Tryezë pune për zbatimin e masave te ndërmarra gjatë vitit 2025 në funksion të përmbushjes së objektivave strategjikë të Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare partnere – Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) – organizoi në datat 18 dhe 19 dhjetor 2025 një tryezë pune me qëllim diskutimin e Planit të Veprimit në zbatim të Strategjisë institucionale të Gjykatës për periudhën 2024-2026, dhe konkretisht, ecurinë e realizimit të masave të planifikuara në kuadër të këtij plan veprimi.
Në këtë aktivitet morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, z. Eugen Papandile, përfaqësues të Njësisë së Shërbimit Ligjor dhe të strukturave drejtuese të Gjykatës, si dhe përfaqësuesit e organizatave partnere, znj. Luljeta Krasniqi, këshilltare ligjore vendase në Zyrën e Prezencës së OSBE-së, dhe znj. Zheni Korçari, koordinatore programi e Fondacionit KAS.
Gjatë takimit, Sekretari i Përgjithshëm bëri një prezantim të detajuar të realizimit të objektivave specifikë dhe masave të planifikuara në kuadër të planit strategjik, duke u fokusuar në efikasitetin e tyre dhe metodologjitë e ndjekura për t’i përmbushur plotësisht këto objektiva brenda afateve të parashikuara.
Lidhur me sa më sipër, përfaqësuesit e të gjitha strukturave të Gjykatës Kushtetuese diskutuan rreth zbatimit të detyrave konkrete, vështirësive dhe problematikave të hasura gjatë procesit të implementimit të Planit të Veprimit dhe Strategjisë 2024-2026, si dhe propozuan ide konkrete për hartimin e masave të reja, rritjen e efikasitetit dhe bashkërendimin e punës në këtë drejtim.
