Prezantim i Udhërrëfyesit të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për periudhën 1992-2024 (Vëllimi II), 14 korrik 2025

Prezantim i Udhërrëfyesit të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për periudhën 1992-2024 (Vëllimi II), 14 korrik 2025

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë organizoi ceremoninë e prezantimit të Vëllimit II të Udhërrëfyesit (Guidës) të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, një botim me rëndësi të veçantë, i cili përmbledh vendimmarrjen e kësaj gjykate për periudhën 1992 – 2024 në lidhje me parimet e së drejtës, ndarjen e pushteteve, si dhe të drejtat kushtetuese substanciale. Ky botim pason Vëllimin I të udhërrëfyesit të jurisprudencës lidhur me ankimin kushtetues individual (1998–2023), prezantuar në shkurt të vitit 2024.

 

Ceremonia u përshëndet nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, Ambasadori i delegacionit të BE-së, z. Silvio Gonzato, si dhe Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, SH.T.Z. Michel Tarran.

 

Në aktivitet nderuan me pjesëmarrjen e tyre, personalitete të institucioneve të pavarura, të institucioneve të drejtësisë, të sistemit gjyqësor, avokatë, akademikë e profesionistë të së drejtës, ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare partnere.

 

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, u shpreh se botimi përfaqëson një përpjekje të rëndësishme për të sistematizuar dhe bërë edhe më të aksesueshme jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duke synuar rritjen e transparencës, konsistencës dhe forcimin e kulturës kushtetuese në vend, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave e lirive të individit.

 

Në fjalën e saj ndër të tjera ajo theksoi se “Vendimet në përmbajtje të botimit, kanë udhëhequr arsyetimin e sotëm ligjor e gjyqësor, por Gjykata, në interpretimin e Kushtetutës si një “instrument i gjallë” kujdeset që teksti i saj të jetë i aftë të përshtatet me sfidat dhe zhvillimet e reja, duke zhvilluar kështu edhe konceptet e saj. Është po aq e rëndësishme të nënvizohet se autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike”.

 

Duke falënderuar edhe një herë Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për kontributin dhe mbështetjen e dhënë për realizimin e këtyre botimeve, Kryetarja Zaçaj theksoi rendësinë që ato bartin si një burim i vlefshëm jo vetëm për studiuesit e së drejtës, por edhe si një instrument i rëndësishëm që u vjen në ndihmë pothuajse të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, dhe veçanërisht gjyqtarëve.

Botimi, është i disponueshëm në format të shtypur, si dhe në versionin elektronik në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë: www.gjykatakushtetuese.gov.al

Scroll to Top