Gjykata Kushtetuese zhvillon tryezë pune për hartimin e Planit Strategjik 2027-2029

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe të Fondacionit Konrad Adenauer (KAS), zhvilloi më 12–13 nëntor 2026 një tryezë pune me stafin administrativ, në kuadër të procesit të hartimit të Planit Strategjik të institucionit për periudhën 2027–2029. Punimet e tryezës u drejtuan nga eksperti z. Qerim Qerimi.

Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji, si dhe të Ambasadorit Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në fjalën e saj, Kryetarja shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e hartimit të Planit Strategjik si një instrument thelbësor për përcaktimin e prioriteteve dhe orientimin e zhvillimit institucional. Ajo nënvizoi se ky proces duhet t’i shërbejë përmbushjes sa më efektive të misionit kushtetues të Gjykatës, në drejtim të garantimit të rendit kushtetues, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të individit dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

Gjatë punimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua ecurisë së përmbushjes së objektivave dhe të zbatimit të masave të parashikuara në Planin e Veprimit 2024-2026, duke evidentuar arritjet dhe sfidat e hasura duke u mbështetur në analizën SWOT.

Në përfundim, diskutimet u fokusuan në përcaktimin e prioriteteve dhe në formulimin e propozimeve konkrete për objektivat dhe masat që do të përfshihen në Planin Strategjik 2027–2029, duke kontribuar në ndërtimin e një vizioni të përbashkët për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të Gjykatës Kushtetuese.

Scroll to Top