Mbledhja e Byrosë së Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Frankofone (ACCF), Tiranë, 1 – 2 shkurt 2024
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota e Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Frankofone (Association des Cours Constitutionnelles Francophones – ACCF) që prej vitit 2002. Në kuadër të këtij aderimi, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë merr pjesë rregullisht në veprimtaritë e organizuara nga kjo shoqatë dhe është ofruar të mirëpresë takimin e radhës së Byrosë së ACCF-së, i cili është zhvilluar sot në Tiranë, datë 1 shkurt 2024.
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të ACCF-së, me pjesëmarrjen në cilësinë e anëtarëve të Byrosë aktuale të Kryetarëve/gjyqtarëve dhe përfaqësuesve të tjerë nga Gjykata Supreme e Kanadasë, Këshilli Kushtetues Francez, Tribunali Federal i Zvicrës, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë, Gjykata Kushtetuese e Gabonit, Gjykata Kushtetuese e Belgjikës, Gjykata Kushtetuese e Beninit dhe Këshilli Kushtetues i Kamboxhias.
Gjatë hapjes së punimeve të Byrosë përshëndeti edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, e cila nënvizoi se organizime të tilla ndërkombëtare janë një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për të forcuar edhe më tej bashkëpunimet bilaterale, por dhe për të ngritur në një nivel më të lartë dialogun mes gjyqtarëve, në funksion të mbështetjes së qëllimeve për të cilat është krijuar kjo shoqatë, vlerave dhe parimeve bazë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Më pas, mbledhja e Byrosë i vazhdoi punimet sipas rendit të ditës të parashikuar, duke diskutuar çështje organizative të shoqatës. Po ashtu, në agjendën e rendit të ditës ishte parashikuar edhe diskutimi i kërkesës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për anëtarësim në Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese Frankofone. Lidhur me këtë pikë, Kryetarja Zaçaj mori fjalën në mbështetje të kësaj kërkese për anëtarësim duke theksuar se ndonëse një gjykatë e re, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka zhvilluar një jurisprudencë të pasur, duke përqafuar dhe ndarë me këtë shoqatë të njëjtat vlera, parime dhe qëllime.
Në datën 2 shkurt 2024, për të gjithë pjesëmarrësit e huaj do të organizohet një program social në qytetin e Beratit, për të ndarë me ta një pjesë të krenarisë sonë kombëtare, të trashëgimisë kulturore e historike, dhe të mikpritjes tradicionale shqiptare.
