Gjykata Kushtetuese zhvillon takim pune mbi jurisprudencën kushtetuese dhe prioritetet strategjike 2027-2029
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë po zhvillojnë një takim pune në Gjirokastër, me fokus zhvillimin e jurisprudencës kushtetuese, mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive themelore dhe diskutimin e prioriteteve strategjike të institucionit për periudhën 2027–2029.
Diskutimet janë përqendruar në garantimin e koherencës dhe qëndrueshmërisë së jurisprudencës kushtetuese, shqyrtimin ushtrimin e çështjeve të juridiksionit disiplinor dhe të rivlerësimit kalimtar, si dhe respektimin e standardeve që burojnë nga Kushtetuta, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në kuadër të planifikimit strategjik për periudhën 2027–2029, një vëmendje e veçantë po u kushtohet prioriteteve që lidhen me forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e efikasitetit dhe transparencës së veprimtarisë së Gjykatës, përmirësimin e aksesit në drejtësinë kushtetuese, si dhe thellimin e shkëmbimeve profesionale.
Takimi shërben si një platformë për shkëmbimin e mendimeve dhe diskutimin e sfidave të praktikës kushtetuese, në funksion të forcimit të rolit të Gjykatës në garantimin e supremacisë së Kushtetutës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.
Aktiviteti mbështetet nga projekti “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri (D-REX III)”, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Mjeti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.









