20 Prill 2009

20 Prill 2009

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë në datat 16-19 prill 2009, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Italiane, i kryesuar nga Kryetari i kësaj Gjykate zoti Francesco Amirante, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Delegacioni, në përbërje të të cilit ishin dhe zotërinjtë Ugo De Siervo zëvendës-kryetar i Gjykatës, Franco Gallo, gjyqtar, Giuseppe Troccoli, Sekretar i Përgjithshëm dhe nga zonja Maria Antonietta Biasella, Shefe e Protokollit, zhvilloi takime pune në Gjykatën Kushtetuese ku u prit nga Kryetari i kësaj Gjykate Dr. Vladimir Kristo. Pjesë e vizitës zyrtare ishte dhe seminari me temë “Kontrolli incidental dhe konflikti i kompetencave”, i cili u zhvillua në Vlorë.
 
Gjatë vizitës Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare Dr. Vladimir Kristo u shpreh se ky takim ishte premtues pasi Gjykata Kushtetuese Italiane ka një eksperiencë 60 vjeçare, dhe se përvoja e saj përbën një model referues jo vetëm për vendin tone, por edhe për gjykatat kushtetuese të vendeve të tjera.

Kurse Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Italiane, z.Francesco Amirante gjatë fjalës së tij ndër të tjera tha se, “Gjykatat Kushtetuese shpesh gjenden në presione të forta, por pikërisht në këto momente atyre u takon të qëndrojnë fort, duke siguruar integritetin e tyre dhe mbrojtjen e Kushtetutës”.

Në përfundim të vizitës zyrtare u ra dakord për nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi, në nivele të ndryshme, mes gjykatave kushtetuese të Shqipërisë dhe Italisë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje pritet të finalizohet brenda një kohe të shkurtër dhe përbën hapin e parë drejt vendosjes së një bashkëpunimi institucional.
 
Gjatë vizitës delegacioni u prit në takime të veçanta nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë SHTZ Bamir Topi si dhe nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë Znj. Shpresa Beçaj dhe anëtarë të tjerë të kësaj gjykate.

Scroll to Top