Prezantimi i Guidës “E drejta për liri në praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë (2022–2026)”, Tiranë, 18 nëntor 2026
Kryetarja, anëtarët dhe këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese morën pjesë në aktivitetin për prezantimin e Guidës “E drejta për liri në praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë (2022–2026)”, organizuar nga Këshilli i Evropës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, gjyqtarëve, prokurorëve, akademikëve dhe profesionistëve të së drejtës.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë personale si një nga garancitë themelore të shtetit të së drejtës dhe të dinjitetit njerëzor.
Kryetarja vuri në dukje se sfida e vërtetë qëndron në zbatimin e njëtrajtshëm dhe efektiv të standardeve kushtetuese në praktikën e përditshme gjyqësore dhe theksoi se çdo kufizim i lirisë duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm, proporcional dhe i mbështetur në një proces të rregullt që garanton mbrojtje efektive kundër arbitraritetit.
Znj. Papajorgji dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese vlerësuan kontributin e ekspertëve vendas dhe të huaj të Këshillit të Evropës në përgatitjen e Guidës, duke shprehur bindjen se analiza të tilla janë pjesë e përpjekjes për të ndërtuar ura dialogu më të qëndrueshme ndërmjet jurisprudencës, praktikës gjyqësore dhe formimit profesional të magjistratëve, si dhe për të krijuar hapësira për reflektim kritik dhe diskutim profesional mbi çështje që vijojnë të paraqesin sfida në interpretimin dhe zbatimin e së drejtës.
Duke shpresuar se ky botim do të shërbejë si një instrument i dobishëm për profesionistët e drejtësisë dhe për forcimin e mbrojtjes efektive të të drejtave themelore të individit, ju ftojmë ta lexoni Guidën në linkun e mëposhtëm:
E drejta për liri në praktikën e Gjykatës Kushtetuese (2022–2026) – GJYKATA KUSHTETUESE






