Kryetarja Papajorgji pret në takim Komisionerin Evropian Michael McGrath

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji, priti sot në një takim Komisionerin Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Shtetin e së Drejtës dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, z.Michael McGrath, në kuadër të vizitës së tij të parë në Shqipëri.

Në fokus të takimit ishin çështje që lidhen me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kapacitetet institucionale, zbatimi i vendimeve, si dhe përgjegjësitë e reja pas përfundimit të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan gjithashtu çështje që lidhen me konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi, si dhe me forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Kryetarja Papajorgji theksoi rëndësinë e dialogut me Komisionin Evropian dhe nënvizoi se, në kuadër të avancimit të Shqipërisë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Gjykata Kushtetuese mbetet e angazhuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues për garantimin e supremacisë së Kushtetutës, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet pushteteve. Komisioneri McGrath shprehu vlerësime për punën e bërë nga Gjykata Kushtetuese dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme për procesin e administrimit të drejtësisë kushtetuese.

Në takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Kabinetit të Komisionerit Evropian dhe të Drejtorisë së Përgjithshme për Drejtësinë dhe Konsumatorët (DG JUST), si dhe Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Sofia Moreira de Sousa, së bashku me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Scroll to Top