Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me përfaqësues të Fondacionit Botëror të Ligjit (World Law Foundation), 21 tetor 2025
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, ka pritur sot në një takim në ambientet e kësaj gjykate një delegacion të Fondacionit Botëror të Ligjit, i cili po zhvillon në Shqipëri një vizitë disa ditore në kuadër të përgatitjeve për organizimin në Shqipëri të Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027. Në takim merrnin pjesë znj. Angela Montoya, Drejtuese Ekzekutive e Fondacionit, z. Gabriel Fernández Rojas, Shef Kabineti të Presidentit të Fondacionit dhe z. Jacobo Docampo, Koordinator i Përgjithshëm i këtij Fondacioni.
Në fokus të takimit ishte shkëmbimi i mendimeve në lidhje me bashkëpunimin institucional dhe koordinimin e veprimeve për përgatitjet e Kongresit të ardhshëm Botëror të Ligjit në vitin 2027. Zhvillimi i këtij Kongresi në Shqipëri përbën një shprehje të qartë të angazhimit të shtetit shqiptar për forcimin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit. Ai reflekton progresin e dukshëm të reformave të ndërmarra për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur dhe institucione demokratike të qëndrueshme, si dhe ofron një mundësi unike si një platformë për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e vlerave demokratike që qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës.
