Takim me delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, 18 nëntor 2025.
Në kuadër të vizitës që po zhvillon këto ditë në Shqipëri, delegacioni i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, i përbërë nga raportuesit Anders Knape (Suedi, EPP/CCE) dhe Sören Schumacher (Gjermani, SOC/V/DP), Sekretarja e Komitetit të Monitorimit, Svitlana Pereverten, dhe eksperti, Prof. Zoltán Szente, është pritur në një takim në Gjykatën Kushtetuese nga gjyqtarja Fiona Papajorgji. Qëllimi i kësaj vizite disa ditore është të vlerësojë progresin e bërë në zbatimin e rekomandimeve të Kongresit për Shqipërinë, si dhe të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht në lidhje me kuadrin ligjor shqiptar për sa i përket qeverisjes dhe autonomisë vendore, si dhe për aksesin e organeve të qeverisjes lokale në gjykatat shqiptare, duke u ndalur kryesisht në rastet e shqyrtuara nga Gjykata Kushtetuese dhe tipologjinë e kërkesave të paraqitura pranë kësaj gjykate. Gjyqtarja Papajorgji bëri një shpjegim të detajuar të rasteve kur është vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese, të cilat kanë pasur kryesisht si objekt shqyrtimi zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis organeve të qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve, si dhe ankimet individuale në rastet e shkarkimit nga detyra të kryetarëve të bashkive dhe komunave.
Po ashtu, gjyqtarja Papajorgji vuri në dukje se emërues i përbashkët në të gjitha çështjet e marra në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese ka qenë referimi te Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore, duke evidentuar edhe pozicionin e saj të lartë në hierarkinë e normave ligjore.
