Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në konferencën ndërkombëtare për 20-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Malit të Zi
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga gjyqtarët Genti Ibrahimi dhe Asim Vokshi, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Mbi Kushtetutën, Shtetin dhe Demokracinë”, e zhvilluar në Tivat, Mal i Zi, në datat 1–3 tetor 2026.
Konferenca e organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, me rastin e 20-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Malit të Zi si shtet i pavarur, mblodhi së bashku Kryetarë dhe gjyqtarë të Gjykatave Kushtetuese dhe të larta evropiane, gjyqtarë të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, përfaqësues të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të Komisionit të Venecias, si dhe përfaqësues të Gjykatave Kushtetuese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Diskutimet e zhvilluara në tri panele kishin në fokus disa prej sfidave më të rëndësishme me të cilat përballet drejtësia kushtetuese bashkëkohore, veçanërisht në kuadër të proceseve të integrimit evropian. Ndër temat kryesore të trajtuara ishin sfidat institucionale dhe ndryshimet kushtetuese që shoqërojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, implikimet juridike të transferimit të kompetencave sovrane te Bashkimi Evropian, si dhe përdorimi i teknologjive të inteligjencës artificiale në proceset gjyqësore kushtetuese.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe dimensionit etik të përdorimit të inteligjencës artificiale në drejtësi, nevojës për garantimin e të drejtave themelore dhe ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit në kushtet e zhvillimeve të shpejta teknologjike.



