Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me Ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, 23 janar 2026.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, SH.T.Z. Michel Tarran.
Gjatë takimit, Kryetarja Papajorgji e falënderoi Ambasadorin Tarran për bashkëpunimin shumë të frytshëm dhe të vazhdueshëm ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, duke e vlerësuar këtë të fundit si një partner ndërkombëtar mjaft të rëndësishëm në mbështetje të veprimtarisë dhe strategjisë institucionale të Gjykatës. Kryetarja theksoi kontributin e çmuar të OSBE-së në forcimin e kapaciteteve, si dhe shprehu vullnetin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në drejtim të projekteve konkrete dhe iniciativave praktike me interes të përbashkët.
Nga ana e tij, Ambasadori Tarran përgëzoi Kryetaren Papajorgji për marrjen e kësaj detyre të lartë dhe shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese, si një prej institucioneve më të rendësishme shtetërore. Ai theksoi rolin thelbësor të Gjykatës Kushtetuese në garantimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, në mbrojtjen e Kushtetutës dhe të të drejtave themelore të njeriut, si dhe në përparimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ambasadori Tarran riafirmoi angazhimin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për të vijuar mbështetjen ndaj Gjykatës Kushtetuese, përmes asistencës teknike dhe projekteve të përbashkëta, duke shprehur besim të plotë në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
