Konferencë shkencore – juridike: “Parimi Ne Bis in Idem në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Problematikat e hasura në praktikën gjyqësore”, 10 prill 2026

Konferencë shkencore – juridike: “Parimi Ne Bis in Idem në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Problematikat e hasura në praktikën gjyqësore”, 10 prill 2026

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë, me mbështetjen e Shoqatës së Avokatëve Shqiptarë në Itali, organizuan sot në Tiranë konferencën shkencore – juridike me temë: “Parimi Ne Bis in Idem në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Problematikat e hasura në praktikën gjyqësore”.

Konferenca kishte për qëllim analizimin e përmbajtjes dhe dimensionit normativ të parimit Ne Bis in Idem, shqyrtimin e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të mbrojtjes, si dhe evidentimin e problematikave të hasura në praktikën gjyqësore.

Punimet e konferencës, në të cilën merrnin pjesë përfaqësues nga rrethet akademike, avokatë, gjyqtarë dhe prokurorë, u hapën me fjalët përshëndetëse të Dr. Fiona Papajorgji, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, z. Toni Gogu, Ministër i Drejtësisë, Prof. Dr. Maksim Haxhia, Kryetar i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, si dhe znj. Esmeralda Elmazi, Kryetare e Shoqatës së Avokatëve Shqiptarë në Itali.

Në fjalën e saj, Kryetarja Papajorgji theksoi rëndësinë që mbart dialogu me aktorët e sistemit të drejtësisë në tërësi, si dhe me komunitetin akademik dhe atë të avokatëve në veçanti, për zhvillimin e një jurisprudence që reflekton standardet më të larta të mbrojtjes së të drejtave themelore të individit, në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën e Gjykatës së Strasburgut.

Duke evidentuar dimensionin ndërkombëtar të parimit Ne Bis in Idem, kryetari Haxhia u shpreh se, në këtë kuptim, ky parim i kapërcen kufijtë e një parimi thjesht procedural, duke u pozicionuar si një test real i maturisë së sistemit tonë juridik dhe i aftësisë së tij për të garantuar sigurinë juridike, koherencën e jurisprudencës dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të individit.

Gjatë sesionit të parë, të moderuar nga Kryetarja Papajorgji, u trajtua parimi Ne Bis in Idem në rendin juridik kombëtar dhe evropian, me fokus në standardet kushtetuese dhe evropiane të zbatimit të tij, si dhe zhvillimet përkatëse në jurisprudencë. Në këtë sesion referoi edhe znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me temën “Parimi Ne bis in Idem në juridprudencën kushtetuese”.

Në sesionin e dytë, të moderuar nga av. Maksim Haxhia, u diskutuan problematikat kryesore të hasura në praktikën gjyqësore dhe dimensioni ndërkombëtar i parimit, dhe më konkretisht: identiteti i faktit përkundrejt kualifikimit juridik, ndërveprimi i procedimeve penale me ato administrative, autoriteti i gjësë së gjykuar dhe sfidat e bashkëpunimit juridiksional ndërkombëtar.

Në përfundim të konferencës u theksua rëndësia e unifikimit të praktikës gjyqësore dhe u formuluan rekomandime për përmirësimin e legjislacionit shqiptar në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Njoftimin në anglisht mund ta lexoni në linkun më poshtë:

Scientific–Legal Conference: “The Principle of Ne Bis in Idem at the National and International Level: Challenges in Judicial Practice” – 10 April 2026

 

Scroll to Top