


Vizitë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Strasburg
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja znj. Holta Zaçaj, dhe i përbërë nga anëtarët e saj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg. Qëllimi i kësaj vizite ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimi i përvojave më të mira sa i takon mbrojtjes të të drejtave dhe lirive themelore të individit.
Vizita u realizua në bashkëpunim me Zyrën e Gjyqtarit të Zgjedhur për Shqipërinë në GJEDNJ, z. Darian Pavli, si dhe me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar Ligjor (IRZ), përmes fondeve të Zyrës Federale Gjermane të Marrëdhënieve me Jashtë.
Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar u prit nga Presidenti i GJEDNJ-së, z. Mattias Guyomar, si dhe nga gjyqtarë të tjerë të kësaj gjykate. Në kuadër të programit, u zhvilluan referime për çështje me interes të përbashkët. Më konkretisht, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, së bashku me Gjyqtaren e zgjedhur për Bullgarinë në GJEDNJ, znj. Diana Kovatcheva, referuan për temën “Masat e lidhura me pasurinë në procedimet penale dhe jo-penale – çështje të ligjshmërisë dhe proporcionalitetit”, si dhe tema “Procesi i rregullt ligjor sipas nenit 6 të Konventës Evropiane – sfidat strukturore dhe sistematike” u trajtua nga gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Marsida Xhaferllari dhe Gjyqtari i zgjedhur për Azerbajxhanin në GJEDNJ, z. Lәtif Hüseynov.
Gjithashtu gjatë këtij takimi, përfaqësues të Zyrës së Regjistrimit të Kërkesave në GJEDNJ ndanë me delegacionin shqiptar përvojën e Gjykatës në trajtimin e çështjeve të prapambetura dhe menaxhimin efikas të volumit të punës.
Në përfundim të vizitës, të dyja palët nënvizuan rëndësinë e vijimit të dialogut ndërgjyqësor, si dhe rolin që luajnë të dyja gjykatat në garantimin e të drejtave e lirive të individit dhe në forcimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.