Vizitë trupës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Barit, Itali

Vizitë trupës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Barit, Itali

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj gjykate, znj. Holta Zaçaj dhe i përbërë nga e gjithë trupa e gjyqtarëve, zhvilloi në datat 17–18 korrik 2025, një vizitë studimore dy ditore pranë Fakultetit Juridik të Universitetit “Aldo Moro” në Bari, Itali.

 

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni është pritur në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Barit nga Prof. Andrea Lovato, Drejtor i Departamentit të Jurisprudencës, dhe profesorë të tjerë të së drejtës kushtetuese. për të vijuar më pas me sesionet e prezantimeve dhe diskutimeve tematike. Për temën e sesionit të parë – Pikëprerjet ndërmjet jurisprudencës italiane dhe asaj të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – referuan nga pala shqiptare gjyqtare Fiona Papajorgji dhe nga pala italiane prof. Raffaele Guido Rodio, profesor i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Barit. Gjatë sesionit të dytë pati referime dhe diskutime mbi temën – Kontrolli Incidental – nga gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Sonila Bejtja dhe prof. Vittorio Teotonico, profesor i së drejtës kushtetuese në Fakultetin e Shkencave Ekonomike.

 

Në vijim, delegacioni vizitoi edhe Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit, takim gjatë të cilit u zhvilluan diskutime për çështje me interes të përbashkët në fushën e të drejtës kushtetuese, si dhe mbi ecurinë e reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi në Shqipëri. Gjithashtu, gjatë takimit u nënvizua edhe rëndësia e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet gjykatave dhe institucioneve akademike për zhvillimin e mendimit juridik dhe përmirësimin e praktikave kushtetuese.

Scroll to Top