forumin e Tretë të Barazisë Gjinore për Ballkanin Perëndimor, i cili u zhvillua në datën 7 mars 2025, në Shkup, Maqedoninë e Veriut. Ky forum, i organizuar nga Qendra Aire me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, dhe në bashkëpunim me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, mblodhi së bashku personalitete të larta të vendit, nga rajoni dhe Evropa, si Presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Gordana Siljanovska Davkova, Ministrin e Drejtësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Igor Filkov zëvendëskryetaren e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, znj. Ivana Jelić, Ambasadorin britanik në Maqedoninë e Veriut, z. Matthew Lawson, si dhe përfaqësues të institucioneve gjyqësore dhe ekspertë të tjerë nga rajoni.
Diskutimet në sesionet e këtij Forumi u përqendruan në rolin e gjyqësorit për avancimin e barazisë gjinore, veçanërisht në trajtimin e dhunës me bazë gjinore, sfidimin e stereotipeve në arsyetimin gjyqësor dhe luftën ndaj diskriminimit, nisur nga një prirje shqetësuese dhe e vazhdueshme e numrit të lartë të çështjeve të dhunës me bazë gjinore dhe femicideve. Gjithashtu, u vu theksi te nevoja për zbatimin efektiv të standardeve dhe jurisprudencës më të fundit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe forcimin e qasjes institucionale për mbrojtjen e të drejtave të grave.

Në kuadër të kryesimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC) për periudhën 2024-2027, u zhvillua në Tiranë, në datën 28 shkurt 2025, Takimi Përgatitor i Rrethit të Kryetarëve, i cili është një prej organeve drejtuese dhe vendimmarrëse të kësaj Konference.
Në këtë aktivitet morën pjesë delegacione të nivelit të lartë të gjykatave kushtetuese evropiane, anëtare të CECC-së, shumica e të cilave kryesoheshin nga kryetarët e këtyre gjykatave.
Takimi Përgatitor i Rrethit të Kryetarëve u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, njëkohësisht edhe Kryetare e CECC-së, e cila shprehu edhe një herë mirënjohjen për mbështetjen dhe besimin e dhënë për Gjykatën Kushtetuese shqiptare, duke theksuar rëndësinë që kanë këto organizime të drejtësisë kushtetuese në funksion të zhvillimit të dialogut mes gjyqtarëve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e drejtësisë kushtetuese.
Agjenda e takimit vijoi sipas rendit të ditës, pika e parë e të cilit ishte diskutimi i kërkesës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për anëtarësinë me të drejta të plota në CECC. Kjo kërkesë u votua dhe u pranua nga shumica e gjykatave kushtetuese anëtare të CECC-së, duke shënuar një moment historik për këtë gjykatë pas një përpjekjeje 14-vjeçare për të qenë pjesë integrale e rrjetit evropian të gjykatave kushtetuese.
Më pas, takimi vazhdoi me çështjet organizative të Kongresit të ardhshëm XX të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, i cili do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027, duke përcaktuar temën dhe datën e zhvillimit të këtij Kongresi, si dhe çështje të tjera të propozuara nga gjykatat kushtetuese anëtare.
Ky takim përgatitor përbën një hap të rëndësishëm drejt suksesit të Kongresit XX, duke forcuar rolin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare dhe duke kontribuar në zhvillimin e drejtësisë kushtetuese në rajon dhe në Evropë.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane që nga viti 2002 dhe ka marrë pjesë rregullisht në kongreset dhe aktivitetet e saj.Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane
E themeluar në vitin 1972, Konferenca bashkon rreth 40 gjykata dhe institucione kushtetuese ekuivalente, me synimin për të promovuar shkëmbimin e informacionit mbi metodat dhe praktikat e kontrollit kushtetues, si dhe për të ndarë përvoja dhe opinione mbi sfidat institucionale dhe juridike në fushën e së drejtës kushtetuese.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, ka marrë pjesë në ceremonitë e parashikuara me rastin e akordimit të çmimit Premio Espanol Universal 2024 për z. Javier Cremades, avokat, Kryetar i Shoqatës Botërore të Juristëve (WJA), dhe Kryetar i firmës ligjore Cremades & Calvo – Sotelo, në njohje të kontributit të tij të shquar për promovimin ndërkombëtar të Spanjës dhe komunitetit ligjor spanjoll.
Javier Cremades është spanjolli i parë që drejton Shoqatën Botërore të Juristëve. Në këtë rol, ai ka luajtur një rol kyç në promovimin e shtetit të së drejtës në shkallë globale. Po ashtu, ai ka udhëhequr në mënyrë aktive organizimin e ngjarjeve të dedikuara këtij qëllimi, siç është Kongresi Botëror i Ligjit, duke e konsoliduar kështu Spanjën si një pikë referimi ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.
Në kuadër të ceremonive për akordimin e këtij çmimi është zhvilluar një audiencë me Mbretin e Spanjës, Madhërinë e Tij, Felipe VI, në të cilën ka marrë pjesë edhe Sh.T.Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë. Gjatë audiencës është nënshkruar në një ceremoni të posaçme marrëveshja “Kongresi Botëror i Ligjit 2027”, i cili do të zhvillohet në Tiranë, për të mbledhur së bashku ekspertë nga e gjithë bota, si një mundësi e shkëlqyer për shkëmbimin e njohurive, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e vlerave demokratike të shtetit të së drejtës.
Po ashtu, ceremonia e dhënies së çmimit është përshëndetur edhe nga z. Stephan Harbarth, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane, si dhe nga figura të tjera të shquara nga fusha juridike, biznesi dhe kultura.
Në fjalën e saj për këtë rast, Kryetarja Zaçaj, duke shprehur mirënjohjen dhe përgjegjësinë e shtetit shqiptar për të mirëpritur dy Kongrese shumë të rëndësishme për drejtësinë europiane dhe botërore në vitin 2027 – Kongresin e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane dhe Kongresin Botëror të Ligjit 2027 – tha se të dyja këto kongrese do të shënojnë jo vetëm një gur kyç në rrugëtimin e vendit tonë, por do të shërbejnë edhe si një platformë e dialogut ndërkombëtar për ligjin dhe drejtësinë.
Me ftesë të z. Marko Bošnjak, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, znj. Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, mori pjesë në veprimtaritë e organizuara me rastin e hapjes së vitit gjyqësor të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat u zhvilluan në Strasburg, Francë, më 31 janar 2025.
Në kuadër të këtyre veprimtarive u zhvillua seminari me temë “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në botën e inteligjencës artificiale, algoritmeve dhe të dhënave masive”, i cili u pasua me Seancën Solemne të Hapjes së Vitit Gjyqësor 2025 të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e drejtësisë evropiane, e cila mbledh së bashku kryetarë dhe përfaqësues të lartë të gjykatave kushtetuese dhe supreme nga vende të ndryshme anëtare të Këshillit të Evropës.
Gjatë kësaj vizite, znj. Zaçaj zhvilloi takime me homologë nga vende të ndryshme, si dhe me përfaqësues të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ku u shkëmbyen mendime mbi forcimin e bashkëpunimit institucional. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mbetet e angazhuar në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve, duke kontribuar aktivisht në dialogun juridik evropian.
Me ftesë të Kryetares së Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë, znj. Margherita Cassano, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, mori pjesë në veprimtaritë e zhvilluara me rastin e hapjes së vitit gjyqësor të Gjykatës së Lartë të Kasacionit, të cilat u zhvilluan në Romë, Itali, në datat 23 – 24 janar 2025.
Ceremonia solemne e hapjes së vitit gjyqësor 2025 të Gjykatës së Lartë të Kasacionit u nderua nga prania e Presidentit të Republikës të Italisë, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Ministri i Drejtësisë, krerë të sistemit të magjistraturës dhe avokatisë. Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Kryetarja Cassano u shpreh se magjistratura në përgjithësi duhet të jetë e ndërgjegjshme për përgjegjësitë e saj në konsideratë të frymës së bashkëpunimit me të gjithë aktorët e drejtësisë, duke e vënë theksin po kështu tek sensi i respektimit të kufijve dhe të masës, të qenies i kujdesshëm ndaj arsyeve të tjera, përtej bindjeve individuale, çka në thelb të gjitha së bashku do të përbënin një dëshmi të gjallë të paradigmës se si një sistem gjyqësor duhet të funksionojë.
Në kuadër të kësaj vizite, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, së bashku me Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, z. Sokol Sadushi, dhe zëvendëskryetarin e kësaj gjykate, z. Ilir Panda, kanë zhvilluar takime në Gjykatën Kushtetuese me Kryetarin, z. Giovanni Amoroso, dhe dy zëvendëskryetarët, z. Franco Modugno dhe z. Giulio Prospereti, në Gjykatën e Lartë të Kasacionit me Kryetaren, znj. Margherita Cassano, si dhe në Presidencë me z. Stefano Erbani, këshilltar i Presidentit për çështjet e administrimit të drejtësisë.
Gjatë këtyre takimeve është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërinstitucional, duke thelluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë shpreh mirënjohjen për mikpritjen dhe gatishmërinë për të ndarë përvojat dhe praktikat më të mira, duke marrë në konsideratë afrimitetin dhe ngjashmërinë mes dy sistemeve tona kushtetuese dhe juridike, si dhe aspektet kulturore të ndërlidhura.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2024
.
Me ftesë të Komisionit Europian për Demokraci nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias), një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga znj. Marjana Semini, gjyqtare, dhe znj. Ela Elezi, këshilltare ligjore dhe nëpunëse ndërlidhëse e Forumit të Komisionit të Venecias, mori pjesë në takimin e 21-të të Këshillit Mikst për Drejtësinë Kushtetuese, i cili u parapri nga një konferencë ndërkombëtare e nivelit të lartë me temë “Respektimi i vendimeve të Gjykatave Kushtetuese”.
Veprimtaritë u organizuan me bashkëpunimin e Komisionit të Venecias, Gjykatës Kushtetuese të Armenisë dhe Departamentit për Implementimin e të Drejtave të Njeriut, Drejtësisë dhe Standardeve të Bashkëpunimit Ligjor të Departamentit të Përgjithshëm të të Drejtave të Njeriut dhe Shtetit të së Drejtës të Këshillit të Europës dhe u zhvilluan në Erevan, Armeni, në datat 14 – 15 nëntor 2024.
Me ftesë të z. Luke Malaba, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Zimbabves, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, në cilësinë edhe të Kryetares së Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC), po merr pjesë në Kongresin e 7-të të Konferencës së Juridiksioneve Kushtetuese të Afrikës (CJCA) me temë “Dinjiteti njerëzor si një parim dhe vlerë themelore: burim i interpretimit kushtetues, mbrojtjes dhe zbatimit të të drejtave themelore të njeriut”. Ky aktivitet po zhvillohet në Victoria-Falls, Zimbabve, në datat 30 tetor – 2 nëntor 2024.
Kongresi mblodhi së bashku Gjykata dhe Këshilla Kushtetuese Afrikane dhe Gjykata të Larta anëtare dhe vëzhguese të CJCA, Gjykatën Kushtetuese të Austrisë dhe Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë si të ftuara speciale, përfaqësues nga UNDP, Konferenca Botërore për Drejtësinë Kushtetuese, Komisioni Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit i Këshillit të Evropës (Komisioni i Venecias), si dhe grupe rajonale që operojnë në fushën e drejtësisë kushtetuese si: Unioni i Gjykatave Kushtetuese Arabe, Shoqata Aziatike e Gjykatave Kushtetuese, Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane dhe Forumi i Kryegjyqtarëve të Afrikës Jugore.
Në sesionin e hapjes së punimeve të Kongresit përshëndeti edhe Kryetarja e Gjykatës Holta Zaçaj, e cila në fjalën e saj nënvizoi se: “Kushtetutat, në shumë pjesë të botës, ruajnë dinjitetin njerëzor si një parim thelbësor. Kjo do të thotë se të drejtat për barazi, liri dhe mbrojtje nga diskriminimi bazohen në respektimin e dinjitetit njerëzor. Drejtësia kushtetuese siguron që këto të drejta të mos jenë vetëm fjalë në letër, por mbrojtje reale që mund të pretendohet dhe mbrohet në gjykatë. Nëpërmjet drejtësisë kushtetuese dinjiteti njerëzor bëhet më shumë se një ide; bëhet e drejtë e garantuar. Dinjiteti njerëzor është në fakt arsyetimi dhe justifikimi i ekzistencës dhe thelbit të të gjitha të drejtave të njeriut. Duke i dhënë përparësi dinjitetit njerëzor, ne mund të nxisim një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë, në të cilën të drejtat jo vetëm që mbrohen, por edhe promovohen në mënyrë aktive”.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Kryetarja e kësaj gjykate, znj. Holta Zaçaj, dhe gjyqtarja, znj. Marsida Xhaferllari, ka marrë pjesë në Konferencën e dytë vjetore të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit me temë “Evolucionet në Drejtësinë Kushtetuese Bashkëkohore: Shembulli i Rajonit të Ballkanit”, të organizuar në Prishtinë, Kosovë, në datën 24 tetor 2024.
Në këtë Forum, krahas përfaqësuesve të gjykatave anëtare dhe personaliteteve më të larta të shtetit të Kosovës, merrnin pjesë kryetarë/gjyqtarë të gjykatave kushtetuese homologe, përfaqësues të Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe akademikë e përfaqësues të institucioneve të drejtësisë evropiane.
Pas hapjes së punimeve të Konferencës me fjalën hyrëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, aktiviteti u përshëndet nga Sh.S. Znj. Vjosa Osmani – Sadriu Presidente e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, përshëndeti edhe znj. Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Kryetare e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, e cila e vuri theksin në rëndësinë e kësaj Konference jo vetëm si një model dhe praktikë e bashkëpunimit produktiv ndërmjet sistemeve, institucioneve, për të përballuar sfidat e përbashkëta politike, ligjore, ekonomike e kulturore, por dhe për impaktin që ajo ka tek qytetarët e Ballkanit Perëndimor duke synuar garantimin e barazisë dhe përafrimin drejt standardeve.
Në vijim ajo theksoi se:
“Ndërsa konstitucionalizmi është shprehje e shtetit të së drejtës dhe drejtësia kushtetuese mjeti realizues i tij, sfidë thelbësore e gjykatave tona kushtetuese është që përmës drejtësisë kushtetuese të garantojmë drejtësi efektive për qytetarët tanë, në mënyrë që konstitucionalizmi të mos jetë dekorativ, çka do të ishte më e rrezikshme se sa vetë mungesa e një sistemi kushtetues. Ndaj ne duhet të jetësojmë Kushtetutën, ta bëjmë të prekshme dhe të luftojmë që rregullat supreme që ajo mbart të materializohen dhe të mos mbeten dekorative, pra thjesht një fasadë”.
Gjatë sesionit të dytë të punimeve të Konferencës referoi edhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Marsida Xhaferllari, e cila mbajti prezantimin me temë “Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë si “Partner i Pajtueshmërisë” i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në datat 17 – 21 shtator 2024, u zhvillua në Bankok, Mbretëria e Tailandës, Kongresi i 6të i Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Aziatike dhe Institucioneve Ekuivalente (AACC), me temë “Roli i Gjykatave Kushtetuese dhe Institucioneve Ekuivalente në Forcimin e Drejtësisë Kushtetuese për një Shoqëri të Qëndrueshme”. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, në cilësinë edhe të Kryetares së Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse online gjatë ceremonisë zyrtare të hapjes së punimeve të këtij Kongresi.
Qëllimi kryesor i krijimit të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Aziatike dhe Institucioneve Ekuivalente është mbështetja e objektivave të përbashkët të këtyre institucioneve – mbrojtja e të drejtave të njeriut, garantimi i demokracisë, zbatimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e gjykatave kushtetuese dhe institucioneve ekuivalente, si dhe bashkëpunimi i ndërsjellë midis tyre – objektiva që janë emërues i përbashkët edhe i Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja Zaçaj u shpreh se “...diskutimet për temën e këtij kongresi janë një detyrë e vështirë dhe komplekse që kërkon vigjilencë dhe angazhim të pandërprerë, pasi është një proces në vazhdimësi, i cili kërkon po ashtu mençuri kolektive dhe reflektim serioz. Besoj fuqimisht se nga fryma e diskutimeve të hapura dhe ndarja e përvojave të përbashkëta gjatë punimeve të këtij Kongresi do të dalin mësime të vlefshme për çështje dhe shqetësime të drejtësisë kushtetuese, në funksion të forcimit të shtetit ligjor dhe demokracisë, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat do ta bëjnë këtë Kongres një event shumë të suksesshëm.”
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Holta Zaçaj dhe gjyqtari Gent Ibrahimi morën pjesë në Konferencën e 10-të të Kryetarëve të Gjykatave Kushtetuese anëtare të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Frankofone ( Association des Cours Constitutionnelles Francophones - ACCF), e cila u mbajt në Paris, Francë, në datat 13-15 qershor 2024.
Konferenca dy ditore i zhvilloi punimet në selinë e Këshillit Kushtetues francez dhe nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të këtij Këshilli z. Laurent Fabius.
Tema kryesore e konferencës “ Mbrojtja kushtetuese e lirisë së shprehjes” u trajtua në tri sesione në të cilat pjesëmarrësit, kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese anëtare të ACCF-së, diskutuan dhe ndanë përvojat e vendeve respektive rreth kuadrit normativ dhe përmbajtjes së lirisë së shprehjes, kontrollit juridiksional të ndërhyrjeve në lirinë e shprehjes, si dhe mekanizmave juridiksionale për ta rregulluar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes në shekullin XXI.
E krijuar në vitin 1997 me iniciativën e Këshillit Kushtetues francez, Shoqata e Gjykatave Kushtetuese Frankofone (ACCF) ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit midis gjykatave kushtetuese dhe institucioneve ekuivalente të hapësirës frankofone dhe numëron sot rreth 50 gjykata anëtare nga Afrika, Evropa, Amerika dhe Azia.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota e ACCF-së që prej vitit 2002.
Në datat 6 dhe 7 qershor 2024, znj. Elsa Toska, gjyqtare dhe përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë në Rrjetin e Gjykatave Supreme (SCN) – platformë komunikimi mes gjykatave kombëtare dhe GJEDNJ -së, mori pjesë në forumin e 7-të të këtij Rrjeti me temë " Gjykatat kombëtare dhe sfidat e zgjidhjes së konflikteve gjyqësore mbi ndryshimet klimatike".
Në këtë takim u diskutua mbi vendimet e GJEDNJ-së në shumë çështje mjedisore, të lidhura me rreziqet mjedisore, dëmet, aktivizmin ekologjik, si dhe masat që duhen ndërmarrë nga shtetet përkatëse. Po ashtu, edhe gjykatat kombëtare prezantuan jurisprudencën e tyre në këtë kontekst. Jurisprudenca e gjykatave Gjermane, Holandeze, Angleze, dhe Iralndeze zuri vendin kryesor në prezantimet respektive.
Gjatë diskutimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave mes pjesëmarrësve,fjalimet u fokusuan në tema të tilla si: çfarë sfidash hasin gjykatat në zgjidhjen e konflikteve gjyqësore mbi ndryshimet klimatike? Si ndërthurren instrumentet ndërkombëtare dhe legjislacioni kombëtarme mbrojtjen e mjedisit? Cilat standarde zbatohen në varësi të rastit dhe natyrës së çështjes? Si duhet të qasen gjykatat ndaj legjitimimit të subjekteve iniciues të proceseve gjyqësore mbi ndryshimet klimatike? Cili grupim i përfaqëson interesat e brezave të ardhshëm në çështjet mjedisore? Po për individët, si viktima reale dhe potenciale, deri ku duhet shtrirë legjitimimi? A ka kufizime në aktivizmin gjyqësor në kontekstin e këtyre çështjeve? Sa përbën çështje politike dhe deri ku konsiderohet çështje gjyqësore një mase mjedisore? Si vlerësohet rrisku mjedisor dhe çfarë roli kanë ekspertët mjedisorë? Nisur nga natyra globale e ndryshimeve klimatike dhe së drejtës për mjedis të shëndetshëm u nënvizua rendësia e harmonizimit të standardeve gjyqësore në forcimin e të drejtave te njeriut.
Si konkluzion, u ritheksuase e drejta për mjedis të shëndetshëm është e drejtëe lidhur dhe e ndërvarur me të drejtat e tjera të njeriut. Ushtrimi i rolit thelbësor të gjykatave kombëtare në vendosjen e standarteve përmes interpretimit të konventave dhe legjislacionit kombëtar për ndryshimet klimatike dhe mbrojtjes së një mjedisi të shëndetshëm, si dhe referimi tek jurisprudenca e GJEDNJ-së,mund dhe duhet të garantojnë mbrojtje efektive gjyqësore në nivel rajonal dhe global.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, z. Sandër Beci, gjyqtar, si dhe znj. Vilma Premti, drejtore e kabinetit, po merr pjesë në Kongresin e XIX-të të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane me temë "Format dhe kufizimet e vetëpërmbajtjes gjyqësore: përvoja e gjykatave kushtetuese", i cili po zhvillohet në Kishinau, Moldavi, në datat 22 – 24 maj 2024, nën kryesinë e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Moldavisë.
Në këtë kongres marrin pjesë kryetarë dhe përfaqësues të gjykatave kushtetuese dhe institucioneve ekuivalente evropiane që ushtrojnë kontroll kushtetues, anëtarë të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane, përfaqësues të tjerë të rëndësishëm si znj. Siofra O’Leary, Kryetare e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, znj. Claire Bazy Malaurie, Kryetare e Komisionit të Venecias, si dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit në Republikën e Moldavisë.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane që prej vitit 2002 dhe merr pjesë rregullisht në Kongreset dhe veprimtaritë e organizuara në kuadër të kësaj anëtarësie. Për Kongresin e këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka plotësuar pyetësorin përkatës me temën e Kongresit "Format dhe kufizimet e vetëpërmbajtjes gjyqësore: përvoja e gjykatave kushtetuese", i cili është bërë pjesë e raportit të përgjithshëm që do të prezantohet nga vetë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Moldavisë, znj. Domnica Manole.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, z. Sandër Beci, gjyqtar, si dhe znj. Vilma Premti, drejtore e kabinetit, mori pjesë në Kongresin e XIX të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane me temë "Format dhe kufizimet e vetëpërmbajtjes gjyqësore: përvoja e gjykatave kushtetuese", i cili u zhvillua në Kishinau, Moldavi, në datat 22 – 23 maj 2024, nën kryesinë e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Moldavisë.
Në Kongres merrnin pjesë kryetarë dhe përfaqësues të gjykatave kushtetuese dhe institucioneve ekuivalente evropiane që ushtrojnë kontroll kushtetues, anëtarë të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, përfaqësues të tjerë të rëndësishëm, si znj. Siofra O’Leary, Kryetare e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, znj. Claire Bazy Malaurie, Kryetare e Komisionit të Venecies, si dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit në Republikën e Moldavisë.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane që prej vitit 2002 dhe ka marrë pjesë rregullisht në kongreset dhe veprimtaritë e organizuara në kuadër të kësaj anëtarësie. Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane është themeluar në vitin 1972 dhe bashkon në gjirin e vet rreth 40 gjykata dhe institucione kushtetuese ekuivalente. Qëllimi i krijimit të saj ka qenë promovimi dhe shkëmbimi i informacionit mes anëtarëve të saj rreth çështjeve që lidhen me metodat dhe praktikat e kontrollit kushtetues, si dhe ndarja e përvojave dhe opinioneve për problemet institucionale, strukturore dhe praktike në fushën e së drejtës kushtetuese dhe atë publike.
Në kuadër të punimeve të Kongresit të XIX të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane është mbledhur një prej organeve të Konferencës – Rrethi i Kryetarëve – i cili ka marrë në shqyrtim edhe kërkesën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për t’u bërë anëtare me të drejta të plota të kësaj Konference. Duke qenë se nuk u arrit të merrej numri i nevojshëm i votave për miratimin e kësaj kërkese, Rrethi i Kryetarëve ka vendosur ngritjen e një komiteti, pjesë e të cilit është edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, i cili do të përgatisë materialet e nevojshme për rishqyrtimin e kësaj kërkese në kuadër të takimit të ardhshëm të Rrethit të Kryetarëve. Po ashtu, Rrethi i Kryetarëve ka miratuar me shumicë të cilësuar votash kandidaturën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për të qenë gjykata kryesuese e kësaj konference për tri vitet e ardhshme dhe gjykata organizatore e Kongresit të XX të saj në Shqipëri.
Në datën 28 mars 2024, në kuadër të një vizite të përbashkët zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të cilën marrin pjesë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Ilir Panda, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, znj. Elsa Toska, znj. Sonila Bejtja, z. Sandër Beci, z. Ilir Toska dhe z. Genti Ibrahimi, si dhe znj. Vilma Premti, drejtore e Kabinetit të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, janë zhvilluar takime zyrtare me përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë në Washington D.C., në të cilat ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në SHBA, z. Ervin Bushati.
Më konkretisht, delegacioni shqiptar pati takime me Zëvendësndihmësin e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Bruce Swartz dhe Zëvendësndihmësen Kryesore të Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, znj.Yuri Kim.
Në fokus të takimeve ishte ecuria e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe rëndësia që mbart realizimi me sukses i saj për krijimin e një sistemi gjyqësor eficient dhe të pavarur, me qëllim rritjen e besimit të publikut në dhënien e drejtësisë, si dhe ecjen përpara në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimeve, Kryetarja Zaçaj, pasi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u ndal edhe te sfidat me të cilat është përballur Gjykata Kushtetuese që pas rikompozimit të plotë të saj dhe rezultatet pozitive që janë shënuar jo vetëm në drejtim të përmirësimit të cilësisë së vendimmarrjes, rritjes së efikasitetit dhe transparencës, por edhe në promovimin dhe njohjen e kësaj Gjykate në arenën ndërkombëtare.
Zyrtarët e lartë të Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Shtetit shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e ofruar nga shteti amerikan për implementimin me suksese të reformës në drejtësi dhe rritjen e besueshmërisë te gjyqësori shqiptar.
Në vijim të agjendës së vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj.Holta Zaçaj, do të zhvillojë sot në orën 18:00, një intervistë për Zërin e Amerikës (VOA) në lidhje me këto takime.
Me ftesë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Dobrila Kacarska, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, dhe anëtari i kësaj Gjykate, z. Genti Ibrahimi, morën pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar në kuadër të 60-vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, në datën 15 mars 2024, në Shkup.
Në Ceremoninë solemne të hapjes së konferencës ishin të pranishëm dhe përshëndetën personalitetet më të larta të shtetit të Maqedonisë së Veriut, Presidenti i Republikës, z. Stevo Pendarovski, Kryetari i Parlamentit, z. Jovan Mitreski, Kryeministri i qeverisë, z. Talat Xhaferi, Ministri i Drejtësisë z. Krenar Loga, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vend.
Tema e kësaj Konference ndërkombëtare “Mbrojtja kushtetuese - gjyqësore e lirisë së mendimit dhe lirisë së shprehjes publike të mendimit” u trajtua në dy sesione nga pjesëmarrësit – kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese homologe të rajonit, të GJEDNJ-së, si dhe përfaqësues nga Komisioni i Venecias,
Në sesionin e parë referoi edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj.
Në fjalën e saj, Kryetarja Zaçaj theksoi se “ Liria e shprehjes dhe mendimit konsiderohet si një nga gurët më themelorë të një shteti demokratik. Ajo luan një rol vendimtar për të garantuar transparencën e llogaridhënien si elementë të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracinë në çdo vend. Pa lirinë e shprehjes nuk mund të ketë pluralizëm, tolerancë dhe vullnet të lirë politik, dhe pa to nuk mund të ketë shoqëri demokratike. Megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se liria e shprehjes nuk është e pakufizuar dhe duhet të balancohet me të drejta dhe interesa të tjera, si mbrojtja e dinjitetit njerëzor, siguria publike dhe parandaliimi i nxitjes së urrejtjes ose dhunës, e drejta e privatësisë. Ushtrimi me përgjegjësi i kësaj të drejte përfshin respektimin e të drejtave të të tjerëve dhe shmangien e abuzimit ose përdorimit të papërgjegjshëm të fjalëve të dikujt.”
Me ftesë të z. Javier Cremades, Kryetar i Shoqatës Botërore të Juristëve (WJA), Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, ka marrë pjesë në ceremonitë e zhvilluara për nder të gjyqtarit Anthony Kennedy, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në kuadër të këtyre veprimtarive, delegacioni i Shoqatës Botërore të Juristëve, i kryesuar nga Kryetari i kësaj shoqate, z. Javier Cremades, është pritur në një audiencë edhe nga Mbreti Felipe VI-të i Spanjës në Pallatin Zarzuela. Ndër pjesëmarrësit e tjerë në këtë audience kanë qenë të pranishëm edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës Domenikane, Henry Malina, dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane, Stephan Harbarth.
Në njohje të rolit themelor të Monarkisë Parlamentare Spanjolle, Madhëria e tij Mbreti ka marrë "Çmimin Botëror të Paqes dhe Lirisë", për angazhimin e palëkundur në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, në seancën përmbyllëse të Kongresit Botëror të Drejtësisë të zhvilluar nën moton “Demokracia, Kushtetuta dhe Liria”.
Gjatë vizitës së saj në Madrid, Spanjë, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, është pritur sot në një takim zyrtar edhe nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës, z. Cándido Conde-Pumpido Tourón.
Gjatë këtij takimi, palët evidentuan marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit që kanë ekzistuar ndër vite mes Gjykatës Kushtetuese të Spanjës dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe vendosën avancimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve nëpërmjet nënshkrimit të një Marrëveshjeje Bashkëpunimi dypalëshe.
Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje është ngritja dhe zhvillimi i një kuadri bashkëpunimi institucional midis Gjykatës Kushtetuese të Spanjës dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, nëpërmjet organizimit të aktiviteteve me interes të përbashkët që lidhen me juridiksionet respektive, sikurse janë ndarja e informacionit për çështjet ligjore, jurisprudencat dhe materialet kërkimore, vizitat studimore të anëtarëve të të dyja institucioneve për shkëmbimin e përvojave, bashkëpunimi reciprok për publikimet, zhvillimi i seminareve, konferencave dhe veprimtarive të tjera të ngjashme që nxisin bashkëpunimin institucional.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, D.Álvaro Renedo Zalba, si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Spanjë, znj. Entela Gjika.
Me ftesë të z. Javier Cremades, Kryetar i Shoqatës Botërore të Juristëve (WJA), Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, po merr pjesë në ceremoninë e zhvilluar për nder të gjyqtarit Anthony Kennedy, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një karrierë të shkëlqyer si jurist, dedikuar promovimit dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Shoqata Botërore e Juristëve (WJA) është krijuar në vitin 1963 si një forum ndërkombëtar ku kryetarë shtetesh, gjyqtarë, qeveritarë, akademikë, avokatë, aktivistë dhe figura të tjera të rëndësishme bashkëpunojnë për promovimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Në këtë aktivitet referoi edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, gjatë sesionit me titull “Pavarësia e Gjyqësorit dhe Indeksi i Shtetit të së Drejtës”. Kryetarja Zaçaj në fjalën e saj theksoi se ‘Vetëm një gjykatë e pavarur, së cilës i garantohet paprekshmëria e mandatit të anëtarëve të saj, mund të konsiderohet si një gjykatë që administron drejtësinë kushtetuese, në përputhje me parimet kushtetuese”. Po ashtu, ajo shtoi se “Në drejtim të garantimit të parimit të shtetit të drejtës Gjykata Kushtetuese është një element kyç për sa kohë që kontrolli kushtetues është një nga këto mekanizmat që ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi”.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Letonisë, z. Aldis Lavins, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga gjyqtaret Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare dedikuar 20 vjetorit të anëtarësisë së Letonisë në Bashkimin Europian. Konferenca ndërkombëtare titullohej “Roli i Gjykatave Kushtetuese në konkretizimin e vlerave të përbashkëta që bashkojnë Europën”, dhe i zhvilloi punimet në Riga, Letoni, në datat 29 shkurt – 2 mars 2024.
Në këtë veprimtari morën pjesë kryetarë dhe anëtarë të gjykatave kushtetuese homologe, gjyqtarë të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Europian, gjyqtarë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, përfaqësues të Komisionit të Venecias dhe profesorë të së drejtës.
Konferenca, e cila shërbeu si një forum për diskutimin dhe gjenerimin e ideve të reja lidhur me çështjet e evoluimit të vazhdueshëm të vlerave kushtetuese në një botë që po ndryshon, u organizua në dy panele të cilat vijuan më pas me diskutime nga pjesëmarrësit: paneli i parë me titull “Pajtimi i identiteteve kushtetuese të Shteteve Anëtare dhe Këshillit të Europës me vlerat e përbashkëta europiane”; dhe paneli i dytë me titull “Konsensusi europian dhe ndikimi i tij në rendin publik europian.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2023
Me ftesë të z. Schnutz Rudolf Dürr, Zëvendëssekretar i Komisionit të Venecias, znj. Ela Elezi, këshilltare ligjore në Njësinë e Shërbimit Ligjor të Gjykatës Kushtetuese, ka marrë pjesë në Takimin e 20-të të Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese, në cilësinë e nëpunëses ndërlidhëse të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me Komisionin e Venecias, i cili zhvilloi punimet në Sofje, Bullgari, në datat 24-25 prill 2023.
Aktiviteti është hapur me një sesion trajnimi mbi bazën e të dhënave CODICES, udhërrëfyesin për paraqitjen e kontributeve në Buletinin për jurisprudencën kushtetuese dhe mjetet e ndryshme IT në dispozicion të nëpunësve ndërlidhës. Në këtë drejtim, znj. Elezi ka referuar në lidhje me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, rastet kur kjo gjykatë i është drejtuar forumit të nëpunësve ndërlidhës. Në vijim, Sekretariati ka informuar pjesëmarrësit për aktivitetet aktuale dhe të ardhshme të Komisionit të Venecias.
Ditën e dytë është zhvilluar një mini-konferencë me temë: “Masat e marra nga shtetet në përgjigje të krizës së Covid-19 dhe ndikimi i tyre në drejtësinë kushtetuese – jurisprudenca kushtetuese në situata emergjence” në të cilën kanë referuar përfaqësues nga gjykata kushtetuese të ndryshme.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë, z. Marian Enache, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga znj. Fiona Papajorgji dhe znj. Marjana Semini, gjyqtare, mori pjesë në Asamblenë festive dedikuar 100 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Rumanisë së Madhe të vitit 1923, ceremoni e cila u zhvillua në Pallatin e Parlamentit në Bukuresht, në datën 27 mars 2023, dhe u pasua me një program social për të gjithë të ftuarit, në datën 28 mars 2023.
Gjatë ceremonisë së Asamblesë Festive të ftuarit e pranishëm në këtë aktivitet u përshëndetën nga personalitetet më të larta shtetërore të Rumanisë, si Presidenti i Rumanisë, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri, Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe Drejtësisë, etj. Po ashtu, gjatë kësaj ceremonie pati edhe përshëndetje nga të ftuar të huaj, si Kryetari i Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Europian, Kryetarja e Komisonit të Venecias, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Moldavisë edhe si gjykata kryesuese e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane, Kryetari i Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Frankofone, etj.
Në mbrëmjen zyrtare të datës 27 mars 2023, përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë patën edhe mundësinë e zhvillimit të një takimi me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë, z. Marian Enache.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2022
Në vijim të Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe takimit shpjegues për Kapitullin 23 “ Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, u zhvilluan në Bruksel, Belgjikë, në datat 24 dhe 25 nëntor 2022, takimet dypalëshe BE-Shqipëri, në kuadër të procesit të shqyrtimit të përgatitjeve të deritanishme të Shqipërisë për procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesi i caktuar për Gjykatën Kushtetuese, si pjesë e delegacionit shqiptar që mori pjesë në këto takime dypalëshe në Bruksel, ishte gjyqtarja Marsida Xhaferllari.
Përfaqësuesit e institucioneve shqiptare të drejtësisë raportuan në lidhje me progresin e deritanishëm në përgjigje të kritereve/detyrimeve të Kapitullit 23 “ Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.
Këto takime bilaterale janë një mundësi për institucionet kontribuuese përgjegjëse për të shpjeguar fazën e përgatitjeve për anëtarësimin në BE, në terma të pranimit të acquis, të përshtatjes së legjislacionit dhe politikave aktuale dhe atyre të planifikuara për miratim me acquis, të kapaciteteve institucionale që do të merren me zbatimin dhe implementimin e tyre, si dhe për të identifikuar fushat ku vendi ynë mund të bëjë kërkesë për të përshpejtuar integrimin.
Me ftesë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Lituanisë, znj. Danutė Jočienė, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga znj. Fiona Papajorgji, gjyqtare, znj. Ela Elezi, këshilltare ligjore, si dhe znj. Alma Çomo, drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare dedikuar 100-vjetorit të Kushtetutës së vitit 1922 të Shtetit të Lituanisë dhe 30 vjetorit të Kushtetutës të vitit 1992 të Republikës së Lituanisë. Konferenca ndërkombëtare u zhvillua në Vilnius, Lituani, në datat 25-26 tetor 2022.
Në këtë veprimtari morën pjesë kryetarë dhe anëtarë të gjykatave kushtetuese homologe, Kryetari dhe disa gjyqtarë të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Europian (GJED), ish-gjyqtarë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), përfaqësues të Komisionit të Venecias, etj. Konferenca u përshëndet në hapjen e saj nga personalitetet më të larta të Republikës së Lituanisë, si dhe nga Kryetarja e kësaj gjykate znj. Danutė Jočienė.
Konferenca ndërkombëtare, e cila iu dedikua një vështrimi të përgjithshëm të konstitucionalizmit gjatë shekullit të fundit, kalimit nga Kushtetuta kombëtare në konstitucionalizmin transnacional, i zhvilloi punimet në katër sesione.
Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Fiona Papajorgji, referoi në sesionin e dytë të punimeve të konferencës me titull “Pushteti i kushtetutës si një kontratë sociale dhe arti i interpretimit kushtetues”. Gjatë fjalës së saj gjyqtarja Papajorgji solli në vëmendje veprimtarinë 30-vjeçare të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe rolin e saj në garantimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, shoqërisë demokratike si dhe të drejtave dhe lirive të njeriut, nëpërmjet interpretimit përfundimtar të Kushtetutës dhe zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve kushtetuese.
Evenimenti u shoqërua edhe nga një program social i organizuar për nder të pjesëmarrësve
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga gjyqtaret Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, mori pjesë në Kongresin e 5-të të Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese, i cili i zhvilloi punimet në Bali, Indonezi, në datat 4 – 7 tetor 2022.
Konferenca Botërore për Drejtësinë Kushtetuese, në të cilën Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota, është një organizatë që bashkon institucionet e kontrollit kushtetues nga e gjithë bota (Evropa, Afrika, Amerika, Azia dhe Australia), me qëllim promovimin e dialogut mes institucioneve të drejtësisë kushtetuese në nivel ndërkombëtar, në funksion të forcimit të drejtësisë kushtetuese e cila është një element kyç për demokracinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe shtetin e së drejtës.
Kongresi i 5-të u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Indonezisë së bashku me Komisionin Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës) i cili kryen edhe funksionin e Sekretariatit të Kongresit. Tema e Kongresit të 5-të ishte “Drejtësia Kushtetuese dhe Paqja”.
Referimet dhe diskutimet gjatë sesioneve të Kongresit u fokusuan edhe në nën-temat e mëposhtme: 1) burimet dhe juridiksioni, 2) zbatimi (lidhur me paqen dhe pajtimin), 3) kufizimet e rolit të gjykatave kushtetuese në ruajtjen e paqes, 4) parimet themelore: mbrojtja e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës si një parakusht për paqen, 5) vlerësime mbi pavarësinë e gjykatave anëtare.
Pjesëmarrësit e Kongresit të 5-të shkëmbyen përvojat respektive rreth rolit të gjykatave të vendeve të tyre në parandalimin e konfliktit, ruajtjen e paqes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të rezultojnë në konflikte.
Punimet e Kongresit u paraprinë nga takimet e grupeve rajonale dhe gjuhësore të gjykatave kushtetuese dhe organeve ekuivalente, si dhe nga mbledhja e Byrosë së Konferencës Botërore. Po ashtu, në përfundim të punimeve të Kongresit, u zhvillua edhe mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme ku u diskutuan dhe miratuan çështje të natyrës organizative të Konferencës.
Në datën 5 tetor, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë zhvilloi një takim bilateral me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Indonezisë, z. Anwar Usman, gjatë së cilit palët shfaqën interes për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kushtetuese respektive.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Letonisë, z. Aldis Laviņš, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga gjyqtarët Altin Binaj dhe Sandër Beci, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare dedikuar 100 vjetorit të Kushtetutës së shtetit të Letonisë dhe 25 vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Letonisë.
Tema kryesore e konferencës ndërkombëtare ishte "Qëndrueshmëria si vlerë kushtetuese: sfidat e së ardhmes". Përveç temës kryesore, gjatë sesioneve të saj, pjesëmarrësit diskutuan dhe shkëmbyen opinione dhe vlerësime edhe për çështje të tjera, sikurse të drejtat kushtetuese në epokën aktuale të zhvillimeve informatike dhe të internetit, si dhe roli i gjykatave kushtetuese në shqyrtimin e çështjeve me objekt mbrojtjen e mjedisit nga ndryshimet klimatike dhe problematikat përkatëse
Me ftesë të z. Robert Spano, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, mori pjesë në veprimtaritë e organizuara me rastin e hapjes së vitit gjyqësor të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat u zhvilluan në Strasburg, Francë, më 24 qershor 2022.
Në këtë kuadër, u zhvillua seminari gjyqesor me temë: "Mbrojtja e të drejtave të njeriut në kohë pandemie: sfidat dhe perspektivat e reja". Gjatë seminarit u referua dhe diskutua rreth tri nën-temave lidhur me: 1) kufizimet e të drejtave të njeriut në kohë pandemie; 2) detyrimet pozitive për Shtetet gjatë një pandemie; dhe 3) procedurat para gjykatave.
Seminari vijoi me seancën solemne të hapjes së vitit gjyqësor 2022 të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila është ndjekur dhe përshëndetur edhe nga Sh.T.Znj. Aikaterini Sakellaropoulou, Presidente e Republikës Greke. E ftuara e nderit dhe folësja kryesore për këtë vit ishte Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, znj. Dunja Mijatoviċ, që së bashku me z. Robert Spano, Kryetar i Gjykatës, referuan për të gjithë pjesëmarrësit e ftuar, përfaqësues të gjykatave më të larta të shteteve anëtare të Këshillit të Europës, si dhe përfaqësues të autoriteteve lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare
Në datën 10.06.2022, znj. Elsa Toska, gjyqtare dhe përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë në Rrjetin e Gjykatave Supreme (SCN) - pranë GJEDNJ-së, mori pjesë në forumin e 5-të të këtij Rrjeti, i cili i zhvilloi punimet pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Në kuadër të kësaj veprimtarie, e cila u hap me fjalët përshëndetëse të z. Robert Spano, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, z. Christos Giakoumopoulos, Drejtor i Përgjithshëm në Departamentin e Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës, Këshilli i Europës, u trajtuan tema që lidheshin me dhunën në familje: perspektiva e GJEDNJ-së/Këshillit të Europës, dhunën në familje: perspektiva kombëtare. Po ashtu, gjatë sesionit të dytë të takimit u diskutua lidhur me shkëmbimin e përvojave midis gjykatave, me fokus te komunikimi gjyqësor. Në përfundim, nga organizatorët e Forumit, ashtu si dhe nga pjesëmarrësit e tjerë në takim, u ritheksua vlera e jashtëzakonshme e këtij Forumi në drejtim të komunikimit mes gjykatave të anëtarësuara në të dhe GJEDNJ-së, me synim kryesor krijimin, zhvillimin dhe konsolidimin e standardeve mbrojtëse të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe zbatimin e tyre së pari në nivel kombëtar.
Direktorati i Përgjithshëm i të Drejtave të Njeriut dhe Shtetit të së Drejtës i Këshillit të Europës dhe Gjykata e Lartë e Republikës së Maqedonisë së Veriut po organizojnë në datat 2 dhe 3 qershor 2022 konferencën rajonale me temë "Harmonizimi i praktikës gjyqësore: standardet për kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore dhe jurisprudenca". Në këtë aktivitet po marrin pjesë nëpërmjet platformës online edhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë ditës së parë të punimeve të konferencës rajonale, e cila u hap me përshëndetjet e Ambasadorit të Bashkimit Europian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kryetares së Gjykatës së Lartë të Maqedonisë së Veriut dhe Drejtorit të Direktoratit të Përgjithshëm të të Drejtave të Njeriut dhe Shtetit të së Drejtës të Këshillit të Europës, u trajtua tema kryesore: Zbatimi i harmonizuar i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ-së) në nivel kombëtar në kuadër të së drejtës për një proces gjyqësor brenda afatit të arsyeshëm, si dhe nën-tema: Vështrim i përgjithshëm i praktikës gjyqësore dhe mjeteve efektive për tejzgjatjen e proceve gjyqësore – qasjet vendase. Gjatë ditës së dytë, pjesëmarrësit i zhvilluan diskutimet në grupe pune sipas tematikave përkatëse: 1: E drejta për gjykim brenda afateve të arsyeshme (Kthimi i pronës), 2: Kompensimi për dëme monetare dhe jo monetare në lidhje me kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, dhe 3: Moszbatimi i vendimeve të brendshme në lidhje me kompanitë në pronësi shoqërore/shtetërore. Në përfundim, secili prej grupeve tematike bëri një prezantim të punës në grup, duke u fokusuar në çështjet dhe problematikat më kryesore të parashtruara.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga znj. Vitore Tusha, Kryetare, znj. Fiona Papajorgji, gjyqtare, dhe znj. Thomaida Xhoxhaj, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, po merr pjesë në Kongresin e 9-të trevjeçar të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Frankofone (Association des Cours Constitutionnelles Francophones - ACCF), i cili i zhvillon punimet nga data 30 maj deri më 02 qershor 2022 në Dakar (Senegal). Kryetarë dhe përfaqësues të rreth 50 institucioneve anëtare të shoqatës janë ftuar për të diskutuar mbi temën: "Gjyqtari kushtetues dhe të drejtat e njeriut".
Organizimi i Kongresit të 9-të të ACCF-së është bërë duke marrë në konsideratë vlerësimet dhe shqetësimet kryesore të përbashkëta që kanë aktualisht gjykatat dhe këshillat kushtetues anëtarë të kësaj shoqate. Për këtë qëllim, është hartuar dhe plotësuar edhe një pyetësor, i cili është fokusuar në çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe demokracinë; metodat dhe teknikat juridiksionale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; dhe të drejtat e njeriut në kontekst.
Gjatë ditës së parë të punimeve të Kongresit u diskutuan temat: të drejtat e njeriut, shteti i së drejtës dhe demokracia; metodat dhe teknikat juridiksionale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërsa ditën e dytë u diskutua tema: të drejtat e njeriut në kontekst – të drejtat e njeriut dhe rrethanat e jashtëzakonshme. Punimet vijuan me Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kongresit, gjatë së cilës u bë prezantimi dhe votimi i raportit të përgjithshëm tre vjeçar nga z. Richard Wagner, ish-Kryetar i ACCF-së dhe Kryetar i Gjykatës Supreme të Kanadasë, prezantimi i raportit financiar dhe i çështjeve të tjera organizative, zgjedhja e kandidaturave për Byronë e ACCF-së dhe i organeve të reja për periudhën 2022 – 2025, si edhe prezantimi i programit të ACCF-së për këtë periudhë nga zoti Papa Ouman Sackho, Kryetar i ri i ACCF-së dhe Kryetar i Këshillit Kushtetues të Senegalit.
Në datën 25 maj 2022 u zhvillua në formatin online takimi përgatitor i Rrethit të Kryetarëve për Kongresin e XIX-të të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane (CECC). Takimi u organizua në Kishinau, Moldavi, nga Gjykata Kushtetuese e Moldavisë, si gjykata kryesuese e kësaj Konference për periudhën 2021 – 2024. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u përfaqësua në këtë veprimtari nga znj. Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë.
Gjatë këtij takimi, në të cilin morën pjesë rreth 35 gjykata kushtetuese anëtare të Konferencës, u diskutuan dhe miratuan çështje të ndryshme organizative dhe financiare që lidhen me Kongresin e XIX-të të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane, i cili do të zhvillohet në Kishinau, Moldavi, në datat 22 – 24 maj 2024. Këto çështje kishin kryesisht të bënin me përzgjedhjen e temës së Kongresit, mbi bazën e së cilës do të përgatiten edhe raportet kombëtare të gjykatave anëtare, vendin dhe datat e zhvillimit të tij, caktimin e raportuesve të përgjithshëm, vazhdimësinë e bashkëpunimit të Konferencës Europiane me Komisionin e Venecias etj.
Në datën 19 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Vitore Tusha, dhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka Nimani, janë pritur në një takim zyrtar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në përbërje të një delegacioni me përfaqësues të sistemit të drejtësisë nga të dy vendet. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe rolin që luajnë konferencat e përbashkëta në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira. Po ashtu, u theksua rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, me qëllim mundësimin e një mbrojtjeje më të madhe të të drejtave të qytetarëve nga sistemi i drejtësisë dhe përmirësimin e tij nëpërmjet rritjes së cilësisë së vendimeve gjyqësore.
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga e gjithë trupa e gjyqtarëve të kësaj gjykate, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtori i Kabinetit, si dhe disa prej këshilltarëve ligjorë, po merr pjesë në Konferencën me temë: “Ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës : përvoja nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania”.
Ky aktivitet, i mbështetur edhe nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), ka mbledhur së bashku gjykatat kushtetuese dhe të larta të Shqipërisë dhe Kosovës me synimin e trajtimit krahasimor dhe gjithëpërfshirës të rolit dhe të kompetencave të të dy juridiksioneve duke iu referuar edhe kuadrit ligjor gjerman dhe atij europian, si dhe identifikimin e sfidave dhe praktikave më të mira dhe mënyrave të zgjidhjes në kontekstin shqiptar dhe atë kosovar.
Gjatë ditës së parë të kësaj veprimtarie dy ditore, në hapje të së të cilës përshëndeti edhe znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, u trajtuan temat: (1) “Kompetenca e gjykatave kushtetuese dhe roli i gjykatave të rregullta në interpretimin kushtetues të ligjeve (në kontekstin e kontrollit incidental të normave), si dhe (2) “Interpretimi dhe zbatimi qartazi i gabuar i ligjit nga gjykatat e rregullta: Vlerësimi nga këndvështrimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme, duke u mbështetur në praktiken gjyqësore të GJEDNJ-së.” Për secilën prej tyre pati referime nga ekspertë gjerman dhe përfaqësues të gjykatave pjesëmarrëse. Për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë referuan gjyqtarët Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari.
Gjatë ditës së dytë të konferencës së përbashkët u trajtuan temat: (1) Divergjenca e praktikës gjyqësore të gjykatave të rregullta dhe siguria juridike si pjesë përbërëse e një gjykimi të drejtë: Fusha e kompetencës së Gjykatave Kushtetuese dhe Gjykatave Supreme në lidhje me konsolidimin e jurisprudencës vendore në dritën e vendimeve të GJEDNJ-së, si dhe (2) Roli i gjykatave të rregullta në zbatimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin për shkeljet e të drejtave të njeriut. Për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë referoi Kryetarja Vitore Tusha. Dhe gjatë sesionit te katërt te moderuar nga gjyqtari Përparim Kalo, referoi gjyqtarja Sonila Bejtja.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Prof. Dr. Zühtü Arslan, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, z. Altin Binaj, gjyqtar dhe znj. Kaliona Nushi, këshilltare ligjore, mori pjesë në ceremonitë zyrtare si dhe në simpoziumin e organizuar me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë.
Gjatë sesioneve të punës të këtij simpoziumi me temë: “Interpretimi i Kushtetutës në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore”, ku morën pjesë kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese nga vende të ndryshme, gjyqtarë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përfaqësues të Komisionit të Venecies, si dhe akademikë të fushës nga universitete të ndryshme të Turqisë, u trajtuan çështje që kanë të bëjnë me rolin e interpretimit në përcaktimin e qëllimit të të drejtave dhe lirive themelore, natyrën dhe metodat e interpretimit kushtetues, duke bërë një vlerësim krahasues mes ngjashmërive dhe ndryshimeve me atë ligjor. Një temë tjetër me interes ishte edhe interpretimi kushtetues krahasues si një mënyrë e promovimit të demokracisë, mbrojtjes së të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Referencat trajtuan edhe interpretimin e Kushtetutës në të drejtën e krahasuar dhe raportin mes këtij interpretimi që bëjnë gjykatat kombëtare dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë mbajti një sesion të veçantë me krerët e delegacioneve në lidhje me rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në juridiksionin kushtetues. Në këtë takim, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Vitore Tusha, bëri një prezantim në lidhje me situatën aktuale në Gjykatën Kushtetuese dhe veprimtarinë e saj, duke e vënë fokusin në rëndësinë e këtij bashkëpunimi mes gjykatave kushtetuese.
Po ashtu, nga Presidenti i Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan, u shtrua një darkë zyrtare në kompleksin presidencial me praninë e të gjithë delegacioneve pjesëmarrëse.
Me ftesë të Këshillit Kushtetues të Greqisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja Vitore Tusha, dhe i përbërë nga gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja, zhvilloi në datat 13 – 15 prill 2022 një vizitë pune pranë këtij këshilli.
Gjatë vizitës, fillimisht delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë u prit në një takim zyrtar nga Kryetari i Këshillit të Shtetit të Greqisë, zoti Dimitrios Skaltsounis. Në takim, Kryetari Skaltsounis pasi uroi mirëseardhjen, i njohu gjyqtarët kushtetues shqiptarë me organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Shtetit të Greqisë.
Nga ana e saj, Kryetarja Tusha e falënderoi Kryetarin Skaltsounis për ftesën dhe organizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm, i cili do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Vizita pasoi me zhvillimin e sesioneve të punës gjatë të cilave pati referime nga gjyqtarët e të dyja gjykatave, si dhe u shkëmbyen pikëpamje dhe përvoja mbi çështjet më kryesore të drejtësisë kushtetuese. Diskutimet u fokusuan kryesisht mbi tema që lidhen me: “Qëndrueshmërinë dhe konsolidimin e jurisprudencës kushtetuese – kriteret dhe rrethanat që diktojnë ndryshimet e jurisprudencës” dhe “Kontrollin gjyqësor të kushtetutshmërisë së ligjeve”.
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, në datat 7 – 8 prill 2022, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga gjyqtarët Elsa Toska, Altin Binaj dhe Përparim Kalo, zhvilloi një vizitë pune dy ditore pranë kësaj gjykate.
Vizita e punës u organizua me disa sesione gjatë të cilave u shkëmbyen pikëpamje mbi çështjet më kryesore me të cilat po përballen sot gjykatat kushtetuese, në rrethanat e reja të krijuara nga pandemia Covid-19, si dhe mbi zhvillimet më të fundit në jurisprudencën kushtetuese të vendeve përkatëse dhe përafrimin me praktikat më të mira.
Diskutimet e frytshme u fokusuan po ashtu mbi kontrollin që të dyja gjykatat ushtrojnë lidhur me pajtueshmërinë e ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me kushtetutat respektive, si dhe me aksesin e individëve në gjykatë për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të shkelura nga ligjet apo vendimet gjyqësore. Të tjera tema që u diskutuan kishin të bënin me dallimin ndërmjet juridiksioneve kushtetuese dhe administrative, procesin e marrjes së vendimeve, konfidencialitetin e procesit në tërësi, duke përfshirë rregullat për publikimin e vendimeve.
Përvoja e Gjykatës Kushtetuese të Austrisë në digjitalizimin dhe menaxhimin e çështjeve ishte një tjetër aspekt të cilin Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e konsideron si mjaft të përparuar dhe shpreson se në të ardhmen të dy institucionet kushtetuese do të gjejnë mënyra bashkëpunimi për ta ndarë këtë përvojë dhe për të përfituar prej saj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, mori pjesë në Forumin e parë të Barazisë Gjinore për Ballkanin Perëndimor, i cili u organizua nga Qendra Aire, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, dhe i zhvilloi punimet në Budva, Mali i Zi, në datat 1 dhe 2 prill 2022.
Në këtë forum morën pjesë Kryetari i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, z. Robert Spano, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, znj. Dunja Mijatovic, Zëvendëspresidentja e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, znj. Siofra O’Leary, gjyqtarë dhe ish gjyqtarë të tjerë të kësaj Gjykate, të cilët mbajtën prezantime dhe moderuan në pjesën më të madhe të sesioneve. Po ashtu, në forum morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të lartë të gjyqësorit nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kryesisht, diskutimet u përqëndruan te parimet kryesore që rrjedhin nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për barazinë gjinore lidhur me tema të tilla të rëndësishme si dhuna me bazë gjinore, stereotipet gjinore në gjyqësor dhe diskriminimi për shkak të seksit në kontekstin e punësimit, jeta publike, private dhe familjare.
Qëllimi i organizimit të Forumit është krijimi i një rrjeti të gjerë në vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrësit e të cilit angazhohen të çojnë përpara barazinë gjinore dhe të zhvillojnë ndërgjegjësimin për çështjet gjinore dhe rolin e gjyqësorit në mbrojtjen e këtyre të drejtave. U theksua se mënyra më e mirë për të luftuar kundër stereotipeve dhe paragjykimeve gjinore në shoqëri është fillimi i ndryshimeve nga vetë brenda gjyqësorit. Ngritja dhe funksionimi i këtij rrjeti kontribuon në komunikimin më të afërt institucional ndërmjet organeve të drejtësisë dhe jo vetëm, pasi shkëmbimi i përvojave në këtë fushë do të ndihmojë në avancimin e mëtejshëm të barazisë gjinore në funksion të një shoqërie sa më të barabartë.
Në datën 29.03.2022, znj. Sonila Bejtja, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, mori pjesë në takimin online me temë: “Gjykatat kushtetuese – gardiane të mjedisit”. Ky event u organizua si pjesë e projektit “Për rëndësinë e mjedisit”, i implementuar nga Qendra për Kërkime dhe Analiza Ligjore dhe i financuar nga Ambasada Britanike në Shkup.
Takimi u ndoq nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Fizik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kryetarë dhe gjyqtarë të Gjykatave Kushtetuese, të cilët ndanë përvojat dhe pikëpamjet e tyre lidhur me rëndësinë që ka një mjedis i shëndetshëm dhe ekologjikisht i përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, si dhe me rritjen e rolit të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e të drejtave të mjedisit.
Gjatë takimit, gjyqtarja Bejtja mbajti një prezantim duke ndarë përvojën e deritanishme të gjyqësorit shqiptar në çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të mjedisit, si dhe duke evidentuar prioritetet dhe angazhimet e ndërmarra nga shteti shqiptar në këtë drejtim.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës së OSBE-së, organizoi sot një takim online me partnerë dhe donatorë ndërkombëtarë. Ky takim kishte për synim ndarjen dhe diskutimin e ideve për bashkëpunim dhe mbështetje, në zbatim të Planit Strategjik 2021-2023 të kësaj Gjykate. Gjykata Kushtetuese hartoi vitin e kaluar, me mbështetjen e Prezencës dhe të Konrad Adenauer Stiftung, Strategjinë afatgjatë dhe Planin e veprimit të bashkëlidhur me të, dokumente të cilat synojnë garantimin e një veprimtarie të pavarur dhe të paanshme, transparente e të përgjegjshme, efikase dhe efektive.
Tryeza u hap me përshëndetjen e znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, dhe të Sh. T. Z. Vincenzo Del Monaco, Ambasador i OSBE-së, të cilët evidentuan nevojën e mbështetjes së Gjykatës Kushtetuese si një prej institucioneve më të rëndësishme për garantimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Më tej, nga z. Eugen Papandile, Sekretar i Përgjithshëm, u bë përshkrimi i detajuar i disa ideve dhe projekteve që synojnë të realizohen në të ardhmen e afërt, të hartuara nga zbërthimi i objektivave strategjikë dhe atyre specifikë, të cilat janë parashikuar respektivisht në Strategjinë dhe Planin e saj të Veprimit. Këto projekte ambicioze, për të cilat u kërkua edhe mbështetja e donatorëve dhe partnerëve ndërkombëtare, janë fokusuar në fusha të cilat janë vlerësuar si strategjike, dhe objektivat e vendosura synohen të arrihen përmes përmirësimit të sistemit të menaxhimit të çështjeve në kontekstin e zhvillimeve të reja teknologjike, rritjes së transparencës dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore për një menaxhim dhe shqyrtim cilësor e efikas të çështjeve.
Nga ana e tyre, pjesëmarrësit në këtë tryezë shprehën vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të mbështetur veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese.
Në datën 25.02.2022, gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Elsa Toska, mori pjesë në takimin e pestë (online) me temë: “Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe të drejtat e fëmijës”, të organizuar nga SCN, Rrjeti i Gjykatave Supreme pranë GJEDNJ-së. Në këtë diskutim u prezantuan tema si: e drejta e fëmijës për t’u dëgjuar dhe interesi më i lartë i fëmijës në konteksin e emigracionit. Në përmbyllje, u dha mesazhi i rëndësishëm “Lëre fëmijën të flasë”, në kuptim të të kuptuarit dhe të zbatuarit të të drejtave dhe interesit më të lartë të fëmijës në vendimmarrjet gjyqësore.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2021
Me ftesë të Qendrës AIRE (Advice on Individual Rights in Europe) dhe Civil Rights Defenders, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ndoqi Forumin e Tetë Rajonal të Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore me temë “Pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit”, i cili i zhvilloi punimet në datat 3 – 4 shtator 2021. Në këtë veprimtari Gjykata Kushtetuese u përfaqësua nga z. Përparim Kalo, gjyqtar.
Forumi i tetë Rajonal u organizua në formën e një konference online, e cila vendosi në lidhje platformën qendrore në Dubrovnik, ku ndodheshin të pranishëm Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, gjyqtarë në detyrë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ish-Drejtori dhe Sekretari i Komisionit të Venecias, me njësitë përkatëse në secilin prej vendeve pjesëmarrëse në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë, Shkup, Tiranë dhe Zagreb, ku ndodheshin kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave të larta dhe atyre kushtetuese, Avokatë të Popullit, specialistë që përfaqësojnë secilin shtet të Ballkanit Perëndimor në procedurat e Gjykatës së Strasburgut, përfaqësues të qendrave dhe akademive juridike, të OJQ-ve, si dhe ekspertë të mirënjohur të së drejtës ndërkombëtare nga vendet e rajonit.
Përmes lidhjes së drejtpërdrejtë me video forumi krijoi mundësinë e shkëmbimit të përvojave mes gjyqtarëve evropianë dhe pjesëmarrësve nga kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor, në lidhje me nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimin mes ekspertëve, për të gjetur mënyra sa më efektive dhe praktike që vendet e rajonit duhet të zbatojnë për të kapërcyer sfidat që ndeshen në kuadrin e sundimit të ligjit.
Një ndër çështjet e diskutuara në kuadrin e temës “Pavarësia dhe paanësia e gjyqësorit” ishte ajo e rëndësisë që ka dhe merr krijimi i gjykatës me ligj. Në kontekstin e kësaj problematike z. Përparim Kalo trajtoi çështjen e reformës së gjyqësorit dhe të ringritjes së Gjykatës Kushtetuese e të Gjykatës së Lartë në Shqipëri, në koordinim me strukturat Euro Atlantike, e cila ishte edhe një detyrim thelbësor i vendosur prej tyre në drejtim të vazhdimit të procesit të integrimit evropian të vendit.
Gjithashtu, pjesëmarrësit në njësinë e Tiranës dhanë mendime për statusin dhe problematikat e reformës së gjyqësorit në Shqipëri, të cilat shërbyen për hartimin e një dokumenti që ju përcoll organizatorëve për të bërë edhe konkluzionet e rastit.
Forumi mbështetet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Suedisë, Fondacioni Konradl Adenauer, dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Hollandës.
Në datën 11.06.2021, znj. Elsa Toska, gjyqtare dhe përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese në Rrjetin e Gjykatave Supreme (SCN) - pranë GJEDNJ-së, mori pjesë në takimin vjetor online me temë: “Menaxhimi i çështjeve dhe konsistenca e vendimmarrjes - perspektiva e gjykatave kombëtare dhe e GJEDNJ-së”.
Në kuadër të kësaj veprimtarie, u prezantuan tema lidhur me kërkimin, si një mjet që duhet përdorur në funksion të qëndrueshmërisë të jurisprudencës, si dhe të pasurimit dhe të evoluimit të saj nëpërmjet praktikave më të mira të gjykatave të ndryshme në këtë aspekt.
Në kete takim u theksua rendësia e qëndrueshmërisë së vendimmarrjes dhe fokusin që duhet të kenë gjykatat në këtë drejtim, por dhe sfidat që i shoqërojnë ato, si në nivel të GJEDNJ-së, ashtu dhe në nivel kombëtar.
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Federatës së Rusisë dhe organizatorëve të Forumit Ligjor Ndërkombëtar të St. Petërsburgut, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mori pjesë në edicionin e veçantë online të Forumit të 9 ¾ Ligjor Ndërkombëtar të St. Petërsburgut me temë: “Vaccination by law”, i cili i zhvilloi punimet në datat 18 - 22 maj 2021. Përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese në këtë veprimtari ishte z. Përparim Kalo, anëtar i gjykatës.
Qëllimi i organizimit online të kësaj veprimtarie tashmë të përvitshme ishte bashkimi i gjithë pjesëmarrësve në një diskutim global lidhur me aspektet ligjore të jetës publike në kushtet e shpërthimit të pandemisë COVID-19 dhe zhvillimin e zgjidhjeve ligjore në luftën kundër virusit, në një kohë kur roli i ligjit si një rregullator shoqëror universal bëhet më kuptimplot se kurrë.
Punimet online të Forumit të 9 ¾ Ligjor Ndërkombëtar u përshëndetën dhe moderuan nga përfaqësues të spikatur nga fusha të ndryshme të së drejtës, të cilët shkëmbyen mendimet e tyre dhe diskutuan mbi çështjet më aktuale të evidentuara gjatë zhvillimeve të fundit si: të drejtat e njeriut në epokën dixhitale, ku theksi u vu mbi detyrimet e administrimit të internetit dhe shmangien e shkeljeve në lidhje me të drejta si privatësia e të dhënave personale etj; teknologjinë digjitale e cila bën të mundur automatizimin e përdorimit të jurisprudencës së standardizuar në lidhje me veprimtarinë e autoriteteve publike, të drejtat e njeriut, organet juridiksionale dhe të zbatimit të ligjit, duke përmirësuar procesin e dhënies së shërbimeve, duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimet ndaj qytetarëve nё kuadrin e mbrojtjes sё të drejtave të tyre.
Një tjetër sesion ishte ai kushtuar Avokatit të Tatimpaguesve (Financial Ombudsman), ku folësit nga Dhoma e Lartë, Banka Qëndrore e Rusisë, Gjykata e Lartë, dhe Shoqata e Siguruesve diskutuan për modelin e ri të legjislacionit të ardhshëm në kontekstin e efektivitetit të procedurave të reja para-gjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në tregun financiar, reduktimin e kohës së shqyrtimit të mosmarrëveshjeve dhe uljen e numrit të përgjithshëm të çështjeve.
Në datat 24 – 25 shkurt 2021, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e përfaqësuar nga znj. Vitore Tusha, Kryetare, dhe znj. Fiona Papajorgji, anëtare, mori pjesë në punimet online të Kongresit të XVIII-të të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane me temë “Katalogët e të drejtave të njeriut në nivel kombëtar – zbatimi i katalogëve të të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar dhe suprakombëtar”.
Punimet e Kongresit u hapën me fjalën e z. Pavel Rychetsky, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Çekisë, si gjykata organizatore që mbante edhe Kryesinë e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane. Po ashtu, pjesëmarrësit në Kongres u përshëndetën edhe nga z. Gianni Buquicchio, Kryetar i Komisionit të Venecias, z. Kairat Mami, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kazakistanit, dhe z. Manuel Aragao, Kryetar i Tribunalit Kushtetues të Andorrës.
Ky aktivitet u parapri nga takimi i Rrethit të Kryetarëve gjatë të cilit u diskutuan çështje të ndryshme me natyrë organizative dhe buxhetore. Gjatë këtij takimi u ra dakord për nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi mes Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane dhe Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Aziatike, si dhe u bë kalimi i kryesimit të radhës të Konferencës për periudhën 2021 – 2024 te Gjykata Kushtetuese e Republikës së Moldavisë.
Në datën 12 shkurt 2021, znj. Elsa Toska, gjyqtare dhe përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese pranë Rrjetit të Gjykatave Supreme (SCN) – forum i GJEDNJ-së, mori pjesë në takimin e tretë online me temë: “Gjuha e urrejtjes dhe grupet vulnerabël”.
Në këtë diskutim u prezantuan edhe tema të tjera si: ”Gjuha e urrejtjes dhe qasja e GJEDNJ-së – sfidat aktuale”, “Arkitektura e standardit të arsyetimit nga GJEDNJ-ja”, “Vështirësitë e testit të proporcionalitetit sipas jurisprudencës së GJEDNJ-së”.
Në përmbyllje u konkludua për rëndësinë e këtij standardi dhe sfidat që e shoqërojnë, por dhe për rolin e rëndësishëm të gjykatave në nivel kombëtar në të kuptuarit dhe të zbatuarit e jurisprudencës së GJEDNJ-së.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2020
Në datën 09.12.2020, gjyqtarja Elsa Toska mori pjesë në konferencën rajonale online, me temë: “Mbrojtja e pronës: GJEDNJ dhe praktika e gjykatave kombëtare në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Departamenti i të Drejtave të Njeriut dhe Bashkëpunimit, pranë Këshillit të Europës. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit ‘Mbështetje e mjeteve të brendshme efektive për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së”, Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Në takim morën pjesë gjyqtarë nga gjykatat e Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë dhe Kosovës, të cilët shkëmbyen eksperiencat e tyre mbi ngjashmëritë dhe diferencat në çështjet e pronës sipas sistemeve kombëtare, si dhe prezantuan vendimet e GJEDNJ-së në raport me vendet përkatëse të pjesëmarrësve në konferencë.
Gjatë prezantimit të saj, zonja Toska parashtroi jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë mbi të drejtën e pronës dhe impaktin e vendimeve të GJEDNJ-së mbi interpretimin e standardeve kushtetuese të së drejtës së pronës.
Në datën 23 tetor 2020, znj. Elsa Toska, gjyqtare dhe përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese pranë Rrjetit të Gjykatave Supreme (SCN) – forum i GJEDNJ-së, mori pjesë në takimin e dytë online, me temë: “Të drejtat e të burgosurve dhe kujdesi shëndetësor ndaj tyre në kohë pandemie”.
Përfaqësues të GJEDNJ-së, por edhe pjesëmarrës dhe folës nga gjykatat anëtare të SCN, diskutuan mbi aspekte të ndryshme të nenit 2 “E drejta për jetën” dhe nenit 3 “Mbrojtja nga trajtimi çnjerëzor dhe degradues” të KEDNJ-së, lidhur me të drejtat e të burgosurve.
Gjatë diskutimeve theksi u vu te fakti që shumë nga të drejtat dhe liritë e mbrojtura nga KEDNJ-ja janë prekur nga pandemia dhe kanë ngritur një sërë problemesh të vështira ligjore nga pikëpamja e standardeve konventore.
Në fund të takimit u konkludua se situata e shkaktuar prej Covid -19 përbën një sfidë të shtuar jo vetëm për sistemin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, por edhe për të drejtat e të burgosurve dhe kushtet e burgjeve në veçanti, për rrjedhojë edhe problematikat në këtë drejtim duhen adresuar me një vëmendje të shtuar prej autoriteteve kombëtare.
16-17 tetor 2020
Me ftesë të Qendrës AIRE (Advice on Individual Rights in Europe) dhe Civil Rights Defenders, Gjykata Kushtetuese mori pjesë në Forumin e Shtatë Rajonal për Shtetin e së Drejtës në Evropën Juglindore, i cili i zhvilloi punimet online, në datat 16-17 tetor 2020. Gjykata Kushtetuese u përfaqësua në këtë forum nga znj. Elsa Toska, gjyqtare, z. Eugen Papandile, Sekretar i Përgjithshëm, znj. Jonida Kondili dhe z. Ermal Tauzi, këshilltarë ligjorë.
Pjesëmarrësit e tjerë në forum ishin përfaqësues të Bosnjes dhe Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të GJEDNJ-së.
Qëllimi i Forumit është promovimi i bashkëpunimit rajonal midis gjyqtarëve të rajonit pranë GJEDNJ-së, përfaqësuesve të Gjykatave Kushtetuese dhe Gjykatave të Larta nga rajoni, përfaqësuesve të institucioneve të pavarura, drejtorëve të akademive të trajnimeve gjyqësore, përfaqësuesve të OJF-ve si edhe ekspertëve ligjorë të shquar, të cilët diskutojnë rreth problemeve, ndajnë përvojat dhe praktikat më të mira për një zbatim efektiv në nivel kombëtar të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Diskutimet këtë vit u përqëndruan në trajtimin e situatës së shkaktuar nga Covid-19 dhe impaktin mbi të drejtat e njeriut. Konkretisht u trajtuan të drejtat e parashikuara nga Konventa që preken nga pandemia Covid-19, si e drejta e jetës, e drejta për liri dhe siguri dhe liria e lëvizjes, sfidat për funksionimin e duhur të gjyqësorit gjatë pandemisë, respektimi i jetës private dhe liria e fesë, liria e shprehjes, e tubimit dhe e organizimit, e drejta për arsim, mbrojtja e pronave dhe zgjedhjet e lira. Gjatë diskutimeve u trajtuan detyrimet pozitive dhe negative të shteteve, si dhe derogimet nga Konventa në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme.
Gjithashtu, me këtë rast u prezantua edhe botimi “Covid-19 dhe Impakti mbi të Drejtat e Njeriut, Shikim i Përgjithshëm mbi jurisprudencën përkatëse të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Botimi është rezultat i bashkëpunimit mes juristëve të lartë të Qendrës AIRE dhe ish-gjyqtarit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Ledi Bianku.
Në datat 17 – 18 shtator 2020, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e përfaqësuar nga znj. Alma Çomo, drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë dhe koordinatore për të drejtën e informimit, mori pjesë online në Konferencën e 7-të Rajonale të OSBE-së për Median në Europën Juglindore me temë “Vija e re e frontit: Të punojmë së bashku për të nxitur lirinë e medias”. Kjo konferencë u organizua nga Përfaqësia e Zyrës së OSBE-së për Lirinë e Medias dhe Misioni i OSBE-së në Serbi, në bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë të kësaj fushe në rajon.
Punimet e ditës së parë të kësaj koference rajonale u fokusuan mbi sigurinë e gazetarëve, si dhe mbi mundësitë dhe sfidat e ngritjes së mekanizmave kombëtarë eficientë për mbrojtjen e gazetarëve, duke qenë se rritja e mungesës së sigurisë për gazetarët është kthyer në një shqetësim evident dhe të përhapur në thuajse të gjitha vendet e rajonit. Po ashtu, prezantimet dhe diskutimet online u fokusuan dhe mbi mundësitë e unifikimit të database-ve kombëtare, analizimit dhe raportimit të rasteve të sulmeve dhe dhunimeve ndaj gazetarëve, të cilat do të japin informacionin më të saktë dhe të besueshëm për natyrën dhe shkallën e dhunimeve të lirisë së medias.
Gjatë ditës së dytë, diskutimet në konferencë u përqëndruan në çështje të tilla si: gazetaria në kohën e COVID-19, roli i pazëvendësueshëm që ajo luan në kohërat e emergjencave shëndetësore publike, me qëllim informimin e publikut për situatën kritike dhe monitorimin e veprimeve të ndërmarra, roli i gazetarisë në situatën e një pandemie globale, si dhe impakti që ajo ka pasur mbi lirinë e medias në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në datën 10 korrik 2020, znj. Elsa Toska, gjyqtare dhe përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese pranë Rrjetit të Gjykatave Supreme (SCN) – forum i GJEDNJ, mori pjesë në takimin e parë online, me temë: “Përshtatja e sistemit të drejtësisë me pandeminë COVID-19 dhe impakti potencial mbi të drejtën për proces të rregullt gjyqësor”.
Pjesëmarrës dhe folës të ndryshëm, përfaqësues nga GJEDNJ dhe nga gjykatat anëtare të SCN, diskutuan mbi hapat proceduralë dhe praktikë të ndërmarra nga GJEDNJ, por edhe nga gjykata të tjera europiane, për t’iu përshtatur kësaj situate të paprecedent si dhe standardeve të aplikueshme sipas nenit 6 të KEDNJ, (procesi i rregullt gjyqësor).
Një nga temat për të cilën pati vëmendje të veçantë ishte organizimi i seancave dëgjimore online, dhe administrimi i drejtësisë në distancë, për t’iu përgjigjur situatës ndaj Covid -19.
Në fund të takimit, ashtu si edhe në takimet e viteve të mëparshme, u konkludua, që ky forum është një platformë komunikimi e rëndësishme, ku gjykatat përmes pjesëmarrësve zhvillojnë dhe përforcojnë dialogun gjyqësor, me qëllim respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut në nivel kombëtar, kudo në Europë.
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Federatës së Rusisë dhe organizatorëve të Forumit Ligjor Ndërkombëtar të St. Petërsburgut, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, mori pjesë në edicionin e veçantë online të Forumit të 9 ½ Ligjor Ndërkombëtar të St. Petërsburgut me temë: “Rule of Corona”, i cili i zhvilloi punimet në datat 10 - 12 prill 2020.
Qëllimi i organizimit online të kësaj veprimtarie tashmë të përvitshme ishte bashkimi i gjithë pjesëmarrësve në një diskutim global lidhur me aspektet ligjore të jetës publike në kushtet e shpërthimit të pandemisë COVID-19 dhe zhvillimin e zgjidhjeve ligjore në luftën kundër virusit, në një kohë kur roli i ligjit si një rregullator shoqëror universal bëhet me relevant se kurrë.
Punimet online të Forumit të 9 ½ Ligjor Ndërkombëtar, u përshëndetën dhe moderuan nga përfaqësues të spikatur nga fusha të ndryshme të së drejtës, dhe jo vetëm, si z. Linos-Alexandre Sicilianos, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, z. Christos Giakoumopoulos, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Europës, etj., të cilët shkëmbyen mendimet e tyre dhe diskutuan mbi çështjet më aktuale të evidentuara gjatë zhvillimeve të fundit si: të drejtat e njeriut dhe karantina, karantina dhe e drejta civile, mjetet ligjore gjatë periudhës së pandemisë, punësimi online, administrata publike dhe legjislacioni gjatë periudhës së pandemisë etj.
Me letërftesën e dërguar nga Drejtori Ekzekutiv i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNDOC), një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë i përbërë, nga znj. Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit, dhe znj. Alma Çomo, drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Rrjetit Global të Integritetit Gjyqësor, i cili u zhvillua në Doha, Katar, në datat 25 – 27 shkurt 2020.
Rrjeti Global i Integritetit Gjyqësor u krijua në prill 2018 në Vjenë në një takim të nivelit të lartë që mblodhi mbi 350 pjesëmarrës të nivelit të lartë, mes të cilëve 35 kryetarë gjykatash dhe përfaqësues të tjerë të lartë të gjyqësorit nga 106 vende dhe 40 shoqata gjyqësore, duke përfaqësuar kështu mbledhjen më të madhe të gjyqtarëve të organizuar ndonjëherë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.
Pas ceremonisë së hapjes nga Dr Hassan bin Lahdan Alhassan Almohanadi, Kryegjyqtar në Katar, Takimi i Nivelit të Lartë i këtij viti vijoi me prezantimin e arritjeve të Rrjetit që prej krijimit të tij dhe me organizimin e disa sesioneve plenare dhe sesioneve tematike të ndërmjetme. Temat e trajtuara gjatë sesioneve plenare ishin: a) përdorimi i mediave sociale nga gjyqtarët; b) çështje të integritetit gjyqësor që lidhen me barazinë gjinore; c) përdorimi i inteligjencës artificiale nga gjyqësori; dhe d) si të punojmë së bashku për integritetin gjyqësor.
Në përfundim të punimeve të takimit delegacioni shqiptar mori pjesë në një pritje zyrtare të organizuar në selinë e Ambasadës nga z. Kujtim Xhani, i ngarkuari me punë i Republikës së Shqipërisë në Katar.
Sipas një tradite tashmë të krijuar, me ftesë të z. Linos - Alexandre Sicilianos, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë i përbërë nga znj. Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit, dhe znj. Alma Çomo, drejtore e drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në veprimtaritë e organizuara me rastin e hapjes së vitit gjyqësor të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat u zhvilluan në datën 31 janar 2020 në Strasburg, Francë.
Seminari i organizuar këtë vit kishte temën: "Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut: një instrument i gjallë prej 70 vjetësh" - 1."Një instrument i gjallë: doktrina evoluese", 2."Barazia gjinore", 3."Ambienti" dhe 4."Shkenca dhe teknologjia".
Seminari vijoi me seancën solemne të hapjes së vitit gjyqësor 2020 të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ku z. Linos - Alexandre Sicilianos, Kryetar i Gjykatës, mbajti një fjalë përshëndetëse për të gjithë pjesëmarrësit e ftuar. Në këtë seancë ishte gjithashtu i pranishëm si i ftuar nderi edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë të Irlandës, z. Frank Clarke, i cili mbajti një fjalim për të gjithë përfaqësuesit nga gjykatat më të larta të 47 shteteve anëtare të Këshillit të Europës, si dhe për autoritetet e tjera lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Me ftesë të z. Chile Eboe-Osuji, Kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, znj. Vitore Tusha, Anëtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së vitit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale si dhe në seminarin e organizuar me këtë rast. Aktivitetet u zhvilluan në Hagë, më 23 janar 2020.
Gjykata Ndërkombëtare Penale e ka filluar organizimin e një ceremonie të tillë solemne dhe të seminarit gjyqësor në vitin 2018. Qëllimi i organizimit të seminarit për të tretin vit, është krijimi i një hapësire për shkëmbimin e opinioneve rreth çështjeve më të rëndësishme që prekin sistemin e drejtësisë penale ndërkombëtare.
Gjatë punimeve të seminarit të tretë u trajtuan dy tema mjaft të rëndësishme si për juridiksionet ndërkombëtare, ashtu edhe për ato kombëtare dhe rajonale: “ Përdorimi i afateve kohore për dhënien e vendimeve në proceset penale - përvojat dhe perspektivat.”, si dhe “ Opinionet paralele dhe të pakicës - të bëhen ose jo dhe në ç’mënyrë”.
Pjesëmarrës në këtë seminar ishin gjyqtarë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, gjyqtarë të nivelit të larte të juridiksioneve kombëtare të Shteteve Palë të Statutit të Romës (ku bën pjesë edhe Republika e Shqipërisë), si dhe gjyqtarë të nivelit të lartë të juridiksioneve ndërkombëtare dhe rajonale.
Gjatë qëndrimit në Hagë, delegacioni shqiptar u prit në një takim të veçantë nga Sh.S.Znj.Adia Sakiqi, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2019
Në këtë ceremoni, që u organizua në Prishtinë, më 23 tetor 2019, ishin të pranishëm udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e akredituar të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në vend, përfaqësues nga Komisioni i Venecias, si dhe delegacionet e nivelit të lartë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë, Turqisë, Republikës Çeke, Portugalisë, Luksemburgut dhe e Maltës.
Në kuadër të përvjetorit jubilar të veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 24 tetor 2019, u zhvillua Konferenca ndërkombëtare me temë: “Sigurimi i sundimit të ligjit dhe i të drejtave të njeriut përmes mekanizmave të drejtësisë kushtetuese: Sfidat e shekullit 21”.
Në kuadër të kësaj konference znj. Vitore Tusha, Anëtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, përgatiti fjalimin e titulluar : “Sfidat e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në mbrojtje të parimeve themelore të Shtetit të së Drejtës”.
Simpoziumi, i ndarë në disa sesione pune, trajtoi temën “Evoluimi dhe progresi i gjykimit kushtetues, arritjet dhe sfidat” duke ofruar mundësinë që pjesëmarrësit, kryetarë gjykatash kushtetuese dhe gjyqtarë kushtetues nga shumë vende të botës, të diskutonin dhe të ndanin përvojat e tyre rreth zhvillimeve më të fundit të drejtësisë kushtetuese lidhur me mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të përbashkëta kushtetuese.
Gjatë punimeve të këtij Kongresi Prof. Dr. Arta Vorpsi mbajti prezantimin me temë: “(Anti)kushtetutshmëria e amendamentit kushtetues dhe efektet e tij në diskrecionin parlamentar”.
Tema kryesore e Kongresit ishte "Dinjiteti, Demokracia, Diversiteti". Qëllimi i këtij aktiviteti akademik ishte hapja e një mjedisi diskutimi dhe reflektimi mbi çështjet më të rëndësishme që shqetësojnë të drejtat e njeriut, sfidat bashkëkohore të pluralizmit kulturor, shtetësisë dhe integrimit. Çështjet e shtruara dhe të diskutuara në panelet dhe punëtoritë e Kongresit nuk i drejtoheshin vetëm juristëve dhe filozofëve por edhe politikbërësve, OJF-ve, avokatëve dhe publikut të gjerë në përgjithësi, ashtu edhe akademikëve të disiplinave të ndryshme.
Me ftesë të Universitetit të Lucernës në punimet e këtij Kongresi mori pjesë znj. Arta Vorpsi, këshilltare e gjyqtarëve, e cila mbajti një referat mbi kuadrin kushtetues dhe ligjor, si dhe praktikën gjyqësore shqiptare për çështje të lidhura me dinjitetin jerëzor.
Pjesëmarrësit, gjyqtarë/këshilltarë të gjithë pika kontakti të gjykatave respektive me GJEDNJ-në, biseduan mbi praktikat kushtetuese dhe ligjore lidhur me temat sipas axhendës, si dhe u shprehën për rëndësinë e forcimit të dialogut mes gjykatave supreme të vendeve anëtare të Këshillit të Europës me GJEDNJ-në.
Ky takim u hap dhe u përshëndet edhe nga Kryetari i Komisionit të Venecias, zoti Gianni Buquicchio, duke theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit, si dhe shkëmbin e përvojave e informacioneve mes përfaqësuesve të grupeve rajonale dhe gjuhësore, të cilët bashkëpunojnë me Komisionin e Venecias.
Këshilli u informua gjithashtu rreth veprimtarisë së Komisionit të Venecias dhe të opinioneve të miratuara nga ky Komision në fushën e drejtësisë kushtetuese, si dhe rreth pjesëmarrjes dhe organizimit të përbashkët të konferencave dhe seminareve në bashkëpunim me gjykatat kushtetuese.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin më shumë se 120 anëtarë të gjykatave kushtetuese dhe institucioneve të drejtësisë të mbi 40 vendeve, përfaqësues të organeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (si Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut) si dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare. Gjatë Konferencës u diskutuan çështje të tilla si: identiteti kushtetues dhe sfidat e gjykimit kushtetues brenda kontekstit të ndryshimeve globale dhe të tendencës aktuale të populizmit, kërkimi i balancës midis vlerave kombëtare dhe universale si dhe tema të tjera relevante.
Në 16 maj 2019, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Federatës Ruse, zoti Valery Zorkin, mbajti një leksion publik për pjesëmarrësit e Forumit të 9-të Ligjor me temë: “Ligji i metamodernizmit: krijimi i problemit", kushtuar çështjeve aktuale të ligjit dhe demokracisë.
Gjatë punimeve të Forumit të 9-të Ligjor Ndërkombëtar u shkëmbyen përvoja në fushën e përmirësimit të jurisprudencës dhe të modernizimit të saj në kohën e ndryshimeve globale, si dhe u diskutuan çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zbatimit të ligjit
Shoqata e Gjykatave Kushtetuese që përdorin gjuhën frënge (ACCPUF) mbledh së bashku gjykata kushtetuese dhe institucione ekuivalente të Europës, Afrikës, Amerikës dhe Azisë dhe ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave midis anëtarëve të hapësirës frankofone për të promovuar forcimin e Shtetit të së drejtës dhe për të reflektuar rreth sfidave të mëdha të drejtësisë kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aderon në këtë shoqatë si anëtare me të drejta të plota që prej vitit 2002.
Kongresi i 8-të trevjeçar i Shoqatës ACCPUF u organizua në bashkëpunim me Gjykatën Supreme të Kanadasë.
Punimet e Kongresit u hapen me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kanadasë, z. Richard Wagner, të zëvendësministres së Drejtësisë dhe zëvendësprokurore e Përgjithshme e Kanadasë, znj. Nathalie G. Drouin, të Kryetarit të Shoqatës ACCPUF dhe njëkohësisht Kryetar i Tribunalit Federal të Zvicrës, z. Ulrich Meyer, të Kryetarit të Komisionit të Venecias, z. Gianni Buquicchio.
Kryetarët, anëtarët dhe përfaqësuesit e institucioneve kushtetuese që morën pjesë në Kongres diskutuan rreth temës “Kushtetuta dhe siguria juridike”. Sesionet e diskutimeve u fokusuan veçanërisht në mbrojtjen kushtetuese të sigurisë juridike, në mënyrën se si institucionet anëtare të ACCPUF-it (gjykata/këshilla kushtetues, gjykata supreme) e marrin parasysh këtë parim gjatë ushtrimit të kontrollit kushtetues dhe në teknikat e tyre të vendimmarrjes.
Në ditën e dytë të punimeve të Kongresit, Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës miratoi: raportin financiar trevjeçar të Shoqatës; ndryshimet në Statutin dhe Rregulloren e Shoqatës; ndryshimin e emërtimit të Shoqatës në “Shoqata e Gjykatave Kushtetuese Frankofone” (Association des Cours Constitutionnelles Francophones - ACCF); pranimin e kërkesës për anëtarësim të Gjykatës Kushtetuese të Luksemburgut; propozimin për partneritet me Konferencën e Juridiksioneve Kushtetuese Afrikane; kandidaturat e reja të Byrosë drejtuese të Shoqatës; si dhe programin trevjeçar 2019-2022 të veprimtarisë së Shoqatës.
Znj. Vitore Tusha zhvilloi një takim të veçantë me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kanadasë, z. Richard Wagner si dhe me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kanada, z. Ermal Muça.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2018
Pjesëmarrësit në konferencën dy ditore, të cilët ishin përfaqësues nga 44 gjykata kushtetuese dhe institucione ekuivalente, diskutuan rreth kompetencave dhe mbrojtjes së gjykatave kushtetuese, garantimit të ndarjes së pushteteve dhe të drejtave themelore, statusit të pavarësisë së gjyqtarëve kushtetues.
Veprimtaritë post-konferencë për pjesëmarrësit në këtë përvjetor të Tribunalit Kushtetues andorran vijuan me një pritje në Parlamentin e Andorrës nga vetë Kryetari i këtij Parlamenti, z. Vicenç Mateu Zamora, dhe me një tjetër pritje zyrtare në Ambasadën e Francës në Andorra në datën 14 korrik 2018 me rastin e festës kombëtare të Francës.
Kjo konference ndërkombëtare startoi edhe punimet e Forumit të 8-të Ligjor Ndërkombëtar të Shën Petërsburgut, veprimtari të cilat u zhvilluan në Shën Petërsburg në datat 15-19 maj 2018.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Prof. Dr. Zühtü Arslan, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, dhe z. Aleksandër Toma, Drejtor i Kabinetit të Kryetarit, mori pjesë në ceremoninë zyrtare si dhe në simpoziumin e organizuar me rastin e 56-vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë.
Gjatë sesioneve të punës të këtij simpoziumi me temë: “Vlerësimi i pesë viteve të aplikimit të ankimit individual në Gjykatën Kushtetuese të Turqisë”, u mbajtën referenca rreth çështjeve që lidhen me efektet e gjykimeve të aplikimeve individuale në interpretimin e Kushtetutës dhe në sistemin gjyqësor; efektet e gjykimeve të Gjykatës Kushtetuese në aktgjykimet e GJEDNJ-së; si dhe vlerësimin e përgjithshëm dhe statistikat mbi gjykimet e aplikimit individual
Në këtë aktivitet, ku morën pjesë, kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese nga vende të ndryshme, si dhe akademikë të fushës, Kryetari Dedja referoi mbi legjislacionin dhe praktikën shqiptare për temat e diskutuara.
Për nder të delegacioneve pjesëmarrëse Presidenti i Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan, shtroi një darkë gala në kompleksin presidencial.
Në kuadër të takimeve të përvitshme të organizuara nga AIRE Center dhe Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave Civile, në datat 16-17 Mars 2018, u mbajt ne Shkup, Maqedoni, Forumi i pestë Rajonal mbi sundimin e ligjit në Europën Juglindore, në të cilin u diskutuan tema qe lidheshin me nenin 3 të Konventës Europiane të të Drejtave të Neriut, për mbrojtjen nga tortura, sipas jurisprudencës së Gjykatave Kushtetuese dhe standardeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, me një fokus të veçantë te fëmijët, personat me aftësi të kufizuar, të burgosurit, si dhe dëshmitë në procesin penal si rezultat i tortures, etj.
Në këtë aktivitet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë morën pjesë Kryetari i Gjykates Kushteuese, z. Bashkim Dedja dhe Drejtori i Kabinetit të Kryetarit, z. Aleksander Toma. Në diskutimet e këtij forumi ishin të pranishëm edhe gjyqtarë të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut të zgjedhur nga vendet e rajonit.
Ishte me shumë interes ndjekja e prezantimeve dhe diskutimeve gjatë punimeve të konferencës ndërkombëtare të fokusuara në rolin e Gjykatës së Kasacionit në sistemin gjyqësor turk.
Këtë konferencë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Presidenti i Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan, Kryeministri i Republikës së Turqisë, z. Binali Yildirim, si dhe personalitete të tjera të shquara të vendit. Po ashtu, kryesuesit e delegacioneve pjesëmarrëse morën pjesë në një drekë zyrtare të shtruar për nder të tyre nga Presidenti i Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mbetet tërësisht e angazhuar për të vazhduar më tej bashkëpunimin përmes shkëmbimit të përvojave të përbashkëta mes gjykatave supreme, duke ndarë bindjen se veprimtari të tilla luajnë një rol shumë të rëndësishëm në intensifikimin e këtij bashkëpunimi.
Seminari i organizuar këtë vit kishte temën: “Autoriteti i gjyqësorit” dhe mblodhi kryetarë të gjykatave supreme dhe gjykatave kushtetuese të shteteve anëtare të Këshillit të Europës si dhe shumë personalitete të shquara të fushës së gjyqësorit.
Seminari vijoi me Seancën Solemne të Hapjes së Vitit Gjyqësor 2018 të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Gjykatës Europiane të Drejtësisë z. Koen Lenaerts i cili mbajti fjalimin me temë “GJEDNJ dhe GJED: Krijimi i sinergjive në fushën e mbrojtjes të së Drejtave Themelore”.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2017
asnje info
asnje info
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2016
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2015
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2014
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2013
Në datën 4 dhjetor 2013, në Prishtinë, Kosovë, u zhvillua Konferenca rajonale “Bashkëpunimi në arritjen e qëllimit: Institucionet e Avokatit të Popullit dhe Gjyqësori për mbrojtjen e të drejtave të njeriut – praktikat më të mira evropiane dhe përvoja rajonale”, e organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua në këtë konferencë nga znj. Kaliona Nushi, këshilltare e gjyqtarëve.
Objektivi i kësaj Konference ishte që përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të ndanin e shkëmbenin përvojat, sfidat dhe praktikat e tyre.
Konferenca ofroi një forum për diskutim për modelet e ndryshme të ndërveprimit midis Avokatit të Popullit dhe gjyqësorit dhe objektivat e saj ishin krahasimi i përvojave të Avokatit të Popullit nga Kosova dhe Evropa Juglindore lidhur me zhvillimet pozitive dhe problemet në realizimin e mandatit të tyre kur referojnë raste tek Gjykatat Kushtetuese, identifikimi i ngjashmërive dhe dallimeve dhe çështjeve që mund të shfrytëzohen si model për zhvillimin e mandatit të Avokatit të Popullit në Kosovë.
Konferenca u përshëndet nga Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, z. Tim Cartwright, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Melvin Asin, Shefi i Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, z. Joel Mermet, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, z. Enver Hasani dhe Avokati i Popullit të Kosovës, z. Sami Kurteshi.
Përfaqësuesja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, në sesionin e dytë plenar të Konferencës, bëri një prezantim të subjekteve që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, duke u fokusuar në jurisprudencën e kësaj Gjykate lidhur me legjitimimin e Avokatit të Popullit.
Në datat 7-8 nëntor 2013, u zhvillua në Paris (Francë), në ambientet e Këshillit Kushtetues, seminari i 8-të i korrespondentëve kombëtarë të ACCPUF – Shoqata e Gjykatave Kushtetuese që Përdorin Gjuhën Frënge, me temë “Informatizimi dhe dematerializimi i procedurave në gjykatat kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u përfaqësua nga Znj. Brunilda Bara – Drejtore e Drejtorisë Gjyqësore dhe e Dokumentacionit, dhe Znj. Thomaida Xhoxhaj – specialiste e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë.
Seminari interaktiv u zhvillua në gjuhën frënge, dhe përfaqësuesit e gjykatave kushtetuese (dhe të institucioneve të ngjashme) të 33 vendeve pjesëmarrëse, mes të cilave Franca, Kanadaja, Belgjika, Zvicra, Rumania, Hungaria, sollën përvojat e tyre për hapat e hedhura dhe nivelin e deritanishëm në procesin e informatizimit të procedurave në gjykata.
E pranishme në këtë seminar ishte edhe Organizata Botërore e Frankofonisë e cila u ofrua të ndihmojë financiarisht gjykatat në procesin e informatizimit kundrejt paraqitjes së projekteve konkrete nga ana e tyre.
Një përshëndetje mjaft e veçantë iu bë këtij takimi nga z. Jean-Louis Debré – Kryetari Këshillit Kushtetues Francez dhe Znj. Caroline Petillon – Sekretare e Përgjithshme e ACCPUF dhe Drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë të Këshillit Kushtetues francez.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof.Dr. Enver Hasani, në kuadrin e inaugurimit të vitit të 4-t gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në datat 14-15 tetor 2013, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga, z.Bashkim Dedja, Kryetar, znj.Vitore Tusha, Anëtare e Gjykatës, dhe z. Kujtim Osmani, Sekretar i Përgjithshëm, zhvilloi një vizitë zyrtare në Prishtinë.
Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese mori pjesë në aktivitetet solemne që u organizuan, si dhe zhvilloi takime me përfaqësues të delegacioneve të gjykatave kushtetuese të disa vendeve të rajonit, dhe me personalitete të tjera pjesëmarrëse në këtë ceremoni.
Me ftesë të Komisionit Evropian për Demokracinë Nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias), një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga Zj. Noela Ruço, drejtore e Studimeve, Botimeve dhe Publikimeve, dhe Znj. Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në takimin e 12-të të Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese, që u zhvillua në Venecia, Itali, në datat 8-9 tetor 2013.
Gjatë takimit pjesëmarrësit u informuan mbi opinionet dhe raportet e Komisionit të Venecias mbi drejtësinë kushtetuese, të përgatitura që prej takimit të fundit që u zhvillua në Brno, të Republikës Çeke, në 31 maj 2012. Gjithashtu, pjesëmarrësit morën informacion dhe mbi aktivitetet e përbashkëta që Komisioni i Venecias ka zhvilluar me Konferencën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese (CECC), me Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese që përdorin Gjuhën Frënge (ACCPUF), me Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese dhe Institucioneve Ekuivalente të Azisë, si dhe me organizata dhe shoqata të tjera ndërkombëtare që operojnë në fushën e drejtësisë kushtetuese. Pjesëmarrësit zhvilluan dhe një sesion trajnimi mbi përdorimin e database-it CODICES, në mënyrë specifike mbi azhornimin dhe indeksimin e ligjeve dhe kushtetutave, si dhe mbi mënyrën e aksesimit në bazën e të dhënave.
Në ditën e dytë të takimit u zhvillua dhe një minikonferencë mbi të drejtat e fëmijëve, gjatë të cilës referuan përfaqësues nga Sekretariati i Komisionit të Venecias, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si dhe nga gjykatat kushtetuese të Austrisë, të Republikës së Çekisë dhe të Këshillit të Shtetit të Holandës.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Z.Bashkim Dedja, i shoqëruar nga Drejtori i Kabinetit, Z.Aleksandër Toma, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë me temë “Standardet ligjore evropiane dhe fusha e diskrecionit të pushteteve në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës”, që u mbajt në Erevan të Armenisë, në datat 3-5 korrik 2013.
Seminari u organizua nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX).
Aktiviteti u përshëndet nga Kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Z. Charles L. Smith III, si dhe nga Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Z. Fejzullah Hasani.
Në prezantimin e tij Z. Bashkim Dedja u fokusua në çështje lidhur me vendin dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në sistemin gjyqësor, marrëdhëniet mes Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të zakonshme në Shqipëri dhe jurisprudenca përkatëse, sfidat në marrëdhëniet e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të zakonshme, avantazhet dhe dizavantazhet në procesin e fuqizimit të Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet zgjerimit të kompetencave të saj dhe rëndësia e kontrollit në sistemin kombëtar gjyqësor të Shqipërisë, si dhe praktikat më të mira në rajon, në veçanti në Shqipëri, në shmangien dhe kapërcimin e përplasjes së mundshme në praktikën gjyqësore mes Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të zakonshme.
Referuan në seminar dhe Z. Jack Tunheim, Gjyqtar i Distriktit në SHBA, me temën: “Rëndësia e kontrollit të Gjykatës Kushtetuese të SHBA-së ndaj gjykatave të zakonshme”, dhe Dr. Sc Fejzullah Hasani, Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, me temën: “Rëndësia e kontrollit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës vis-à-vis gjykatave të zakonshme”.
Seminari u organizua nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Supreme e Kosovës, me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Fushën Ligjore (IRZ), dhe me pjesëmarrjen e gjyqtarëve kushtetues dhe të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.
Profesori i Fakultetit Juridik të Universitetit të Hamburgut në Gjermani, Prof. Dr. Ulrich Karpen, prezantoi disa tema lidhur me ankimin kushtetues ndaj vendimeve të gjykatave në rajon – kontrollin gjyqësor të vendimeve të Gjykatës Supreme dhe të gjykatave të tjera të zakonshme nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës; zbatimin e standardeve për të drejtat e njeriut, të parashikuara në Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z.Bashkim Dedja, mori pjesë në Kongresin e XV-të Ndërkombëtar të Drejtësisë Kushtetuese Evropiane dhe të Krahasuar, që u zhvillua në Regensburg në datat 31 maj-1 qershor, 2013. Kongresi u organizua nga Universiteti i Regensburgut, Katedra Jean Monnet, nën kujdesin e Prof. Dr. Rainer Arnold si dhe në bashkëpunim me Fondacionin për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ). Ky aktivitet i përvitshëm mbledh gjyqtarë nga gjykatat kushtetuese të vendeve të ndryshme, si dhe lektorë dhe akademikë nga universitete evropiane, të cilët referojnë dhe diskutojnë lidhur me tema me interes të përbashkët.
Në datat 22-24 maj 2013, u zhvillua në Berlin, Konferenca e 16-të Gjyqësore Ndërkombëtare, e organizuar nga Fondacioni i Familjes Furth, Universiteti i Miçiganit dhe Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES). Tema e Konferencës ishte “Mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet gjyqësori i shekullit të XXI-të”.
Kjo Konferencë është një takim i përvitshëm i gjyqtarëve të gjykatave kushtetuese, gjykatave të larta dhe të arbitrazhit nga vende të ndryshme të botës, të cilët mblidhen dhe diskutojnë çështje të rëndësishme lidhur me pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Me ftesë të Z. Dean Spielmann, Kryetar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i shoqëruar nga Z. Aleksandër Toma, Drejtor i Kabinetit, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit gjyqësor të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në seminarin me temë: “Zbatimi i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në kohën e krizës ekonomike”, që u organizua me këtë rast.
Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese mori pjesë dhe në Seancën Solemne të zhvilluar në kuadër të kësaj veprimtarie, ku ishin pjesëmarrës përfaqësues të Institucioneve të Drejtësisë nga të gjitha vendet e BE-së
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2012
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me fondacionin “Hanns Seidel”, organizuan në datën 16 nëntor 2012, në Prishtinë, seminarin me temë “Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë z. Bashkim Dedja, gjyqtarët z. Xhezair Zaganjori, Znj.Vitore Tusha, znj. Altina Xhoxhaj, z. Sokol Berberi, z.Fatmir Hoxha, z.Admir Thanza, si dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Kujtim Osmani.
Nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës merrnin pjesë Kryetari, z. Enver Hasani, gjyqtarët, z.Kadri Kryeziu, z.Altay Suroy, Sekretarja e Përgjithshme, znj.Arbëresha Raça-Shala si dhe këshilltarët ligjorë të kësaj gjykate. Fondacioni “Hanns Seidel” përfaqësohej nga znj. Nertila Mosko.
Në seminar referuan znj.Vitore Tusha, me temën “Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me kërkesat individuale për një proces të rregullt ligjor” dhe z. Sokol Berberi, me temën “Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e ligjeve”.
Nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, këshilltarja Xhenana Haxhiomeroviç referoi temën “Ekzekutimi i vendimeve te gjykatave kushtetuese - sfidat dhe tejkalimi i tyre”.
Delegacioni i i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë u prit në një takim nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi si dhe nga Ministri i Drejtësisë, z.Hajredin Kuçi.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Kryetari, z.Bashkim Dedja dhe anëtari i Gjykatës, z. Xhezair Zaganjori, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Promovimi i Demokracisë dhe Shtetit Ligjor nga Fondacioni IRZ - 20 vjet Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar”, që u zhvillua në Berlin në datën 25 tetor 2012.
Kjo konferencë u zhvillua në kuadrin e 20 vjetorit të krijimit të Fondacionit për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ). Që prej themelimit të tij, Fondacioni IRZ u ka ofruar konsulencë shteteve partnere, në reformimin e sistemit të tyre ligjor dhe gjyqësor. IRZ-ja është prej vitesh aktive dhe në Shqipëri dhe përmes projekteve të financuara nga qeveria gjermane dhe nga BE-ja ka kontribuuar në zhvillimin e sistemit të drejtësisë. Me asistencën dhe kontributin e IRZ-së është zhvilluar një vizitë studimore e anëtarëve të Gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë si dhe janë zhvilluar disa trajnime për stafin administrativ, me ekspertë gjermanë.
Në datat 16-18 tetor, me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof.Dr. Enver Hasani, zhvilloi një vizitë në Kosovë një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga z.Bashkim Dedja, Kryetar, z. Xhezair Zaganjori, Anëtar i Gjykatës, dhe z. Aleksandër Toma, Drejtor i Kabinetit të Kryetarit. Kjo vizitë u zhvillua në kuadrin e inaugurimit të vitit të 3-të gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Në takimin me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof.Dr. Enver Hasani, z. Bashkim Dedja vlerësoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve homologe.
Gjatë ditëve të vizitës, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese zhvilloi takime me përfaqësues të delegacioneve të gjykatave kushtetuese të disa vendeve të rajonit si dhe me personalitete të tjera pjesëmarrëse në inaugurim.
Në datat 9-11 shtator 2012, me ftesë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Austrisë Prof. Dr. Gerhart Holzinger, u organizua në Vjenë takimi përgatitor i Rrethit të Kryetarëve të Gjykatave Kushtetuese në kuadrin e përgatitjeve të Kongresit të 16-të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, i cili do të zhvillohet në 12-14 maj 2014, në Vjenë.
Në këtë takim mori pjesë dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, si dhe anëtari i kësaj gjykate z. Sokol Berberi.
Përfaqësuesit e gjykatave kushtetuese pjesëmarrëse në takim diskutuan mbi kuadrin organizativ të Kongresit të 16-të të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, dhe më konkretisht mbi përzgjedhjen e temës dhe nëntemave që do të trajtohen, organizimin dhe programin, përcaktimin e raportuesit/ve të përgjithshëm si dhe të vëzhguesve dhe të të ftuarve në Kongres, etj.
Në programin e takimit ishte parashikuar dhe diskutimi mbi aplikimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, për të qenë anëtare e asociuar e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane. Duke mos marrë konsensusin e të gjithë anëtarëve të pranishëm, ky aplikim u shty për t’u diskutuar në takimin e ardhshëm.
Gjatë ditëve të zhvillimit të takimit, përfaqësuesit e delegacioneve të gjykatave kushtetuese evropiane morën pjesë në një pritje të organizuar nga Presidenti Federal i Republikës së Austrisë z. Heinz Fischer , me rastin e 40-vjetorit të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, si dhe në një darkë gala të dhënë nga Kancelari i Austrisë, z. Werner Faymann.
Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane është themeluar në vitin 1972 dhe, në bazë të Statutit të saj, ka si qëllim mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme si dhe shkëmbimin e informacionit, të eksperiencave dhe opinioneve midis gjykatave kushtetuese për çështje të praktikës dhe të jurisprudencës kushtetuese. Për më tepër, Konferenca mban një qëndrim të vendosur në favor të ruajtjes dhe fuqizimit të pavarësisë së gjykatave kushtetuese, si një element thelbësor i demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Për këtë qëllim, Konferenca synon forcimin e solidaritetit midis gjykatave kushtetuese evropiane, në situatat kur pavarësia e tyre mund të cenohet.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Z. Bashkim Dedja, Kryetar, Znj. Vitore Tusha dhe Z. Fatmir Hoxha, Gjyqtarë, dhe Z. Aleksandër Toma, Drejtor Kabineti, zhvilloi një vizitë studimore në Republikën e Sllovenisë.
Pas takimit me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, Dr. Ernest Petrič dhe trupën gjyqësore, delegacioni zhvilloi takime të rëndësishme me personalitete të larta të vendit, me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Sllovenisë Dr.Gregor Virant, me Ministrin e Drejtësisë Dr. Senko Pličanič dhe Kryetaren e Gjykatës së Apelit në Koper, Znj. Joža Velkaverh.
Në këto takime palët shprehën bindjen se bashkëpunimi në mes të institucioneve të dy vendeve do të vazhdojë të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen, duke pasur në fokus shkëmbimin e përvojave dhe ideve në fushat respektive.
Këto takime u zhvilluan në një frymë shumë miqësore ku u shkëmbyen eksperienca të ndërsjella të funksionimit të institucioneve.
Në datat 21-22 qershor 2012, me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë dhe 100 vjetorit të afirmimit të kontrollit kushtetues të ligjeve në Rumani, u organizua në Bukuresht Konferenca Ndërkombëtare me temë “ Kontrolli kushtetues- Traditë dhe perspektiva”.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua në këtë aktivitet nga një delegacion i përbërë nga z. Admir Thanza, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe znj. Kaliona Nushi, këshilltare e gjyqtarëve.
Çështjet kryesore që u trajtuan në këtë konferencë kishin të bënin me gjenezën dhe evoluimin e kontrollit kushtetues, problemet që hasin gjykatat e ndryshme kushtetuese dhe zgjidhjet që ato ofrojnë si dhe sfidat me të cilat përballet kontrolli kushtetues. Gjatë punimeve të Konferencës theksi u vu veçanërisht në kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të legjislacionit të Bashkimit Evropian.
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë i përbërë nga z. Kujtim Osmani, Sekretar i Përgjithshëm, dhe drejtorë, këshilltarë dhe specialistë të këtij institucioni, realizoi një vizitë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Delegacioni u prit nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani, Prof. Dr. Ivan Čukalović, gjyqtar, Sekretarja e Përgjithshme Mr.Sc. Arbëresha Raça-Shala, drejtorë të departamenteve, këshilltarë e specialistë të këtij institucioni. Kjo vizitë u realizua në zbatim të marrëveshjes për bashkëpunim reciprok dhe ndihmë të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët, midis Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nënshkruar në Tiranë në datën 18 Prill 2011.
Tema e diskutimeve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës ishte shkëmbimi i eksperiencave të ndërsjella në drejtim të trajtimit të kërkesave që paraqiten nga subjekte të ndryshme në gjykatat respektive, puna e këshilltarëve në hartimin e opinioneve dhe projektvendimeve, administrimi i buxhetit, veprimtaria kërkimore, studimet dhe botimet etj.
Gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës, delegacioni vizitoi vende me rëndësi historike si shtëpinë e Adem Jasharit në Prekaz, si dhe objekte turistike si Çarshia e vjetër e Gjakovës, vendburimi i Drinit të Bardhë në Radovc dhe shpella e mermertë e Gadimes në Lipjan.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Z.Bashkim Dedja, Kryetar, dhe Z.Kujtim Osmani, Sekretar i Përgjithshëm, mori pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar dhe veprimtaritë e organizuara me rastin e 50-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, i cili i zhvilloi punimet në Ankara dhe Stamboll, në datat 25-28 prill 2012.
Me ftesë të Prof. Dr. Rainer Arnold dhe Fondacionit Gjerman për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Z. Bashkim Dedja, Kryetar, Z. Xhezair Zaganjori, anëtar, dhe Znj. Arta Vorpsi, këshilltare ligjore, mori pjesë në Kongresin e XV-të të të Drejtës Kushtetuese Europiane dhe të Krahasuar, i cili i zhvilloi punimet në Regensburg, Gjermani, në datat 23 – 24 mars 2012.
Temat e përzgjedhura mbi të cilat u fokusuan edhe diskutimet e pjesëmarrësve në Kongres ishin: "Gjykatat Kushtetuese dhe Politika" dhe "Identiteti Kushtetues dhe Kombëtar në Perspektivën e Gjykatave Kushtetuese."
Gjatë ditës së parë të punimeve të Kongresit, Z. Xhezair Zaganjori, moderoi dhe referoi gjatë workshopit I me temë "Drejtësia Kushtetuese dhe Politika: përvojat kombëtare."
Me ftesë të Komisionit Europian për Demokracinë Nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias), një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga Zj. Noela Ruço, drejtore e Studimeve, Botimeve dhe Publikimeve, dhe Znj. Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieven me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në Konferencën me temë: “Shteti i së drejtës si një koncpet praktik,” e cila i zhvilloi punimet në Londër, Angli, në datat 2 – 3 mars 2012.
Kjo Konferencë u organizua në bashkëpunim me Zyrën e Commonwealth-it dhe të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qendrën Bingham për Shtetin e së Drejtës.
Me ftesë të Sir Nicolas Bratza, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Znj. Altina Xhoxhaj, anëtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, mori pjesë në Seminarin me temë: “Si të garantojmë një përfshirje më të madhe të gjykatave kombëtare në sistemin e Konventës,” i organizuar me rastin e hapjes së vitit të ri gjyqësor 2012 të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Po ashtu, Znj. Altina Xhoxhaj mori pjesë edhe në Seancën Solemne të zhvilluar në kuadër të kësaj veprimtarie.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2011
Me ftesë të Zotit Jagdish Gandhi, Themelues – Drejtor i City Montessori School, si dhe drejtues i Konferencës, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Zoti Bashkim Dedja, mori pjesë në punimet e Konferencës së 12-të Ndërkombëtare të Kryegjyqtarëve të Botës me temë: “Forcimi i ligjit dhe qeverisja globale si nevojë e kohës, me qëllim mbrojtjen e së ardhmes së dy bilion fëmijëve në mbarë botën dhe gjeneratave që do lindin,” si dhe në veprimtaritë e tjera të organizuara me këtë rast, të cilat u zhvilluan në datat 7 – 13 dhjetor 2011, në Lucknow, New Delhi, India.
Konferenca e 12-të Ndërkombëtare e Kryegjyqtarëve të Botës u zhvillua në vijimësi të konferencave të mëparshme të organizuara nga Shkolla Montessori, dhe kishte si synim nxitjen e debateve dhe ndërmarrjen e të gjithë hapave të nevojshëm për të zhvilluar dhe zbatuar parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve të përgjithshme të ligjit, të pranuara nga shtetet, me qëllim për të ndaluar çdo formë të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Gjatë punimeve të Konferencës, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Z.Bashkim Dedja mbajti edhe një referat me temë “Roli i Gjykatës Kushtetuese në forcimin e shtetit të së drejtës,” që u prit me mjaft interes nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari të rëndësishme.
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Andorrës, një delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Z. Xhezair Zaganjori, gjyqtar, dhe Znj. Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, ka marrë pjesë në Konferencën e 4-t Ndërkombëtare Kushtetuese me temë: « Gjykatat Kushtetuese dhe doktrina: po dialogu? », e cila i ka zhvilluar punimet në datat 1 – 3 dhjetor 2011, në Andorra La Vella, Andorra.
Gjatë ditës së dytë të punimeve të konferencës, e cila mblodhi së bashku përfaqësues të gjykatave kushtetuese evropiane dhe autorë e akademikë të tjerë të interesuar, gjyqtari Zaganjori ka mbajtur një fjalë duke u fokusuar në dialogun ndërmjet gjykatës kushtetuese dhe doktrinës, si dhe duke e analizuar atë në kontekstin aktual shqiptar.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Z. Bashkim Dedja, Kryetar, dhe Z.Kujtim Osmani, Sekretar i Përgjithshëm, mori pjesë në Kongresin Ndërkombëtar, të organizuar me rastin e 10-vjetorit të Dhomës Kushtetuese të Gjykatës Supreme të Republikës së Venezuelës, i cili i zhvilloi punimet në Karakas, Venezuelë, në datat 9-11 Nëntor 2011. Në Kongres merrnin pjesë përfaqësues nga Gjykatat Kushtetuese të vendeve kryesore të Amerikës Latine, si dhe përfaqësues të disa Gjykatave Kushtetuese evropiane dhe të rajonit të Ballkanit. Kongresi u organizua në 5 sesione ku referuan të gjithë përfaqësuesit e delegacioneve pjesëmarrëse. Në sesionin plenar të zhvilluar në datën 9.11.2011, pjesëmarrësit u përshëndetën nga Presidentja e Gjykatës Supreme të Republikës së Venezuelës, Dr.Luisa Estella Morales Lamuno, si dhe nga Presidenti i parë i Dhomës Kushtetuese të Gjykatës Supreme të Republikës së Venezuelës, Dr.Ivan Rincon Urdaneta. Në sesionin e parë të punimeve të Kongresit, referoi Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Z.Bashkim Dedja, i cili mbajti prezantimin me temë : “Gjykata Kushtetuese sipas sistemit juridik shqiptar”.
Gjatë qëndrimit në Venezuelë, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë u prit në një takim zyrtar në ambientet e Gjykatës Supreme të Republikës së Venezuelës, nga Presidentja e kësaj gjykate, Dr.Luisa Estella Morales Lamuno.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Armenisë, Z. Gagik Harutyunyan, në datat 4 – 9 tetor 2011, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Z.Bashkim Dedja, kryetar, Zj. Vitore Tusha, gjyqtare dhe Zj.Elsa Toska, këshilltare e Kryetarit, morën pjesë në konferencën ndërkombëtare organizuar në Yerevan, e cila i dedikohej 15 vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Armenisë. Kjo konferencë u fokusua në temën “Roli ligjor dhe rëndësia e vendimeve të Gjykatave Kushtetuese lidhur me çështjet e konsolidimit të kushtetutshmërisë së shtetit”.
Gjatë qëndrimit në Armeni, në datën 4 tetor 2011, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë u prit në një takim zyrtar në ambientet e Gjykatës Kushtetuese së Republikës së Armenisë nga Kryetari i kësaj gjykate, Z. Gagik Harutyunyan. Në këtë takim, Kryetari, Z. Bashkim Dedja, prezantoi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Nga të dy homologët u diskutua mbi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes dy gjykatave kushtetuese dhe problemet që mund të adresohen në çështje të kontrollit kushtetues.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Z. Bashkim Dedja, Kryetar, Z. Xhezair Zaganjori, gjyqtar, dhe Z. Ardit Hysa, këshilltar ligjor, mori pjesë në Kongresin e XV-të të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane me temë: “Marrëdhëniet e Gjykatës Kushtetuese me Parlamentin dhe Qeverinë,” i cili i zhvilloi punimet në Bukuresht, Rumani, në datat 22-24 maj 2011. Në Kongres merrnin pjesë përfaqësues nga Gjykatat Kushtetuese të 41 vendeve anëtare të Konferencës, si edhe vëzhgues nga vende jo anëtare të Konferencës.
Kongresi u organizua në 3 sesione solemne ku merrnin pjesë të gjithë pjesëmarrësit, si dhe në dy sesione për Takimin e Rrethit të Kryetarëve të Gjykatave Kushtetuese. Në sesionin plenar të zhvilluar në datën 22.05.2011, pas fjalës përshëndetëse të mbajtur nga Presidenti i Republikës së Rumanisë, u vijua me paraqitjen e një raporti ku analizoheshin marrëdhëniet e Gjykatës Kushtetuese me Parlamentin dhe Qeverinë, veçanërisht sa i përket emërimit dhe shkarkimit të gjyqtarëve kushtetues në të gjitha vendet anëtare të Konferencës, dhe me pas pati diskutime të lira nga pjesëmarrësit mbi këtë temë.
Sesioni plenar i datës 23.05.2011 u fokusua në trajtimin e temave “Zgjidhja e konflikteve organike nga Gjykata Kushtetuese” dhe “Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”. Edhe gjatë këtij sesioni, u referuan fillimisht raportet përmbledhëse në lidhje me temat e sipërpërmendura dhe më pas u zhvilluan diskutime të lira nga pjesëmrrësit.
Në sesionin e Rrethit të Kryetarëve të datës 22.05.2011 zhvillimi më i rëndësishëm ishte diskutimi lidhur me kërkesën e paraqitur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për anëtarësimin e asociuar në këtë Konferencë, shqyrtimi i së cilës u shty për në mbledhjen e radhës të Rrethit të Kryetarëve, në 12 shtator 2012, në Austri, për mungesën e kohës së nevojshme për vënien në dispozicion të materialeve përkatëse.
Në sesionin e datës 24.05.2011, Rrethi i Kryetarëve të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane miratoi 5 rezoluta që kishin të bënin si me anën organizative të Kongresit dhe miratimin e buxhetit, ashtu edhe me vendime thelbësore sikurse ishte vendimi për shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në mbledhjen e radhës së Rrethit të Kryetarëve në Vienë, më 12.09.2012.
Kongresi i mbylli punimet pas fjalës përshëndetëse të Kryeministrit të Republikës së Rumanisë, i cili përshëndeti kongresin jo vetëm si Kryeministër, por edhe si ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë dhe profesor i të drejtës Kushtetuese.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Z. Sokol Sadushi dhe Z. Petrit Plloçi, gjyqtarë, mori pjesë në Konferencën me temë “Kontrolli i kushtetutshmërisë në Europë,” e organizuar nga Shoqata e Gjyqtarëve Administrativ Europian, në Paris, Francë, në datat 19 – 20 maj 2011.
Tema për rishikimin kushtetues në Europë u zgjodh për Konferencën e Parisit në kuadër të përvjetorit të parë të hyrjes në fuqi të një ligji kushtetues francez, i cili krijonte mekanizmat e “prioritetit të çështjeve të kushtetutshmërisë,” gjë që i lejonte gjykatave administrative të zakonshme të ngrinin çështje mbi kushtetutshmërinë e ligjeve në Këshillin Kushtetues, si dhe bënte të mundur forcimin e kontrollit të kushtetutshmërisë, temë e cila po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për gjyqtarët administrativ dhe juristët e tjerë në Europë.
Kjo konferencë, e cila mblodhi së bashku gjyqtarë dhe akademikë nga Franca dhe vende të tjera europiane, ishte e strukturuar në tri pjesë: lindja e rishikimit kushtetues në Europë, karakteristikat e Gjykatave Kushtetuese Europiane, kontrolli i kushtetutshmërisë dhe kontrolli i konvencionalitetit.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Rumanisë, Z. Augustin Zegrean, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i kësaj gjykate, Zoti Bashkim Dedja, dhe i përbërë nga Znj. Vitore Tusha dhe Znj. Altina Xhoxhaj, gjyqtare, ka zhvilluar në datat 4 – 7 prill 2011 një vizitë studimore pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Rumanisë.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar takime të rëndësishme me personalitete të larta të vendit. Ai është pritur në një takim zyrtar nga Zëvendëskryetarja e Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe Drejtësisë, Znj. Rodica Aida Popa, dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Republikën e Shqipërisë, Z. Costica Canacheu. Po ashtu, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë ka zhvilluar në selinë e Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë një takim pune me gjithë trupën e gjyqtarëve të kësaj gjykate, në fokus të të cilit ka qenë shkëmbimi i përvojave dhe ideve në fushën e gjykimit kushtetuese, si dhe thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira të bashkëpunimit që ekzistojnë midis institucioneve respektive.
Me ftesë të Zotit Jean – Paul Costa, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i shoqëruar nga Zj. Ela Elezi, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në Seminarin me temë: “Cilat janë limitet e interpretimit evolutiv të Konventës,” i organizuar me rastin e hapjes së vitit të ri gjyqësor 2011 të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Po ashtu, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese mori pjesë edhe në Seancën Solemne të zhvilluar në kuadër të kësaj veprimtarie.
Në datat 16 – 18 janar 2011, u zhvillua në Rio de Janeiro, Brazil, Kongresi i 2-të i Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese me temë “Ndarja e Pushteteve dhe Pavarësia e Gjykatave Kushtetuese dhe Organeve me Juridiksion Ekuivalent.” Në këtë veprimtari, e cila u organizua nga Gjykata Supreme Federale e Brazilit, në bashkëpunim edhe me Komisionin e Venecias të Këshillit të Europës, morën pjesë 88 Gjykata Kushtetuese, Këshilla Kushtetues dhe Gjykata Supreme, si dhe 10 grupe rajonale dhe gjuhësore nga Afrika, Amerika, Azia dhe Europa. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua në këtë Kongres nga një delegacion i kryesuar nga Kryetari i kësaj gjykate, Z. Bashkim Dedja, dhe i përbërë nga Z. Sokol Berberi, anëtar, dhe Znj. Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë.
Kongresi i 2-të u zhvillua në vijimësi të Kongresit të mëparshëm dhe kishte si synim nxitjen e diskutimeve lidhur me çështjet e pavarësisë së Gjykatave Kushtetuese dhe organeve të tjera me juridiksion ekuivalent në raport me degët e tjera të pushtetit, e në mënyrë të veçantë lidhur me presionet që vijnë nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, por ndonjëherë edhe nga media. Gjatë punimeve të Kongresit, gjyqtari Sokol Berberi mbajti edhe një referat me temë “Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.”
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2010
Në datat 25 – 26 nëntor 2010, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese i përbërë nga kryetari i kësaj gjykate, Z.Bashkim Dedja, nga gjyqtarët Z. Sokol Sadushi, Z. Xhezair Zaganjori si dhe Znj. Arta Vorpsi, këshilltare ligjore, ka marrë pjesë në konferencën me temë “Drejtësia kushtetuese në strukturat e ndërkombëtarizuara të qeverisjes në Kosovë dhe më gjerë – Sfida dhe krahasime.”
Kjo konferencë u zhvillua në Prishtinë, Kosovë dhe u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Fondacionin gjerman GTZ në kuadër të Projektit për Reformën Ligjore si dhe me Universitetin Justus Liebig të Giessen.
Konferenca u hap me fjalët përshëndetëse të mbajtura nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Z. Enver Hasani, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Z. Bashkim Dedja si dhe nga Përfaqësuesi i Fondacionit GTZ, Z. Volkmar Theobald.
Më tej, gjatë punimeve të konferencës u mbajtën referate edhe nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Z. Sokol Sadushi i cili referoi mbi temën: “Sfidat aktuale me të cilat përballen gjykatat kushtetuese – rasti shqiptar” dhe Z. Xhezair Zaganjori, i cili referoi lidhur me temën: “Perspektiva krahasuese mbi marrëdhëniet e gjykatave kushtetuese dhe gjykatave të larta të rajonit.”
Dita e dytë e konferencës, e cila u fokusua në temën e marrëdhënieve midis Gjykatave Kushtetuese dhe degëve të tjera të pushtetit në vendet në tranzicion, vazhdoi me referime të tjera nga pjesëmarrësit. Një prej paneleve të diskutimit u drejtua dhe nga këshilltarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Znj. Arta Vorpsi.
Fondacioni Gjerman për Bashkëpunimin Ligjor Europian (IRZ) organizoi në Dubrovnik, Kroaci, në datat 24 – 25 nëntor 2010, Konferencën Multilaterale me temë “Lufta efektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” synimi kryesor i të cilës ishte shkëmbimi i përvojave dhe ideve ndërmjet shteteve të Europës Jugore dhe Juglindore dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Në këtë veprimtari, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua nga Prof. Dr. Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Në datat 18-19 nëntor 2010, u zhvillua në Paris, Francë, seminari i 7-të i korrespondentëve kombëtarë të ACCPUF (Shoqata e Gjykatave Kushtetuese që përdorin gjuhën frënge) me temë: “Funksionimi i Gjykatave Kushtetuese gjatë periudhave elektorale.”
Në këtë veprimtari Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua nga Zj. Ela Elezi, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë.
Seminari i korrespondentëve kombëtarë u organizua nga ACCPUF, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Komisionin e Venecias. Në fokus të këtij seminari ishte mbrojta e të drejtave elektorale para gjykatave kushtetuese, çka u diskutua gjerësisht nga pjesëmarrësit duke patur si synim shkëmbimin e përvojave respektive në këtë aspekt.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga trupa e gjyqtarëve dhe i kryesuar nga Kryetari i kësaj gjykate, Z. Bashkim Dedja, zhvilloi një vizitë zyrtare zyrtare në Republikën e Kosovës.
Fillimisht, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i shoqëruar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani, dhe disa prej gjyqtarëve të saj, u prit në një takim zyrtar nga Presidenti në detyrë i Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi. Gjatë këtij takimi, Presidenti dhe Kryetarët e dy gjykatave kushtetuese theksuan nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve kushtetuese, duke nënvizuar rolin që ato kanë në zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Në përfundim të takimit, Presidenti Krasniqi dhe Kryetari Dedja dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën Presidenti përmendi momentin e veçantë që po kalon aktualisht Republika e Kosovës, ndërkohë që Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë shprehu vlerësimin e tij për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke evidentuar faktin se ndonëse mjaft e re në moshë ajo ka ditur të thotë fjalën e saj, duke e pozicionuar veten si një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit kosovar.
Po ashtu, në kuadër të veprimtarive të planifikuara me rastin e kësaj vizite u organizua edhe një seminar i përbashkët me temë: "Subjektet që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe veçoritë që paraqiten në praktikë në secilin rast," në punimet e të cilit morën pjesë, krahas gjyqtarëve të të dy gjykatave kushtetuese, edhe punonjës të administratës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në seminar, pas fjalës së referuar nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Z. Admir Thanza, pjesëmarrësit debatuan gjerësisht rreth temës dhe, në veçanti, u ndalën në rolin e gjykatave të zakonshme për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet kontrollit incidental.
Gjithashtu, gjatë ditëve të qendrimit në Kosovë, trupa e gjyqtarëve kushtetues të Shqipërisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjykatën Supreme të Kosovës, në të cilën Zëvendëskryetarja, Znj. Emine Mustafa, bëri një ekspoze të veprimtarisë aktuale të kësaj gjykate, ndërsa Kryetari Dedja u ndal te rasti shqiptar lidhur me kontrollin kushtetues të kërkesave individuale për proces të rregullt pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Lartë.
Delegacioni shqiptar zhvilloi gjatë ditës së fundit të qendrimit në Kosovë edhe një takim në Gjykatën e Qarkut Pejë. Në këtë takim, Kryetari i kësaj gjykate, Z. Salih Mekaj, bëri një prezantim të aspekteve aktuale të organizimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor, si dhe të ndryshimeve të pritshme me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për pushtetin gjyqësor.
Një falënderim i veçantë shkon për Fondacionin “Hanns Seidel” si mbështetësi kryesor i kësaj veprimtarie.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Prof. Dr. Enver Hasani, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Kryetari i kësaj gjykate Z. Bashkim Dedja dhe Sekretari i Përgjithshëm, Z. Kujtim Osmani, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Vitit Gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila u zhvillua në datë 14.10.2010, në Qëndrën e Rinisë, Prishtinë.
Gjatë pritjes së zhvilluar me këtë rast, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë zhvilloi takime me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë Z. Hasim Kiliç, Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Z. Trendafil Ivanovski dhe Zv. Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Portugalisë Z. Gil Galvao, takime të cilat patën si emërues të përbashkët zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit reciprok mes gjykatave kushtetuese respektive.
Po ashtu në kuadër të kësaj vizite, delegacioni zhvilloi takime me Kryetarin dhe trupën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Më datë 15.10.2010, në bazë të programit të hartuar, delegacioni u prit në takime zyrtare nga Presidenti në detyrë i Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi, Kryeministri Z. Hashim Thaçi, dhe Ministri i Drejtësisë, Z. Haki Demolli.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Dr. Vladimir Kristo, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Komisionit të Venecias që u zhvillua në Venecia, Itali. Në këtë veprimtari morën pjesë Kryetarë të Gjykatave Kushtetuese dhe organeve me juridiksion ekuivalent, anëtarë të Komisionit të Venecias, disa Kryetarë Shtetesh, përfaqësues të tjerë të organeve të Këshillit të Europës, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare me të cilat bashkëpunon Komisioni i Vencias. Të pranishmit në këtë veprimtari u përshëndetën nga Z. Gianni Buquicchio, President i Komisionit të Venecias, Z. Mevlüt Çavušoğlu, President i Asamblesë Paralamentare të Këshillit të Europës, Z. Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës etj.
Gjatë kësaj veprimtarie, Kryetari Kristo zhvilloi takime me Z. Gianni Buquicchio dhe anëtarë të tjerë të Komisionit të Venecias, si dhe me disa Kryetarë të Gjykatave Kushtetuese simotra: të Italisë, Z. Francesco Amirante, të Kroacisë, Znj. Jasna Omejec, të Maqedonisë, Z. Trendafil Ivanovksi, të Malit të Zi, Z. Milan Marković, të Hungarisë, Z. Peter Paczolay, të Gjerorgjisë, Z. George Papuashvili etj. Në këto takime u nënvizua dëshira e përbashkët për vazhdimësinë dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë në fushën e drejtësisë kushtetuese dhe gjykimit kushtetues.
Komisioni Europian për Demokracinë nëpërmjet Ligjit – i njohur më gjerësisht si Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës – është një organizatë ligjore e pavarur që e ka filluar veprimtarinë e saj me ndihmesën e dhënë për hartimin e kushtetutave të demokracive të reja në përputhje me kulturën kushtetuese europiane. Sot, Komisioni identifikon, zhvillon dhe promovon standardet ligjore për institucionet demokratike, të drejtat e njeriut, ligjin zgjedhor dhe drejtësinë kushtetuese. Komisioni jep opinione ligjore për kushtetutat dhe ligjet. Ai harton opinione amicus curiae për Gjykatat Kushtetuese dhe Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Shqipëria është shtet anëtar i Komisionit të Venecias që prej 14.10.1996) e ka vënë disa herë në lëvizje Komisionin e Venecias dhe ka marrë prej tij opinione amicus curiae për çështje të rëndësishme që lidhen me kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve.
Me ftesë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kroacisë, znj. Jasna Omejec, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i saj, Dr. Vladimir Kristo, dhe i përbërë nga Z. Kujtim Puto, Znj. Vitore Tusha, Z. Admir Thanza, gjyqtarë, si dhe Z. Durim Kadiu, Drejtor i Kabinetit të Kryetarit, ka zhvilluar në datat 18 – 21 mars 2010 një vizitë zyrtare në Kroaci.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar takime të rëndësishme me personalitete të larta të vendit. Ai është pritur në një takim zyrtar nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Prof. Ivo Josipovic, takim në të cilin është nënvizuar roli që luajnë Gjykatat Kushtetuese respektive në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit, si dhe angazhimi i tij si President i Republikës në konsolidimin e institucionit të Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë.
Më tej, axhenda e kësaj vizite ka vijuar me takimin me Kryetarin e Parlamentit, z. Luca Bebic, ku janë vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Gjithashtu, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë ka zhvilluar një takim me trupën e gjyqtarëve kushtetues të Kroacisë, me qëllim shkëmbimin e përvojave të dy institucioneve respektive.
Me ftesë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kroacisë, znj. Jasna Omejec, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i saj, Dr. Vladimir Kristo në datat 18 – 21 mars 2010 po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar takime të rëndësishme me personalitete të larta të vendit. Gjatë paradites së sotme, ai është pritur në takim nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Prof. Ivo Josipović, takim në të cilin, ndër të tjera, është nënvizuar roli që luajnë Gjykatat Kushtetuese respektive në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit si dhe angazhimin e tij si President i Republikës në konsolidimin e institucionit të Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë.
Më tej, axhenda e kësaj vizite ka vijuar me takimin me Kryetarin e Parlamentit, z. Luca Bebić, ku janë vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Në këto takime Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë bëri një paraqitje të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe nënvijëzoi bashkëpunimin shumë të mirë të këtyre dy Gjykatave ndër vite.
Gjithashtu, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë ka zhvilluar një takim me trupën e gjyqtarëve kushtetues të Kroacisë, me qëllim shkëmbimin e përvojave të dy institucioneve respektive. Në përfundim të takimit, të dy kryetarët dhanë një konferencë për shtyp për mediat e pranishme në takim.
Z. Sokol Berberi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Mjetet ligjore efikase ndaj mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore kombëtare,” e cila është organizuar nga Departamenti i Ekzekutimit të Vendimeve të Gjykatës Europiane në kuadër të projektit të Këshilli i Europës të titulluar “Heqja e pengesave për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore/Garantimi i zbatimit efektiv të vendimeve gjyqësore kombëtare,” dhe është zhvilluar në Strasburg, Francë, në datat 15 – 16 mars 2010.
Me rastin e 15 vjetorit të krijimit të saj, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Moldavisë ka organizuar Konferencën Ndërkombëtare me temë “Garantimi i supremacisë së Kushtetutës – funksioni bazë i Gjykatës Kushtetuese,” e cila i ka zhvilluar punimet në Kishinau, Moldavi, në datat 25 – 26 shkurt 2010.
Në këtë veprimtari, Gjykata Kushtetuese është përfaqësuar nga Znj. Vitore Tusha, gjyqtare, dhe Znj. Valbona Pajo, këshilltare ligjore.
Gjatë sesionit të tretë të punimeve të kësaj Konference Ndërkombëtare, Znj. Tusha ka mbajtur edhe një fjalë me temë:
“Gjykata Kushtetuese si garantuese e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të sanksionuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.,” e cila është publikuar në buletinin e posaçëm të materialeve të Konferencës.
Me ftesë të Zotit Jean – Paul Costa, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Z. Sokol Berberi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, ka marrë pjesë në Ceremoninë e organizuar për hapjen e vitit të ri gjyqësor të kësaj gjykata, e cila është zhvilluar në Strasburg, Francë, më 29 janar 2010.
Z. Berberi ka marrë pjesë edhe në punimet e Seminarit me temë “Konventa është e juaja,” i zhvilluar në kuadër të kësaj veprimtarie.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2009
Fondacioni Gjerman për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (IRZ) organizoi në Dubrovnik, Kroaci, në datat 17 – 20 nëntor 2009, Konferencën Multilaterale me temë “Shteti para Gjykatës – Roli i të drejtës administrative dhe juridiksionit administrativ në zhvillimin e shtetit të së drejtës,” synimi kryesor i të cilës ishte shkëmbimi i përvojave dhe ideve ndërmjet shteteve të Europës Jugore dhe Juglindore dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Në këtë veprimtari, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua nga Prof. Dr. Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Me ftesë të Këshillit Kushtetues të Algjerisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë i përbërë nga Znj. Vitore Tusha, gjyqtare, dhe Znj. Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në punimet e Konferencës Ndërkombëtare me temë “Marrëdhëniet mes Gjykatave/Këshillave Kushtetues dhe Parlamenteve,” organizuar në kuadër të ceremonive festive me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Këshillit Kushtetues të Algjerisë dhe Festës Kombëtare të Republikës Popullore Demokratike të Algjerisë.
Këto veprimtari u organizuan nga Këshilli Kushtetues i Algjerisë, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të Këshillit të Europës dhe Unionin e Këshillave dhe Gjykatave Kushtetuese Arabe.
Në këto veprimtari ishin ftuar të mernin pjesë përfaqësues të Gjykatave/Këshillave Kushtetues dhe organeve me juridiksion ekuivalent nga shumë vende të botës. Në ceremoninë e hapjes së punimeve të Konferencës mori pjesë edhe Presidenti i Republikës Popullore Demokratike të Algjerisë, i cili mbajti edhe një fjalim përshëndetës për nder të pjesëmarrësve dhe të ftuarve.
Në datat 15 – 16 tetor 2009 zhvilloi punimet në Bukuresht, Rumani, Takimi Përgatitor i Rrethit të Kryetarëve lidhur me çështjet organizitive të Kongresit të XV-të të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane. Synimet kryesore të këtij takimi ishin miratimi i axhendës së Takimit Përgatitor të Rrethit të Kryetarëve për organizimin e Kongresit të XV-të të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane, si dhe përcaktimi i temës së këtij Kongresi.
Sipas Rezolutës IV të miratuar, Kongeresi i XV-të i Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane do të organizohet në Bukuresht, Rumani, në datat 23 – 27 maj 2011 dhe do t’i zhvillojë punimet mbi temën: “Drejtësia Kushtetuese: funksionet dhe marrëdhëniet me autoritetet e tjera publike.”
Në këtë veprimtari, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua nga z. Sokol Berberi, gjyqtar, dhe z. Kujtim Osmani, Sekretar i Përgjithshëm.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Dr Vladimir Kristo, gjatë vizitës në Slloveni, në përbërje të delegacionit të kryesuar nga Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bamir Topi, u takua dhe zhvilloi bisedime ne ambientet e Gjykatës Kushtetuese me homologun e tij slloven Jože TRATNIK. Të dyja palët ranë dakord për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale në çështjet me interes të përbashkët të gjykimit kushtetues. Zoti Kristo, ftoi Zotin TRATNIK në krye të një delegacioni të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Sllovenisë për një vizitë në Republikën e Shqipërisë, ftesë e cila u pranua me kënaqësi prej Tij.
Në datat 1-3 tetor 2008, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Armenisë, në bashkëpunim me Asamblenë Kombëtare të Republikës së Armenisë dhe Komisionin e Venecias të Këshillit të Europës, organizoi Konferencën e XIV-të Ndërkombëtare të Erevanit me temë “Përvoja ndërkombëtare e ndërveprimit mes gjykatave kushtetuese dhe parlamenteve në garantimin e supremacisë së Kushtetutës.”
Në këtë Konferencë, e cila mblodhi së bashku përfaqësues të gjykatave kushtetuese dhe delegacione parlamentare nga vende të ndryshme, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua nga gjyqtari Admir Thanza dhe këshilltari ligjor Dardan Mustafaj.
Gjyqtari Thanza referoi me këtë rast temën “Roli i Gjykatës Kushtetuese në kapërcimin e lacuna legis,” e cila u vlerësua nga të gjithë pjesëmarrësit në Konferencë.
Në datat 1 – 2 tetor 2009, në Ankara, Turqi, u mbajt Konferenca e IV-të e Sekretarëve të Përgjithshëm të Gjykatave Kushtetuese, e cila u organizua nga Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës, në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Turqisë.
Në punimet e kësaj konferencë morën pjesë z. Kujtim Osmani, Sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dhe znj. Ela Elezi, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë.
Temat që u trajtuan në këtë veprimtari ishin:
- menaxhimi i çështjeve dhe procedura e kërkesave paraprake;
- përgatitja e vendimeve të gjykatave kushtetuese: roli i sekretarit të përgjithshëm të gjykatës;
- marrëdhënia me botën e jashtme: e drejta e palëve të treta, e drejta e aksesit në dokumentet zyrtare, publikimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;
- menaxhimi financiar dhe detyrimet ekonomike.
Në datat 13 – 15 shtator 2009, në Speyer, Gjermani, zhvilloi punimet konferenca për të drejtat e njeriut në Europë, e cila u organizua nën patronazhin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë, Prof. Dr. Hans-Jurgen Papier, dhe Drejtorisë së Shkollës së Lartë Administrative në Speyer.
Në këtë eveniment, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua nga Prof. Dr. Xhezair Zaganjori, gjyqtar, i cili mbajti edhe një referat mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Me rastin e 15 vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Moldavisë, Gjykata Kushtetuese e Moldavisë ka organizuar Konferencën Ndërkombëtare me temë “Vlerat kushtetuese si faktorë themelorë për stabilitetin e rendit demokratik,” e cila i ka zhvilluar punimet në Kishinau, Moldavi, në datat 22 – 24 korrik 2009.
Në këtë veprimtari, Gjykata Kushtetuese është përfaqësuar nga Z. Xhezair Zaganjori, anëtar i gjykatës, dhe Z. Durim Kadiu, drejtor i Kabinetit të Kryetarit.
Gjatë sesionit të tretë të punimeve të kësaj Konference Ndërkombëtare Z. Zaganjori ka mbajtur edhe një fjalë me temë: “Zhvillimi i drejtësisë kushtetuese nga këndvështrimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut – rasti shqiptar,” e cila do të publikohet në përmbledhjen e materialeve të Konferencës.
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Beninit, në datat 22 deri në 28 qershor 2009, zhvilloi punimet në Cotonou, Benin, Afrikë, Kongresi i V-të i ACCPUF (Shoqata e Gjykatave dhe Këshillave Kushtetues që Përdorin Gjuhën Frënge).
Tema qëndrore e punimeve të këtij Kongresi, një veprimtari që është bërë tashmë traditë dhe që organizohet çdo tri vjet, ishte: “Juridiksionet kushtetuese dhe krizat.”
Në këtë veprimtari, Gjykata Kushtetuese është përfaqësuar nga Zoti Kujtim Puto, anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe Zoti Dardan Mustafaj, këshilltar i gjyqtarëve.
Në datat 18 e 19 qershor 2009, u zhvillua në Talin, Estoni, takimi i 8-të i Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese të Komisionit të Venecias. Në punimet e këtij takimi, i cili ka filluar me një Sesion Trainues për përdorimin e CODICES, dhe ka vijuar më pas me “mini konferencën” për “Efektet dhe ekzekutimin e vendimeve të kontrollit kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese është përfaqësuar nga Zoti Denar Biba, këshilltar i gjyqtarëve dhe nëpunës ndërlidhës me Komisionin e Venecias.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Federale Gjermane, Prof.Dr. Hans-Jurgen Papier dhe të Fondacionit Gjerman për Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, IRZ, nga data 2-6 shkurt 2009, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i saj, Dr. Vladimir Kristo ishte në Gjermani për një vizitë pune.
Delegacioni shqiptar është pritur në takime pune në Gjykatën Administrative të landit Banden Wurtenberg dhe në Institutin kërkimor shkencor Max-Planck, në Haidelberg.
Vizita kulmoi me pritjen që u dha për nder të delegacionit shqiptar nga kolegët e tyre të Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë. Në këtë takim miqësor, Kryetarët e të dy gjykatave dhe gjyqtarët respektiv diskutuan mbi praktikat kushtetuese në lidhje me çështje të ankimit kushtetues individual dhe çështjet me rëndësi politike.
Me ftesë të Zotit Jean – Paul Costa, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Z. Kujtim Puto, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, mori pjesë në Ceremoninë për hapjen e vitit të ri gjyqësor, e cila u zhvillua në Strasburg, Francë, më 30 janar 2008.
Z. Puto asistoi gjithashtu edhe në punimet e Seminarit me temë “50 vjetori i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në këndvështrimin e Gjykatave Ndërkombëtare,” si dhe në seancën solemne të gjykatës, e organizuar me këtë rast.
Në datat 22 – 24 janar 2009, në Cape Town të Afrikës së Jugut, u zhvillua Konferenca Botërore e Drejtësisë Kushtetuese me temë “Drejtësia kushtetuese: ndikimi i saj në shoqëri dhe në zhvillimin e jurisprudencës globale të të drejtave të njeriut”.
Kjo konferencë ishte e para e këtij lloji në nivel global dhe vlerësoi respektimin e të drejtave të njeriut dhe drejtësinë kushtetuese si probleme kryesore që shqetësojnë sot shoqërinë njerëzore. Ajo përkoi me përvjetorin e 60-të të KE-së dhe Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
Në konferencën që u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Afrikës së Jugut, si dhe nga Komisioni i Vencias, mori pjesë dhe delagacioni i Gjykatës Kushtetuese shqiptare, i përfaqësuar nga gjyqtarët Xhezair Zaganjori dhe Sokol Berberi. Konferenca botërore mblodhi së bashku për herë të parë gjykata kushtetuese dhe gjykata të larta, të cilat i’u përkasin grupeve të ndryshme gjuhësore dhe rajonale.
Konferenca vendosi organizimin e një konference të dytë botërore për drejtësinë kushtetuese brenda tre vjetësh dhe nxiti bashkëpunimin mes gjykatave nëpërmjet takimeve dhe seminareve të përbashkëta, por dhe bashkëpunimin përmes database-ve dhe online.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2008
Me 3 nëntor 2008, Kryetari Vladimir Kristo mori pjesë në veprimtaritë e ditës së parë të ceremonive që zhvillohen në Paris në kuadër të 50 vjetorit të krijimit të Këshillit Kushtetues të Francës.
Në fjalën e hapjes, Presidenti francez Nicola Sarkozy evokoi një aspekt krejtësisht të ri të reformës kushtetuese të kohëve të fundit, duke theksuar se kjo reformë “... u lejon shtetasve të kundërshtojnë në rrugë incidentale kushtetutshmërinë e ligjit para Këshillit Kushtetues”, gjë që gjer tani ka qenë e pamundur.
Gjatë qëndrimit në këto veprimtari, Kryetari Kristo ka zhvilluar takime të veçanta me z. Jean-Paul Costa, Kryetar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, me z. Jean-Louis Debré, Kryetar i Këshillit Kushtetues të Francës, me z. Gianni Buquicchio, Sekretar i Komisionit të Venecias, me përfaqësues të gjykatave kushtetuese të Italisë, Bullgarisë, Maqedonisë, të Greqisë (Kryetar i Gjykatës Supreme Administrative) etj.
Gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese të Italisë u shkëmbyen mendime për konkretizimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis gjykatave kushtetuese të të dy vendeve.
Kryetari Kristo do të marrë pjesë edhe në punimet e tryezës së rrumbullakët të gjykatave kushtetuese të vendeve të Mesdheut parashikuar për datën 4 nëntor 2008.
Në datat 3-5 tetor 2008, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Armenisë, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias organizoi Konferencën e XIII Ndërkombëtare të Erevanit.
Kjo është një Konferencë e përvitshme, që synon të mbledhë në një tryezë debati dhe shkëmbimi profesional gjyqtarë dhe akademikë të së drejtës kushtetuese.
Tema e përzgjedhur këtë radhë titullohej “Vlerat kryesore kushtetuese dhe praktika publike”.
Në këtë Konferencë, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua nga gjyqtari Sokol Berberi dhe këshilltari ligjor Denar Biba (zyrtari ndërlidhës i kësaj gjykate me Komisionin e Venecias).
Gjyqtari Berberi mbajti me këtë rast temën “Mbrojtja e vlerave kushtetuese nga shoqëria civile nëpërmjet kontrollit kushtetues” e cila u vlerësua nga të gjithë pjesëmarrësit, si për origjinalitetin ashtu edhe për këndvështrimin e pa artikuluar nga të tjerët.
Konferenca ishte një rast i shkëlqyer për shkëmbimin e përvojës, pasurimin doktrinar dhe njohjen personale ndërmjet profesionistëve të së drejtës kushtetuese.
Trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e kryesuar nga Kryetari i saj Vladimir Kristo gjendet për një vizitë disaditore në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Sot gjyqtarët kushtetues shqiptarë janë pritur nga Kryetari i Gjykatës Evropiane të të drejtave të Njeriut, zoti Jean-Paul Costa.
Gjatë bisedimeve është evidentuar dhe fakti i kërkesave gjithnjë në rritje të individëve shqiptarë drejt Strasburgut. Kryetari Jean –Paul Costa vuri theksin në nevojën e marrjes së masave nga shteti shqiptar për të ekzekutuar vendimet përfundimtare të gjykatave, në mënyrë që në Gjykatën e Strasburgut të shkojnë sa më pak kërkesa me objekt të tillë.
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare, i kryesuar nga Kryetari i kësaj Gjykate, zoti Vladimir Kristo nga data 19-21 qershor zhvilloi një vizitë zyrtare në Malin e Zi.
Gjatë vizitës u diskutua mbi probleme të drejtësisë kushtetuese dhe u shkëmbyen eksperiencat mes dy gjykatave. Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare, është pritur dhe nga President i Malit të Zi, zoti Filip Vujanoviq.
Në Kongresin e XIV të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane, që u zhvillua në Vilnius të Lituanisë në datat 2-7 Qershor 2008, morën pjesë delegacione nga 39 vendet anëtare – anëtare të plota të Konferencës, një delegacion nga anëtarët e asociuar, mbikqyrës nga shtetet e Europës, Amerikës Qëndrore dhe Jugore. Azisë dhe Afrikës, si dhe të ftuar nga Gjykatat e e Drejtësisë dhe Gjykata e Shkallës së Parë e Komuniteteve Europiane, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut si dhe Komisioni Europian për Demokracinë përmes Ligjit (“Komisioni i Venecias”).
Në këtë Kongres morën pjesë dhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë: Xhezair Zaganjori - Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Sadushi - Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, Brunilda Bara - Drejtore e Drejtorisë së Administratës Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Tema e Kongresit të XIV të Konferencës, – “Probleme të ometimit ligjor në jurisprudencën kushtetuese” – hartuar për problemin e kompetencës së institucioneve të drejtësisë kushtetuese për të diskutuar rreth kushtetutshmërisë së mungesave ligjore.
Lidhur me këtë, vendeve anëtare të Konferencës u ishte shpërndarë më parë një pyetësor, ku, mbi bazën e përgjigjeve të ardhura nga raportet kombëtare të vendeve anëtare, ishte hartuar më pas një raport i përgjithshëm lidhur me ketë problem.
Në raportin e përgjithshëm theksohej se formimi i doktrinës kushtetuese lidhur me mungesat legjislative reflekton një tendencë të përgjithshme të drejtësisë kushtetuese Europiane, që konsiston në forcimin e mbrojtjes së bazave kushtetuese në sistemin ligjor. Në raportin e përgjithshëm theksohej se hetimi dhe konstatimi i ometimit ligjor është një mjet i kontrollit kushtetues, gjë që ndihmon në sigurimin e supremacisë së Kushtetutës, në harmonizimin e sistemit ligjor si dhe në një mbrojtje me të mirë të të drejtave kushtetuese dhe lirive të individit.
Diskutimet e pjesëmarrësve në Kongres treguan për një shumëllojshmëri të praktikës së institucioneve të drejtësisë kushtetuese lidhur me problemet e mungesave ligjore. Shumica e përfaqësuesve të gjykatave kushtetuese që folën gjatë diskutimeve theksuan, se hetimi i ometimeve legjislative është një aspekt i rëndësishëm në sigurimin e kushtetutshmërisë së ligjit.
Objekti i diskutimit të delegacionit shqiptar në këtë konferencë ishte: “Ometimi ligjor si koncept kushtetues në këndvështrimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Në takimin e Rrethit të Presidentëve në Kongresin e XIV të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane u vendos gjithashtu që të pranohej Gjykata e Lartë e Principatës së Monakos si anëtare e plotë e kësaj Konference.
Zhvillimi i Kongresit të XV të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane u vendos të bëhet në vitin 2011 në Bukuresht (Rumani). Takimi Përgatitor i Rrethit të Presidentëve do të mbahet në javën e parë të Tetorit 2009 në Bukuresht.
Me ftesë të z. Zhan-Pol Kosta, Kryetar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Z. Vladimir Kristo, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësor të kësaj Gjykate, e cila u zhvillua në Strasburg me datë 25 janar 2008. Kryetari Kristo asistoi gjithashtu në punimet e seminarit me temë “Roli i konsensusit në sistemin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, organizuar nga ajo Gjykatë. Të ftuar për të marrë pjesë në këto veprimtari ishin edhe kryetarë e gjyqtarë gjykatash kushtetuese e të larta të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.
Gjatë seancave të seminarit dhe të ceremonisë solemne, Kryetari Kristo zhvilloi takime informale me përfaqësues të disa gjykatave kushtetuese evropiane, me të cilët u shkëmbyen mendime për çështje të bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të përvojave midis gjykatave kushtetuese.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2007
Në datat 6 dhe 7 dhjetor u zhvillua në Bukuresht, Rumani, konferenca ndërkombëtare me temë "Konstitucionalizmi i jetës politike dhe ligjore: Roli i Gjykatave Kushtetuese", veprimtari e cila u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Rumanisë me rastin e 15-të vjetorit të krijimit të kësaj Gjykate. Në këtë konferencë morën pjesë kryetarë dhe anëtarë të gjykatave kushtetuese dhe të gjykatave të larta të vendeve europiane si dhe akademikë në fushën e të drejtës kushtetuese. Nga Shqipëria mori pjesë z.Sokol Berberi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Nga pjesëmarrësit në konferencë u sollën eksperiencat e vendeve përkatëse lidhur me rolin e rëndësishëm dhe në rritje që luajnë Gjykatat Kushtetuese në jetën politike dhe ligjore. Theksi u vu në rolin që luajnë këto Gjykata për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, të shtetit të së drejtës, të parimit të ndarjes dhe balacimit të pushteteve dhe të demokracisë. Nga disa pjesëmarrës u prezantuan, sipas një vështrim krahasues, dhe tendecat lidhur me raportet e juridiksionit kushtetues të vendit me juridiksionin e të drejtës europiane. Gjatë prezantimeve, i’u kushtua vëmendje dhe çështjes së forcimit të legjitimitetit dhe efektivitetit të vendimeve të gjykatave kushtetuese.
Z. Sokol Berberi bëri një prezantim me shkrim lidhur me eksperiencën dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare në drejtim të ndikimit mbi ligjvënësin dhe politikën. Në prezantimin e tij u trajtuan këto çështje: juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese shqiptare për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve në planin normativ, disa çështje të debatueshme nga doktrina; subjektet që e vënë në lëvizje Gjykatën dhe se si kanë ndikuar ose mund të ndikojnë në rolin e Gjykatës këta faktorë; dhe disa aspekte të disponibilitetit dhe juridiksionit kushtetues në interpretimet e Gjykatës.
Fondacioni Gjerman IRZ (Fondacioni Gjerman për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar) organizoi në Dubrovnik, Kroaci, në datat 30 tetor – 2 nëntor 2007, Konferencën Multilaterale me temë “E drejta procedurale penale në një Europë që po bashkohet”, e cila këtë vit kishte si qëllim shkëmbimin e përvojave të vendeve të ndryshme të Europës Juglindore lidhur me kuadrin ligjor në fushën e procedurës penale, duke synuar arritjen e standardeve europiane nga vendet që aspirojnë të jenë anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë veprimtari, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u përfaqësua nga Zoti Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe Znj. Arta Vorpsi, këshilltare e gjyqtarëve.
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, z. Mahmut Jusufi, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese i kryesuar nga z. Vladimir Kristo, Kryetar, zhvilloi nga data 17 deri me 19 tetor 2007, një vizitë në vendin fqinj.
Gjatë takimeve të zhvilluara, delegacionet e gjykatave kushtetuese të të dy vendeve shkëmbyen përvojat e tyre në fushën e organizimit dhe të funksionimit të institucioneve përkatëse, në fushën e kontrollit të pajtueshmërisë së ligjit me Kushtetutën dhe diskutuan veçanërisht për çështje të kontrollit kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individëve.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni u prit nga z. Branko Crvenkovski, President i Republikës së Maqedonisë, i cili zhvilloi një bisedë të ngrohtë e miqësore me delegacionin e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë bisedës u theksua se gjykatave kushtetuese u takon të luajnë rol shumë të rëndësishëm në kuadër të përçapjeve për integrimin evropian të të dy vendeve. Delegacioni u prit në takim të veçanta edhe nga z. Besim Dogani, Nënkryetar i Parlamentit të Maqedonisë, dhe z. Sasho Vasilievski, Zëvendësministër i Drejtësisë.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga z.Kujtim Puto, anëtar, dhe zj.Ela Elezi, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, mori pjesë në konferencën gjyqësore dy ditore me temë “Përvoja ndërkombëtare e bashkëpunimit ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe institucioneve të Ombusmanit në fushën e sigurimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Armenisë, Komisioni i Venecias dhe Avokati i Popullit të Republikës së Armenisë, e cila zhvilloi punimet në Erevan, Armeni, në datat 5-6 tetor 2007.
Midis raporteve të tjera të mbajtura në këtë veprimtari, një vend të rëndësishëm zuri edhe fjalimi i gjyqtarit nga Shqipëria, z.Kujtim Puto, i cili kryesisht u fokusua mbi legjitimimin e Avokatit të Popullit dhe marrëdhënien kushtetuese midis Gjykatës Kushtetuese dhe Avokatit të Popullit.
Në këtë konferencë merrte pjesë edhe Avokati i Popullit të Republikës së Shqipërisë, z.Ermir Dobjani.
Me ftesë të Prof. Spyridon Flogaitis, Drejtor i Qendrës Europiane për të Drejtën Publike, Z. Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ka përfaqësuar institucionin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë në Takimin e 18-të të Përvitshëm të Grupit Europian të së Drejtës Publike me temë “Siguria Europiane”, si dhe në Konferencën 2 ditore me temë “Masat Kombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut”, veprimtari të organizuara nga Qendra Europiane për të Drejtën Publike, dhe të zhvilluara në Athinë, Greqi, në datat 14 - 18 shtator 2007.
Me ftesë të Z. George Papuashvili, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Gjeorgjisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë i përbërë nga Z. Fehmi Abdiu, anëtar i Gjykatës, dhe Zj. Ela Elezi, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ka marrë pjesë në punimet e Konferencës Ndërkombëtare me temë: “Juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese dhe GJEDNJ në zonat e konflikteve,” e cila është organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Gjeorgjisë në bashkëpunim me Komisionin e Venecias e institucione të tjera partnere dhe është zhvilluar në Batumi, Gjeorgji, në datat 6 - 7 korrik 2007.
Në datat 29 - 30 qershor 2007, Z. Sokol Berberi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë ka marrë pjesë në punimet e Kongresit të 9-të Ndërkombëtar për të Drejtën Europiane dhe Kushtetuese të Krahasuar, zhvilluar në Universitetin e Regensburg, Gjermani. Kjo veprimtari mbledh gjyqtarë nga gjykatat kushtetuese kombëtare dhe europiane, si dhe profesorë të universiteteve të ndryshme europiane, të cilët këtë vit kanë shkëmbyer përvojat dhe mendimet e tyre për 2 tema të rëndësishme – Identiteti Kombëtar dhe Rajonal dhe Integrimi Mbikombëtar: Zhvillimet kushtetuese dhe europiane në Europën Juglindore, si dhe Kushtetueshmëria e së drejtës private: Zhvillimet e fundit.
Në datat 29 e 30 maj 2007, u mbajt në Venecia, Itali, mbledhja e 6-të e këshillit mikst për drejtësinë kushtetuese të Komisionit të Venecias. Në punimet e kësaj mbledhje morën pjesë Zoti Luan Pirdeni, drejtor i Studimeve, Informimit dhe Publikimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe nëpunës ndërlidhës me Komisionin e Venecias, dhe Zonja Zyhra Sharofi, shefe e Zyrës së Protokoll - Arkivit.
Ann Arbor, Michigan, 16 - 19 maj 2007
Me ftesë të Fondacionit të Familjes Furth dhe Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Miçiganit, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë i përbërë nga Zoti Xhezair Zaganjori dhe Zoti Sokol Sadushi, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, dhe Zonja Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, mori pjesë në punimet e Konferencës së 15-të Gjyqësore, e cila i zhvilloi punimet në Ann Arbor, Michigan, U.S.A., në datat 16 - 19 maj 2007.Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë i përbërë nga Zoti Alfred Karamuço dhe Zoti Kristofor Peçi, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, mori pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar me temë: "Roli i gjykatave kushtetuese për paqen universale dhe civilizimin", i cili u organizua edhe në kuadër të 45 vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë dhe i zhvilloi punimet në Ankara, Turqi, në datat 25 - 28 prill 2007.
Me ftesë të Zotit Luzius Wildhaber, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Zonja Vjollca Meçaj, anëtare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, mori pjesë në ceremoninë për hapjen e vitit gjyqësor 2007 dhe në seminarin e organizuar me këtë rast, veprimtari të cilat u zhvilluan në Strasburg, Francë, më 19 janar 2007.
Pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare 2006
Me ftesë të Zotit Ioan Vida, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga Dr. Fehmi Abdiu anëtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe Zonja Arta Vorpsi, Këshilltare Ligjore, morën pjesë në Seminarin me temë “Garancitë për Pavarësinë e Gjyqtarëve Kushtetues”, i cili u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Rumanisë dhe Komisioni i Venecias dhe u zhvillua në Bukuresht, Rumani, në datat 23 - 25 nëntor 2006.
Fondacioni Gjerman IRZ (Fondacioni Gjerman për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar) dhe Komisioni Europian organizuan në Dubrovnik, Kroaci, në datat 13 – 16 nëntor 2006, Konferencën Multilaterale me temë “Pavarësia e drejtësisë në Europë”, e cila adresoi aspekte dhe probleme të ndryshme lidhur me pavarësinë e drejtësisë në Europë. Në këtë veprimtari, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u përfaqësua nga Prof. As. Dr. Xhezair Zaganjori dhe Zoti Petrit Plloçi, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Nga data 13 deri me 15 nëntor 2006, zhvilloi punimet në Paris Kongresi i IV i ACCPUF-it (Shoqata e Gjykatave Kushtetuese që Përdorin Gjuhën Frënge), në të cilin morën pjesë kryetarë dhe përfaqësues nga 38 gjykata kushtetuese anëtare të kësaj Shoqate. Në punimet e Kongresit morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Frëngjishtfolësve dhe z. G. Bukikio, Sekretar i Komisionit të Venecias. Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese u kryesua nga z. Gjergji Sauli, Kryetar, dhe përbëhej nga z. Kujtim Puto, gjyqtar, dhe z. Luan Pirdeni, drejtor.
Rreth temës "Kompetencat e Gjykatës Kushtetuese", që përbënte temën e këtij Kongresi, u paraqitën përvojat e gjykatave kushtetuese pjesëmarrëse dhe u zhvilluan debate për çështje aktuale të jurisprudencës së tyre. Gjatë punimeve, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese diskutoi për disa çështje aktuale të vendimmarrjes së saj.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese i kryesuar nga Z.Alfred Karamuço, anëtar dhe i përbërë nga Z. Kujtim Osmani, Sekretar i Përgjithshëm dhe Z. Luan Pirdeni, Drejtor i Drejtorisë së Studimeve, mori pjesë në punimet e Rrethit të Kryetarëve të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, të cilat u mbajtën në Vilnius të Lituanisë në datën 7 shtator 2006. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga 33 gjykata kushtetuese supreme. Në këtë Konferencë u shqyrtuan kërkesat e paraqitura për anëtarësim nga disa gjykata kushtetuese supreme. Gjatë qëndrimit në Vilnius delegacionet e gjykatave kushtetuese evropiane u pritën edhe nga Presidenti i Republikës së Lituanisë, z. Valdas Adamkus.
Prof. As. Dr. Xhezair Zaganjori dhe Zoti Petrit Plloçi, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, morën pjesë në Ceremonitë dhe në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Gjykata Kushtetuese në Shtetin Demokratik”, të cilat u organizuan me rastin e 15-të vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë në datat 30 qershor – 1 korrik 2006, Sofje, Bullgari. Pjesëmarrja në këto veprimtari ishte një eksperiencë e dobishme për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, pasi u njoh më nga afër me kontributin e rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë për rendin kushtetues dhe shtetin e së drejtës, për zhvillimin e një ekonomie moderne dhe të demokracisë në vend, për përfshirjen e Bullgarisë në proceset integruese Europiane dhe botërore.
Në datat 15 e 16 qershor 2006, u mbajt në Budapest Mbledhja e Pestë e Këshillit mikst për drejtësinë kushtetuese të Komisionit të Venecias, në punimet e së cilës mori pjesë edhe nëpunësi ndërlidhës i Gjykatës. Mbledhja trajtoi probleme të bashkëpunimit midis gjykatave kushtetuese dhe Komisionit të Venecias për çështje të Forumit të Venecias, të bazës së të dhënave CODICES, të botimit të numrave të ardhshëm të Buletinit të Jurisprudencës Kushtetuese etj. Gjatë qëndrimit në Budapest, pjesëmarrësit u pritën në një takim të veçantë nga z. Lazlo Solyom, Presidenti Hungarisë.
Me ftesë të Fondacionit të Familjes Furth, Gjykatës së Lartë të Republikës së Çekisë dhe të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Miçiganit, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga Dr. Fehmi Abdiu dhe Prof. As. Dr. Xhezair Zaganjori, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, dhe Zonja Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, mori pjesë në punimet e Konferencës së 14-të Gjyqësore Ndërkombëtare me temë "Administrimi i sistemeve gjyqësore të mbingarkuara me çështje: Gjetja e ekuilibrave midis drejtësisë dhe ekonomisë gjyqësore". Konferenca e këtij viti u zhvillua në Pragë, Republika e Çekisë, në datat 17 - 19 maj 2006.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga Dr. Gjergji Sauli, Kryetar i kësaj gjykate, dhe Zonja Vjollca Meçaj, anëtare, mori pjesë në ceremonitë zyrtare të organizuara me rastin e 50-të vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Italisë. Këto ceremoni u zhvilluan në praninë e Presidentit të Republikës, Carlo Azeglio Ciampi, si dhe të personaliteteve të tjera të larta shtetërore në Romë, Itali, më 22 prill 2006.
Me ftesë të Zotit Luzius Wildhaber, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Zoti Kristofor Peçi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, mori pjesë në ceremoninë për hapjen e vitit gjyqësor 2006 dhe në seminarin e organizuar me këtë rast, veprimtari të cilat u zhvilluan në Strasburg, Francë, më 20 janar 2006