Takim me Sekretaren Parlamentare të Shtetit pranë Ministrisë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Gjermanisë, 19.11.2025.

Takim me Sekretaren Parlamentare të Shtetit pranë Ministrisë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Gjermanisë, 19.11.2025.

Në kuadër të vizitës së punës që po zhvillon këto ditë në Shqipëri, znj. Anette Kramme,  Sekretare Parlamentare e Shtetit pranë Ministrisë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Gjermanisë, Anëtare e Bundestag-ut Gjerman, njëkohësisht Kryetare e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Juridik (IRZ), është pritur sot në një takim nga Kryetarja e  Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj.

 

Në takim ishin të pranishëm edhe Dr. Stefan Pürner, Drejtor Ekzekutiv i IRZ-së, Ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Shqipëri, z. Karl Bergner, dhe nga Gjykata Kushtetuese gjyqtarët znj. Marsida Xhaferllari dhe z. Sandër Beci.

 

Gjatë takimit u diskutua në lidhje me reformën gjithpërfshirëse në sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe disa prej problematikave të evidentuara gjatë zbatimit të saj, si kohëzgjatja e proceseve gjyqësore dhe mungesa e kapaciteteve te nevojshme. Pjesë e diskutimeve ishte po ashtu edhe impakti që kjo reformë solli në drejtim të zgjerimit të juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, duke rezultuar në rritjen e numrit të çështjeve të depozituara pranë kësaj gjykate dhe bërë më imperative nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të jurisprudencës dhe forcimin e kapaciteteve, veçanërisht në këtë moment historik për Shqipërinë dhe aspiratën e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.

 

Kryetarja Zaçaj shprehu falenderimet e saj për bashkëpunimin shumë të mirë të deritanishëm me Fondacionin gjerman IRZ, duke u ndaluar edhe në disa prej prioriteteve për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Scroll to Top