Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Takimin e 16-të të Konferencës Ibero-Amerikane për Drejtësinë Kushtetuese.

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Takimin e 16-të të Konferencës Ibero-Amerikane për Drejtësinë Kushtetuese.

Me ftesë të përbashkët të Kryetarit të Gjykatës Supreme Federale të Brazilit dhe Kryetarit të Konferencës Ibero – Amerikane për Drejtësinë Kushtetuese, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, Fiona Papajorgji, dhe i përbërë nga gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Genti Ibrahimi, dhe Marjana Semini, po merr pjesë në Takimin e 16-të të Konferencës Ibero – Amerikane për Drejtësinë Kushtetuese, i cili po po zhvillohet në Brasília, Brazil, në datat 12 – 14 maj 2026. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë përfaqësohet në këtë veprimtari edhe në cilësinë e gjykatës kryesuese të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane (CECC), për periudhën 2024 – 2027.

Nën kujdesin e Gjykatës Supreme Federale të Brazilit, në kuadër të Takimit të 16-të janë parashikuar organizimi i Takimit të Parë të Qendrave për Studimet Kushtetuese, si dhe Konferenca Ndërkombëtare me temë “Drejtësia Kushtetuese dhe Demokracia”, veprimtari të cilat kanë mbledhur së bashku përfaqësues të lartë të juridiksioneve kushtetuese nga vende të ndryshme të hapësirës ibero-amerikane dhe më gjerë.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë Fiona Papajorgji përshëndeti Konferencën Ibero-Amerikane në cilësinë e Kryetares së Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane, duke vënë në dukje rëndësinë që merr sot dialogu ndërmjet gjykatave kushtetuese si një instrument thelbësor për forcimin e demokracisë kushtetuese, mbrojtjen e shtetit të së drejtës dhe garantimin efektiv të të drejtave dhe lirive themelore.

Gjithashtu, Kryetarja Papajorgji mbajti një referim në sesionin kushtuar të drejtave të njeriut ku ndau reflektime mbi sfidat bashkëkohore me të cilat përballet drejtësia kushtetuese në një kontekst të karakterizuar nga zhvillimet teknologjike, transformimet sociale dhe nevoja për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet mbrojtjes së të drejtave themelore dhe funksionimit demokratik të institucioneve.

Konferenca Ibero-Amerikane për Drejtësinë Kushtetuese përfaqëson një forum të rëndësishëm ndërkombëtar bashkëpunimi që mbledh periodikisht gjykatat kushtetuese, gjykatat supreme dhe institucionet e tjera me juridiksion kushtetues nga vendet e hapësirës Ibero-Amerikane (vendet spanjishtfolëse dhe portugalishtfolëse të Amerikës dhe Evropës).

Participation of the Constitutional Court of Albania in the 16th Meeting of the Ibero-American Conference of Constitutional Justice.

Scroll to Top