Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Znj. Holta Zaçaj, me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sh.T.Z. Skënder Durmishi
Sot, në datën 10.01.2024, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e kësaj Gjykate me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sh.T.Z. Skënder Durmishi.
Gjatë takimit Kryetarja Zaçaj evidentoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe intensive që ekzistojnë mes dy gjykatave kushtetuese të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat janë konkretizuar me një sërë veprimtarish të përbashkëta dhe formalizuar me rinovimin e Marrëveshjes për Bashkëpunimin Reciprok dhe Ndihmën e Ndërsjellë në Fusha me Interes të Përbashkët midis Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Kryetarja Zaçaj shprehu vullnetin dhe angazhimin për vazhdimësinë dhe konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, si dhe për mbështetjen që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka kënaqësinë dhe është e gatshme të ofrojë për anëtarësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Europiane (CECC) dhe në Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese Frankofone (ACCF).
