Delegacioni Gjykatës Kushtetuese të Shqiperisë merr pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit gjyqësor 2026 të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Strasburg,
30 janar 2026
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut z. Mattias Guyomar, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Fiona Papajorgji, dhe gjyqtarja znj. Marsida Xhaferllari, mori pjesë në veprimtaritë e organizuara me rastin e hapjes së vitit gjyqësor 2026 të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), të cilat u zhvilluan në Strasburg, Francë, më 30 janar 2026.
Këtë vit, tema kryesore e seminarit ishte “Mbrojtja e pluralizmit mediatik dhe e procesit demokratik në kohë sfidash”, dhe referimet gjatë dy sesioneve të punës trajtuan çështje të tilla si: pluralizmi mediatik dhe e drejta për informim; liria e informimit dhe kompetencat e BE-së: rasti i masave kufizuese; integriteti i procesit demokratik dhe kontrolli gjyqësor; shprehja e lirë e vullnetit të popullit si një parakusht për mbrojtjen e rendit shtetëror demokratik.
Seminari vijoi me ceremoninë solemne të hapjes së vitit gjyqësor 2026 të GJEDNJ-së, ku fjalimet kryesore për audiencën u mbajtën nga Kryetari i Gjykatës Mattias Guyomar dhe i ftuari i nderit Stephan Harbarth, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane.
Në video-mesazhin e mbajtur para fillimit të ceremonisë së hapjes së vitit gjyqësor të GJEDNJ-së Kryetarja Papajorgji u shpreh se: “Sot shteti i së drejtës po vihet në provë. Prandaj, për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut solidariteti gjyqësor bëhet më i domosdoshëm se kurrë. Ky solidaritet do të thotë qëndrim të përbashkët në mbrojtje të vlerave themelore të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Përmes dialogut mund të sigurohet që edhe në kohë të vështira drejtësia të mbetet e fortë dhe e besueshme në shërbim të të drejtave universale të individit.”
