Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 25 maj 2023

Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 25 maj 2023

Sot, në datën 25.05.2023, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, zhvilloi në ambientet e kësaj gjykate një takim zyrtar me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.S.Znj. Yuri Kim, e cila shoqërohej nga znj. Mary Kate Butterfield, këshilltare ligjore rezidente e OPDAT dhe znj. Klodiana Vogli, specialiste ligjore.

Pasi e uroi fillimisht Kryetaren Zaçaj për zgjedhjen në detyrën e saj si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Ambasadorja Kim theksoi rëndësinë që mbart ky institucion si një prej shtyllave kryesore të reformës në drejtësi.

Në vijim, duke shprehur vullnetin e të gjithë trupës së gjyqtarëve për të respektuar vetëm Kushtetutën, për të qenë një trupë sa më kohesive, që synon ndjekjen e burimeve dhe vlerave më të mira, si dhe mbështetjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të jurisprudencës, Kryetarja Zaçaj e njohu Ambasadoren me disa prej sfidave dhe nevojave më imediate me të cilat po përballet aktualisht Gjykata Kushtetuese. Këto prioritete lidhen kryesisht me sistemin e menaxhimit të çështjeve në përputhje me zhvillimet e reja të teknologjisë, caktimin elektronik të tyre, si dhe hartimin e një dokumenti udhëzues sipas modelit të GJEDNJ-së, i cili do të shërbente për referime të standardizuara, dhe të plota të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese jo vetëm nga Gjykata, por nga të gjithë praktikantët e ligjit dhe juristët në përgjithësi.

Nga ana e saj, Ambasadorja Kim shprehu gatishmërinë për ta mbështetur Gjykatën Kushtetuese në këto projekte, në funksion të rritjes së cilësisë së drejtësisë, respektimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Scroll to Top