Tryezë e rrumbullakët me temë “Avancimi i mëtejshëm i kërkimit dhe arsyetimit ligjor për një vendimmarrje kushtetuese efektive dhe cilësore”

Tryezë e rrumbullakët me temë “Avancimi i mëtejshëm i kërkimit dhe arsyetimit ligjor për një vendimmarrje kushtetuese efektive dhe cilësore”

Në datën 21 mars 2025, nën kujdesin e veçantë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, zonja Holta Zaçaj, u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë: “Avancimi i mëtejshëm i kërkimit dhe arsyetimit ligjor për një vendimmarrje kushtetuese efektive dhe cilësore”. 

 Kjo veprimtari mblodhi së bashku këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si dhe përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese të Italisë për të ndarë përvoja dhe praktika të avancuara në fushën e arsyetimit juridik dhe të kërkimit shkencor kushtetues. Tryeza u zhvillua në formën e prezantimeve dhe të diskutimeve interaktive të kazuseve dhe u moderua nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zonja Holta Zaçaj.

Aktiviteti u përshëndet dhe nga Zëvendësambasadori italian në Tiranë, Dott. Luigi Mattiroli, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy gjykatave si një pasqyrë e lidhjes së fortë që dy vendet kanë. 

Në fjalën e saj Kryetarja Zaçaj, pasi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për ekspertizën e jashtëzakonshme dhe të çmuar të kolegëve italianë, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të konsoliduara ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe ndarjes së modeleve të suksesshme për përmirësimin e jurisprudencës:

“Jam e bindur se shkëmbimi i përvojave dhe modeleve të punës midis gjykatave kushtetuese kontribuon në avancimin e arsyetimit juridik dhe të jurisprudencës, duke çuar kështu në mbrojtje më të mirë të vlerave dhe parimeve kushtetuese”.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i ka kushtuar rëndësi të veçantë forcimit të kapaciteteve njerëzore nëpërmjet shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira me gjykatat homologe. 

Në këtë kontekst, tryeza mirëpriti Drejtorin e Shërbimeve Studimore dhe dy këshilltarë të Gjykatës Kushtetuese të Italisë, të cilët ndanë ekspertizën e konsoliduar të saj në kërkimin e thelluar ligjor dhe pasurimin e jurisprudencës.

 Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmirësimin e efikasitetit dhe të cilësisë së vendimmarrjes kushtetuese, duke siguruar që parimet dhe liritë kushtetuese të mbrohen e të promovohen në mënyrë sa më të plotë.

Scroll to Top