Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, me Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, z. Gabriel Cremades
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, zhvilloi sot, më 11.06.2025, një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, z. Gabriel Cremades.
Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj e prezantoi Ambasadorin Cremades me një historik të shkurtër të marrëdhënieve shumë të mira të bashkëpunimit që kanë ekzistuar ndër vite mes Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës, bashkëpunim i cili është thelluar edhe me tej me nënshkrimin e një Marrëveshjeje Bashkëpunimi në mars të vitit 2024. Po ashtu, Kryetarja shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e saj për mbështetjen e dhënë nga Ambasada Spanjolle, jo vetëm për lehtësimin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, por edhe më gjerë në kuadër të Kongresit Botëror të Ligjit, i cili pritet të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2027.
Nga ana e tij, Ambasadori Cremades evidentoi mbështetjen dhe prezencën e fortë të Ambasadës Spanjolle, veçanërisht sa i takon reformës dhe sistemit të drejtësisë në Shqipëri, si dhe procesit të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian.