Pjesëmarrja e Gjykatës Kushtetuese në aktivitetin e Këshillit të Evropës me temë: “Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri”
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, ka marrë pjesë, më 25 shtator 2025, në aktivitetin e organizuar nga Këshilli i Evropës me temë: “Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri”.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm drejtues të lartë të institucioneve në vend, përfaqësues të organeve të drejtësisë, ambasadorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse znj. Zaçaj theksoi rëndësinë e balancës mes sigurisë dhe lirisë personale si themel të një shteti demokratik.
“Fuqia e drejtësisë nuk qëndron te dënimi, por te legjitimiteti dhe legjitimiteti lind nga respektimi i të drejtave, edhe kur kjo është e vështirë – sidomos kur është e vështirë. Garancitë procedurale dhe respektimi i tyre nuk janë pengesë për drejtësinë, ato janë pjesë e saj.”
Kryetarja Zaçaj siguroi mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese për çdo nismë që forcon rolin e gjyqësorit si garant i lirive themelore duke theksuar rëndësinë e jurisprudencës së Gjykatës dhe proporcionalitetit si kriter kyç për vlerësimin e kufizimit të lirisë personale.”Kjo nënkupton një analizë të kujdesshme dhe të arsyetuar të vendimeve gjyqësore, duke vlerësuar nevojshmërinë, përshtatshmërinë dhe ashpërsinë e masave të sigurimit personal, në përputhje me qëllimin që synohet të arrihet”- përfundoi fjalën e saj znj. Zaçaj
Ky aktivitet i Këshillit të Evropës shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të gjyqësorit dhe përmirësimin e zbatimit të standardeve ndërkombëtare për liri dhe siguri në Shqipëri.
