Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me Kreun e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, 12 janar 2026.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Fiona Papajorgji, priti sot në një takim kortezie në ambientet e kësaj gjykate, Kreun e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia RE.
Znj. Re e uroi Kryetaren Papajorgji për marrjen e detyrës dhe rikonfirmoi mbështetjen e Këshillit të Evropës për vazhdimin dhe realizimin e projekteve të ndërmarra në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Aktualisht, Zyra e Këshillit të Evropës ka ndërmarrë një nismë për të mbështetur Gjykatën Kushtetuese në ngritjen e një sistemi bashkëkohor të menaxhimit të çështjeve dhe digjitalizimit të arkivës së saj. Ky projekt financohet nga Agjenci SIDA për llogari të Ambasadës Suedeze në Tiranë.
Nga ana e saj, Kryetarja Papajorgji shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e deritanishëm të Gjykatës Kushtetuese me Këshillin e Evropës, si dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi, duke nënvizuar se mbështetja e Këshillit të Evropës ka qenë dhe mbetet një faktor i çmuar për rritjen e kapaciteteve institucionale. Kryetarja Papajorgji shprehu gjithashtu bindjen se partneriteti i ngushtë me Këshillin e Evropës do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës dhe përafrimin e jurisprudencës kushtetuese me standardet më të mira evropiane.
