Takim në Gjykatën Kushtetuese me përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Sot, më 15 dhjetor 2025, gjyqtaret Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, si dhe këshilltarja ligjore Kaliona Nushi zhvilluan në Gjykatën Kushtetuese një takim me përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, znj. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive, z. Niazi Jaho, konstitucionalist dhe këshilltar ligjor pranë këtij Komiteti, si dhe Nosiana Burnazi, paraligjore/asistente projektesh.
Gjatë takimit u diskutua në lidhje me rolin e rëndësishëm, si ndërmjetëse të qytetarëve, që luajnë organizatat e shoqërisë civile në gjykimin kushtetues, veçanërisht ato që kanë si mision dhe fokus të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individëve, siç është Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ky i fundit përgjatë gjithë veprimtarisë së Gjykatës që prej krijimit të saj, ka marrë pjesë aktivisht në gjykimin kushtetues si në cilësinë e kërkuesit, ashtu edhe në cilësinë e subjektit të interesuar.
Në vijim, diskutimet u fokusuan në drejtim të forcimit të dialogut dhe mendimeve amicus curiae, si një mjet i ri procedural që Gjykata është duke përdorur, me qëllim marrjen e mendimeve të specializuara në çështje të ndryshme kushtetuese, si dhe cilësisë që kanë në procesin kushtetues subjektet që japin të tilla opinione, duke iu referuar natyrës këshillimore dhe rolit të këtyre mendimeve në gjykimin kushtetues.
