Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me Kreun e Delegacionit të
Bashkimit Evropian, 8 janar 2026.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Fiona Papajorgji, priti sot në një takim kortezie Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Ambasadorin Silvio Gonzato.
Ambasadori Gonzato e uroi Kryetaren Papajorgji për marrjen e detyrës dhe rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakushtëzuar të Bashkimit Evropian për reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ai theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit institucional me Gjykatën Kushtetuese, si një institucion kyç në garantimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve, si dhe në procesin e integrimit evropian të vendit.
Nga ana e saj, Kryetarja Papajorgji shprehu vlerësimin për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme të Bashkimit Evropian ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ajo prezantoi disa nga prioritetet e institucionit, që synojnë përmirësimin e cilësisë së vendimmarrjes, përafrimin e jurisprudencës kushtetuese me standardet dhe praktikën evropiane, rritjen e transparencës dhe forcimin e komunikimit me publikun, si dhe përshtatjen me zhvillimet më të fundit teknologjike në fushën e gjykimit kushtetues.
Kryetarja Papajorgji riafirmoi angazhimin e Gjykatës Kushtetuese për ushtrimin e misionit të saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, me synimin për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të garantuar mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive të tyre themelore.
