Një hap i ri drejt transformimit dixhital të Gjykatës Kushtetuese: prezantimi i projektit për forcimin e drejtësisë kushtetuese.

Më 23 shtator 2026, Gjykata Kushtetuese mori pjesë në aktivitetin zyrtar të projektit të Këshillit të Evropës “Forcimi i drejtësisë kushtetuese dhe i të drejtave të njeriut në Shqipëri”, financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA).

Projekti synon të mbështesë Gjykatën Kushtetuese në forcimin e mëtejshëm të efektivitetit, efikasitetit dhe aksesueshmërisë së drejtësisë kushtetuese, me fokus të veçantë në zhvillimin e sistemit të ardhshëm digjital të menaxhimit të çështjeve dhe arkivës, si dhe në mbështetjen metodologjike dhe sigurimin e mjeteve kërkimore për Drejtorinë e Kërkimeve, Studimeve dhe Publikimeve.

Në fjalën përshëndetëse, znj. Lilja Grétarsdóttir, drejtuese e Departamentit të Bashkëpunimit për të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësinë në Këshillin e Evropës, si dhe Shkëlqesia e Tij, z. Niklas Ström, Ambasador i Suedisë në Shqipëri, ritheksuan vijimin e mbështetjes për Gjykatën Kushtetuese, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve dhe modernizimit dixhital, në funksion të garantimit efektiv të standardeve kushtetuese dhe mbrojtjes të të drejtave dhe lirive themelore.

Duke theksuar rëndësinë e projektit, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji, u shpreh se ai përputhet me vizionin për një gjykatë më të aksesueshme dhe më transparente, ku transformimi dixhital kontribuon në rritjen e cilësisë dhe eficiencës së punës, si dhe  të besimit të qytetarëve te drejtësia kushtetuese.

Gjatë diskutimeve u ndanë eksperienca dhe praktika të mira për transformimin digjital të gjykatave kushtetuese të Turqisë dhe Kosovës, si dhe u diskutuan nevojat konkrete të Gjykatës, funksionalitetet prioritare të sistemit të ri dhe mënyrat se si teknologjia mund të mbështesë më mirë gjyqtarët, këshilltarët ligjorë dhe administratën.

Pas aktivitetit, znj. Grétarsdóttir vizitoi Gjykatën Kushtetuese dhe zhvilloi një takim me Kryetaren dhe trupën gjyqësore, ku u diskutuan prioritetet e Gjykatës dhe hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit me Këshillin e Evropës. Gjatë takimit gjyqtarët theksuan rëndësinë dhe nevojën e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë në funksion të forcimit të rolit dhe autoritetit të Gjykatës Kushtetuese.

Ky bashkëpunim shënon një tjetër hap drejt një Gjykate Kushtetuese më moderne, më efikase dhe më të aksesueshme, në funksion të mbrojtjes të të drejtave dhe lirive themelore.

A New Step towards the Digital Transformation of the Constitutional Court: Launch of the Project to Strengthen Constitutional Justice.

Scroll to Top