Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Takimin e 16-të të Konferencës Ibero-Amerikane për Drejtësinë Kushtetuese.
Me ftesë të përbashkët të Kryetarit të Gjykatës Supreme Federale të Brazilit dhe Kryetarit të Konferencës Ibero – Amerikane për Drejtësinë Kushtetuese, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, Fiona Papajorgji, dhe i përbërë nga gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Genti Ibrahimi, dhe Marjana Semini, mori pjesë në Takimin e 16-të të Konferencës Ibero – Amerikane të Drejtësisë Kushtetuese, i cili u zhvillua në Brasília, Brazil, në datat 12 – 14 maj 2026. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u përfaqësua në këtë veprimtari edhe në cilësinë e gjykatës kryesuese të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane (CECC), për periudhën 2024 – 2027.
Veprimtaritë e zhvilluara në kuadër të këtij Takimi, të cilat mblodhën së bashku përfaqësues të lartë të juridiksioneve kushtetuese nga vende të ndryshme të hapësirës ibero-amerikane dhe më gjerë, përfshinë Takimin e Parë të Qendrave për Studime Kushtetuese, Konferencën Ndërkombëtare me temë “Drejtësia Kushtetuese dhe Demokracia”, si dhe punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Konferencës Ibero-Amerikane të Drejtësisë Kushtetuese.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Fiona Papajorgji, përshëndeti Konferencën në cilësinë e Kryetares së Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, duke evidentuar rëndësinë e forcimit të dialogut ndërgjyqësor dhe të bashkëpunimit institucional ndërmjet juridiksioneve kushtetuese në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, me qëllim konsolidimin e jurisprudencës kushtetuese dhe promovimin e vlerave demokratike. Gjithashtu, Kryetarja Papajorgji mbajti referimin me titull “Të drejtat e njeriut” gjatë sesionit të parë të Konferencës kushtuar të drejtave të njeriut.
Gjatë dy ditëve të punimeve të Konferencës u trajtuan edhe tema të tjera me interes të veçantë për drejtësinë kushtetuese bashkëkohore, si pavarësia e gjyqësorit dhe mjetet juridike të mbrojtjes kushtetuese, teknologjitë e reja dhe ndikimi i tyre mbi sistemin e drejtësisë, si dhe drejtësia klimatike dhe të drejtat e natyrës. Diskutimet evidentuan nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet juridiksioneve kushtetuese, me qëllim përballimin e sfidave të reja që lidhen me transformimet teknologjike, zhvillimet globale dhe mbrojtjen efektive të të drejtave themelore.
Konferenca i mbylli punimet me Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme, gjatë së cilës u diskutuan çështje të organizimit dhe funksionimit të mëtejshëm të Konferencës, si dhe u riafirmua rëndësia e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe institucioneve homologe në funksion të përmbushjes si misionit të tyre për forcimin e demokracisë kushtetuese dhe shtetit të së drejtës.










