Konferenca e X-të Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, 13 qershor 2025

Konferenca e X-të Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, 13 qershor 2025

 

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, mori pjesë në Konferencën e X-të Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut me temë “Kufijtë e të Drejtave të Njeriut: Dialogu mes Detyrimeve dhe Lirive”, e organizuar në datën 13 qershor 2025 nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë. 

Konferenca mblodhi akademikë, juristë dhe vendimmarrës nga vende të ndryshme për të ndarë së bashku ide, përvoja dhe vizione për të ardhmen mbi këtë tematikë kaq aktuale dhe universale. Diskutimet e pjesëmarrësve u përqëndruan kryesisht në rolin dhe përgjegjësinë e qytetarëve në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe në mënyrën se si aspektet e ndyrshme të jetës ligjore dhe shoqërore ndikojnë në marrëdhëniet mes individëve, shtetit, subjekteve ekonomike dhe organeve të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë në kontekstin e zbatimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Në fjalën e saj përshëndetëse në këtë konferencë, krahas personaliteteve të tjera vendase, Kryetarja Zaçaj u shpreh se:

“Transformimi demokratik i Shqipërisë është ndërtuar mbi përkushtimin ndaj kushtetutshmërisë, sundimit të ligjit dhe integrimit evropian. Reforma në drejtësi ka krijuar institucione më transparente dhe të përgjegjshme. Gjykata Kushtetuese ka pasur dhe vijon të ketë një rol qëndror në këtë process – si garant i të drejtave, arbitër i pushteteve dhe gjithnjë e më shumë, urë lidhëse mes së drejtës së brendshme dhe së drejtës evropiane. Por progresi i qëndrueshëm kërkon gjithashtu kulturë kushtetuese, një kulturë ku institucionet nuk janë vetëm funksionale, por edhe të përkushtuara ndaj misionit kushtetues të mbrojtjes së dinjitetit të individit në një paralele të paevitueshme të përballjes me sfidat e kohës”.   

 

 

 

Scroll to Top