njoftimet e fundit per median dhe publikun

për vitin 2020

                                                                                                                        NJOFTIM 

Pas plotësimit të Gjykatës Kushtetuese me tre anëtarë të rinj, z. Altin Binaj, z. Përparim Kalo dhe znj. Sonila Bejtja, dhe krijimit të trupës prej 7 gjyqtarësh, sot, më 29.12.2020, u zhvillua Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila ra dakord që në ditët e para të muajit janar të vitit 2021 të mblidhet për të shqyrtuar çështjet që sipas ligjit i përkasin për kompetencë Mbledhjes së Gjyqtarëve, si dhe për të kryer veprimet e nevojshme përgatitore dhe organizative për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

                                                                                           Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë

.

                                                                               Funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese dhe rifillimi i veprimtarisë së plotë të saj

Sot është një ditë e shënuar për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Me emërimin e dy anëtarëve të rinj të saj krijohet kuorumi i nevojshëm ligjor për rinisjen e funksionalitetit dhe veprimtarisë vendimmarrëse që pas ndërprerjes në mars të vitit 2018.
Ringritja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një kërkesë jetike për vendin, për shkak të rolit dhe kompetencave që ajo ka si garante e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave themelore të individit. Ky proces ka qenë i gjatë e kompleks dhe ka kërkuar bashkëpunimin e shumë institucioneve shtetërore dhe më gjerë. Gjithashtu një mirënjohje e veçantë shkon edhe për mbështetjen e pakursyer të dhënë nga partnerët ndërkombëtarë për përmbylljen me sukses të këtij procesi.
Gjykata Kushtetuese është e angazhuar të ushtrojë funksionet me integritet dhe qëndrueshmëri për përmbushjen e misionit të saj kushtetues, duke pasur besimin e plotë të kapërcimit të sfidave që janë përpara saj, në respektim të vlerave dhe standardeve me të rëndësishme kushtetuese.

                        Lista e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që plotësojnë kushtet e parashikuara në Ligj, për të qenë Anëtarë të Keshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në mbështetje të nenit 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar me ligjin nr.47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, sot, më 13.11.2020, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë listën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

1. Znj. Vitore Tusha, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;

2. Znj. Elsa Toska, gjyqtare;

3. Znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare;

4. Znj. Fiona Papajorgji, gjyqtare.

Në datën 23 tetor 2020, znj. Elsa Toska, gjyqtare dhe përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese pranë Rrjetit të Gjykatave Supreme (SCN) – forum i GJEDNJ-së, mori pjesë në takimin e dytë online, me temë: “Të drejtat e të burgosurve dhe kujdesi shëndetësor ndaj tyre në kohë pandemie”. 


Përfaqësues të GJEDNJ-së, por edhe pjesëmarrës dhe folës nga gjykatat anëtare të SCN, diskutuan mbi aspekte të ndryshme të nenit 2 “E drejta për jetën” dhe nenit 3 “Mbrojtja nga trajtimi çnjerëzor dhe degradues” të KEDNJ-së, lidhur me të drejtat e të burgosurve.


Gjatë diskutimeve theksi u vu te fakti që shumë nga të drejtat dhe liritë e mbrojtura nga KEDNJ-ja janë prekur nga pandemia dhe kanë ngritur një sërë problemesh të vështira ligjore nga pikëpamja e standardeve konventore.
Në fund të takimit u konkludua se situata e shkaktuar prej Covid -19 përbën një sfidë të shtuar jo vetëm për sistemin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, por edhe për të drejtat e të burgosurve dhe kushtet e burgjeve në veçanti, për rrjedhojë edhe problematikat në këtë drejtim duhen adresuar me një vëmendje të shtuar prej autoriteteve kombëtare.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 70, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njofton se pranë kësaj gjykate po shqyrtohet kërkesa e paraqitur nga Gjykata e Apelit Shkodër, me subjekte të interesuara Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe Avokati i Popullit, me objekt: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “ pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”, i parashikuar në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 70, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njofton se pranë kësaj gjykate po shqyrtohet kërkesa e paraqitur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me subjekte të interesuara Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave, me objekt: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit ” nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit “… i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr.35/2017.

Scroll to Top