Tryezë pune e stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese mbi zbatimin e deritanishëm të planit të saj strategjik dhe objektivat për të ardhmen.

Tryezë pune e stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese mbi zbatimin e deritanishëm të planit të saj strategjik dhe objektivat për të ardhmen.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zhvilloi në datat 7 dhe 8 maj 2026, një tryezë pune me temë “Mbi zbatimin e deritanishëm të planit strategjik të Gjykatës Kushtetuese dhe objektivat për të ardhmen”, në të cilën morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës, përfaqësues të Njësisë së Shërbimit Ligjor dhe strukturave administrative të kësaj Gjykate.

Punimet e këtij aktiviteti u hapën me fjalën përshëndetëse të Sekretarit të Përgjithshëm, z. Eugen Papandile, i cili para se gjithash theksoi rëndësinë që mbart Dokumenti Strategjik i Gjykatës Kushtetuese dhe Plani i Veprimit në zbatim të tij për një veprimtari sa më eficiente dhe efikase të këtij institucioni, si dhe koordinimin sa më të mirë të funksioneve që ushtron secila prej strukturave administrative. Po ashtu, nga Sekretari i Përgjithshëm u evidentua se analizat periodike të kësaj natyre i shërbejnë jo vetëm shkëmbimit të frytshëm dhe konstruktiv të mendimeve dhe sugjerimeve të bëra nga pjesëmarrësit, por edhe identifikimit të problematikave dhe vështirësive të hasura gjatë procesit të implementimit të Planit të Veprimit dhe Strategjisë 2024-2026.

Gjatë takimit, Sekretari i Përgjithshëm dhe përfaqësuesit e të gjitha strukturave të Gjykatës Kushtetuese prezantuan në mënyrë të detajuar realizimin e objektivave specifikë dhe masave të planifikuara në kuadër të planit strategjik, si dhe ndanë vlerësime dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e mëtejshëm dhe rritjen e cilësisë së proceseve të punës.

Po ashtu, gjatë trajtimit të objektivave kryesorë për të ardhmen, duke u fokusuar veçanërisht në angazhimin dhe përgjegjësitë që ka marrë Gjykata Kushtetuese në kuadër të kryesimit të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC) dhe organizimit në Shqipëri, në vitin 2027 të Kongresit të XX-të saj, strukturat pjesëmarrëse propozuan ide konkrete për hartimin e masave të reja dhe me gjithëpërfshirëse, në funksion të rritjes së kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore, si dhe përmirësimit të mëtejshëm të imazhit të Gjykatës Kushtetuese në rajon dhe më gjerë.

Në përfundim të aktivitetit, Sekretari i Përgjithshëm prezantoi disa konkluzione dhe rekomandime për masat që do të ndërmerren ne vazhdim të vitit 2026, si dhe reflektime paraprake mbi objektivat dhe prioritetet e Strategjisë së re të Gjykatës Kushtetuese për periudhën 2027–2029.

Scroll to Top