Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, me homologun italian Giovanni Amoroso dhe pjesëmarrja në audiencën e organizuar nga Presidenti Italian Sergio Mattarella
Romë, Itali, 15 shtator 2026
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Fiona Papajorgji, së bashku me Drejtoren e Kabinetit, Valbona Bala, ndodhen në Romë, Itali, në kuadër të një vizite institucionale, si pjesë e një delegacioni të përbërë nga përfaqësues të institucioneve të drejtësise shqiptare, si dhe drejtues dhe përfaqësues të lartë të Shoqatës Botërore të Juristëve dhe Fondacionit Botëror të Ligjit (WJA & WLF).
Në kuadër të kësaj vizite, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë zhvilloi një takim me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Italisë, Giovanni Amoroso, në ambientet e kësaj gjykate. Gjatë takimit, palët konfirmuan vullnetin e përbashkët për të forcuar më tej marrëdhëniet shumë të mira institucionale ndërmjet dy gjykatave, edhe përmes marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit, si një kuadër më i strukturuar për zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe thellimin e dialogut institucional.
Në vijim të vizitës, delegacioni u prit në Pallatin Quirinale në një audiencë të posaçme nga Presidenti i Republikës së Italisë, Shkëlqesia e Tij Sergio Mattarella. Gjatë audiencës, Kryetarja Papajorgji mbajti një fjalë përshëndetëse në të cilën vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, të mbështetura në lidhje të forta historike, të fqinjësisë së mirë dhe vlerave të përbashkëta evropiane. Kryetarja Papajorgji shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Shqipërisë, si dhe për rolin e saj të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të vendit.
Presidenti Mattarella është zgjedhur të marrë çmimin Peace and Liberty Award i cili jepet nga World Jurist Association/World Law Foundation, një nga nderimet më të veçanta që kjo organizatë i akordon personaliteteve që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shtetin e së drejtës, vlerat demokratike dhe paqen në botë. Dhënia e çmimit do të bëhet zyrtarisht në World Law Congress 2027, i cili do të organizohet në Shqipëri në datat 3 – 5 maj 2027.
Roli i Shqipërisë si vendi pritës i këtij Kongresi, është një pasqyrim i progresit që vendi ka arritur në reformat e tij për forcimin e shtetit të së drejtës dhe në rrugëtimin e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Pjesëmarrja e Kryetares e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në audiencën në Pallatin Quirinale përkrah delegacionit të WJA/WLF mbart një peshë të veçantë institucionale dhe përçon angazhimin kuptimplotë të Shqipërisë ndaj drejtësisë, sundimit të ligjit dhe paqes.





