Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me të Ngarkuarën me Punë (Chargé d’Affaires) të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri

Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me të Ngarkuarën me Punë (Chargé d'Affaires) të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji, ka zhvilluar sot, në datën 12.01.2026, një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, znj. Nancy VanHorn, e cila shoqërohej në këtë takim nga Këshilltari Ligjor Rezident i Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit (OPDAT).

Pasi e uroi Kryetaren Papajorgji për marrjen e detyrës së re në krye të Gjykatës Kushtetuese, znj. Nancy VanHorn riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve strategjikë, sikurse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe të pavarësisë së institucioneve kushtetuese në Shqipëri, duke evidentuar rolin e rëndësishëm që luan Gjykata Kushtetuese si një prej institucioneve më të larta në hierarkinë shtetërore.

Gjatë takimit, Kryetarja Papajorgji prezantoi disa prej sfidave dhe prioriteteve të Gjykatës Kushtetuese gjatë mandatit të saj drejtues, në veçanti në drejtim të garantimit të supremacisë së Kushtetutës, forcimit të besimit të publikut dhe rritjes së transparencës institucionale, si dhe rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Gjykatës Kushtetuese për përmbushjen e misionit të saj kushtetues, me integritet, profesionalizëm dhe në respektim të plotë të parimeve të pavarësisë dhe paanësisë.

Scroll to Top