Tryezë e rrumbullakët e organizuar në kuadër të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, Prishtinë, 8 dhjetor 2025
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mori pjesë në aktivitetin me temë: “Sfidat dhe praktikat më të mira në komunikimin e vendimeve të profilit të lartë të gjykatave kushtetuese: Një analizë krahasuese”, i cili u zhvillua në Prishtinë, në datën 8 dhjetor 2025.
Ky aktivitet, i konceptuar në formën e një tryeze të rrumbullakët komunikimi, u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, në kuadër të veprimtarive të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, dhe në të morën pjesë Sekretarë të Përgjithshëm dhe përfaqësues të stafeve administrative që mbulojnë marrëdhëniet me publikun dhe mediat nga Gjykatat Kushtetuese të Shqipërisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Turqisë, Kosovës, si dhe i ftuari i posaçëm nga Gjykata Kushtetuese e Republikës Çeke.
Pjesëmarrësit në aktivitet ndanë përvoja konkrete lidhur me mënyrat dhe mjetet e komunikimit që përdoren nga gjykatat kushtetuese të rajonit për të njohur publikun me vendimmarrjen e tyre. Po ashtu, u diskutua gjerësisht në lidhje me qasjen e gjykatave ndaj komunikimit të vendimeve që trajtojnë çështje shumë sensitive të shoqërisë me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, si dhe me interes të lartë për shtetin dhe institucionet e tij.
Emëruesi i përbashkët i diskutimeve ishte përpjekja e gjykatave për të respektuar parimet e transparencës, paanshmërisë dhe pavarësisë institucionale, si dhe për t’u përshtatur më së miri edhe me teknologjitë e reja të komunikimit.
