Vizitë studimore e përfaqësuesve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë pranë Këshillit të Shtetit të Greqisë, 27 nëntor 2025
Në vijim të marrëdhënieve shumë të mira të bashkëpunimit me Këshillin e Shtetit të Greqisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga Sekretari i Përgjithshëm, Eugen Papandile dhe këshilltarët ligjorë Ermal Tauzi dhe Ertrit Sofroni, zhvilloi në Athinë, Greqi, në datën 27 nëntor 2025, një vizitë studimore pranë këtij institucioni.
Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese u prit në një takim të posaçëm nga Kryetari i Këshillit të Shtetit të Greqisë, z. Michail Pikramenos, gjatë të cilit u diskutua mbi bashkëpunimin e deritanishëm dhe mënyrat e thellimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Po ashtu, delegacioni pati mundësinë të njihej më nga afër me rolin, strukturën dhe funksionet e Këshillit të Shtetit të Greqisë, si dhe të zhvillonte takime me homologët me qëllim shkëmbimin e përvojave respektive ndërmjet dy institucioneve kushtetuese.
